Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ramiz Alia, instinkti i mbijetesës!

Shkruar nga: Blendi Fevziu  
Botuar më: 13 vite më parë

Blendi Fevziu
Ramiz Alia, instinkti i mbijetesës!

Ramiz Alia, lideri i fundit komunist i Shqipërisë dhe paradoksalisht Presidenti i parë pluralist i saj, ndërroi jetë dje në një spital të Tiranës. Në 86 vitet e jetës së tij politika zë vendin kryesor. Që nga marsi 1942, kur doli ilegal si militant i Partisë Komuniste dhe deri në prill 1992, kur dha dorëheqjen nga President, ai ndërtoi një karrierë 50-vjeçare me shumë kulme.  Një karrierë që përfshin brenda saj poste të larta drejtuese në ushtrinë partizane, në organizatën e rinisë komuniste, në Ministrinë e Arsimit, në Sekretariatin e Komitetit Qendror të PPSH, në krye të shtetit etj. Në këtë jetë të gjatë ai nënshkroi vendime nga më të rëndësishmet dhe më tragjiket, që nga ato për ngritjen e Universitetit të Tiranës dhe dekretimin e pluralizmit politik, e deri te dënimet me vdekje të kundërshtarëve të regjimit, si ata të bombës së Ambasadës Sovjetike, ose të pushkatuarve në vitet 1985 – 1990. Bilanci i karrierës së tij do t’i takojë pa dyshim historisë, por duke vëzhguar rrugën që ajo ka ndjekur, kulmet si President apo honet e errëta të burgimit, nuk ka asnjë dyshim që ajo është shënjuar nga një instinkt dominues, instinkti i mbijetesës. Ramiz Alia diti të mbijetojë, madje diti ta bëjë këtë në dy kohë dhe rrethana të ndryshme.

Ramiz Alia diti t’i mbijetojë mërisë dhe spastrimeve të frikshme të Hoxhës. I ardhur në drejtimin e lartë të Partisë së Punës në fillim të viteve ’60, i diplomuar në Moskë, ai i mbijetoi paranojës së Hoxhës ndaj atyre që vinin nga shkollat sovjetike. Liri Belishova u ndëshkua, ndërsa Alia shpëtoi. Ai nisi t’i ngjisë shkallët e karrierës duke qëndruar gjithnjë në hije, pa u evidentuar kurrë si një ndër “kryesorët”, por duke qenë, pa dyshim, ndër ata që gjendeshin kudo. I vendosur në qendër të ciklonit të vitit 1974, me spastrimet e përgjegjësve të kulturës, ai nuk shkoi në burg, as u godit. Arriti të mbijetojë. Madje mbijetoi edhe gjatë spastrimeve të tjera, duke u bërë dëshmitar dhe mbase protagonist i eliminimit një pas një të Beqir Ballukut, Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, e duke u shënjuar si pasardhësi i vetëm dhe i sigurt i Enver Hoxhës. Që nga janari i vitit 1983 ai ishte drejtuesi real i Shqipërisë. Një drejtues nën hijen e Enver Hoxhës, diktatorit të pamundur dhe të pafuqishëm fizikisht. Alia ishte më i shkolluari dhe i evidentuari i një klase politike injorante, të paaftë dhe të paorientuar në zhvillimet e kohës.

Në prill të vitit 1985, ai erdhi në krye të vendit duke pasur një rol të dyfishtë, një rol që s’e kish pasur as Enver Hoxha. U bë Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të PPSH e njëherazi President i Presidiumit të Kuvendit Popullor, pra President i Shqipërisë. Ai erdhi në atë kohë si njeriu i shpresës për gjithë shoqërinë e zhgënjyer nga komunizmi i gjatë, represiv, nga uria kronike që kish filluar të shfaqej dhe nga mungesa totale e perspektivës. Ai u bë lideri i një shoqërie jo të sëmurë, por në koma. Ramiz Alia nuk bëri asnjë tentativë për ta ndryshuar atë.

Ai nuk u bë një Hrushov, siç mendonin shumë veta, nuk e dënoi paraardhësin e tij tiran, por deklaroi vazhdimësinë e rrugës dhe të filozofisë politike të Hoxhës. I përkulur mbi varrin e tij, Alia deklaroi: “Hoxha nuk ka datë vdekjeje, por vetëm datë lindjeje”.

Ai nuk u bë dot as një Ten Hsia Pin, nuk ideoi dot ndryshimin gradual të sistemit të kalbur ekonomik. Nuk bëri asnjë tentativë në këtë drejtim, madje nuk shfrytëzoi shansin që Gjermania Perëndimore i ofroi Shqipërisë në këto kohë. Në vend të ndryshimeve thelbësore për ta shpëtuar ekonominë që po vdiste, ai humbi kohë të tëra duke diskutuar nëse fshatarëve duhej t’u lihej një kec, apo një kec dhe një qengj!

Ishte koha kur Gorbaçovi, me Gllaznostin dhe Perestrojkën, po ndryshonte sistemin sovjetik dhe po njihte zyrtarisht dështimin e sistemit që Lenini kish ngritur thuajse 70 vjet më parë. Por Alia nuk u bë dot as Gorbaçov. Nuk ndërmori dot reforma thelbësore që t’u paraprinin ndryshimeve të dukshme. Ai qe gjithnjë një hap pas zhvillimeve dhe kurrë nuk u parapriu atyre.

Ai deklaroi se Shqipëria “as hapej dhe as mbyllej”, por dy javë më vonë, mijëra veta hynë në ambasadat e huaja në Tiranë duke e bërë fakt hapjen ndaj botës; ai deklaroi se Shqipëria nuk ishte “as Lindje dhe as Perëndim”, por dy muaj më pas, revoltat e studentëve e renditën vendin pa ekuivok në radhën e Perëndimit demokratik. Ai nuk diti në asnjë moment të ishte lider, dhe ky ishte fataliteti i tij i madh. Siç ishte edhe fataliteti që ai i la Shqipërisë. Nëse Alia do të kishte pasur guximin, vullnetin dhe vizionin për t’i bërë ndryshimet gjashtë muaj më parë, e ardhmja e këtij vendi do të ishte ndryshe. Por ai nuk e bëri dot, dhe historia nuk do t’ia falë këtë.

Nga ana tjetër, vitet e sundimit të Alisë ndryshojnë mjaft nga ato të Hoxhës. Alia nuk ishte një lider gjakatar. Ai ishte një komunist, por një komunist që me gjasë nuk besonte as vetë tek ajo filozofi. Në vitet e drejtimit të tij dhuna u zbut, terrori nuk gjeti më vend, arrestimet u reduktuan, të rinjtë filluan të ndihen më të lirshëm dhe vendi filloi të gjallojë. Njolla të kësaj kohe mbeten vrasjet në kufi gjatë vitit 1990, kur 82 të rinj humbën jetën të vrarë me armë zjarri në një kohë që arratisja nuk quhej më një krim.

Ramiz Alia vërtet nuk bëri asgjë për ta ndryshuar sistemin dhe për ta hapur shoqërinë ndaj pluralizmit dhe demokracisë, por duket se nuk e kishte vullnetin për t’iu kundërvënë ndryshimeve demokratike forcërisht, siç tentoi të bënte Çaushesku në Rumani. Ndoshta duke parë edhe fundin e tij, Alia e amortizoi linjën e ashpër brenda PPSH-së. Në dhjetor 1990 ai luajti një rol për pranimin e kërkesave të studentëve dhe vendosi ta shpallë pluralizmin politik atë ditë, përpara takimit me ta. Duke filluar nga dhjetori 1990, ai nxori jashtë me stil drejtuesit e vjetër, injorantë dhe të paaftë të PPSH-së. I dërgoi vetë shumicën e tyre në burg, përfshi të venë e Hoxhës, e transferoi partinë në duart e elitës së majtë universitare dhe tentoi me instinktin e vjetër të mbijetojë. Dhe arriti të mbijetojë duke u bërë i vetmi person i gjithë Lindjes komuniste, që duke qenë diktatori i fundit komunist i vendit, u bë njëherazi Presidenti i parë pluralist i saj.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama