Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Viti i Mbrapshtë 97’ - (3) Politika e partive dhe sjellja e elektoratit.

Shkruar nga: Gjergj Xexo  
Botuar më: 17 vite më parë

Gjergj Xexo
Viti i Mbrapshtë 97’ - (3) Politika e partive dhe sjellja e elektoratit.

Përtej konkurrencës së përjetshme mes pozitës dhe opozitës që bren shpirtrat racionalë të të gjithë demokracive të botës, një vështrim i hedhur mbi fazën e parë të ushtrimit të pushtetit në Shqipërinë post-komuniste (1991 – 1997) lejon të vërehet një dukuri shqetësuese :
 
Praktikisht, çdo herë që zgjedhjet i rikthejnë pushtetin pozitës, atyre që e kanë ushtruar tashmë, (komunistët në vitin 1991 ose demokratët në vitin 1996), rezultatet kundërshtohen menjëherë nga opozita hupëse. Kjo e fundit gjen mjete jashtëligjore, për të mos thënë të dhunshme, për të përmbysur situatën. Pas një periudhe trazirash të vrullshme, nën presionin e rrugës, pozita epet dhe pranon zgjedhje të reja. Pozita e re, e dalë nga « kutitë e dyta » farkëton legjitimitetin e saj fillimisht me anë të pjesëmarrjes masive të zgjedhësve dhe në vazhdim, nëpërmjet rezultateve të tyre që kanë natyrën e një plebishiti popullor.
 
Le t’i rikthehemi fakteve : vendi organizon zgjedhjet e para shumëpartiake në vitin 1991 (31 mars dhe 7 prill). Shkalla e pjesëmarrjes : 98.9% e trupit elektoral. Partia e pozitës – PPSH – fiton 56% të votave dhe 68% të vendeve në parlament (169 deputetë nga 250) ; konkurrenti i saj i drejpërdrejtë – PD – merr 39% të votave dhe 30% të vendeve (75 deputetë). Një vit më vonë (22 dhe 29 mars 1992), nën presionin e rrugës, zhvillohen zgjedhje të reja parlamentare. Shkalla e pjesëmarrjes : 90% e trupit elektoral. Partia e pozitës në fund të mandatit – PSSH, trashëgimtarja e PPSH – arrin të marrë veçse 25.73% të votave dhe vetëm 38 vende në parlamentin e ri ; fituesi i zgjedhjeve është tashmë PD, hupësi i djeshëm – 60.08% të votave dhe 92 vende deputetësh nga 140 të mundshme, me fjalë të tjera ai merr shumicën absolute të parlamentit.
 
Çfarë mund të mendohet lidhur me këto rezultate ? Po qe se i bashkohemi mendimit se gjatë zgjedhjeve të rregullta të zhvilluara në vitin 1991 ka patur mashtrim elektoral, falsifikim të rezultateve, ky i fundit duhet të ketë qenë kolosal – po qe se pranojmë si « të ndershme » rezultatet e zgjedhjeve që do të zhvillohen më vonë. Në këtë rast mashtrimi shifrohet me të paktën 300.000 fletë votimesh të falsifikuara, në një trup elektoral që numëron 1.300.000 zgjedhës, votues në 80% ose edhe në 90% të tyre. Falsifikim ose jo, vendi i rikthehet kutive të votimit një vit më vonë dhe kësaj rradhe, rezultati përmbyset : jo vetëm fituesit e djeshëm kthehen në hupësit e sotëm por njëkohësisht, 60% e elektoratit të tyre i braktis dhe zgjedh kampin kundërshtar. Sipas arithmetikës më elementare, kalimi i votave nga një kamp në tjetrin tejkalon me dy herë volumin e votave që ishin supozuar të falsifikuara. Si mund të justifikohet një përmbysje e tillë e rezultateve ? Ndoshta njerëzit më së fundi u zgjuan dhe mundën të kuptojnë se kishin qenë të magjepsur nga një fuqi e keqe komuniste ; kështu, të tërhequr tashmë nga magneti blu i programit demokrat, ata ndrruan përfundimisht kampin. Ky shpjegim tërheqës nuk i reziston sprovës së kohës : vetëm katër muaj më vonë, gjatë zgjedhjeve lokale të korrik-gushtit të vitit 1992, këto dy parti politike paraqiten në të njejtin nivel (43.1% të votave për PD kundër 41.3% për PS) ndërkohë që pas dy vjetësh të tjerë, në nëntor 1994, elektorati ndëshkon rëndë të preferuarën e saj PD, duke i shkaktuar një disfatë therëse gjatë referendumit për Kushtetutën. Na duhet të pranojmë se logjika fillon dhe vuan përballë sjelljes së elektoratit, qëllimi i vetëm i të cilit me sa duket është që të pezmatojë klasën politike lokale.
Sidoqoftë, përpjekjet nuk mungojnë për të gjetur një sens në mes të këtij non-sensi dhe rezultatet e arritura mbështeten mbi një bazë, që në pamje të parë, nuk krijon asnjë dyshim :
 
Elektorati fshatar përbën diçka mes 60% dhe 65% të elektoratit shqiptar. Për më tepër, zgjedhjet në Shqipëri kanë dhënë rezultate gjithmonë të kontrastuara dhe radikalisht të kundërta nga një fushatë elektorale në tjetrën. Një herë, është një parti politike që merr pothuaj 70-75% të votave dhe herën tjetër, ndodh krejt e kundërta. Është partia kundërshtare që bën të njejtën gjë duke mbledhur 75% të votave « pro ». Si pasojë, qëndrimi elektoral i popullatës fshatare është lehtësisht i diktueshëm. Çdo përmbysje elektoral masiv i shoqërisë shqiptare drejt pozitave të një partie politike implikon forcërisht dhe kryesisht bashkimin e popullatës fshatare në krah të kësaj force politike. (1)
 
Ajo çka mbetet për t‘u shpjeguar është pikërisht arsyeja që shtyn këtë popullsi fshatare të ndërrojë kalin e betejës. Megjithëse situata që kalon vendi në pragun e zgjedhjeve të vitit 1991 mund të karakterizohet si katastrofike, një analizë e imët sugjeron se vota fshatare nuk mund të quhet as komuniste as edhe shprehje e ngujimit tradicional fshatar. Thjesht, ishte një pritshmëri ndaj të ardhmes së pasigurt, një temporizim përballë ndryshimeve radikale të premtuara nga partia demokrate e opozitës, që rrezikonin të vinin në lojë atë çka ishte më e shtrenjtë për të – pronësinë ndaj tokës, të cilën ata e aspironin pasi e kishin punuar përgjatë të paktën një gjysëm shekulli. Në këtë mënyrë, ata preferuan të favorizonin partinë më pak të rrezikshme dhe më të lexueshme lidhur me programin agrar, ish-komunistët. Në të kundërt, gjatë zgjedhjeve në vazhdim – ato të vitit 1992 – është po kjo popullsi fshatare që voton masivisht kundër asaj partie që ndërkohë i kish dhënë pronësinë e tokës. Pasi negociatat e saj me ish-komunistët ishin mbyllur me sukses, atyre ju duhej të kryenin një seri tjetër negociatash – tashmë me PD – me qëllim që kjo e fundit t‘ju siguronte atë « homogjenizimin e hapësirës kombëtare, nëpërmjet rikrijimit të vazhdimësisë hapësinore, politike, sociale dhe ekonomike qytet-fshat ». Sipas një përllogaritjeje mjaft të thjeshtë, fshatarët kishin kuptuar se një fitore e re e socialistëve nuk do të kish asnjë vlerë, pasi përvoja e një viti të tërë kish treguar se ata ishin të paaftë të mbaheshin në pushtet. Pra, në vend të vuanin pasojat e trazirave shoqërore, fshatarët zgjodhën të sillnin në pushtet shkaktaren e këtyre trazirave, partinë e Berishës. Ndryshe, dhe kësaj rradhe me një gjuhë tipike të fshatit, kësaj i thonë « kalova lumin, të dhjefsha kalin »
Meqënëse kjo taktikë fshatare kish treguar efikasitetin e saj gjatë dy zgjedhjeve rradhazi, asgjë nuk pengon që ajo të përsëritet herën e tretë : pasi ishin siguruar lidhur me pronësinë e tokës si dhe për perspektivën e mbajtjes së pushtetit nga ana e demokratëve, ishte e udhës t‘ju jepej këtyre të fundit një paralajmërim i fuqishëm, me qëllim që ata të bindeshin për forcën e votës fshatare. Ja përse popullsia fshatare vendosi të krijojë një ekulibër të qëndrueshëm gjatë zgjedhjeve lokale të korrik-gushtit të vitit 1992.
 
I vetmi element refleksioni vjen nga racionaliteti homogjen i një sjelljeje të tillë, nga strategjia e grupit, eklektizmi i të cilit dallon rrënjësisht nga spontaniteti partizan i popullsisë qytetare. Me fjalë të tjera, si ka mundësi që, brenda dy vjetësh kaosi politik dhe destrukturimi ekonomik, fshatarësia të arrijë një shkallë të tillë pavarësie politike, për të mos thënë mënçurie elektorale, për t‘u çfaqur në rolin e një force manipuluese të jetës politike të vendit, ndërkohë që për dhjetëvjeçarë të tërë ajo kish qënë një trup amorf dhe pothuaj apolitik ?
Një përpjekje e fundit për të racionalizuar sjelljen e popullsisë fshatare sugjeron se ndërgjegja politike e kësaj të fundit është e aftë të nyjëzohet në një seri reaksionesh : shpresë politike ndaj reformave të pritshme nga ana e demokratëve, mbështetje politike pragmatike përkundrejt mundësive legale ose ilegale të krijuara nga PD lidhur me një pasurim të mundshëm dhe së fundi, rezistencë kundër një pushteti të cilin e kish sjellë ajo vetë në fuqi nëpërmjet mbështetjes së saj politike. Në këtë mënyrë, ajo mund të çfaqë qëndrime të ndryshme nga një periudhë në tjetrën, nga një krahinë në tjetrën, në përputhje me interesat e saj të momentit ; shkurt, strategjia e saj i përshtatet situatës konkrete, ndërkohë që « harta elektorale e zonave rurale rurale i bindet një farë tipologjie, me anë të të cilës ajo mund të bëhet e lexueshme » :
 
Sa më larg drejt Veriut, aq më tepër kemi të bëjmë me një popullsi fshatare që jeton në zonën malore të vendit, aq më tepër kjo popullsi përzien individët myslimanë dhe katolikë (një pjesë e popullsisë së Veriut), aq më tepër kemi të bëjmë me familje fëmijët e të cilëve kishin emigruar në qytet ose jashtë shtetit, aq më tepër mund të hasej një popullsi rurale që përfitonte nga trafiku ilegal i mallrave që përshkonte Ballkanin, aq më tepër harta elektorale përbëhej nga një elektorat që përkulej drejt sjelljes politike shpresë politike dhe mbështetje politike pragmatike. Në të kundërt, sa më poshtë drejt Jugut, aq më tepër kemi të bëjmë me një popullsi që jeton drejt zonës fushore të vendit, aq më tepër gjendemi në krahinat e banuara nga fshatarë që kishin përfituar nga reforma agrare në fuqi, aq më tepër kemi të bëjmë fshatarë që jetojë falë aktivitetit të tyre bujqësor, aq më tepër i referohemi fshatarëve me origjinë fetare ortodokse, aq më tepër harta elektorale ngjyroset me nuancat e partisë socialiste. Eshtë një popullsi e tërë rurale që ka zgjedhur një rezistencë kundër një pushteti të cilin e kish sjellë ajo vetë në fuqi nëpërmjet mbështetjes së saj politike.(2)
 
Futja e konceptit tipologji është simptomatik i vështirësisë së interpretimit të sjelljes elektorale të fshatarësisë, një shkallëzim të ri në analizën socio-psikologjike të mjedisit rural. Duke qënë se tashmë ideja e bashkërendimit kolektiv dhe kombëtar të përdorimit të votës është e pamjaftueshme për të justifikuar rezultatet elektorale, forcërisht logjika orientohet nga gradientët tradicionalë të shoqërisë rurale shqiptare : Veri – Jug, mal – fushë, veriorë bredharakë dhe jugorë lë lidhur me tokën, katolikë antikomunistë – ortodoksë prokomunistë, mbi të cilat tashmë shtohet një gradient i ri politik, demokrat – socialist. Në të vërtetë, kjo mënyrë « e re » e të lexuarit të shoqërisë shqiptare sjell argumenta që justifikojnë pikërisht të kundërtën e idesë fillestare, në bazë të të cilës qëndron ndikimi vendimtar të fshatarësisë në përmbysjet e rezultatit elektoral.
 
- Le të pranojmë se pesha e popullsisë fshatare në vitin 1996 është rreth 56% të popullsisë së përgjithshme (1.838.000 banorë të fshatit ndaj 3.283.000 gjithsej). Nëpërmjet interpolimit, në vitin 1992-1993, kjo peshë mund të vlerësohet në rreth 60%. Le të pranojmë gjithashtu se popullsia fshatare veriore është e barazvlerëshme në numër me atë jugore. Le të pranojmë përfundimisht se struktura e elektoratit kombëtar reflekton në tërësi strukturën e përgjithshme e popullsisë së vendit. Nën hipotezën e polarizimit pothuaj të barazvlershëm Veri = démokrat dhe Jug = socialist, i bie që nëpërmjet angazhimit të fshatarësisë, sejcila nga dy partitë politike kryesore të vendit të ketë siguruar në çdo rast 30% të bazës së saj elektorale. Vërejmë se, me një luhatje prej pak përqind, kemi prekur « bazën besnike » të sejcilës, pra atë që voton për partinë e saj edhe kur ajo i humb zgjedhjet. Sipas kësaj logjike del që nuk është fshatarësia ajo që përmbys rezultatin e zgjedhjeve por pikërisht përbërësja tjetër e popullsisë, pra banorët e qyteteve.
 
- Duke parë numrin e madh të hipotezave fillestare si dhe shkallën e tyre të përafërsisë, ka shumë të ngjarë që përllogaritja e mësipërme të jetë thjesht një spekullim. Me fjalë të tjera, togu i arsyetimeve të mësipërme të mbështetura mbi vlerat dhe reflekset tradicionale nuk i reziston vështrimit kritik bashkëkohor dhe rezultati i përfituar s’është gjë tjetër veçse një rastësi e lumtur. Në këtë rast do të duhen argumenta të tjera edhe më këmbëngulëse për të përcaktuar natyrën e « bazës besnike » të partive politike ; forcërisht, këto të fundit duhet të braktisin logjikën e mbështetur mbi prirjet elektorale të fshatit për të analizuar me imtësi sjelljen e elektoratit qytetës pasi ky i fundit paraqitet në mos vendimtar, të paktën fort i rëndësishëm. Kështu, mbetet gjithmonë e mundshme që fshatarësia të ndikojë në përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve, por kjo gjë nuk vjen as nëpërmjet bashkimit të saj masiv me forcën politike fitimtare dhe as për arsyet e numëruara më lart, të mbiquajtura të traditës.
Këto përfundime përforcohen nga fakti që, në një interval kohe prej katër vjetësh (26 maj – 2 qershor 1996), skenari i viteve të para përsëritet. Shkalla e pjesëmarrjes : 86% e trupit elektoral. Partia e pozitës – PD - merr 52% të votave dhe 88% të vendeve në parlament (122 deputetë ndaj 140 të mundshëm), konkurrenti i saj i drejtpërdrejtë – PS – merr vetëm 25% të votave dhe 7.1% të vendeve (vetëm 10 deputetë). Pas një kryengritjeje të vërtetë të armatosur dhe një ndërhyrjeje evropiane, zhvillohen zgjedhje të reja të parakohshme (29 qershor dhe 6 korrik 1997). Shkalla e pjesëmarrjes : 73% e trupit elektoral. Pozita në fund të mandatit – PD – arrrin të marë vetëm 17.4% të votave dhe vetëm 27 vende ; fituesi i madh i këtyre zgjedhjeve është PS, hupësja e djeshme – 51% e votave dhe 79 vende : e thënë ndryshe, shumicën dërrmuese të Parlamentit të ri.
 
Çfarë duan të thonë këto rezultate ? Edhe një herë tjetër, zgjedhjet e rregullta akuzohen si të ndotura nga falsifikimi i rezultateve. Edhe një herë tjetër, ky i fundit duhet të jetë fenomenal, gjithmonë sipas kriterit që zgjedhjet që do të vinë pas janë « të drejta ». Brenda një viti, Partia Demokratike ka humbur 70% të elektoratit të saj. Kujt mund t’i dedikohet kjo përmbysje e tillë e rezultatit ? Pa asnjë dyshim se njerëzve ju hapën sytë dhe kuptuan më në fund se ata ishin mashtruar nga Berisha dhe shokët e tij, të implikuar deri në brez në historinë e « piramidavefinanciare » ; kështu, të tërhequr nga nuancat rozë të Forumeve ose të Fronteve ata votuan për socialistët. Si shpjegohet atëhere që, gjatë zgjedhjeve lokale të tetorit 1996 – në vigjilje të shpërthimit popullor – Partia Demokratike mundi të realizojë një plebishit të vërtetë, duke fituar 58 bashki nga 64 gjithsej ose 268 komuna nga 309 ? Me siguri një « falsifikim » tjetër sipas mendimit të opozitës. Falsifikim ose jo, sjellja e elektoratit është gjithmonë e më shumë e habitshme, gjithmonë e më pak logjike. Çfarë strategjie elektorale ka adoptuar kësaj rradhe fshatarësia jonë eklektike dhe e mënçur ? Nëqoftë se « piramidat » dhe paratë e tyre sheshit i shtynë drejt aplikimit të skemës mbështetje politike pragmatike gjatë zgjedhjeve të maj-qershorit 1996, ku qëndron mënçuria e saj kur ajo i beson rishtas votën e saj lokale demokratëve në tetor 1996, ndërkohë që bota mbarë ju ka treguar derën e daljes ?
 
Si përfundim të kësaj mënyre vështrimi, shpjegimi racional i sjelljes së elektoratit në përgjithësi dhe atij fshatar në veçanti bëhet gjithmonë dhe më i vështirë, veprimi i tij bëhet gjithmonë e më rastësor ; ndoshta pasi marrëdhënieve të tij me klasën politike ju mungon një logjikë e brendshme e qëndrueshme në hapësirë dhe në kohë. Me fjalë të tjera, i vetmi element i qënësishëm i këtyre marrëdhënieve është pikërisht karakteri i tyre konfliktual, divergjenca e interesave, duke filluar nga ato të individit ndaj atyre të grupit, të grupit ndaj atyre të shtresës dhe së fundi të shtresës ndaj atyre të kastës politike. Kështu, në mungesë të një racionaliteti të brendshëm, sjellja e një elektorati të shpërbërë në përbërës fluturakë dhe paqëndrueshëm, të përfshirë në një proces tranzicioni të vrullshëm që karakterizohet nga dhuna politike në të gjitha format e saj si dhe nga zhvillime ekonomike kaotike, sipas të gjitha gjasave është e natyrës emocionale.
 
Në dritën e këtij pohimi, elementi kryesor që del në plan të parë është strategjia e pushtetit të forcave kryesore politike të vendit (PD dhe PS) si edhe shkalla e pjesëmarrjes së tyre në lojën e pluralizmit politik - kësaj arritjeje madhore të Republikës së Tretë. A i nënshtrohen vallë këto forca politike një çfarëdo « kodi të sjelljes së mirë » mes konkurrentëve të cilët mbi letër, duket të gëzojnë barazinë e shanseve gjatë garës elektorale ? A kanë përfunduar ato mes tyre një « marrëveshje politike » e cila duhet të normalizojë raportet përpara, gjatë dhe në mënyrë të veçantë pas zgjedhjeve ? Praktika tregon në mënyrë të qartë se ato janë të paafta të njohin rregullat e lojës dhe aq më pak të parashikojnë pasojat e një gare të tillë : të mundurit nuk përkulen përpara rezultateve të dala nga kutia e votimit, pra nuk i nënshtrohen vendimit të shumicës, ndërkohë që kjo e fundit as nuk e toleron, as edhe nuk e respekton pakicën si dhe përfaqsuesen e saj, opozitën politike. Qëllimi i saj i parë dhe i fundit është marrja dhe ushtrimi i pushtetit, gjë e cila cënon vetë thelbin e ushtrimit të demokracisë që jeton dhe zhvillohet pikërisht nëpërmjet konkurrencës së ndershme dhe debatit konstruktiv mes forcave politike. Ja përse pyetja në vazhdim i takon natyrës dhe raporteve ndërmjet elektoratit dhe partive politike gjatë kësaj periudhe, të quajtur « e tranzicionit ». Në ç’mënyrë partitë politike realizojnë ndërmjetësinë e domosdoshme mes popullit dhe ushtrimit të pushtetit të qeverisë ? A respektojnë ato të ashtuquajturën « kontratë sociale » me qëllim që të hartojnë dhe të zbatojnë një projet shoqëror, demokratik në substancë ? A janë ato të afta të ndërtojnë një Shtet ligjor, duke institucionalizuar vullnetin e popullit nëpërmjet ushtrimit të pushtetit legjislativ ? Vështirë se mund të përgjigjemi në mënyrë pohuese, duke gjykuar nëpërmjet sjelljes « emocionale » të elektoratit.
 
Që prej daljes së saj në skenë, Partia Demokratike ka dashur të ngatërrojë dëshirat e trupit elektoral me ato të masës së simpatizantëve të saj, të përputhë aspiratat e militantëve të saj të shumtë me interesat e burokracisë së saj udhëheqëse dhe së fundi, të identifikojë imazhin e pushtetit me atë të padronit të saj të padiskutueshëm Berisha. E parë nëpërmjet prizmit të strategjisë së pushtetit, Partia Demokratike ka patur të drejtë : në vitin 1991, ajo ishte e vetmja forcë politike e aftë të kryente shëndrrime të vërteta strukturore, të udhëhiqte një rimëkëmbje autentike të forcave të gjalla të vendit, të hapte horizonte të reja drejt Evropës dhe botës. Megjithëse ajo nuk kish mundur të mobilizonte shumicën e zgjedhësve, ajo zotëronte një energji të pabesueshme dhe një vullnet të pathyeshëm. Demokratët kishin ditur të magjepsnin rininë dhe të bindnin intelektualët. Në të kundërt, në fillim të vitit 1997, nga magjepsja fillestare e PD s’kish mbetur gjë e madhe dhe historia e « piramidave financiare » i dha goditjen e fundit. Megjithë dobësinë e vet të dukshme dhe mungesën e ideve, rivalja e saj socialiste u shëndrrua në zëdhënëse të pakënaqsisë dhe me këtë rast, ajo u çfaq si një konkurrent i besueshëm dhe i respektueshëm. Nëpërmjet një alkimie të errët, rrjetat e saj të shumta mundën të paraprinin një elektorat të shgënjyer dhe që kish humbur torruan ; të tërhequr nga era e biznesit, militantët e saj të fshehur nëntokë dhe të shpërndarë rizbuluan prirjet e tyre të brendshme prej qeveritarësh dhe administratorësh ndërkohë që aureola prej martiri e Nanos ishte garancia më e mirë e sjelljes së tij të ardhshme dhe e urtësisë të tij të thellë. E parë në këtë mënyrë, Partia Socialiste s’bëri gjë tjetër veçse kapi shansin që ju paraqit : në vitin 1997, ajo ishte bashkëbiseduesja e vetme, ie aftë të çonte deri në fund një projekt qeveritar realist dhe në mënyrë anësore, të siguronte paqen sociale në një vend ende të zhytur në kaos. Megjithëse ajo nuk kish mundur të krijonte një dinamikë të vërtetë të pushtetit, ajo kish fituar besimin e elektoratit si dhe bekimin e mbrojtësve parallinj. Socialistët kishin mundur të siguronin botën e nëndheshme të trafikantëve dhe të zbusnin fqinjët e shqetësuar. Duke u nisur nga vërejtjet e mësipërme mund të formulohen dy përfundime të reja :
 
- Dy herë rresht, gjatë periudhës 1991-1992 dhe 1996-1997, pushteti kaloi nga një dorë në tjetrën, vetëm falë lëvizjeve të pakënaqsisë popullore. Megjithë karakterin e tyre kaotik në pamje dhe përbërjes së tyre laramane, këto lëvizje u frymëzuan bile edhe u instumentalizuan nga partitë e opozitës. Këto « revolucione të çuditshme » u paraprinë nga një varg shënjash pararendëse, barometri më mirë i të cilave mbetet aksioni qeveritar që qynon të reduktojë të drejtat dhe liritë individuale nëpërmjet praktikave të saj arbitrare.
 
-Gjatë kësaj faze të parë të vendosjes së demokracisë, veprimet e turmave të eksituara nuk paraqesin ndonjë korrelacion të ngushtë me sjelljen e trupit elektoral, megjithë faktin se ato janë natyrisht pjesë e njëri tjetrit. Me fjalë të tjera, fillimisht individi në rolin e tij si qytetar dhe zgjedhës mund të shprehë zgjedhjen e tij politike me anë të votës dhe në vazhdim, si njeri privat i prekur në interesat e ngushta, shpreh zemërimin e tij duke ju bashkëngjitur një lëvizjeje masive e cila me veprimet e saj, mund të drejtohet kundër zgjedhjes së parë. Kjo sjellje kontradiktore në vështrim të parë - kjo kontradiktë e pakapërcyeshme arsyetimi, kjo apori « demokratike » - s’bën gjë tjetër veçse reflekton faktin se gjatë viteve të para të Republikës së Tretë, sfera publike dhe sfera private kanë shumë pak pika të përbashkëta. Nëpërmjet çinteresimit integral ndaj politikave sociale, liberalizmit të vet të shfrenuar, të mjeteve të tij të pamjaftueshme për të pajtuar antagonizmat e interesave, Shteti braktis individin në fatin e tij të mjerë ndërkohë që individi ndan veprimin e tij nga atë të Shtetit.
 
Nëpërmjet kësaj optike të re mund të avancohet ideja heretike që, duke lënë mënjanë parregullsitë e pashmangshme dhe kombinacionet lokale për të favorizuar këtë ose atë kandidat, ka të ngjarë që tërësia e zgjedhjeve të ketë qenë « e rregullt dhe e paanshme » për të mos thënë « e ndershme ». Sigurisht, nuk duhet harruar që gjithçka ndodh në përputhje me një farë koncepti ballkanik të paanshmërisë dhe të ndershmërisë në politikë, i cili nuk është i njejti me atë të Evropës së vjetër dhe babaxhane. Gjëkundi pra mashtrim elektoral masiv ose falsifikim gjigand të rezultateve – megjithë britmat e ngjirrura herë demokrate herë socialiste (3).
Kështu, në qoftë se zgjedhësit i bënë besim Berishës dhe partisë së tij gjatë legjislativeve të vitit 1992, ata s’bënë gjë tjetër veçse ja ripërtëritën rishtazi besimin e tyre gjatë zgjedhjeve legjislative të vitit 1996. Shkaku i kësaj gjëje duhet kërkuar kryesisht në adekuacionin mes shumës së interesave private dhe politikës liberale të qeverisë demokratike e cila lejoi, ose më mirë inkurajoi, lulëzimin e iniciativës private në formën e saj më brute. Karizma personale e Berishës dhe integriteti i tij moral përbënin në dorë të fundit përbërësit e domosdoshëm, nëpërmjet të cilave mundi të vulosej « pakti i mirëbesimit ». Vetëm se, duke vepruar në këtë mënyrë, zgjedhësit u bënë dorëzënës të një pjese të klasës politike – pozitës, dhe brenda saj të një grupi të ngushtë njerëzish - e cila fillimisht rrëmbeu pushtetin nën mbulimin e ligjit dhe me këtë rast shtiu në dorë Parlamentin, përpara se hieja e saj të shtrihej mbi jetën politike të të gjithë vendit. Duke mos gjetur hapësirën e duhur në planin e përfaqësimit, opozita u gjend e përjashtuar edhe nga debati politik dhe publik. Troç, asaj ju qep goja nën kërcënimin e sanksioneve. Por kjo mënyrë e të qeverisurit, e bazuar mbi zotërimin e plotë të të gjithë pushteteve – legjislativ, egzekutiv dhe gjyqësor – metamorfozë e konceptit të partisë unike, nuk pasqyron në asnjë mënyrë balancën e forcave politike në terren, e karakterizuar nga masa dhe pesha ndjeshmërisht të njejta. Paradoksalisht, pozitës – e fuqishme në mjete dhe në qëllime – i mungon mbështetja, baza e duhur ndërkohë që opozitës – e fshirë nga skena dhe e ndrydhur – i kërkohet që të administrojë pakënaqësinë sociale. Kështu, për t’i detyruar të tjerët që të respektojnë « të drejtat e saj » që ja garanton Ligji, e para i drejtohet metodave autoritare ndërkohë që e dyta, për t’i detyruar të tjerët që të dëgjojnë « kërkesat e saj », shërbehet nga rrugët jashtëparlamentare – pasi i mungon përfaqësimi në Parlament. Si përfundim, elektorati i nënshtrohet një sulmi të paprinciptë : i sulmuar nga shtypi partizan, i destabilizuar nga argumenta pasionalë, i tronditur nga propaganda militante, ai nxitet drejt pabindjes qytetare për të mos thënë drejt rezistencës me qëllim që të zbresë në terren dhe të vendosë një ekuilibër të ri. Ky efekt « lavjerrësi » përbën edhe shpërblimin e merituar të përçapjes së tij emocionale.
 
 ---------------------------------------
(1) Artan FUGA – Identités périphériques en Albanie, la recomposition du milieu rural et les nouveaux types de rationalité politique, Ed. l’Harmatan, Paris, 2000. .
(2) Artan FUGA – Ibidem.
(3) Në raportin e tyre përfundimtar, vëzhguesit britanikë të BHHRG mbrojnë idenë se zgjedhjet legjislative të maj-qershorit 1996 përmbushnin kriteret në fuqi të vërejtura ndërkohë në vendet e tjera ish-komuniste dhe që, përveç disa incidentesh dhe parregullsish të vogla, tre turet e votimeve ishin të lira dhe të barabarta. Ndërkohë, ideja e falsifikimeve e avancuar nga socialistët u rrimor dhe u zhvillua nga ana e një pjese të vëzhguesve ndërkombëtarë, në mënyrë të veçantë prej atyre të mandatuar nga OSCE/ODHIR dhe më pas nga të tjera organizma ndërkombëtarë jashtë shtetit. Sidoqoftë, rezultatet përfundimtare vërtetonin parashikimet e dala nga sondazhet e opinionit të realizuara nga ane e IRI-t (International Republican Institute) në pranverë dhe ditën e votimeve. Të gjitha sondazhet vinin në dukje se PD paraqitej si fituesja e këtyre votimeve me 56% të parashikimeve – ndërkohë që 62% të shqiptarëve miratonin aksionin e Presidentit të tyre dhe 71% ishin të kënaqur ga zhvillimet demokratike. Diferenca e konstatuar mes parashikimeve (58%) dhe rezultatit (68%) mund t’i vihej për llogari faktit se socialistët dhe aleatët e tyre u tërhoqën nga procesi i votimit mjaft përpara përfundimit, duke ju kërkuar njëkohësisht partizanëve dhe simpatizantëve të tyre të bojkotonin zgjedhjet. Shih : British Helsinki Human Right Group - Albania 1996: Democracy or Dictatorship? Country Elections report. dans : www. bhhrg.org.
 

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama