Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Barbarët që po sulmojnë tokën e tyre

Shkruar nga: Mentor Kikia  
Botuar më: 13 vite më parë

Mentor Kikia
Barbarët që po sulmojnë tokën e tyre

Pak ditë më parë, në gazetën “Shqip” dhe gazetën online IDEA, studiuesi Spiro Boci, përmes dy artikujve-studime, ngriti një shqetësim që duhet të na alarmonte të gjithëve, por që nuk alarmoi askënd. Konkluzionet që nxjerr prof. Boci mund të përmblidhen në fare pak rreshta, pa i hyrë argumentimit shkencor: Si pasojë e shfrytëzimit të lumenjve, marrjes së inerteve, për dy dekada me radhë, ne kemi prishur ekuilibrat natyrorë të “marrëdhënieve” mes lumit dhe detit. Lumenjtë nuk shkarkojnë më materiale të ngurta në det dhe deti ka nisur të bëhet agresiv, duke pushtuar tokën. Fenomeni i erozionit detar dhe përmbytjet në Ultësirën e Lezhës, më shumë se probleme baticash dhe rritjes së nivelit nga ngrohja globale, janë probleme të prishjes së këtyre ekuilibrave.

Sipas studimit, deti përparon mesatarisht 15-20 metra në vit. Konkretisht, në Seman, në një gjatësi prej 6 mijë metrash vijë bregdetare, gjatë dhjetë viteve të fundit, deti ka marrë nga toka jonë 200 hektarë plazh, pyll dhe tokë. Shikojeni këtë fotografi! Kjo kullë, kur është ndërtuar, ka qenë të paktën 300 metra larg vijës së ujit, tani është Brenda në ujë. Si pasojë e shkatërrimit të lumenjve Erzen dhe Ishëm - thotë studiuesi – plazhi i Gjirit të Lalëzit, ai për të cilin po luftohet sot mes ish- pronarëve dhe pushtetarëve si për tokën e Jerusalemit, Brenda fare pak vitesh do të pushtohet nga deti. (Profesori shpresonte, që meqë në Gjirin e Lalëzit kanë ndërtuar sarajet të gjithë pushtetarët, do të vihen në lëvizje për të bërë diçka). Si pasojë e këtij agresiviteti, po shkatërrohet zona e grykëderdhjes së Bunës dhe plazhi i Velipojës ka pësuar ndryshime të mëdha (thellësia e ujit fillon menjëherë).

Sot, vëmendja e politikës, medias, opinionistëve etj., është përqendruar te kriza dhe një sherrnajë e shpifur mes liderësh. Për tri ditë me radhë, lajmi kryesor ishte nëse do ta pranojë apo jo Berisha ftesën e Ramës për t’u përballur në një debat televiziv, tani në mes të mandatit qeverisës të Berishës. Por një alarm i ngritur nga një studiues mbi atë që po e kërcënon bregdetin tonë, kalohet pa vëmendje.

Gjatë verës, media denoncoi shfrytëzimin barbar të lumit Erzen për llogari të ndërtimit të një segmenti të Unazës së Madhe të Tiranës. Një ushtri kamionësh e fadromash punuan e vazhdojnë të punojnë prej disa muajsh duke fshirë shtratin e lumit, pa marrë leje mjedisore dhe pa u penguar nga prefektura, autoriteti përgjegjës për menaxhimin e shtretërve të lumenjve. Por, më shumë se shkatërrimi i shtratit, dëmi bëhet tjetër kundër, bëhet në det. Dhe për këtë qeveria nuk shqetësohet. Lumit Erzen vazhdohet t’i merren edhe gurët e fundit.

Ndërsa jemi përfshirë kolektivisht në një vorbull sherresh e thashethemesh politike, ne nuk duam të shikojmë se ç’po ndodh realisht me tokën tonë. Ne nuk alarmohemi kur mësojmë se vetëm brenda dhjetë vitesh, vetëm në një prej zonave bregdetare, Shqipëria është mpakur me 200 hektarë tokë, afërsisht sa sipërfaqja për të cilën prej dhjetë vjetësh, dhjetë familje ish-pronarësh luftojnë nëpër gjyqe, e për të cilën një gjykatës u hodh në erë.

Në çdo vend tjetër, ky do të ishte një alarm qeveritar, mediatik e popullor. Ndërsa luftojmë e shahemi tërë ditën për arsye politike, komentojnë faqe të tëra gazetash për nivelin e demokracisë, ne kemi lënë në heshtje një dukuri katastrofike. Shqipëria jonë po zvogëlohet. Po, po, po zvogëlohet. Ndërsa qeveria ka shkruar me germa të mëdha se është turizmi prioritet, hesht dhe nuk vepron për të shpëtuar zonën turistike nga shkatërrimi. Turizmi nuk është sektori prioritar vetëm gjatë mandatit të qeverisë së Sali Berishës, por do të vazhdojë shpresa e vetme ekonomike edhe pas disa dekadash. Por ku do të shkojnë turistët, nëse plazhet shkatërrohen? Dhe plazhet po shkatërrohen. Po shkatërrohet Velipoja, Shëngjini, Talja, Gjiri i Lalëzit, Semani është shkatërruar, ndërsa ne të gjithë preokupohemi për faktin nëse do të takohet Berisha me Ramën apo jo?

Historikisht, kur një vend sulmohej, sherret e brendshme pushonin dhe të gjithë angazhoheshin në shpëtimin e vendit. Shqipëria sot është sulmuar dhe është sulmuar nga shqiptarët, të cilët po e shkatërrojnë. Ndaj nuk duhet të heshtim, nuk duhet të ndalemi së bërtituri, pasi kjo tokë dhe ky vend nuk është i matrapazëve që ngrenë biznese e fitojnë para në kurriz të vendit tonë të përbashkët. Kjo tokë nuk është e një klani qeveritarësh të korruptuar, që nuk pyesin për asnjë lloj kostoje. Kjo tokë ka qenë dhe duhet të mbetet e të gjithëve.

Profesori i gjeodezisë, i cili e studion bregdetin që prej vitit 1968, kujton një fakt historik: Në Pojan të Fierit, fushat e të cilit ndodhen në këmbët e kodrinës ku ndodhet qyteti antik i Apolonisë, Cezari dhe Pompei kanë zhvilluar një betejë detare. Këtë thotë historia, ndërsa shkenca thotë se fushat u shtrinë aty ku janë sot, si pasojë e inerteve që lumenjtë shkarkuan pak e nga pak ndër shekuj.

Sot po ndodh e kundërta. Lumenjtë nuk shkarkojnë më inerte dhe deti ka nisur të kthehet në vendin e Cezarit, por shumë më shpejt nga ç’u formua fusha. Profesori i gjeodezisë thotë se lumit Erzen i duhet afro 100 vjet të rikthehet në nivelin që ishte para 20 vitesh, ndërsa detit vetëm pak vite që ta pushtojë plazhin.

Nëse barbaria nuk ndalet, ashtu siç sot historia kujton betejën detare të Cezarit, aty ku sot ndodhen fushat e mbjella, kjo periudhë do të kujtohet si një kohë, kur barbarët nuk erdhën nga larg, por dolën nga dheu i tyre, lindën në tokën e tyre dhe shkatërruan tokën e tyre. Atëherë do të jetë shumë vonë dhe nuk do të bëjë punë as mallkimi i fëmijëve tanë e as dreqi vetë.Femrave u pelqejne meshkujt mesatar

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama