Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Thaçi tjetër për Brukselin

Shkruar nga: Armand Shkullaku  
Botuar më: 12 vite më parë

Armand Shkullaku
Thaçi tjetër për Brukselin

Në të njëjtën ditë që ministrat e Brendshëm të Bashkimit Europian e shtynë vendimin për t’i dorëzuar Kosovës Udhërrëfyesin për vizat, një shkrim i pazakontë i Kryeministrit Hashim Thaçi u botua në të përditshmen “Express”.  Me një gjuhë të ashpër, kreu i qeverisë deklaroi se Brukseli ka dështuar me Kosovën dhe rajonin, se po mban gjallë industrinë e konflikteve, se po bën që njerëzit në një moment  të refuzojnë të japin diçka nga sovraniteti i tyre në raport me BE dhe se vonesat në procesin e integrimit mund të çojnë drejt shteteve monoetnike, ose, e thënë ndryshe, ndryshim të kufijve. Nuk do të kishte qenë çudi që teksti të ngatërrohej me ndonjë qëndrim të Vetëvendosjes sikur editoriali të mos mbante në krye emrin dhe foton e Kryeministrit. Por Thaçi nuk la vend për dyshime. Ai e rëndoi diskursin e tij dhe e përforcoi duke u shfaqur edhe në RTK, në media të huaja si dhe në mbledhje të qeverisë, duke dashur të bëjë të qartë pa asnjë dilemë se tash e tutje ka një qëndrim të ri ndaj Brukselit.

Ky qëndrim kaq i fortë dhe i papritur i Kryeministrit, që tenton të vendosë një raport të ri me Bashkimin Europian, nuk është një shpërthim i momentit. Ai po dërgon sinjale hapur në Bruksel, qoftë duke u ankuar për vonesat e BE, qoftë duke kërcënuar me destabilitet (ndryshimi i kufijve), se në Prishtinë gjërat mund të ndryshojnë, se partneri i bindur deri dje mund të shndërrohet në një bashkëbisedues të vështirë që di të thotë edhe “Jo”. Dhe më kryesorja, se dialogu i ardhshëm me Beogradin, dhe sidomos bisedimet për Veriun, nuk mund të zhvillohen më pa kushtëzime, se Prishtina do të kërkojë edhe të marrë, e jo vetëm të japë.

Zhvillimet e fundit e kanë detyruar Hashim Thaçin të ndryshojë qëndrim. Pakoja shpërblyese e lojës me fusnotën nuk erdhi në Kosovë sipas premtimeve. Kryeministri dhe qeveria morën një kosto të madhe elektorale duke hyrë në dialog me Beogradin dhe një rrezik akoma më të madh kur mbajtën mbi shpatulla përgjegjësinë e marrëveshjes për paraqitjen e Kosovës në nismat rajonale me një fusnotë që i referohej Rezolutës 1244. Reagimin e fortë opozitar dhe qytetar qeveria u mundua ta neutralizojë me euforinë e afrimit me BE si shkëmbim i lëshimeve të bëra Serbisë.

Kryeministri dhe ministrat kryesorë thanë se Kosova do të marrë shumë shpejt Udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, se do të nisë studimi për fizibilitetin e Marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit, do të nisin marrëdhëniet kontraktuale me BE dhe do të kishte anëtarësim në BERZH. Këto nuk u deklaruan nga qeveria si premtime, por si arritje konkrete që do të realizoheshin në një kohë tepër të shkurtër. Mbi të gjitha, liberalizimi i vizave që u premtua me të madhe edhe në fushatë nga Kryeministri dhe që u cilësua gati i sigurt në fund të këtij viti. Por gjërat duket se janë ndryshe, pranvera po del dhe Udhërrëfyesi ende nuk ka mbërritur. Serbia e fitoi statusin e vendit kandidat, ndërsa për Kosovën premtimet janë tretur në ajër.

Kryeministri po e sheh veten në një situatë ku politika e tij konstruktive deri në bindje të plotë ndaj partnerëve ndërkombëtarë, përveç disa vizitave të nivelit të lartë, nuk po i jep rezultate të tjera. Ai po sheh se si Tadiçi në Beograd, duke bërë lojë të dyfishtë, duke kushtëzuar BE, duke përdorur opozitën radikale, ia doli që të fitojë edhe statusin e vendit kandidat dhe, me sa duket, të mbetet përsëri në pushtet.

Ndërsa ai vetë, duke ndjekur rrugën tjetër, nuk po arrin të fitojë as Udhërrëfyesin për vizat dhe po rrezikon jo pak politikisht duke marrë përsipër të nënshkruajë marrëveshjet me Beogradin sipas rekomandimeve të Brukselit. Prandaj Hashim Thaçi po kërkon t’i dërgojë një mesazh të qartë BE se ai mund të ndryshojë, se në fund të fundit mund të bëjë atë që opozita dhe opinioni po ia kërkon prej kohësh: të vendosë kushte të qarta për Brukselin. Se vazhdimi i dialogut me të nuk do të jetë më aq i thjeshtë sa më parë dhe se lëshimet për Veriun nuk do jenë aq të lehta sa ato për fusnotën. Nëse Serbia dhe Kosova nuk kanë të njëjtën peshë për BE, Thaçi po synon që të paktën ai dhe Tadiçi të kenë të njëjtën peshë për Brukselin. Edhe për këtë arsye ai ka vendosur të flasë një gjuhë tjetër me BE, atë të presionit. Thaçi nuk mund të marrë përsipër kosto elektorale në këmbim të asgjëje.

Atë që ai e humb potencialisht duke bërë lëshime në raport me Serbinë, kërkon ta kompensojë duke fituar diçka për qytetarët e Kosovës, në radhë të parë liberalizimin e vizave si dhe të ketë një bilanc për të dalë përpara elektoratit në zgjedhjet e ardhshme. Sigurisht që për të fituar më shumë prej BE kusht mbeten reformat e brendshme, por premtimet e bëra, të paktën për vizat, Thaçi po ngul këmbë që të mbahen. Dhe këtë ai nuk po e bën vetëm me editoriale dhe intervista. Sinjalet në drejtim të BE ai po i dërgon dhe në forma të tjera. Ndoshta tërheqja e PDK nga anulimi i kushtëzimit të dialogut me Serbinë me zbardhjen e fatit të të pagjeturve është një mënyrë e moderuar për të treguar ndryshimin e qëndrimit. Edhe mbështetja që LDK po i bën qasjes së re të Thaçit është një mesazh se në vazhdimin e dialogut dhe diskutimeve për Veriun spektri politik kosovar do të jetë unik.

Se si do të reagojë Brukseli ndaj këtij zhvillimi, mbetet për t’u parë, por Prishtina njërën rrugë e provoi dhe nuk doli atje ku priste. Tani po tenton rrugën tjetër, atë që opozita dhe një pjesë e opinionit publik ia kishin kërkuar Thaçit kohë më parë. A është Thaçi me vonesë? Ndoshta, por nëse arrin t’ia dalë me këtë qëndrim të ri që ka zgjedhur, më mirë vonë se kurrë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama