Fshesa e pakuptimte ndaj gardes se vjeter te PD-se

Shkruar nga: Andi Bushati  
Botuar më: 6 vite më parë

Andi Bushati
Fshesa e pakuptimte ndaj gardes se vjeter te PD-se

Mbyllja e procesit zgjedhor të PD-së  të dielën, duket se përmban në vetvete një paradoks: nga njëra anë ai ka fshirë me fshesë figurat kryesore të partisë, që kanë qeverisur për tetë vite së bashku me Berishën dhe nga ana tjetër e gjithë poropaganda e kësaj partie është e përqëndruar në mbrojtjen e këtij bilanci tetë vjeçar. Po t’i hedhësh një sy të shpejtë listave të botuara në shtypin e së hënës, vë re se nga të gjithë të zgjedhurit rishtas, ka vetëm një ish-ministër të kohës së Berishës (Eduart Halimi), po të mos llogarisësh këtu kontributin disa mujor të Florian Mimës, i cili zëvendësoi kolegun e larguar të LSI-së.

Ndaj, kur sheh këtë listë në mendje të shkon natyrshëm pyetja: A nuk ka nevojë Partia Demokratike për punën e përditshme, si sekretarë apo drejtues komisionesh, të atyre njerzve që për tetë vite kanë qeverisur gjithë Shqipërinë? A nuk ka nevojë ajo për ekspertizën dhe lidhjet e Arben Imamit, që mbajti për katër vite mardhëniet me NATO-n? A nuk i duhet, përvoja e Genc Rulit? A nuk i duhen njohja e PD-së dhe kartëvizitat e financierëve ndërkombëtarëve që ka mbledhur për vite me radhë Bode?  Po një kontribut më i madh nga Pollo, Majlinda Bregu etj? Duket qartë se kush ka qeverisur për një kohë të gjatë në krah të Berishës është prekur nga vala e spastrimeve.

Këtu do thoshte ndokush, nuk ka asgjë të keqe. Shqiptarët e dënuan rëndë me votë qeverisjen e Berishës (unë jam nga ata që nuk besoj se votuesit patën shpresë tek Rilindja, ata thjeshtë vendosën të largonin doktorin), modelin e tij dhe të atyre që i qëndruan besnikërisht në krah, dhe do të qe normale që një parti e madhe, që pretendon të rikthehet në pushtet, t’i bindet këtij vullneti.

Nëse votuesit shqiptarë vendosën t’i thonë mjaft korrupsionit galopant, arrogancës, dhunës shtetërore dhe kapjes së shtetit, nuk kishte kuptim që këto t’i merrte në kurriz vetëm Berisha, ndonëse fajtori kryesor, ai duhej t’i ndante mëkatet edhe me njerëzit e tij të afërt.

Në këtë mënyrë po, do të kishte kuptim fortuna mbi gardën e vjetër. Por, në fakt nuk ndodhi kështu dhe këtu qëndron paradoksi. Ende edhe sot Partia Demokratike nuk ndan të njëjtin vizion me shumicën e shqiptarëve që votuan kundër saj. Edhe në faljen që kërkoi për qeverisjen e kaluar, Lulzim Basha e bëri këtë në emër të disa zyrtarëve të nivelit të dytë që qenë shkëputur nga problemet e njerzve dhe kishin bërë nga pak korrupsion. Ai konfirmoi linjën zyrtare të PD-së se nuk ka pasur as strategji të gabuara dhe as abuzim me pushtetin në rangjet e larta. Pikërisht këtë politikë e sheh edhe në të gjitha shfaqet e përfaqësuesve të PD-së në debatet televizive, ku ata janë gjithnjë, me kokën e kthyer nga pas, shumë më të preokupuar për të mbrojtur sukseset e qeverisjes që shkoi sesa për të ngjallur shpresë për qeverisjen e ardhshme.

Po nëse linja e PD-së është kjo, atëherë ç‘kuptim ka kjo fshesë e madhe mbi gjithë gardën e vjetër qeverisëse? Pikërisht kjo pikpyetje ngërthen edhe paradoksin e sotëm të demokratëve. Atë nuk e zgjidh dot fraza ambigue e Bashës për “rinovim, pa bërë harakiri”. Ajo mer fund vetëm duke i dhënë përgjigje të qartë një pikëpyetjeje: ose ata që po eleminohen sot kanë qeverisur mirë dhe për këtë një pjesë e madhe e tyre duhet të jenë në drejtim, ose ashtu siç mendon një pjesë e madhe e shqiptarëve, ata kanë qeverisur keq dhe duhet të largohen në grup.

Por pikërisht kësaj pikpyetjeje nuk ka dashur t’i përgjigjet në një vit e gjysmë Lulzim Basha. Ai as ka guxuar dhe as ka dashur të bëjë një zgjidhje pricipiale. Në vend të një qasjeje strategjike, ai ka tentuar një lëvizje taktike. Kupola e re që drejton PD-në tregon vetëm këtë. Aty janë zgjedhur njerëz që mbrojnë totalisht bilancin e Berishës, por që kanë edhe një plus më shumë: ata janë të aftë të jenë edhe kokëulur ndaj Bashës. Vetëm kjo mund ta shpjegojë largimin e gardës së vjetër. Ata nuk po ikin se gabuan, dje, së bashku me kryetarin e mëparshëm. Ata po spastrohen sepse mund t’i bëjnë hije, nesër, kryetarit të ri.

 


*Lapsi.al

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama