Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kështu fliste Bamir Topi

Shkruar nga: Armand Shkullaku  
Botuar më: 13 vite më parë

Armand Shkullaku
Kështu fliste Bamir Topi

Çka të lësh pa thanë, qar e ke”. Kjo shprehje e Veriut të Shqipërisë do t’i shkonte më së miri profilit politik të Presidentit Bamir Topi. Suksesi i tij në politikë i dedikohet pikërisht të qenët i përmbajtur, paqësor, madje një farë babaxhani, nga ai soj udhëheqësish që nëse nuk dinë të marrin vendime apo të shquhen në situata të vështira, të paktën nuk bëjnë keq. Qenia për një kohë të gjatë si numri dy në PD pas Sali Berishës, një lider autoritar dhe i ashpër, e nxori më në pah këtë veti të Bamir Topit. Ai ishte si një lloj kundërpeshe, një lloj oponence e heshtur, një drejtues ndryshe brenda grupit radikal të demokratëve, ndonëse asnjëherë, as hapur e as nën zë, nuk u distancua nga lidershipi i Sali Berishës.

Dhe ashtu si qengji i mirë që pi dy nëna, Topi shijonte edhe qumështin e PD-së, por edhe të asaj pjese të shoqërisë që e shihte si një lloj moderatori në një parti tepër agresive. Në shumë sondazhe ai figuronte në krye të listës së politikanëve të preferuar. Të lodhur nga politika konfliktuale, nga tensionet, përplasjet deri me armë dhe ndarja e frikshme e shoqërisë, qytetarët preferonin ata politikanë që pavarësisht se nuk kishin lënë ndonjë gjurmë të veçantë, të paktën nuk ndiznin zjarre. Bamir Topi ishte një përfaqësues par exellence i këtij soji politikanësh.

E, si i tillë, Presidenti i Shqipërisë me siguri nuk ka pasur ndër mend të ndezë as zjarrin e fundit, atë të ndarjes gegë-toskë, Jug-Veri apo Tiranë-Shkodër. Ai nuk është nga ajo prerje politikanësh që guxojnë të hyjnë në tema të tilla. Problemi me Bamir Topin është tjetër. Ai ka të bëjë me lajthitjet që i ndodhin atij dhe çdo kujt tjetër kur del nga natyra e tij, kur beson që vërtet është një faktor vendimtar, kur nën presion apo iluzion përjeton një lloj deliri dhe shtyhet të bëjë pikërisht të kundërtën e asaj falë së cilës gëzon suksesin në karrierë.

Pra vendos të flasë, të veprojë, të bëhet faktor, të ketë një profil të vetin, me një fjalë, gjithçka të kundërt me rrjedhën natyrale që ka ndjekur në jetën e tij politike. I gjendur nën një presion të vazhdueshëm nga ish-shokët e tij të armëve, i akuzuar me epitetet më të rënda e ndërkohë i kompleksuar nga Edi Rama dhe opozita se po ka frikë t’i kundërpërgjigjet Berishës, për Bamir Topin nuk ka qenë e lehtë të vetëpërmbahet. Këtu kanë ndikuar edhe me dhjetëra njerëz të tjerë, politikanë ose jo, të cilët ia kanë bërë rrafsh se me partinë e re do të ketë sukses, se populli e do, se ai është lider i vërtetë etj. Ky kontekst e shpjegon daljen e Presidentit Topi nga natyra e tij dhe faktin që vendosi t’i kundërvihej Jozefina Topallit, e nëpërmjet saj edhe Sali Berishës. Duke qenë i panatyrshëm, reagimi ishte i dobët, mediokër, prodhoi keqkuptim dhe nisur nga ambicia për të krijuar parti politike përmbante edhe elemente të konfliktit të interesit. Por, kurrsesi të konfliktit civil mes shqiptarëve.

Bamir Topi, si politikan dhe si president, ka shkëlqyer me heshtjen e tij apo me mesazhet e përgjithshme që thonë gjëra të ditura ose nuk thonë asgjë. Në një vend ku politikanët e tjerë nxjerrin nga goja flakë dhe barut, edhe drejtues të këtij profili janë të nevojshëm. Por, rrethanat politike dhe personale e kanë detyruar Topin të sillet ashtu siç nuk është, duke e shndërruar nga një president të matur në një politikan kunjaxhi. Atij i pati ndodhur ky fenomen edhe në fillim të mandatit të tij kur, ndoshta i dehur nga avujt e fitores, replikoi me Ben Blushin me një gjuhë dhe logjikë fëminore.

“Ky personazh (Blushi) po jeton me dramën e dështimit të tij. Në një moment të caktuar në politikë, në Parlament kemi pasur pozicione ekuivalente si kryetarë grupesh. Në një moment njëri hipën në pozicionin më të lartë të shtetit, tjetri përfundon në një person anonim, që nuk ka asnjë lloj përfaqësimi”. I tillë duket Bamir Topi kur provon të flasë, të bëhet aktiv dhe të luajë rolin e protagonistit. Megjithatë, gjatë presidencës së tij ai ka qenë i ndërgjegjshëm që të shmangë situata të tilla. Te jetë po ai Bamir që flet pak, thotë gjëra të përgjithshme, me pamje paqësore dhe mesazhe të moderuara. Ai rezistoi gjatë, shumë gjatë në raport me provokimet ndaj tij, por deri në një pikë. Reagimi ndaj Blushit atëherë dhe ai ndaj Jozefinës tani lidhen me një gjë, me postin e Presidentit të Republikës. Nëse atëherë ishte euforia e fitores, sot është pasiguria e së nesërmes që e detyroi Topin të dalë jashtë vetes.

Deklaratat e fundit të tij nuk duhet të krijojnë asnjë keqinterpretim tjetër përtej këtij konteksti. As në Tiranë e as në Shkodër, as në Shqipëri e as në Kosovë, as te gegët e as te toskët. Aq më pak për ndarje gjuhësore e kulturore. Pavarësisht dëshirës së individëve të ndryshëm për të thelluar ndarjet, Bamir Topi, edhe nëse do të dëshironte, nuk është i aftë për ndërmarrje të tilla. Nëse sipas Migjen Kelmendit, gjuha është dialekti që politikisht fitue e ka luftën, Bamir Topi është politikani që gjuhësisht e humbi luftën.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama