Koha për të amenduar ligjin e duhanit

Shkruar nga: Adri Nurellari  
Botuar më: 13 vite më parë

Adri Nurellari
Koha për të amenduar ligjin e duhanit

Koha për të amenduar ligjin e duhanit
Botuar tek gazeta panorama

Adri Nurellari (www.adrinurellari.com)


Siç edhe ndodh rëndom kur mbillet me zell të madh një bimë në një rajon larg klimës së vetë, kështu ndodhi edhe me ligjin kundër duhanit në Shqipëri. Një fiasko e vërtetë që nuk bë gjë tjetër përveçse shton një zë më shumë në listën e gjatë të disfatave të shtetit shqiptar në përpjekje për të siguruar zbatueshmërinë e ligjit. Veçse kësaj radhe faji i kësaj fiaskoje qëndronte më shumë tek vetë ligji që kapërcente çdo mundësie të zbatimit në vendin tonë sesa tek  prirja kulturore e shqiptarëve për të mos respektuar institucionet. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, nuk kishte se si të mos dështonte një ligj me një rreptësi të ngjashme vetëm me atë të vendosur në Norvegji por të mbjellë në Ballkan, rajonin që prodhon dhe konsumon  më shumë duhan në botë. Tanimë duhani konsumohet kudo nëpër  hapësirat publike të vendit tonë, nga kushdo që dëshiron të pijë duhan, përfshi këtu qeveritarët përgjegjës për hartimin e aprovimin e ligjit si dhe përfshi këty ofiqarët të cilëve iu takon garantojnë zbatimin e ligjit. Për këto arsye duhet që ligji kundër duhanit të amendohet për ta bërë një ligj të drejtë dhe për ta bërë të mundur zbatimin e tij. More...
Ky ligj në fakt jo vetëm që nuk i përshtatej kontekstit shqiptar por në fakt shkon edhe kundër parimeve themelore të kushtetutës. Ligji ndëshkon pronarët e bareve apo ambjenteve të tjera publike për veprime të personave të tjerë të cilët vendosin të pijnë duhan. Pra bëhet fjalë për ndëshkim kolektiv dhe jo ndëshkim individual paçka se sistemi ynë bazohet tek përgjegjësia individuale para ligjit. Në një shtet dinjitoz demokratik individi mban përgjegjësi vetëm për veprimet e veta e jo për shkeljet apo veprimet e fqinjëve apo farefisit sikurse ndodhte dendur gjatë regjimit të kaluar. Ligji në fjalë diskriminon 40% të popullsisë shqiptare që pi duhan në favor të 60% të popullsisë që nuk pi duhan. Një nivel i tillë “aparteidi” ndaj duhanxhinjve të ngratë nuk është kurrësesi i justifikuar në një shtet ku duhet të mbizotërojë liria dhe barazia para ligjit.
Një tjetër problem i këtij ligji ka sërisht të bëj me mënyrën e ‘pacipë’ sesi shteti në një farë mënyre ndërhyn në pronën private pa u kujdësur që standardet e vendosura të mos penalizojnë në mënyrë të tejskajshme zotëruesin e kësaj prone. Kjo pasi lokalet humbasin klientë potencialë sidomos ata që nuk kanë terracë, sidomos në dimër ku nuk mund të qëndrohet jashtë e sidomos kur pronarët nuk kanë lidhje politike apo nuk kanë mundësi apo dëshirë për të korruptuar organet që kanë përgjegjësi për zbatimin e këtij ligji. Mbase do ishte e kuptueshme dhe deri diku e pranueshme që shteti të vendoste të tilla standarde të rrepta në  ambjente apo institucione shtetërore (paçka se edhe kjo gjë do të thonte që duhanpirësit të diskriminoheshin) por për ambjentë me pronësi private shteti duhet të matet shumë herë para se të ndërmarrë këtë veprim.
Në fakt vetë ideja e ndërhyrjes së shtetit  për qëllime morale apo edukative është një reminishencë e së kaluarës komuniste ku shteti nuk e kishte për gjë që të fuste hundët në punët më intime të individit dhe ta detyronte atë që të sillej dhe vepronte sipas një standardi të caktuar moralo-politik. Në rastin e duhanit shteti pretendon se e di më mirë se ç’është mirë për individin së vetë individi dhe harron që liria nënkupton të drejtën për të zgjedhur. Shteti e pushon së luajturi rolin e edukatorit kur individi kalon moshën 18-vjeçare dhe konsiderohet i rritur dhe i pjekur, i aftë për të kuptuar domethënien dhe pasojat e veprimeve të veta e për rrjedhojë mjaftueshëm i ndërgjegjshëm për të mbajtur përgjegjësi e dhënë llogari për veprimet e veta.
Për rrjedhojë është e padrejtë që të pengohet reklamimi i produkteve të duhanit meqënëse mendohet se këto reklama ua prishin mendjen të rinjve dhe i nxjerrin nga “rruga e drejtë e moralit”. Së pari përderisa produkti, që i bie edhe të shkaktojë dëmin, është i ligjshëm nuk ka sesi reklama për këtë produkut të jetë e paligjshme. Agjitacioni dhe propaganda kanë kohë që nuk konsiderohen më si veprime të paligjshmë e për rrjedhojë çensura është e pajustifikuar. Përpo kësaj, po të bëjmë një analogji me të ashtuquajturat akte të turpshme në publik, dihet që marrëdhëniet seksuale në publik janë të dënueshme me ligj, por gjithësesi nuk ndalohet që të reklamohen në mes të ditës reklamat e kondomëve. Madje edhe po pajtoheshim me këndvështrimin moral, censura ndaj reklamave nuk është efikase se pjesa dërrmuese e studimeve dëshmon se reklamat shërbejnë më tepër si garë mes markave të ndryshme sesa si nxitje për të përdorur një prodhim.
Edhe sikur një liberal regjur si autori i këtij shkrimi, të kapërdinte me të keq këtë ligj duke e pranuar me gjithë defektet e veta, qëndron një tjetër problem praktik me dëm shumë të madh që në fakt e diskrediton këtë ligj dhe diskrediton edhe vetë shtetin që e ka vendosur këtë ligj. Bëhet fjalë për mungesën e kapaciteteve, mundësive, mjeteve dhe vullnetit për ta vënë në jetë këtë ligj dhe për të siguruar zbatimin e tij kudo në territorin e republikës së Shqipërisë. Ky ligj rrit nivelet e paligjshmërisë në vendin tonë duke dobësuar dinjitetin e institucioneve dhe respektin për ligjin.
Prandaj që kjo farsë të mos vazhdojë më dhe që shteti të rifitojë pak nga nderi i humbur prej pamundësisë për të zbatuar këtë ligj, duhet që ligji i duhanit të amendohet. Një ligj për duhanin është i nevojshëm në Shqipëri por ai duhet që t’i përshtatet parimeve bazë të konstitucionalizmit dhe të shkojë në sintoni me realitetin kulturor shqiptar dhe me mundësitë e shtetit tonë për ta vënë në jetë këtë ligj.
Së pari njehërë duhet të kihet parasysh se roli kryesor i shtetit të lirisë dhe demokracisë është që të garantojë respektimin e të drejtave individuale, përfshi këtu të drejtën për të pirë duhan. Sikurse thoshte Xhon Stjuart Mill në esenë e tij Mbi Lirinë : “E vetmja arsye për të cilën shteti mund të përdori në mënyrë të drejtë forcën dhe shtrëngimin ndaj një anëtari të komuniteti të qytetëruar është për ta penguar që ky anëtar të cënojë liritë e tjetrit ose dëmtojë të tjerët”.  Dhe shteti ndërhyn vetëm atëhere kur e veprimi i një individi cënon të drejtat e një tjetri që përkthyer në rastin tonë do të thoshte që ligji të kërkonte që në ambjentet shtetëore dhe mbase edhe në ato private të ketë vende të përshtatshme ku duhanxhinjtë të pijnë për qejf duhanin sikurse ua ka ëndja, dhe hapësira ku nuk lejohet duhani, duke siguruar përmbushjen e të drejtave të të dy kategorive, duhanpirës dhe jo duhanpirës. Së dyti në këtë ligj duhet përcaktuar qartë përgjegjësia individuale ndaj shkeljes së hapësirave ku duhani është i ndaluar. Së treti, duhet zbatuar e drejta e konsumatorit për t’u informuar që do të thotë që të hiqet censura ndaj reklamave mediatike të produkteve të duhanit. Së katërti duhet pranuar se shteti ka përgjegjësi edukative ndaj fëmijëve e para se të mendojë që të dekurajojë përdorimin e duhanit nga të rriturit të bëj çmos që të pengojë përdorimin e duhanit nga fëmijët derisa këta të bëhen zot të vetes. Dhe kjo është  veçanërisht e rëndësishme duke patur parasysh se shumica e cigareve tregtohen në mënyrë ambulante nga fëmijët që bredhin nëpër rrugë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama