Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Mocioni, mosbesim për opozitën

Shkruar nga: Armand Shkullaku  
Botuar më: 13 vite më parë

Armand Shkullaku
Mocioni, mosbesim për opozitën

Aksioni i fundit politik i Vetëvendosjes për të kërkuar një mocion  mosbesimi për qeverinë pas nënshkrimit në Bruksel të marrëveshjes me Beogradin për menaxhimin e integruar të kufijve, në vend që të lëkundë pozitat e Kryeministrit Thaçi, rrezikon t’i përforcojë ato. Ky aksion nxori edhe një herë në pah problemin kryesor që ka opozita në Kosovë, prej të cilit ka përfituar dukshëm vitet e fundit PDK, mungesën e koordinimit dhe bashkëpunimit të të gjithë faktorit opozitar. Refuzimi që LDK dhe AKK i bënë nismës së VV ka përcjellë tek elektorati mesazhin dëshpërues të pafuqisë opozitare ndaj qeverisë së Hashim Thaçit.

Në këtë aspekt, veprimi i Vetëvendosjes është një provokim i panevojshëm politik që shfaq në sytë e publikut përçarjen e opozitës dhe krizën e saj të orientimit përballë qeverisë. Duke kërkuar rrëzimin e qeverisë sipas arsyetimit se marrëveshja e Brukselit është kundër interesit shtetëror, Lëvizja e Albin Kurtit mund të fitojë pikë apo forcojë pozitat e saj tek ata që kundërshtojnë çdo veprim të maxhorancës, por në plan afatgjatë ajo dëmton vetë kauzën opozitare. LDK dhe AKK nuk kanë pranuar të bashkojnë firmat e nevojshme për mocion me argumentin se opozita nuk i ka numrat që ky mocion të ketë sukses, por, nga ana tjetër, edhe nëse do të arrihej rrëzimi i qeverisë, reforma zgjedhore nuk ka përfunduar ende dhe shkuarja në zgjedhje të parakohshme do të favorizonte abuzimet e mëdha me votën nga ana e pushtetit. Edhe ky qëndrim, i ardhur si pasojë e ballafaqimit me një akt të kryer nga ana e VV, krijon mjaft probleme për opozitën. Përveç përçarjes apo mungesës së koordinimit, opozita duket e paqartë në strategjinë e saj, e pamotivuar për të përfituar në numra nga pakënaqësitë brenda maxhorancës dhe, mbi të gjitha, e paaftë për t’u përballur me zgjedhjet e parakohshme duke e demotivuar elektoratin e saj me pasigurinë për mbrojtjen e votës.

Duke kërkuar publikisht mbështetjen e pjesës tjetër të opozitës për të bërë të mundur mocionin e mosbesimit, Vetëvendosja e di, megjithatë, që nuk do të arrijë të mbledhë 40 firmat e duhura. Ajo tashmë e ka argumentimin për këtë “dështim”: LDK dhe AAK nuk guxuan. Ndërsa VV paraqitet opozitare e pakompromis, që ka nevojë për mbështetje më të madhe për të realizuar objektivat e saj, që ajo veçantë nga të gjithë shqetësohet për qytetarët dhe interesat shtetërore etj. Në planin e ngushtë partiak, Vetëvendosja mund të ketë përfitim politik nga një veprim i tillë. Bën diferencë me forcat e tjera opozitare, është në qendër të mediave dhe debatit publik dhe i shkon për shtat asaj pjese të elektoratit që kërkon qëndrim sa më të ashpër antiqeveritar. Në një plan më të gjerë, dështimi i mundësisë për një mocion kundër qeverisë mund të përkthehet si një fitore për Kryeministrin Thaçi. Mosmarrëveshjet brenda kampit opozitar i japin luksin zv.kryeministrit Kuçi të deklarojë mospërfillës se PDK është e gatshme të përballet edhe me mocione, edhe me zgjedhje të parakohshme. Maxhoranca, ndonëse e zhytur në probleme të thella me qeverisjen e keqe, me korrupsionin e luftën e brendshme për pushtet, përfiton nga kaosi opozitar, i cili në vend të merret me të, bën një garë të panevojshme brenda vetes.

Kjo garë ka edhe një pasojë tjetër tepër negative. Ajo rrezikon të shndërrojë në lojë politike, dhe jo në ndërmarrje serioze aksionet e ardhshme të opozitës në sytë e qytetarëve. Veprimi opozitar mund të paragjykohet si një taktikë për të përfituar sa më shumë pikë në sytë e opinionit dhe jo si një strategji e menduar mirë për të bërë ndërrimin e pushtetit. Ngjarja e fundit brenda kampit opozitar e vërteton këtë. Duke u marrë me një mocion që konteston një marrëveshje të përshëndetur si nga BE, ashtu dhe nga SHBA, Vetëvendosja e ka pasur të qartë që nuk do të ketë mbështetje nga partitë e tjera, por kjo pak i ka interesuar. Ajo ka synuar që për efekte politike të veprojë sipas parimit “lëvizja gjithçka, qëllimi asgjë”, e ndërkohë nuk po llogarit pasojat. Së pari, qeveria nuk po vihet përballë përgjegjësisë maksimale, siç është mocioni i mosbesimit për shumë dështime të rënda në administrimin e vendit, por për një çështje ku ndihet më e fortë se kudo tjetër dhe për të cilën ka mbështetje maksimale ndërkombëtare.

Dhe së dyti, ky veprim i Vetëvendosjes e vuri opozitën në një situatë ku më shumë se sa me Hashim Thaçin, po tregon se ka probleme brenda vetes. Koha e mbetur deri në zgjedhjet e vitit 2013 duhet të jetë koha kur opozita duhet t’i konsumojë energjitë e veta jo për të garuar brenda vetes, por për të ndërtuar një strategji bashkëpunimi për t’u përballur me një kundërshtar të fortë. Një nga arsyet pse PDK vazhdon të mbetet në pushtet është pikërisht mungesa e veprimit të përbashkët opozitar. Për këtë, më shumë se sa për efektet elektorale të një mocioni, do të duhej të mendonte Vetëvendosja për t’i prirë realisht dhe për t’i dhënë drejtimin e duhur opozitarizmit në Kosovë. Një nismë për bashkimin e opozitës do të kishte shumë herë më tepër vlerë se sa taktika e një mocioni të pamundur.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama