Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Si duhet lexuar Rama

Shkruar nga: Andi Bushati  
Botuar më: 13 vite më parë

Andi Bushati
Si duhet lexuar Rama

Libri i Edi Ramës i ka ndarë më dysh komentuesit e tij. Jo vetëm nga simpatitë personale. Jo vetëm nga bindjet politike. Jo vetëm nga vërtetësia e fakteve apo e kundërta e tyre. Ndarja më e dukshme që vërehet është ajo që ravijëzon dy grupime të mëdha. Nga njëra anë ata që duan ta trajtojnë si një vepër publicistike, me portrete politikanësh, me përshkrim ngjarjesh, me ide për të ardhmen. Nga ana tjetër janë ata që e shohin ashtu siç shihen libra të tillë rëndom në botën perëndimore, si një vepër e shkruar nga një politikan, i cili më shumë se gjithçkaje u shërben qëllimeve të tij politike.

Pikërisht ky shqetësim vihet re edhe në shkrimin e botuar nga Ardian Klosi, “Autorë dhe recezentë”. Klosi, si një nga mbrojtësit pasionantë të librit të Ramës, shqetësohet për atë që ai e quan si një mënyrë të re në gjykimin e librit, sipas së cilës gjykohet jo vepra, por autori. E për këtë merr penën për të bërë replikë me dy nga kritikët më të ashpër të “Kurbanit”, Fatos Lubonjën dhe Armand Shkullakun. Natyrisht, unë nuk kam ndër mend të merrem me akuzat ndaj dy të sipërpërmendurve. Nuk kam ndër mend të bëj avokatinë e shigjetimeve se, ata, si të paguar prej medias “më të kapur e më proqeveritare që ka ekzistuar ndonjëherë në këtë vend”, qenkëshin të detyruar të shajnë Edi Ramën.

 I njoh aq mirë të dy këta njerëz, sa ta shpërfill një variant të tillë, në mos dashakeq, lehtësisht simplist. Nuk dua të zbres në këtë debat personash. Nuk dua të besoj se Lubonja paskësh dështuar si politikan e publicist, e prandaj e gjitha kjo i qenka kthyer në një zemërim të pashpresë kundrejt ish-mikut të tij, Edi Rama. Nuk mundem të besoj, askush që e njeh Fatos Lubonjën, qoftë edhe vetëm përmes shkronjave apo ekranit, nuk mundet kurrsesi të besojë se reagimet e tij vijnë nga mllefi i të qenit i parealizuar. Nuk mundem të besoj se kritika e tij buron sot ngaqë ai dështoi të hynte në arenën e pushtetit pas vitit 1997. E kam parë Fatos Lubonjën përgjatë viteve të refuzojë me shpërfilljen e njeriut të lirë herë ofertat e pushtetit e herë ofertat financiare mediatike, të cilave ne të tjerët nuk u kemi rezistuar dot. Nuk mundem të besoj se ashpërsia e gjykimit të këtij njeriu sot vjen nga shitja në pak kopje e librave të tij.

Së pari sepse nuk besoj që askush me formim sado të cekët intelektual e barazon vlerën e një autori me tirazhet e librit të tij. Dhe së dyti, sepse ndryshe nga moda kalimtare e autorëve të sotëm, që kaplojnë ububushëm ekranet, e kam parë Lubonjën që në asketizmin e tij intelektual, të ketë shpërfillje për reklamimin, pushtimin e faqeve të para, pritjet mondane që u kushtojnë shumë autorëve më tepër energji sesa shkrimi i librit. Pra, thjesht, Fatos Lubonja nuk mund të jetë ziliqar për një gjë që e përçmon. Nuk mundem të besoj, gjithashtu, se Armand Shkullaku, njeriu me të cilin kam kryer një udhë të gjatë profesionale, mund të shkruajë sipas mendësisë: “Për kët shërbim i ka than Franga, pa i lanë n’fytyrë çarçafë e ndërgjegje danga”. E kam parë që si rrallëkush të braktiste ofiqin e drejtuesit të redaksisë më të madhe të lajmeve në vend duke dhënë dorëheqjen në atë kohë kur dyshja Meta–Rama sapo kishin nisur rrugën për t’i katandisur lajmet e TV “Klan” po aq keq sa janë sot.

E kam parë ta përsërisë të njëjtin akt, ndoshta si fat, ndoshta si rastësi, ndoshta si intuitë e profesionistit që parandien fatkeqësinë, fare pak kohë përpara tragjedisë së Gërdecit, prej nga e cila informacioni i TV “Klan” u transformua radikalisht. Ai zgjodhi t’i hyjë një sfide të re, larg Tiranës, me një projekt të vogël, duke ngritur, së bashku me Baton Haxhiun, televizionin më të hapur, më profesional dhe me të ekuilibruar në Prishtinë. Për të mos shkuar më tej, në kohën e tashmë të harruar të largimit me dorëheqje nga “Rilindja Demokratike” në vitin ’92, vetëm pak muaj pasi PD kish ardhur në pushtet. Pra, megjithëse u zgjata, i ndikuar më shumë nga sëmundja e njeriut që i njeh faktet, se nga bindja për të mos u marrë me personat, e kam vështirë të pranoj se kritikat kundër “Kurbanit”, qoftë dhe tek dy nga autorët më seriozë që i kanë adresuar ato, qenkan të sponsorizuara. E refuzoj dhe e shpërfill këtë argument. Sepse, përpos tij, Ardian Klosi në komentin e tij ngre edhe një tjetër, ndoshta më thelbësor dhe që ia vlen të diskutohet. Çështja është: si duhet gjykuar libri i Ramës?

A i duhet parë vetëm përmbajtja, apo ajo duhet ballafaquar me autorin, me aksionin, punën dhe qëndrimet e tij? Sipas Klosit, “truku” i Lubonjës dhe Shkullakut është pikërisht ky, ata merren me autorin duke shpërfillur përmbajtjen e librit. Por, unë mendoj se në thelb ky është “truku” i Klosit dhe i të gjithë atyre që duan të ngrenë lart “Kurbanin”. Ata duan ta zhveshin atë nga ballafaqimi me personazhin dhe aksionin e tij. Në fakt, ky do të qe një version i drejtë për veprën e një shkrimtari, e një mendimtari të pavarur, apo e një publicisti që ka lirinë e gjykimit të të tjerëve. Por, ky do të qe një këndvështrim mashtrues për librin e një politikani. Sepse kudo në botën demokratike supozohet se çdo akt publik i këtyre të fundit, i shërben qëllimit të tyre dhe karrierës së tyre. Ndaj dhe nga shoqëria gjykohet në bazë të këtyre parametrave. E nga kjo logjikë, nuk shpëtojnë as librat. Le të marrim për këtë një shembull të kundërt.

Nëse Kryeministri Berisha do të ulej përpara zgjedhjeve (ose do të vinte një negër, le të themi, sepse ai ka një raport të vështirë me të shkruarin) të bënte një libër ku të na përshkruante një Shqipëri ideale, pa fabrika çimentoje, me bregdet të virgjër e të pabetonuar, ku demontimi i municioneve të mbetura nga komunizmi do të bëhej nga kompani profesionale, ku pjesa më e madhe e energjisë së prodhuar do të qe e gjelbër dhe ku s’do të kishte projekte për centrale bërthamore, ku në bregdetin e gjirit të Vlorës uji do të qe i kulluar dhe nuk do të ndotej nga kompanitë abuzuese të naftës që mbushin cisternat pak më tej, pra shkurt, nëse Berisha do të paraqitej me një libër të tillë, ç’duhej bërë? A mos duhej thënë edhe në këtë rast, gjykoni librin, gjykoni idetë dhe lëreni autorin?

Jo, unë mendoj se kjo njësi matëse që po mundohet të imponohet për “Kurbanin” është e gabuar dhe e pandershme. Ai është një akt politik dhe duhet gjykuar si i tillë. Libri i Edi Ramës është ai i një njeriu që ka drejtuar për 11 vite Tiranën dhe që mëton që pas dy vitesh të drejtojë gjithë Shqipërinë. Ai as është e as mund të shihet i shkëputur nga ky sfond. Sipas meje, kjo është edhe sfida nga e cila duhet ta shohë “Kurbanin” Klosi dhe të gjithë ata që e ngrenë lart. Ashtu sikurse sfida e Lubonjës, Shkullakut dhe e të tjerëve që e kanë dërrmuar këtë libër, është tjetër: që të përdorin të njëjtin masë dhe të njëjtën peshë si për Ramën, kur gjykojnë bëmat e kundërshtarëve të tij në politikë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama