Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pse i fshihet debatit Halim Kosova?

Shkruar nga: Andi Bushati  
Botuar më: 9 vite më parë

Andi Bushati
Pse i fshihet debatit Halim Kosova?

Partia Demokratike po e çon Dr. Kosovën drejt një vendimi absurd që mund ti kushtojë më shumë asaj vetë sesa kandidatit. Në më shumë se një rast me stilin e tij, ai është detyruar të thotë “se nuk është koha e llafeve por e punës”, se “debatet i kanë ardhur në majë të hundës njerëzve” se përballjet televizive janë “humbje kohe” duke refuzuar kështu dorashkën e hedhur nga rivali kryesor Veliaj.

Duket qartë se ka një përpjekje të partisë së tij për ta mbyllur në akuarium kandidatin që nuk është një politikan tipik. Atij i kanë vënë nga pas një staf të madh që i zgjedh sinkronet që shpërndahen më pas me kaseta në të gjitha TV-të, i fshihen paragrafë nga intervistat e regjistruara, i bëhet një përkujdesje e veçantë, që imazhi i politikanit që nuk di të flasë mirë, mos prishi atë të profesionistit që punon shumë.

Por në të gjithë këtë përpjekje për të krijuar një Dr Halim fallco, të vlefshëm vetëm për fushatë, që bie ndesh me atë realin, ka një gabim të madh. Unë personalisht besoj se me daljet e tij të para publike, me të folurën popullore, me qëndrimin babaxhan, me krahasimet që bën nga materniteti, Kosova mund të ngrejë një profil që i mungon politikës së përditshme shqiptare: atë të njeriu që flet sinqerisht. Ai edhe kur gabon edhe kur bën gafë edhe kur flet në dialekt është më i pranueshëm, kur hyn përmes ekranit në shtëpitë tona, sesa çdo papagall që ka mësuar një tekst përmendësh. Ndaj mendoj se çdo përpjekje e stërmundimshme për të ngritur një profil fallco është shumë më pak frytëdhënëse sesa kandidati real.

Por ky është thjeshtë një mendim personal që ka pak rëndësi. Duket se vendimi i PD-së është marë për ta fshehur Kosovën nga fushata reale. Aq më shumë nga përballja direkte me rivalin. Strategët e fushatës së PD-së me sa duket kanë pasur dy shqetësime kryesore: së pari që në një përballje mos e ndeshin kandidatin e tyre me bilancin e vakët dhe me njolla klienteliste të Bashës në Tiranë dhe së dyti që oratoria e tij e paelaboruar mos bëhet përngesë për shpalosjen e bilancit të një karrierre të suksesshme personale.

Por, duke dashur të fshehë bashkë me kandidatin këto dy meraqe të saj, PD-ja ka shkuar deri në absurditete. Pas ftesës së parë për debat që bëri Erion Veliaj, nga tribuna e selisë blu Jorida Tabaku e kundërshtoi atë. Duke njohur profilin e moderuar dhe të hapur të kësaj zonje të politikës, kuptohej qartë se ato që tha, nuk qenë argumentat e saj por të një mendje shumë më të mbyllur brenda PD-së. Ja vlen të zgjatesh pak tek to për të kuptuar se përse PD ja do ta shmangë përballjen televizive për Tiranën: “Për çfarë e fton në debat Erion Veliaj, dr.Halim Kosovën? E fton në debat për 20 mijë familjet që hoqi nga ndihma ekonomike për të futur miq dhe familjarë të tij dhe deputetëve të tjerë të mazhorancës? E fton në debat për rritjen e çmimit të energjisë apo për faktin se ende nuk ka dhënë asnjë kompensim për familjet në nevojë? E fton në debat për mijëra vende pune të mbyllura? E fton në debat për mijëra familje që kanë marrë rrugët e emigrimit? E fton në debat për 95% të shqiptarëve që marrin borxh për bukën e fëmijëve?Apo për mijëra të rinj që enden të papunë rrugëve të Tiranës dhe Shqipërisë, apo për pensionistët që me pseudo reformën e tij u jep 200 lekë në ditë? Për çfarë e kërkon debatin?” Ky është pak a shumë qëndrimi i PD-së të cilin i shtohet më pas fallciteti i kandidatit Velia, përzgjedhja e tij preferenciale nga Rama, aferat e tij, për shumë prej të cilave ka shkruajtur edhe Lapsi.al dhe janë rimarë më pas edhe nga opozita.

Por pyetja që shtrohet është: Nëse kandidati kundërshtar është vërtet i tillë siç pikturohet, a ka gjë më të lehtë për tu përballur me të në debat. Nëse PD-ja beson tek pyetjet që ngre, a nuk është më mirë ti thuhen ato Velisë në sy? Pikërisht pra ato që PD-ja sjell si motive për të mos bërë debat publik, janë arsyet më të forta se pse kjo gjë duhet të ndodhë.

Për të përligjur të papërligjshmen strategët demokratë po e fusin kandidatin e tyre në një qerthull absurd. Duke mos dashur ta nxjerrin Kosovën në debat ata po i japin atj rolin e pakuptimtë të njeriut që predikon se debatet janë llafe boshe të mërzitshme për njerëzit. Imagjinoni për një çast sikur dikush në një demokraci perendimore ta quante të tillë debatin mes Obamës dhe Romneyt apo Holandit dhe Sarkozisë. Absurde.

Natyrisht edhe bota demokratike njeh plot shembuj të mungesës së debatit. Natyrisht jo duke e refuzuar për këto arsye, por duke përligjur moshumbejn e pikëve të atij që është në avantazh me sfidantin. Kjo gjë ka ndodhur edhe në Shqipëri. Zakonisht opozitarët e kanë kërkuar përballjen dhe pushtetarët i janë shmangur asaj. Kështu Rama është zbythur nga tre debatet e fundit për Tiranën (Ngjela, Olldashi, Basha) por ndërkohë ai ndjeu të njëjtën frikë tek Berisha kur ky i fundit iu shmang përballjes në zgjedhjet e fundit në 2013-ën.

Pra edhe në këtë kuptim Halim Kosova nuk ka asnjë shkak ti friksohet përballjes. Ajo nuk mund të jetë e dëmshme për të.

Mbi të gjitha, ajo është e dëmshme për vetë PD-në. Duke qenë se Tirana është kryeqendra dhe modeli i fushatës, me qasjen që po zgjedh në Tiranë, opozita po paralizon kandidatët e saj. Duke mospranuar standardin e debatit ajo po i heq mundësinë edhe Grida Dumës në Durrës ta demaskojë rivalin e saj Gjushin për lejet që ka dhënë, për administrimin skandaloz dhe për betonizimin e Durrësit. Ajo po e shpëton edhe Qazim Sejdinin nga përballja me të vërtetat e klanit të tij në Elbasan. Ajo po i mohon publikut debatet për Vlorën e parikuperueshme më kurrë, për Gjirokastrën ku shembja e pallateve merr jetë njerëzish etj. Ajo po i shpëton socialistët nga dhënia llogari për mandatet e gjithë atyre drejtuesve lokalë, që u detyruan të largohen nga postet me kërcënimin e “ndjekjes penale”.

Pra shkurt, në këtë fushatë debati përballë kundërshtarëve që sorollaten pa bërë azgjë prej dy vitesh në pushtetin qendror dhe që qeverisin pjesëm më të madhe të kryeqendrave vendore prej vitesh e vitesh, është vetëm në favor të opozitës. Ti shmangesh atij është një gafë politike. Është një tradhëtim i kauzës së opozitës, vetëm sepse do të fshehësh bilancin e munguar të Tiranës dhe oratorinë e mangët të Dr Halimit.   

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama