A ka nje pakt Rama–Blushi?

Shkruar nga: Blendi Fevziu  
Botuar më: 11 vite më parë

Blendi Fevziu
A ka nje pakt Rama–Blushi?

Ishin miq! Pastaj u përplasën publikisht. Sot janë sërish në bashkëpunim. Histori e vështirë kjo mes Ben Blushit dhe Edi Ramës. Një histori që reflekton gjithë dilemat dhe pasigurinë e vetë selisë rozë. Raporti mes dy njerëzve më të rëndësishëm të Partisë Socialiste nis në fillim të viteve ’90. Rama, pedagog i pikturës në Institutin e Lartë të Arteve dhe Ben Blushi i sapodiplomuar në letërsi, ata u grumbulluan fillimisht rreth gazetës “Koha jonë” dhe më pas rreth fondacionit “Soros” në Tiranë.

Lidhja mes të dyve u bë më e fortë pas ardhjes së PS në qeveri, në vitin 1997. Në vjeshtën e atij viti, Ben Blushi, në atë kohë zëdhënës i Kryeministrit, ndërmjetësoi një takim në hotel “Maurice” në Paris mes Kryeministrit Nano dhe Edi Ramës, që ishte emigrant në Francë. Takimi u pasua nga një fjalë përshëndetëse e Nanos në 7-vjetorin e Refleksioneve, shoqëruar me elozhet e Ramës për të, si dhe një darkë e papritur në restorant “Piazza”. Produkt i të dyjave ishte thirrja e Ramës si anëtar kabineti në prill 1998, në postin e ministrit të Kulturës.

Blushi ndoqi, po ashtu, një rrugë politike. Ai u zgjodh deputet më 2001-shin dhe ministër i Arsimit po atë vit. Raporti i tyre qe aq bashkëpunues, sa Ben Blushi ishte i vetmi anëtar i qeverisë që mbështeti kandidaturën e Ramës për kryetar të PS në Kongresin e dhjetorit 2003. Kandidaturë që ishte përballë asaj të Kryeministrit Nano. Nuk ka asnjë dyshim që tej preferencës së Ramës ndaj shefit direkt të tij, Kryeministrit, Blushi kreu edhe një gjest mjaft domethënës politik. Ndryshe nga shumica e ministrave që ndiqnin humorin e Kryeministrit, ai u konfirmua si një figurë partiake. E asaj stature që luante përtej interesit të momentit si ministër dhe që shihte edhe anën e përtejme, atë të selisë rozë.

Ky bashkëpunim u bë më dominues në vjeshtën e vitit 2005, kur Blushi u angazhua fort për ardhjen e Ramës në krye të PS. Bashkëpunim që nisi ende pa mbaruar numërimi i votave të 3 korrikut. Pasditen e herët të datës 4 korrik, kur Edi Rama, i veshur me pantallona të verdha, mbërriti në selinë e PS me një propozim konkret për Gramoz Ruçin dhe Ben Blushin. T’i mbyllnin Nanos derën e PS me premtimin që si lideri i ri i asaj selie, ai t’i sillte në pushtet. Sipas të gjitha informacioneve, mes Blushit dhe Ramës ka pasur atë mbrëmje një bisedë të gjatë, por një bisedë për të cilën nuk është shprehur më pas asnjë nga ata. Por thelbi i saj mund të merret me mend. Pak muaj më pas Rama erdhi në krye të PS në vendin e lënë bosh nga Fatos Nano, në respekt të një deklarate të bërë në emisionin “Opinion” më 10 shkurt 2005 dhe të një standardi që Edi Rama e kish propozuar në Kongresin e majit të atij viti: Kush humbet zgjedhjet, largohet nga drejtimi i partisë!

Në dy vitet e para të Ramës, raporti i tyre qe mjaft intensiv dhe kulmoi me emërimin e Blushit si kryetar i Grupit Parlamentar të PS në prill 2007. Por ai qëndroi në këtë detyrë vetëm pak muaj. Si pasojë e keqmenaxhimit të zgjedhjes së Presidentit në korrik 2007 dhe mbështetjes së 6 deputetëve të PS për Bamir Topin, Blushi dha dorëheqjen. Në fakt, raportet e tij me Ramën vijuan mjaft të mira deri në korrik 2009, kur pas humbjes në zgjedhje dhe kontestimit të Ramës, Blushi deklaroi se PS i kish humbur këto zgjedhje dhe i kërkoi Ramës që të njihte përgjegjësinë e tij. Debati mes tyre mund të përmblidhet në dy fjalë: Rama deklaronte se humbja e tij e kish thelbin e saj te kutitë, ndërsa Blushi besonte dhe deklaronte se ajo gjendje jashtë tyre, madje te Rama vetë.

Raportet mes tyre u tensionuan mjaft në verën e 2009-s dhe Blushi kontestoi edhe rizgjedhjen e Ramës në krye të PS. Por ai nuk konkurroi vetë për kryetar. Në këtë kohë, së bashku me 6 deputetë të tjerë, Blushi krijoi Lëvizjen për Mendimin Ndryshe. LMN funksionoi disa kohë, ajo e kontestoi PS në bazën dhe thelbin e saj, i solli mjaft probleme Ramës, por pushoi, pa ndonjë shpjegim të qartë. Nuk ka asnjë dyshim që rolin kryesor këtu e luajti Blushi, që u tërhoq në momentin e një vendimi me mjaft përgjegjësi: A qenë ata 6 deputetë të gatshëm të krijonin një formacion tjetër politik në atë moment që Rama i mbylli shtigjet dhe ata s’mund të vijonin më tej brenda PS? Nuk dihet se ç‘ka lëvizur tjetër, por një bilanc mund të bëhet këtë moment. LMN ndikoi mjaft për të kthyer një seri vendimesh absurde që do ta kishin rrënuar krejt të ardhmen e PS, bojkotin e Parlamentit dhe strategjinë e dhunës. Dy gjëra që Blushi vijon t’i mbrojë ende, siç është në rastin e dytë qëndrimi që ai ka mbajtur kundër grevës së urisë së majit 2010 dhe për 21 janarin.

Rreth një vit më parë, kontestimet publike të Blushit ndaj Ramës u redaktuan, dhe ky i fundit filloi ta përmendë emrin e Blushit sërish si një vlerë në PS.

Pak muaj më parë, Rama dhe Blushi u panë disa herë bashkë, në takime të gjata, që vijonin edhe disa orë. Më shumë se takime shkrimtarësh që sapo kishin publikuar librat e tyre, ato ngjanë takime mediatike, për të dhënë sinjalin e një raporti të ri. Nuk dihet nëse mes tyre ka pasur sërish një marrëveshje apo një pakt, por dihet se Rama dhe Blushi janë rikthyer në një komunikim të ri. Të ndryshëm nga ai i 2009-s, por pa dyshim, larg atij të vitit 2005. Edhe pse Blushi vijon të jetë sot i vetmi zë në PS që shpreh mendime të ndryshme nga ato të Ramës e madje edhe artikulon teza politike që prodhojnë debat në publik. Dhe absolutisht i vetmi që në disa qëndrime rresht ka qenë kritik ndaj vetë politikës së PS, siç ndodhi edhe në tezat e fundit që publikoi te “Panorama” ditën që Rama priste të ishte ai lajmi rozë, pas takimit në DASH në Uashington.

Vështirë të thuash se deri ku shkon ky bashkëpunim, por një gjë është e saktë. Nëse Rama dhe Blushi bashkëpunojnë, ky raport luhatet ende në klimën dominuese të mosbesimit dhe më shumë në filozofinë: që sa kohë s’flet kundër meje, është me mua.

Po ç‘ka ndodhur realisht mes Blushit dhe Ramës? A ka pasur një marrëveshje apo një pakt mes tyre dhe cili ka qenë thelbi i këtij? A i besojnë ata njëri – tjetrit dhe deri ku mund të shkojë ky bashkëpunim? Vështirë t’u japësh përgjigje gjithë këtyre pyetjeve, nga të cilat varet jo pak edhe suksesi i vetë PS në zgjedhjet e ardhshme. Ose së paku është vështirë t’u japësh një përgjigje, derisa njëri prej tyre të flasë!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama