Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Një reformë elektorale për së mbari

Shkruar nga: Adri Nurellari  
Botuar më: 17 vite më parë

Adri Nurellari
Një reformë elektorale për së mbari

Një reformë elektorale për së mbari
Botuar tek gazeta Panorama
Adri Nurellari (www.adrinurellari.com)
 
Prej vitesh reforma elektorale është bërë një ndër temat më të rrahura dhe të preferuara të debatit publik. Kohët e fundit me sa duket ka filluar një garë për të rendur e propozuar alternativa sa më të guximshme të zëvendësimit të sistemit elektoral sikur sistemi të ishte burimi i problemet të zgjedhjeve të pandershme shqiptare. Ndërkohë që shmanget vëmendja nga problemi kryesor i zgjedhjeve në Shqipëri, administrimi i tyre në terren dhe moszbatimi i kodit elektoral. Një tjetër problem i identifikuar është edhe fenomeni i votimit strategjik, Dushkut, i cili në fakt mund të eliminohet lehtë po qe se vota për kandidatin është në të njëjtën kohë edhe proporcional si votë për partinë. Shumë i janë vërsulur sistemit mazhoritar për faktin e thjeshtë që në kushtet e mungesës së rendit publik dhe zbatimit të ligjit gjatë fushatës, procesit të votimit dhe numërimit të votave, të fortët kanë një supremaci. Në këtë rast është fatale që të zmbrapsemi në mënyrë disfatiste duke e pranuar këtë realitet e duke marrë ne mundimin që të anashkalojmë këtë problem të kriminalizimit të procesit elektoral, në vend që ta ballafaqojmë e ta zgjidhim siç duhet këtë çështje.
Mes alternativave të hedhura dallohen tre shqetësime kryesore. Së pari nuk shikohet me kujdesin e duhur transformimi radikal në arenën politike që do të sjellë ndryshimi radikal i sistemit elektoral. Zëvendësimi do të thotë një ortek të mirëfilltë në organizimin partive politike shqiptare, përmbysje të traditës politike të deritanishme dhe mosrespektim i nevojës që ka Shqipëria për konsolidim institucional. Së dyti injorohet prirja tipike shqiptare drejt mazhoritarit, nëse bëhet nja analizë e sjelljes elektorale të shqiptarëve dhe kulturës politike vihet re një tendencë e qartë drejt mazhoritarit, dikotomisë apo bipartitizmit. Së treti propozimet janë duke u bërë të nisura thjesht nga interesa të ngushtë personal duke patur parasysh përfitimet të ngushta që nxirren nga një preferencë e caktuar nga partitë e ndryshme. Madje disa prej tyre as nuk marrin mundimin që ta maskojnë sadopak këtë manifestim të pragmatizmit meskin duke pretenduar sadopak interesin publik. Ndryshe nga etërit themelues të ShBA-së që kur diskutonin e përplasnin idetë për kushtetutën amerikane kishin parasysh interesin e përgjithshëm të shtetit që po ndërtonin, këta politikanët tanë thjesht kanë parasysh ndryshime institucionale që favorizojnë partinë e tyre politike. Sikur të mos kenë mjaftuar manovrat e deritanishme të kryera për të manipuluar përbrenda sistemin ekzistues për të fituar, këto manovra tashmë po marrin përmasa të frikshme dhe duan ta transformojnë krejtësisht sistemin në mënyrën më të leverdishme të mundshme.           
            Një ndër studiuesit më në zë të partive politike, Maurice Duverger, dikur thoshte që sistemet elektorale janë instrumente të çuditshme, njëherazi kamera dhe projektor sepse regjistrojnë pamje që kanë krijuar pjesërisht vetë. Kjo shprehje në një farë mënyre ilustron se sa delikate është një reformë elektorale dhe le të mendosh se sa të rënd mund ta ketë impaktin. Sot vihet re ndjeshëm një rritje të dëshirës për të përqafuar sistemin proporcional të pastër ose hibride të tij dhe për të eliminuar mazhoritarin. Mirëpo shpesh kur përkrahet proporcionali harrohet konteksti shqiptar si dhe përdoret jashtë kontekstit analogjia me Evropën Perëndimore. Meqenëse shumë vende të perëndimit e kanë, le ta fusim edhe ne këtë sistem. Në fakt sikurse është trajtuar nga Rokkan sistemi proporcional është përhapur në Evropën kontinentale si një lloj kompromisi mes atyre që ishin në pushtet për të ruajtur pozicionet e tyre të privilegjuara dhe në të njëjtën kohë për të dhënë mundësi përfaqësimi ndaj grupeve që më herët kanë qenë të përjashtuara. Po të shikohet empirikisht e kaluara e adoptimit të këtij sistemi në Evropë dalin në pah dy rrethana kryesore. Nga njëra anë del nevoja për të garantuar një përfaqësim të përpjesëtuar politik në shoqëri me tipare të theksuara heterogjene (ndarje etnike, sociale, fetare etj) dhe nga ana tjetër ka qenë një lloj reagimi ndaj kërcënimit të brendshëm dhe të jashtëm komunist. Sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, komunizmi u popullarizua shumë në mbarë Evropën Perëndimore (partia e dytë komuniste në botë ishte ajo italiane me mbi dy milionë anëtarë) dhe vende të ndryshme e panë të arsyeshme që t”i integronin komunistët në sistemin demokratik nëpërmjet proporcionalit. Në këtë mënyrë ata futën në brazdat e sistemeve të përfaqësimit politik segmentet e moderuara komuniste dhe shmangën rrezikun e përmbysjeve të sistemit të brendshëm kushtetues të inkurajuar edhe nga blloku lindor.
Studime të ndryshme kanë vënë në dukje se ne procesin e rënies së komunizmit, sistemi proporcional ka qenë favorizuar nga reformatorët demokratik të cilët donin të nxisnin pluralizmin nëpërmjet këtij sistemi politik, ndërsa komunistët kanë parapëlqyer sistemin mazhoritar të pastër. Kjo pasi në rangjet e tyre komunistët kishin një numër të madh kuadrosh të njohur mirë të cilët kishin përvojë të pasur politike, kontakte të bollshme dhe struktura të ngritura në terren të cilat do t’ju jepnin një avantazh të krahasuar në kushtet e mazhoritarit. Në pjesën më të madhe të Evropës Lindore këto dy palë me interesa dhe qëllime të ndryshme bënë pazar dhe ranë në ujdi për një rrugë të mesme, që është sistemi i përzier.
Po të shikohet Shqipëria në retrospektive, gjenden shumë argumente të qëndrueshëm për të thënë se proporcionali i pastër do kishte qenë i dobishëm në fillim të viteve nëntëdhjetë për të shmangur prirjet tiranike të shumicave të ardhur në pushtet. Mirëpo ajo tendencë e atëhershme është zbutur e fashitur në dekadën e dytë të ku rezultatet e zgjedhjeve kanë qenë më të ekuilibruara pa krijimin e shumicave të thella. Kështu po të analizojmë zgjedhjet e vitit 2001 po qe se do të kishin qenë zgjedhje pa manipulimet e famshme në 17 distriktet elektorale dhe 10 deputetët e stisur të Dushkut, padyshim që rezultati final do kishte qenë i ekuilibruar. Gjithashtu po të shikohet rezultati i zgjedhjeve të fundit të vitit 2005 rezultati ka qenë goxha i balancuar. Përqendrimi i pushtetit në dorën e të djathtëve që ne përjetojmë sot nuk ka ardhur si derivat i zgjedhjeve por i mutacioneve politike brenda të majtëve.
Një proporcional i pastër sot jo vetëm që nuk është i nevojshëm por do të dëmtonte ndjeshëm efikasitetin e qeverisjes si pasojë e fragmentizimit politik të pashmangshëm që do të vijonte në Shqipëri në kushtet e mungesës së koherencës ideologjike të partive të ndryshme. Përgjegjësia politike për dështimet në qeverisje do të ngelte jetime në qeveritë me koalicione të gjera që do të vinin si rezultat i proporcionalit dhe po kështu do të mungonin reformat e thella dhe qëndrueshmëria politike. Gjithashtu do të lulëzonte korrupsioni i politikanëve sepse partitë e copëtuara do të mund të mobilizonin njerëz vetëm nëpërmjet klientelizmit dhe patronazhit politik (siç ndodh tashmë me partitë e vogla) dhe jo me rezultate në qeverisje apo platforma politike të cilat do t’i kishin të pamundura t’i realizonin në qeveri me koalicione laramane.
Edhe mazhoritari i pastër do të ishte shumë problematik sidomos duke patur parasysh ndarjen dhe klientelizmin e theksuar krahinor dhe klanor që vihet re në Shqipëri. Partia Demokratike nuk do kishte më arsye për të mbajtur struktura partiake në Kuçovë dhe po kështu qeveria e PD-së nuk do kishte arsye për të çuar fonde në një qytet ku ta zëmë dy mijë anëtarët e PD-së nuk kanë asnjë peshë tek përbërja përfundimtare e zgjedhjeve parlamentare. E njëjta analogji mund të bëhet për PS-në në Shkodër. Por me praninë e një dimensioni proporcional në sistemin zgjedhor, partitë kryesore ruajnë dimensionin e tyre kombëtar dhe vazhdojnë të mbajnë lidhjet dhe interesin politik edhe jashtë zonave të tyre të influencës. Po kështu me një mazhoritar të pastër bëhet e vështirë qarkullimi i elitave (SHBA është rasti tipik i rrezikut të krijimit të oligarkisë prej mazhoritarit të pastër pasi aty mbi 85% e kongresmenëve dhe senatorëve rizgjidhen në çdo zgjedhje) dhe hyrja e faktorëve dhe aktorëve të rinj në politikë do bëhej e pamundur.
Nëse me të vërtetë është e nevojshme një ndryshim të sistemit elektoral atëherë një model i përkryer për reformë elektorale do të ishte modeli i reformës së kryer prej Zelandës së Re në vitin 1993. Shqipërisë fare mirë mund t’i shkonte për shtat kjo reformë si nga forma ashtu edhe nga përmbajtja. Për sa i përket formës, domethënë mënyrës sesi është kryer reforma, nevoja për të u vu re sidomos pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 1978 dhe 1981, ku për faj të sistemit mazhoritar të pastër, Partia Laburiste mori më shumë vota në nivel kombëtar por më pak deputet në parlament se Partia Nacionale. Gjithashtu një parti e tretë, Krediti Social, mori 16% të votave në 1978 dhe 20% në 1981 mirëpo siguroi vetëm një deputet herën e parë dhe dy herën e dytë. Ky nivel skandaloz disporpocionaliteti që tregonte se pesha e votës së një qytetari ishte shumë e pabarabartë pasi varionte në varësi të vendndodhjes gjeografike të qytetarit, bëri që në vitin 1984, laburistët sapo të vinin në pushtet të krijojnë Komisionin Mbretëror për Sistemin Elektoral.
Ky komision i paanshëm jopolitik nxori një raport të gjatë e të hollësishëm në të cilin paraqiteshin dhjetë kriteret që duheshin marrë për bazë për të shqyrtuar sistemin ekzistues elektoral dhe ato alternativë. Këto kritere ishin ndershmëri mes partive, përfaqësim politik efektiv i minoriteteve dhe grupeve te veçanta të interesit, përfaqësim efektiv i minoritetit maori, integrim politik, përfaqësim efektiv votues deputet, pjesëmarrje efektive në votim , qeverisje efektive, parlament efektiv, parti efektive dhe legjitimitet. Ky komision sugjeroi adoptimin e sistemit paralel ku zgjedhësit të kenë dy vota, një për partinë politike dhe një për një kandidat lokal të zonës së tyre. Në vitin 1992 u organizua një referendum jo vendimtar për reformën elektorale ku grupime të ndryshme lobuan për alternativa të ndryshme. Në këtë referendum 84.5% e votuesve kërkuan që sistemi ekzistues të zëvendësohej dhe prej këtyre 70.5% ishin në favor të sistemit alternativ të propozuar nga komisioni, ndërkohë që 1.7.5% votuan për sistemin e votës teke të transferueshme, 5.5% për sistemin e anëtarit suplementar kurse 6.6% për sistemin e votës alternative. Një vit më pas u organizua një referendum vendimtar për reformën elektorale dhe në këtë referendum 46.1% votuan për mbajtjen e sistemin ekzistues ndërsa 53.9 zgjodhën sistemin paralel të përzierë dhe zgjedhjet parlamentare të vitit 1996 u mbajtën me këtë sistem elektoral. Pra e gjithë reforma ishte transparente dhe legjitime duke mbajtur për bazë interesin publik dhe nuk u krye pas kulisave, e motivuar nga interesat meskin të aktorëve të ndryshëm politik dhe në formën e pazareve të thata numerike sikurse po ndodh në Shqipëri në këto momente. Pra procesi i reformës elektorale është një model për t’u ndjekur.
Por po të analizohet me vëmendje edhe përmbajtja, pra rezultati i kësaj reforme ose më saktë sistemi i ri i përqafuar, mund të thuhet me bindje të plotë që do ishte një model shumë i përshtatshëm për Shqipërinë. Me sistemin e Zelandës së Re qytetarët zgjedhin një parlament me 120 anëtarë (edhe vetë ky numër mund të ishte i qëlluar për parlamentin tonë) gjysma e parlamentit vjen nga mazhoritari, pra kandidatë të cilët marrin shumicën në 60 distriktet e ndryshme të vendit, dhe gjysma tjetër vjen nga një votat e dhëna për partitë politike. Një votues jep dy vota, një për partinë politike dhe një për një kandidat të zonës që mund të mos jetë i partisë së preferuar.  Për të ndarë 60-eshen e proporcionalit partitë duhet të kalojnë pragun prej 5% të votave në mbarë vendin ose të kenë siguruar fitoren në të paktën një zonë elektorale. Në këtë mënyrë shmanget mundësia e votimit strategjik, Dushkut, pasi partitë kryesore marrin deputetë si nga mazhoritari ashtu edhe nga proporcionali, e nuk kanë më interes që të kanalizojnë votuesit e tyre tek partitë e vogla aleate në proporcional. Minimizohet disporpocionaliteti i votës duke ruajtur një harmoni të favoreve të të dy sistemeve dhe duke bërë të mundur vazhdimësinë e traditës së sistemit të përziere. Prania e gjysmës proporcionale të sistemit bën të mundur daljen e partive të reja politike dhe përfaqësimin e tyre në parlament ndërkohë që prania e mazhoritarit bën të mundur që individë të ndryshëm me aspirata politike por pa përkatësi partiake të mund të futen e të garojnë për zona të ndryshme elektorale duke ushtruar të drejtën për t’u kandiduar pa patur nevojë që të ketë një parti prapa. Ky është një sistem i thjeshtë që nuk lë shumë hapësirë për makinacione që meriton të merret në konsideratë seriozisht nga opinioni dhe vendim-marrësit në Shqipëri. 

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama