Atë që Rama s’i jep dot opozitës

Shkruar nga: Andi Bushati  
Botuar më: 11 vite më parë

Andi Bushati
Atë që Rama s’i jep dot opozitës

Edi Rama është munduar dje të lajë mëkatin me shejtanllëk, tek u përpoq të argumentonte vendimin e tij për t’u servirur shqiptarëve kandidaturën e avokatit të Fatmir Mediut. Ndoshta do kish qenë më mirë të heshtte se t’i përvishej kësaj përpjekjeje sizifiane, për t’u hedhur hi syve “qytetarëve të keqkuptuar opozitarë”. Sepse në gjithë argumentet e tij, kreu i PS-së vetëm të vërtetën nuk thotë.

Si bazë e argumentit të tij është një refren, që e kemi dëgjuar shumë këto ditë. Nuk ka prift dhe avokat të fajshëm. A është i fajshëm njeriu i Zotit për tmerret që dëgjon në dhomën e rrëfimit?- pyet Rama. A është avokati fajtor për gjëmat që rëndojnë mbi klientin e tij?- vazhdon ai. Dhe konkluzioni është: askush nuk ka të drejtë në një shoqëri të lirë t’i akuzojë ata. Ashtu sikurse askush nuk i pështyu në rrugë avokatët që mbrojtën kriminelët nazistë në gjyqin e Nurembergut. Deri këtu në rregull. Me mënyrën se si Rama e shtron çështjen, duket sikur ai e ka bërë më së miri detyrën e tij. Natyrisht askush nuk mund të pështyjë mbi Ardian Vishën. Madje, të gjithë “qytetarët e keqkuptuar opozitarë” do të ishin të nderuar ta kishin atë avokat, nëse buxheti ua lejonte një gjë të tillë. Ai është një njeri që e bën mirë detyrën e tij. Por këtu problemi nuk është te Ardian Visha. Këtu problemi është te Rama. Tek zgjedhjet e tij dhe te simboli i opozitarit që ai kërkon te ngrejë në piedestal.

Le t’i kapim një nga një argumentet e tij. I pari, krahasimi me priftin dhe avokatin shpreh një injorancë juridike. Sepse avokati vërtet është i obliguar profesionalisht të mbrojë çfarëdolloj krimineli, por ndryshe nga prifti, ligji e dënon atë, nëse ai e di krimin e klientit të tij dhe mundohet t’ia fshehë atë drejtësisë. Pra, avokati mund ta mbrojë klientin e tij, por nuk mund t’ia fshehë atij krimin. Por, në rastin në fjalë, Ardian Visha pohoi me gojën plot se ai ishte i bindur në pafajësinë e Fatmir Mediut. Le t’i kthehemi edhe një herë, se kjo është për të vënë duart në kokë: I propozuari i opozitës deklaroi përpara deputetëve të saj se ish-ministri i Mbrojtjes, të cilin opozita e akuzon prej 4 vitesh si ortakun e Shkëlzenit dhe Delijorgjit, në vrasjen e 26 vetave, është i pafajshëm. Deputetët e PS-së qëndronin kokulur e të turpëruar atë ditë në Komision.

Por, ky është një çast që Rama e harron në përgjigjen e tij. Dhe ky është momenti kryesor. Ai që ka të bëjë jo me profesionalizmin, por me moralin e zgjedhjes së tij. Besimi i shpallur i Ardian Vishës tek pafajësia e Fatmir Mediut mund të interpretohet vetëm në dy mënyra: ose se opozita po çonte në Parlament një njeri të pandershëm, madje që duhej të kishte probleme me ligjin se e dinte krimin e klientit të tij (pra, që ashtu siç pretendon PS-ja, Mediu ka qenë fajtori kryesor) ose në të kundërtën një njeri të ndershëm, profesionist që thoshte të vërtetën, por që me këtë të vërtetë hidhte poshtë një nga kartat kryesore të opozitarizmit në Shqipëri.

Por, sikur e gjithë kjo të mos kishte lidhje me thelbin, po me fasadën, Rama vazhdon argumentimin e tij se në shoqëritë demokratike avokatët e kriminelëve respektohen dhe nuk fyhen. E vërtetë, plotësisht e vërtetë, ata janë një vlerë për këtë sistem. Për të siguruar të drejtat dhe liritë e gjithkujt. Por, ata kanë vlerë kur qëndrojnë në botën e tyre dhe jo kur promovohen si simbole të drejtësisë së kulluar, nga një forcë e madhe politike. Unë nuk e di se si Rama vendosi të dërgojë si kandidaturë për Këshillin e Lartë të Drejtësisë një avokat, që kish bërë gjithçka për t’iu shmangur drejtësisë. Dihet që rasti Mediu nuk qe një rast i fituar, por rasti tipik kur avokatët i shtynë në pafundësi seancat gjyqësore derisa ish- ministri i Mbrojtjes rifitoi sërish imunitetin e deputetit.

E pra, përbetimet për priftërinj e avokatë janë dokrra. Një përpjekje fëmijërore për të fshehur të vërtetën. Por, përtej kësaj përpjekjeje naïve qëndron një tjetër version, që Edi Rama e thotë përgjysmë. Ai thotë se kjo kandidaturë u zgjodh për të marrë vota përtej pakicës sonë parlamentare. Dhe ky ka qenë qëllimi i vërtetë. Tashmë, kur shumë kontakte të fshehta janë bërë të njohura, dihej se votat e këtij koalicioni pro avokatit të Fatmir Mediut do ishin votat e këtij të fundit dhe ato të partisë që qëndron “me bllok në dorë”, sipas socialistëve. Pra, kjo ishte shumica që po kërkonte të ndërtonte Rama, ajo që me votat e Mediut dhe të Metës do përmirësonte Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Dokrra, sërish dokrra. Ëndrra të një njeriu që po qe se s’është i kapur nga e keqja, në rastin më të mirë, është naiv dhe fëmijëror në politikë.

Natyrisht, si pasojë e naivitetit të tij, por dhe si pasojë e dhunës harbute me të cilën Berisha është mësuar ta trajtojë votën, Edi Rama nuk arriti ta ngrinte në këmbë këtë shumicë mëkatare. Por le të arsyetojmë pak nga e kundërta. Le të mendojmë për një çast sikur Visha do kalonte së bashku me votat e LSI-së dhe republikanëve. Pyetjet që shtrohen janë disa: Ç’të mirë do të kishte drejtësia shqiptare nga kjo? A do të ish më e pastër dhe më funksionale KLD-ja? Çfarë do t’i ndryshonte kjo një tradite gati 20-vjeçare, kur Gjyqësori i korruptuar shqiptar i merr vendimet gjithnjë në favor të pushtetit?

Asgjë. Asnjë efekt. Po atëherë përse Rama duhet t’i vinte opozitës këtë njollë, që e pranon edhe vetë që është e pakuptueshme nga qytetarët opozitarë?

E kjo pyetje është një nga ato që e kalojnë rastin “Visha”. Sepse ajo është një pyetje që lidhet me gjithë karrierën e Ramës në krye të opozitës. Kur sa herë është përballur me dilemën e mbajtjes së qëndrimeve principale prej opozitari dhe kalkulimeve meskine prej pazarxhiu, ai ka zgjedhur këto të dytat. Natyrisht sa herë ka bërë zgjedhje të tilla, gjithnjë ka dalë i humbur, se përballë ka një kundërshtar, shumë më hilacak, shumë më brutal dhe shumë më korruptues se ai. Po atëherë pyetja që ngrenë me të drejtë shumë “qytetarë opozitarë”, është: çfarë i ndodh këtij njeriu? Pse në vend të moralit mendja i shkon te pazari, pse në vend të të ndershmit, vështrimi i shkon te “i forti”, pse në vend të një beteje të drejtë, ai zgjedh gjithnjë një hile foshnjarake?

Një numër i madh “qytetarësh opozitarë” po i shtrojnë gjithnjë e më shumë këto dilema. Në formë hutimi. Në trajtë moskuptimi. Në gjendje të pashpresë. Ndoshta duke harruar se së pari pyetjet që ngrenë janë pyetje retorike, janë pyetje që çdo qytetar opozitar duhet t’ia bëjë vetvetes: Mos vallë po i kërkojnë shumë Edi Ramës? Mos vallë po e sfilisin më kot, duke i kërkuar një gjë që ai s’ka as mundësinë dhe as forcën t’ia japë opozitës?

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama