Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Debati publik si truk politik

Shkruar nga: Armand Shkullaku  
Botuar më: 13 vite më parë

Armand Shkullaku
Debati publik si truk politik

Hedh një budalla një gur në lumë dhe njëqind të mençur nuk e nxjerrin dot. Nuk e di se sa kjo shprehje mund t’i rrijë “gurit” që lëshoi Edi Rama për një debat publik me rivalin e tij, Kryeministrin Sali Berisha, por në Shqipëri çështja e këtij debati po shndërrohet në temë kryesore të mediave, politikanëve e deri diplomatëve të lartë. Uria për një përballje të tillë, të munguar për vite të tëra, si dhe klima e tensionuar politike në vend e justifikojnë deri diku interesimin për një ulje të të dy politikanëve, qoftë edhe në tryezën e debatit. Në fund të fundit, për të përsëritur shprehjen e rëndomtë që nuk thotë asgjë, ç’të keqe kemi nga debati.

Në fakt, debati i propozuar papritur dhe nga ai që as mendohej, nuk është diçka normale dhe i pranueshëm apriori. Në radhë të parë ballafaqimi që kërkon Edi Rama nuk është i sinqertë dhe, si i tillë, ai e dëmton vetë idenë e përballjes mes dy opsioneve politike, dy programeve apo dy platformave. Më shumë se sa ftesë për debat, propozimi i Ramës është një lojë me të ngecur për të treguar se ai e hodhi dorezën e sfidës dhe tani përgjegjësia i mbetet kundërshtarit. Në asnjë rresht të editorialit të tij, Rama nuk shpjegon se përse prej vitit 2000 e deri më sot ai ka refuzuar çdo lloj ballafaqimi publik me rivalët e tij dhe si u bë që një ditë të bukur vjeshte ndërroi mendje.
 
farë ndodhi që ky njeri, emblematik në shmangien e ballafaqimeve, në selektimin e studiove televizive dhe në lëvrimin e gjinisë origjinale të autointervistave, tani po kërkon ballafaqim? Kjo mungesë shpjegimi ngre dyshimin e madh se lideri socialist nuk është se ka ndryshuar qëndrimin e tij në lidhje me nevojën e përballjes publike dhe transparencës ndaj qytetarëve, por po e përdor këtë si një mjet, si një taktikë për të kurthuar kundërshtarin. Përveç sfidës për duel, Rama nuk paraqet asnjë ide tjetër lidhur me vizionin e opozitës për ballafaqimin me maxhorancën, për pjesëmarrjen në debatet televizive, në forumet e hapura apo në Parlament.

Ftesa për debat e Edi Ramës duket hapur që është një truk politik edhe nga mënyra se si ai e formulon atë. Jashtë çdo etike të komunikimit, kreu i opozitës e fton duke e thirrur në emër Kryeministrin e vendit dhe duke i shtuar cilësimin gojështhurur. Është e qartë se më shumë se ballafaqimi në publik i ideve të tij, Ramës i ka interesuar refuzimi i Berishës. Këtë e ka arritur dhe komentet që e cilësonin Berishën refuzues, shkaktar të krizës e deri frikacak nuk munguan. Por, Rama nuk ka arritur dhe nuk mund të arrijë atë që i ka munguar në të gjithë karrierën e tij, thelbin dhe përmbajtjen e veprimeve të veta politike. Fakti që Berisha refuzon një përballje publike, nuk bind askënd se Rama ka nisur vërtet një kurs të ri politik, se i intereson zgjidhja e krizës dhe jo fajësimi i kundërshtarit. Refuzimi mund të forcojë mendimin se Berisha mbetet një politikan kokëfortë, por nuk dëshmon se Rama seriozisht ka ndërmarrë reforma për të ndryshuar mënyrën e të bërit opozitë. Si gjithnjë, ai mbetet njohësi i trukeve, dhe jo lideri reformator. Edi Rama tenton gjithnjë të hedhë një situatë të caktuar, dhe jo të ketë një strategji afatgjatë. Nga ky këndvështrim, pra i përdorimit të debatit publik si një truk politik, ballafaqimi dhe transparenca si standarde të politikës moderne dëmtohen rëndë. Mund të dëmtohet edhe Sali Berisha, i cili bën figurën e liderit arrogant e të gjithëpushtetshëm që nuk përfill asgjë që i vjen prej opozitës, por kjo ka rezultuar e pamjaftueshme për të kryer rotacionin politik.

Një arsye tjetër për ta parë me dyshim ftesën për debat të Edi Ramës është edhe situata e vështirë në të cilën gjendet vendi. E kjo situatë nuk zgjidhet me një duel televiziv Berisha-Rama, të cilën nxituan ta përshëndesin edhe disa ambasadorë si një shenjë drejt dialogut. Nëse Edi Rama vërtet do të ishte i interesuar për një klimë konstruktive dialogu, mund ta ftonte Berishën publikisht në një takim kokë më kokë ose në grupe të ngushta për të diskutuar bashkë paktin e propozuar nga opozita dhe për të gjetur një zgjidhje që do të kënaqte të dyja palët. Kjo do të ishte shumë më efikase se sa një përballje televizive dhe refuzimi i Berishës do të kishte kosto shumë më të lartë politike për të. Debatet televizive janë një detyrim moral i politikanëve në respekt të qytetarëve për të shpalosur, sqaruar dhe përballur ofertat politike (kryesisht gjatë fushatave elektorale) dhe jo mënyra për të negociuar marrëveshje mes tyre.

“Është koha kur Shqipërisë në udhëkryq i duhet një debat publik, ku Saliu dhe unë duhet të dalim të dy para shqiptarëve që përfaqësojmë dhe të ballafaqojmë ato që ata i dëgjojnë prej nesh veç e veç”, thotë Rama në editorialin e tij. Në fakt, Shqipëria është në udhëkryq, por prej andej nuk e nxjerr dot një debat publik. Dalja nga udhëkryqi do të niste nëse të dy liderët do të pranonin përgjegjësinë që e kanë sjellë vendin deri në këtë pikë dhe do të angazhoheshin për hapa konkretë në zgjidhjen e krizës politike. Pastaj, a do të dilnin bashkë apo jo përpara kamerave, kjo pak rëndësi ka për shqiptarët. Mirëpo guri që hodhi Rama e ka zhvendosur përsëri diskutimin në rrafshin e politikës së vjetër ballkanike, pranon apo nuk pranon, ta mban apo nuk ta mban. Ftesa për debat nuk është asgjë tjetër se sa një rreng më shumë në politikën e vogël e të ngushtë shqiptare për t’ia lënë fajin tjetrit. Kjo është arsyeja pse kemi mbetur në udhëkryq e nga ku, sigurisht, nuk do të na nxjerrë guximi i Edi Ramës për të debatuar me Berishën.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama