Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Presidenti, dështimi i politikës!

Shkruar nga: Blendi Fevziu  
Botuar më: 12 vite më parë

Blendi Fevziu
Presidenti, dështimi i politikës!

Koalicioni qeverisës ka rënë dakord dje në mesditë që Presidenti i ardhshëm i Shqipërisë të mos hyjë në selinë e kreut të shtetit i veshur me kostum politik.  Thënë ndryshe, posti më i lartë politik në vend mund t’i jepet edhe një njeriu që s’ka lidhje direkte me politikën. Në këtë rast dalim sërish te listat e gatshme të viteve 2002 dhe 2007, mbushur me ushtarakë, diplomatë, juristë, drejtues OJQ–sh, njerëz publikë, të cilët kanë pasur dhe kanë një kontribut të rëndësishëm në shoqërinë shqiptare, por që kanë zgjedhur ta japin këtë kontribut pa qenë të angazhuar në politikë.

Si rëndom në dy rastet e tjera, emra ambasadorësh, gjyqtarësh, prokurorësh, gjeneralësh etj., do të hidhen e priten në tavolina politike, do të lakohen me të mirat e këqijat e tyre sipas shikimit të politikanëve dhe pa çarë kokë njeri nëse këto personazhe e duan një gjë të tillë, apo ata vetë kanë zgjedhur të rrinë larg. Siç ndodhi me Artur Kukon në vitin 2002, që refuzoi pasi qe zgjedhur për President nga të dyja palët, pa e ditur dhe pa dhënë më parë edhe ai vetë një aprovim.

Pak rëndësi ka emri që do të ngecë në tavolinë pas lodhjes së gjatë, diskutimeve pro e kundër dhe mungesës së dëshirës për t’u marrë më me këtë gjë. Po–ja e fundit, cilido qoftë emri, cilido qoftë integriteti dhe statura e tij, ka vetëm një përcaktim: dështimi i radhës i klasës politike shqiptare dhe paaftësia e plotë e saj për të marrë përgjegjësinë që i takon.

Nuk ka asnjë dyshim që dalja jashtë politikës për kandidaturën e Presidentit reflekton jo dëshirën për më shumë paanësi, por pasionin e madh të liderëve kryesorë për pafuqi. Prodhimin e një Presidenti që s’ngatërrohet në këmbët e askujt dhe që duket se nuk konkurron askënd.

Presidenti nuk duhet të zgjidhet detyrimisht i paanshëm. Ai duhet dhe është i detyruar të jetë i paanshëm si President. Këtë ia imponon Kushtetuta. Ajo që ka rëndësi dhe që ka funksionuar edhe në raste të ngjashme, në vende të tjera, ka qenë integriteti politik dhe moral i figurës që propozohet për President. Italia e zgjedh kreun e shtetit si edhe ne. Greqia po ashtu. Presidenti Napoletano nuk ka qenë i paanshëm. Ka qenë anëtar i Partisë Komuniste Italiane, por ai po di të jetë një President i paanshëm. Edhe Kosiga nuk ishte i paanshëm kur u zgjodh, as Pertini, njëri prej dy figurave kryesore të socialistëve italianë. Ata qenë politikanë të angazhuar, me integritet, që ditën të jenë presidentë po kaq të denjë.

Në Greqi historia është e ngjashme. Papulias nuk ishte njeri apolitik. Ka qenë një ndër drejtuesit kryesorë të PASOK-ut dhe disa herë ministër i kësaj partie. Kostandin Karamanlis plaku ka qenë figura emblematike e së djathtës greke, por ai qe një President i paanshëm dhe i respektuar, si edhe Papulias sot. Integriteti është ai që e shënjon një politikan, dhe jo angazhimi i tij.

A kanë Italia dhe Greqia figura të mëdha jashtë politikës? Pa dyshim që po. Po ashtu si edhe ne. Por rregullat e lojës janë të tilla që në postin më të lartë politik në vend vendoset një politikan, dhe jo një njeri që mendohet se zëvendëson politikanët, sepse tek ta vetë politika s’ka besim. Thënë ndryshe, liderët politikë shqiptarë janë të bindur që brenda politikës ku ata militojnë dhe brenda partive që ata drejtojnë, ose edhe nga partitë konkurrente, nuk ka figura me integritet që mund të mbajnë postin e kreut të shtetit. Dhe për ta mbushur këtë boshllëk ose mosbesim, dalin jashtë në fusha të tjera. Kjo është njësoj sikur Federata e Futbollit të mos ketë besim te trajnerët e saj dhe ta kërkojë drejtuesin e ekipit kombëtar nga radhët e politikës apo të ushtrisë; sikur regjisori i një festivali të mos ketë besim te prezantuesit e tij dhe ta kërkojë këtë në një fushë tjetër, në sport e, pse jo, edhe në politikë.

Zgjedhja e një Presidenti jashtë politikës nuk është gjë që s’ndodh, por është një gjë që dëshmon se kundërshtari më i madh i politikës është politika vetë. Përderisa katër kryetarë partish, ai i PD, LSI, PDIU, PR e me siguri edhe ai i PS s’besojnë se dikush prej tyre ose anëtarëve të partive të tyre ka fuqi të jetë i paanshëm, i ekuilibruar, garant. Pra s’kanë besim që një politikan si ata mund të jetë një President i mirë. E përderisa Shqipëria s’paska asnjë politikan tek i cili politika të ketë besim, përse duhet të këtë shoqëria tek ta!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama