Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Fatos Nano nuk e mban dot më në duar çadrën e tij

Shkruar nga: Andi Bushati  
Botuar më: 12 vite më parë

Andi Bushati
Fatos Nano nuk e mban dot më në duar çadrën e tij

Ai nuk është më kryetari i partisë së madhe, e cila i mundësoi për një dekadë e gjysmë të zgjidhte postet që donte dhe t’i shpërndante po aq bujarisht për të tjerët. I pambuluar, me krahë të pambrojtur, ai është sot i detyruar të bëjë një betejë të vetmuar. Për të siguruar atë që kur e pati në dorë ta merrte, e refuzoi dhe që sa herë e ka kërkuar me këmbëngulje, ia kanë refuzuar… karrigen e Presidentit. Për të arritur këtë, atij i duhet edhe sot t’i bjerë në gjunjë njeriut që e ka përdorur më tepër se gjithkush, Berishës.

Për të arritur këtë, i është dashur të ngrihet mbi marrëdhënien dashuri-urrejtje me vëllain e tij armik, Ilir Metën. Për të arritur këtë i është dashur t’i trokasë në derë pasardhësit të vet mosmirënjohës, Edi Rama. Për të arritur këtë, sytë i ka te një lloj simpatie që ka arritur të ngjallë te ndërkombëtarët. Sepse Fatos Nano i është futur sërish udhëtimit të mundimshëm, në takimin e katërt, me zgjedhjet presidenciale. Atëherë, më 1997-n, kur e kishte mundësinë e refuzoi këtë post. Por sa herë e kërkoi më pas, në vitin 2002, në vitin 2007, refuzuan t’ia japin.

I gjithë ky kalvar lidhet ngushtë me karrierën e gjatë të Fatos Nanos në krye të së majtës, me sakrificën, epizmin, intrigat, pazaret, me tolerancën dhe donkishotizmin e një njeriu plot dritë dhe hije. E një njeriu që u shfaq papritmas në verën e vështirë të vitit ’90, për t’u shndërruar në një nga simbolet e viteve të tranzicionit.

Pas kësaj dite, i pikasur nga Presidenti i kohës, Ramiz Alia, Nano fillon një ngjitje marramendëse: sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë, më pas numri dy i qeverisë, dhe më 26 shkurt ’91, vetëm pak ditë pas rënies së bustit të Enver Hoxhës, Kryeministër i Partisë gjysmëshekullore të Punës.

Me këtë status ai do t’i prijë fushatës elektorale në zgjedhjet e para pluraliste në vend. I prezantuar nga Xhelil Gjoni dhe në krah të një punisti të vjetër që ka ndërruar disa herë kamp, ai prezanton në ekranin e televizionit të vetëm shqiptar programin e parë të komunistëve në pluralizëm.

Kjo fushatë e parë, edhe në sajë popullaritetit prej ylli në ngritje të së majtës që i vishej Kryeministrit të ri, do të fitohej thellë nga komunistët. Ajo do t’i jepte Nanos mundësinë për të drejtuar kabinetin e tij të dytë qeveritar. Por gëzimi i fitores do të ish i shkurtër! Vetëm dy javë pas fitores vendi do të përfshihej nga greva dhe protesta masive. Sindikatat e pavarura, qytetarët në rrugë, opozita, do t’ia bënin të pamundur qeverisjen komunistëve. Vetëm pas pak ditësh Fatos Nano do të dorëzonte armët.
Dorëheqja e Nanos, që i hapte rrugë një kompromisi politik, rrezikonte ta linte jashtë loje atë vetë! Përpjekja e tij më e madhe në ato momente qe të arrinte vendin e ministrit të tregtisë me jashtë në një qeveri koalicioni ku Berisha kish lejuar të hynin njerëzit e tij më të aftë: Gramoz Pashko si zv.kryeministër e Preç Zogaj si ministër i Kulturës.

Këto ditë të nxehta të verës ’91, Fatos Nano kishte një dilemë: ose të arrinte postin ministror që e donte aq shumë, ose të hidhej në hierarkinë e Partisë Komuniste që në Kongresin e saj të Dhjetë kish vendosur të konvertohej në socialiste.

Pasi nuk arriti ta kapte dot objektivin e parë, Nano pranoi të bëhej bartësi i konvertimit të punistëve. Bëhet fjalë për Kongresin e fundit të Partisë së Punës, i cili do ta zgjidhte Fatos Nanon kryetar të Partisë Socialiste.

Simboli i ri do t’u përshtatej me vështirësi kohëve të reja. Në fushatën elektorale të një viti më pas, Partia Socialiste do të dilte në opozitë! Fitorja e Demokratëve me dy të tretat u jepte atyre pushtet absolut. Rreziku i revanshizmit pas gjysmë shekulli pushtet opozitar ishte i prekshëm. E ai nuk mund të linte pa kërcënuar as njeriun që kish marrë përsipër t’i dilte në mbrojtje asaj gjysme të shoqërisë që ndihej e margjinalizuar. Fjala “burg” kish filluar të përmendej gjithnjë e më shpesh pas zgjedhjeve të 22 marsit.

Një vit më pas, drejtpërdrejt me insistimin e Sali Berishës, Nano do të burgosej nën akuzën se kish vjedhur në favor të të tretëve ndihmat që Italia i akordonte Shqipërisë. Burgosja e këtij lideri, që edhe pas hekurave qëndronte po aq krenar dhe fodull sa në liri, ish kërkuar drejtpërdrejt nga mitingje politike ku liderët bërtisnin: “Po s’u burgos Fatos Nano, shkatërrohet PD-ja”.

Vetë Nano do t’i përvishej një kalvari katërvjeçar burgimi politik. Nga burgu i Bënçës, ku Fatos Nano kryente dënimin politik së bashku me hierarkët e partisë që ai kish transformuar, nuk do ta nxirrte një proces i rregullt, por rrethanat anarkike. Tashmë historia është e njohur; zgjedhjet e vjedhura të majit 96, rënia e piramidave, futja e vendit në kaos, hapja e depove dhe e burgjeve. Pushteti i Berishës që u shkri brenda ditësh, tani nuk siguronte dot më as Presidencën, jo më të kishte luksin për të mbajtur të burgosur politikë.
Dhe për gjithë këtë rrokopujë, shumica opozitare e shikonte zgjidhjen vetëm te një njeri. Tek ai që kish provuar qelitë me çmimin e kundërshtimit të regjimit. Trishtimi nga paratë e humbura sikur bëhej më i vogël nga shpresa e portretit që mbanin në duar.

Fatos Nano u kthye në zyrën e lënë bosh në mes të marsit ’97. Përpara vetes kishte dy baste: i pari politik, të fitonte zgjedhjet e ardhme; i dyti personal, të fitonte ndaj banalitetit që i përndjek heronjtë pasi zbresin në tokë.

Në fushatën elektorale, lideri i së majtës mendoi vetëm për sfidën e parë. Pas këtyre mitingjeve, ku ndihej adhurimi për të, fshihej ankthi njerëzor për të rifituar lirinë e munguar. Pas dashurisë që i ofrohej fshihej dëshira për të shijuar kënaqësitë e vogla të jetës. E megjithatë, për gazetarët e huaj Fatos Nano fliste gjithnjë me gjuhën e një lideri që do të hapte një faqe të re.

Në orët e mbrëmjes së 29 qershorit ‘97, Fatos Nano ishte në zenitin e adhurimit politik. Shqiptarët e kishin votuar me mbi dy të tretat e votave. Ai do të skiconte tani konturet e shtetit të ri. Kishte gjithçka në dorë për këtë, aq sa shumëkush e parathoshte në postin e Presidentit. Por ai do ta refuzonte atë post që do ta kërkonte, gati me përvuajtje, për tri herë me radhë vite më pas.

Fillimet e Nanos ishin impresionuese. Një kundërshtar i tij i kohës së burgut, Namik Dokle, do të bëhej nënkryetar Kuvendi. Kryetari i social-demokratëve, Gjinushi, kryetar. Parulla “Të sakrifikojmë pushtet për të bërë shtet” dukej më e prekshme se kurrë. Me këtë filozofi posti i Presidentit do t’i ofrohej një socialisti vetëm njëvjeçar, Rexhep Meidanit.

Me paradoksin e madh të atij që bisedat i bënte si një ish-i burgosur ordiner, ndërsa filozofinë e kish prej një lideri modern, Nano shkoi drejt Kryeministrisë për të ngritur qeverinë e tij të tretë. Por qeverisja pas katastrofës do të shkërmoqte shpejt aureolën e ish-politikanit të burgosur. Në qytetin ende të pashëruar nga kriza gëlonin thashethemet për jetën e lehtë në orët e vona të Kryeministrit, për pirjet e tij të gjata, për korrupsionin e njerëzve të tij të afërt. Kupa e mbushur me një sakrificë katërvjeçare po derdhej në pak muaj.

Në godinën e qeverisë po trokiste 14 shtatori!

Vrasja e Azem Hajdarit ishte pika e kthesës. Demokratët e Sali Berishës ishin prej disa muajsh në rrugë. Prej javësh Fatos Nano kërcënohej nga demonstrues që çonin arkivole bosh përpara rezidencës së tij qeveritare. Por arrestimi, edhe sot nuk dihet se me urdhër të kujt, i disa zyrtarëve të lartë demokratë, i kishte vënë benzinë zjarrit. Tronditja e qeverisë së re ishte në një rrugë pa kthim. Por, pasi ish-lideri i protestave të pluralizmit u vra nga njerëz me uniformë, Berisha lëshoi kushtrimin për ta rrëzuar edhe Nanon si diktaturën e përmbysur.

Mbështetësit e Berishës u armatosën për këtë qëllim. Por a ishte Berisha regjisori i vetëm i asaj që ndodhi më 14 shtator? Apo ajo ishte një ndërthurje më e ndërlikuar rrethanash me qëllim rrëzimin e Fatos Nanos? Këtë askush nuk e ka të lehtë ta thotë. Ndoshta është një nga ato mistere që shuhen pa u zbardhur.

Por, në kohën që njerëz të armatosur sulmonin selinë e tij, megjithëse një ditë më parë Nano qe përbetuar për ruajtjen e shtetit, ai ia kishte mbathur jashtë kufijve! Lirinë e kish sakrifikuar për katër vite që të fitonin të tijtë, kokën ishte tepër që ta rrezikonte. Arratisja e tij drejt Maqedonisë qe dhe rënia e tij.

Por, kur Nano u kthye në Tiranë, gjërat kishin ndryshuar radikalisht. Më kot ai u mundua të luante liderin; të manipulonte turmat, kur, i rrethuar me truproja, jepte një konferencë shtypi para mureve të Kryeministrisë të troshitur nga plumbat.

Më kot ai betohej: “Do të eliminojmë me mjete legale, me forcën e ligjit, të gjitha qendrat që provokojnë në realitet destabilizimin e demokracisë në Shqipëri”.

Mjet “legal” konsiderohej atëherë heqja e imunitetit për opozitarin Berisha, që Nano e konsideronte “kriminel me imunitet”. Ngjarja do të zhvillohej në këtë sallë të improvizuar, pasi Parlamenti qe shkatërruar nga plumbat dhe flakët.

Por kjo nuk do ta shpëtonte Fatos Nanon. Në pamundësi për të bërë një kabinet të ri, ai do të dorëhiqej. Këtë radhë, i detyruar nga shumica e tij parlamentare. Pak kohë më pas do të jepte dorëheqjen edhe nga kreu i PS-së.

Ai do të kalonte një vit rrugëtim në shkretëtirë. Kur mediat e kërkonin, kur shumëkush hapte fjalë se kish një sëmundje të rëndë, kur kolegët e dikurshëm mundoheshin ta gjenin dhe ai i fshihej.

Do të kthehej vetëm një vit më pas, kur në dhjetor ’99 rifitoi një garë me fotofinish kundër Kryeministrit Majko, në Kongresin e PS-së. Por edhe pas kësaj fitoreje nuk kish ndër mend më të bëhej Kryeministër. Ndoshta kjo është koha kur për herë të parë ka përkundur ëndrrën për President. Rolin e Ekzekutivit do t’ia besonte, sipas një tradite puro nanoiste, një rivali të vjetër, Ilir Metës.

Por edhe Meta, së bashku me kanakarin e tij, një tjetër promovim të Nanos, shpejt do të shndërroheshin në armiq. Për ish-liderin e burgosur nuk kishte kurrë qetësi. Ato që bujarisht i falte si dhurata, i duhej gjithnjë t’i rifitonte me beteja. Kështu nisi fushata për Katarsis kundër çiftit Meta-Rama, të cilët e kishin lënë përditë e më shumë në hije liderin e vjetër.

Kështu nisi beteja epiko-satirike në funddhjetorin 2001-fillimvitin 2002. Rivaliteti brenda së majtës qe bërë i padurueshëm me fitimin e mandatit të dytë qeverisës. Ai do të mbetet emblematik për helmin e batutave Nano-Rama.

Për shumëkënd nga armiqtë e Nanos, shkaku i kësaj dëshire të papritur për pushtet, që ai s’e pati demonstruar kurrë, ishte një grua. Përpara se ta çonte në altar, Fatos Nano i kish premtuar asaj ta bënte Zonjën e Parë të vendit. Vetëm kështu e shpjegojnë kundërshtarët rinimin plot nerv të Fatosit, dëshirën për të kompensuar diferencën e moshës me pushtet përballë kësaj gruaje të re.

Xhoana Nano do të qe e pranishme edhe në Korfuz, në takimin e famshëm të pajtimit mes një lufte të gjatë mes Nanos dhe Metës. Në ambientet e hotelit “Imperial Palace”, dy kokat e së majtës do të binin dakord për një rokadë. Në atë verë të nxehtë të 2002-shit Nano i premtoi t’i linte Metës vendin e Kryeministrit dhe atë të kreut të PS-së. Ai vetë donte vetëm një gjë: Presidencën. Por planet e thurura në këtë sfond idilik do të tjetërsoheshin në Tiranë.

Sinjalet nga Brukseli e detyruan të majtën që, megjithëse i kishte numrat, ta zgjidhte bashkë me opozitën, në mënyrë konsensuale, Presidentin. Edhe autorët e “Paktit të Korfuzit” iu bindën këshillave nga jashtë. Tani për Presidentin do të vendoste edhe opozita, që e përjashtonte kandidaturën Nano.

Tryeza politike e qershorit 2002 do të zgjidhte të parin president konsensual të vendit.

Një nga dekretet e para që ai do të firmoste në detyrën e re qe emërimi i Nanos Kryeministër për të katërtën herë në karrierën e tij. Alfred Moisiu do të hidhte atë firmë që për një muaj kishte refuzuar Rexhep Meidani, njeriu që Nano e kish çuar në këtë post.

Qirinjtë e tortës së 50-vjetorit të Kryeministrit, që do të shuheshin në ish-vilën e Enver Hoxhës mes entuziazmit të shoqërisë bling-bling, janë simboli më i mirë i qeverisjes së katërt të Nanos. Një fund mandati me akuza për korrupsion, me lidhje gjithnjë e më të forta me botën e parasë dhe me një shpërdorim të paskrupullt të qeverisjes për të shuar orekset e njerëzve të tij të dashur.

Një tjetër skenë simbol. Në buzukun “Pili Aktio” të Selanikut, nën tingujt e së famshmes, Pegi Zina. Por ato ditë Shqipëria kish shpallur zi kombëtare për vdekjen aksidentale të gjimnazistëve kosovarë. Kryeministri kish nxjerrë një komunikatë për shtyp ku thuhej se kish bërë një ndërhyrje kirurgjikale.

Por, kur pamjet e televizioneve greke, që i rimori në Tiranë edhe TV Klan, zbuluan një variant tjetër, ngjarja mori përmasat e një skandali…

Në stërmundimin titanik për t’u ringjallur politikisht, të tilla ngjarje u shfrytëzuan nga Berisha për të nisur “lëvizjen Nano ik”. Madje mënyra e qeverisjes së Nanos i pati çuar te Berisha dhe armiqtë e tij më të egër. Jo vetëm bashkimi i opozitës, jo vetëm ashpërsia e Berishës, por pushteti i Nanos do të gërryhej edhe nga shfaqja e parë e intolerancës në karrierën e tij. Në Kongresin e dhjetorit 2003, për herë të parë Kryeministri vendos të pastrojë partinë nga rivalët. Ilir Meta dhe të tijtë pothuajse përjashtohen.
E keqja në fakt po mbërrinte deri në fyt. Opozita dhe kundërshtarët në të majtë po tuboheshin vetëm me një qëllim: rrëzimin e Kryeministrit, gjë që vështirë se do ta ndalonte përkrahja e zbehtë ndërkombëtare që po përpiqej të fitonte.

Në vitin 2004, Fatos Nano shkeli për herë të parë në Shtëpinë e Bardhë! Njeriu që në vitet e para e kish sulmuar publikisht Amerikën si fajtore për burgosjen e tij, njeriu që i kish përshkruar diplomatët e saj si njerëz që mbanin thika në dhëmbë, tani po shkonte, në kuadër të NATO-s, të takonte Presidentin Bush. Një prekje duarsh dyminutëshe që Nano nuk e harron lehtë. Ai e kujton mirë atë bisedë…

Por Fatos Nano nuk do të mbërrinte si Kryeministër atë ditë, me gjithë përpjekjen e stërmundimshme dhe fushatën brilante për të rikuperuar vetveten që zhvilloi në vitin 2005. Koha kur mund të qëllonte në shenjë kur të donte tashmë kish kaluar. Më kot i përvishej mundimit për t’iu kthyer imazhit të njeriut të thjeshtë. Stërmundimi për t’u vënë në rolin e shërbyesit, larg imazhit të njeriut të rrethuar nga klientët milionerë që i ushqente pushteti i tij, nuk mund të zinte vend kollaj. Po aq vështirë zinte vend edhe tentativa për të luajtur me rrezikun Berisha.

Katër korriku i vitit 2005 ishte dita e dënimit të tri viteve qeverisje të papërgjegjshme, ishte dita e dënimit me votë të përpjekjes për të luajtur me elektoratin. Ishte dita kur parulla e vjetër: “Të sakrifikojmë pushtet për të bërë shtet” po hakmerrej! Sepse prej tri vitesh po zbatohej së prapthi.

Por, pavarësisht përpjekjeve titanike për të rikuperuar me fushatë imazhin e një qeverisjeje të keqe, Nano nuk bëri tentativë për ta rikuperuar atë me rrugë të paligjshme. Ndaj, në ditën e tij më të keqe, me fytyrë të vrarë dhe me energji të shterura, ai nuk mund të mos mburrej me standardin e zgjedhjeve që kishte vendosur. Ky njeri që i shpallte standardet më të rëndësishme se rezultati, nuk mund t’i përvishej mundimit për t’i zhbërë ato. …

Ai nuk mund ta fshihte kokën si struci; i kishte humbur zgjedhjet. Duhet të ikte. Kishte ardhur në pushtet i sapodalë nga burgu dhe kish vendosur standardin e mos-hakmarrjes. Po largohej nga pushteti me votë dhe duhej të vendoste standardin e respektimit të saj. E pas kësaj deklarate Fatos Nano u zhduk, u bë i pakapshëm për askënd. Kur të tijtë e thërrisnin për t’u bërë pjesë e marifeteve për të mbajtur me çdo kusht pushtetin, ai bridhte plazheve. Akrepat e orës do të ktheheshin mbrapsht. Tani në pushtet po përgatitej të rikthehej Berisha. Ai do të merrte dekretin e qeverisë së re nga duart e Presidentit Moisiu. Do të bënte, si zakonisht, premtimet për qeverisjen e ardhshme, pa harruar të kujtonte më pas se premtimet e dikurshme i kish mbajtur…

Por Nano vetë nuk do të zgjidhte largimin vetëm si bindje ndaj principeve të tij për lojën demokratike. Në ditët pas humbjes, presioni ndaj tij u rrit në masë të shproporcionuar. Ai u bë targeti i gjithë mllefit të të humburve… Dhe këtë nuk mund ta kalonte më me batuta. Gazeta e Kokëdhimës, “Shekulli”, qe në vijën e parë të sulmit. Në ato ditë të nxehta të humbjes ajo kish hapur një fushatë për një akuzë që Nanon e shoqëronte prej vitesh: atë të vrasjes së një banori të fshatit Shkallnur, duke qenë në timonin e makinës dhe fshehjen e krimit më pas.

Madje gazeta pretendonte se kish zbuluar edhe Mercedes-in e krimit që gjendej i strehuar në selinë e PS-së… Hetimi që vazhdonte parashihte zhvillime edhe më ogurzeza. Ndërkohë që edhe politikisht zërat që kërkonin largimin e tij po shtoheshin.

Edhe Servet Pëllumbi, një figurë e lartë e socialistëve, fshikullonte ashpër zërat që kërkonin që Nano mos largohej pa reformuar partinë. Largimin jo vetëm e kishte zgjedhur; drejt tij dhe e kishin shtyrë.

Për pothuajse një vit pas humbjes, Fatos Nano pothuajse do të zhdukej. Do të rindërtonte jetën e tij në qetësi, në harresën e një qyteze simpatike pranë Vjenës. Edhe në Parlament do të dukej rrallë, aq më pak në publik, ku veç ndonjë ndërhyrjeje thumbuese ndaj pasardhësit të tij, do të mbizotëronte heshtja. Aq e gjatë, sa për të zgjuar kuriozitetin e reporterëve.

Kur të kthehej do të bënte siç dinte ai: fort. Në mënyrë surprizuese: për t’u takuar me armikun e përjetshëm, me njeriun që e bënte përgjegjës për burgun, me njeriun që e kish rrëzuar nga pushteti! Por ky takim i duhej tani më shumë për të goditur rivalin e tij të ri, Edi Ramën. Në çastin më ekstrem, kur opozita kërcënonte me bojkotin e zgjedhjeve lokale të vitit 2007, pa u zgjidhur problemi i certifikatave, ai do t’i vinte në ndihmë Berishës. Dhe ky i fundit do ta amnistonte Nanon duke thënë se gjithë gjëmat që kish deklaruar kundër tij qenë thjesht deklarata elektorale.

Ndërsa Nano do ta shfrytëzonte takimin për të goditur njeriun që i kish zënë vendin. Të njëjtën tentativë kundër Ramës do ta përsëriste edhe në kulmin e fushatës elektorale të vitit 2007. Duke u shfaqur në publik, krahas konkurrentit të tij Olldashi, një natë në Living Room, kur kish ardhur grupi i famshëm “Europe”. Hipoteza se Nano s’e duronte Ramën tashmë ish fakt. Ajo – se po punonte për Berishën – po përhapej me shpejtësi. Ndërsa një e tretë, se e gjitha kjo qe një lojë shahu që i shërbente ëndrrës së vjetër presidenciale, po imponohej përditë e më shumë. Ndaj edhe Sokol Olldashi do t’ia kthente reston në të njëjtën mënyrë…

Ëndrra e përkundur për President do ta detyronte Nanon që dy vjet pas largimit të kthehej në verën e vitit 2007 në ish-zyrën e tij për t’i kërkuar pasardhësit, aq shumë të luftuar, mbështetje. Lideri historik e kish ndarë më dysh grupin parlamentar dhe i kish marrë një pjesë të madhe të firmave që i duheshin për të kandiduar. Por Rama s’do t’ia jepte kurrë mbështetjen. Fatos Nano do të konkurronte i vetëm dhe do të eliminohej në turin e tretë të garës vetëm me 3 vota… Në turin e … katërt do të konkurronin vetëm Ceka dhe Topi. Nga hidhërimi Nano do të bënte edhe një përpjekje të kotë për t’i anuluar dy turet e para me një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese. Por hidhërimi i tij do të merrte formën e hakmarrjes.

Gjashtë deputetë, të ashtuquajtur mbështetës të tij, por të lidhur edhe me fije të tjera me maxhorancën, e thyen bojkotin e opozitës, e zhvleftësuan kërcënimin e saj për zgjedhje të parakohshme dhe shkuan të votojnë për Bamir Topin. Njëri prej tyre, daja i gruas së Nanos, recitoi në publik tekstin që ish-kryetari i kish mësuar përmendësh. Për një kohë të gjatë Fatos Nano është mburrur se me zgjedhjen e Bamir Topit ai e shpëtoi vendin nga kriza, nga zgjedhjet e parakohshme dhe nga kaosi institucional…

Me të njëjtën filozofi Fatos Nano filloi një fushatë politike edhe në vjeshtën e vitit 2007. Qëllimi: të testonte mbështetjen e tij në bazën e majtë. Por, shpërdorimi që i kish bërë fushatës për katarsis, perceptimi i përhapur se ai shfaqej në publik vetëm kur e donin interesat e veta vetjake, ia fikën këtë fushatë që nuk gjeti kurrë mbështetës. Kjo ishte drama e njeriut që nuk e besonin më as kur thoshte të vërteta.

Por gjithsesi, Nano nuk u tërhoq nga dështimet. Ai e goditi Ramën fort dhe parimisht para zgjedhjeve të vitit 2009. U tregua i ashpër me dy liderët aktualë edhe pas 21 janarit. Por të gjitha këto kanë kohë që nuk e bëjnë më të besueshëm. Pikët e tij në sondazhet e opinioneve kanë rënë dhe ideja se ai luan vetëm për interesat e tij është përhapur me shpejtësinë e dritës.

Por, të gjitha këto nuk e dekurajojnë këtë sfidant betejash të pamundura. Ai është rishfaqur pesë vite pas herës së fundit në ish zyrën e tij në PS. Ka trokitur në një derë nga është larguar vetë dhe ku ka dhimbjen që sheh të rehatuar dikë tjetër.

Megjithatë, edhe njëherë është ngritur mbi veten. Duke dëgjuar thirrjet përvëluese të ambicies dhe jo zërin e ftohtë të arsyes. Për të kërkuar edhe njëherë votat për President. Ato që i refuzoi në vitin ‘97; ato që ia refuzuan në 2002-shin dhe në 2007-n. Kjo për të është hera e tretë. Ai vazhdon të ngjisë shkallët e së pakapshmes. Ndërkohë, jashtë, ata që e presin, pyesin: A mund t’ia arrijë? A mund të rikthehet? A i beson më kush?

Pa çarë kokë për to, Fatos Nano vazhdon të besojë të njëjtën devizë… Ky rebelizëm i ka kushtuar jo pak. Shpesh atë e ka paguar edhe me kosto personale. Por atëherë, kur të gjithë e kanë shpallur të mbyllur kapitullin e tij, ai prapë ka vazhduar të njëjtin refren…

Marrë nga “Zonë e Ndaluar”

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama