Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ndërlikimet politike të rishikimit të gjuhës letrare shqipe

Shkruar nga: Adri Nurellari  
Botuar më: 17 vite më parë

Adri Nurellari
Ndërlikimet politike të rishikimit të gjuhës letrare shqipe

Ndërlikimet politike të rishikimit të gjuhës letrare shqipe
Botuar tek revista Klan
Adri Nurellari (www.adrinurellari.com)
 
Kur vizitova për herë të parë Beogradin jam ndjerë si në gjëmba duke menduar se gjendesha në strofullën e antishqiptarizmit. Mirëpo ndryshe nga çfarë prisja, u ballafaqova me një dashamirësi të shtirur por të theksuar të beogradasve që nuk humbnin rast pa më thënë se ata nuk kishin asgjë me shqipëtarët e Shqipërisë por me Kosovën.  Një aplikim i pacipë dhe i pakursyer i taktikës mijëravjeçare, dividi et impera (përça e sundo). Me keqardhjen më të thellë kam zbuluar kohët e fundit se kjo përpjekje e Beogradit nuk ka shkuar tërësisht dëm përderisa zërat që i janë kundërvënë gjuhës letrare shqipe janë shtuar në Kosovë dhe zënë një vend domethënës qoftë në debatin publik e qoftë në bisedat në të cilat përfshihem shpesh në ambiente private me miq të mi të Kosovës.
Pikësëpari, edhe sikur në vetëvete të kishte argumente në favor të vënies në pikëpyetje të gjuhës standarde shqipe, ky debat është shumë problematic, qoftë për momentin historik në të cilin zhvillohet debati dhe qoftë për forumin ku është duke u zhvilluar. Diçka që në vetëvete nuk është detyrimisht e gabuar mund të marrë një kuptim tërësisht të kundërt në varësi të kontekstit. Kështu për shembull ndryshe është të thuash Rroftë SHBA-ja në Tiranë sot e ndryshe ta thuaje para 20 vitesh në komunizëm, ndryshe është të thuash Rroftë SHBA-ja në Tiranë e ndryshe ta thuash në Teheran.  Pra kur dhe ku thuhet diçka bën që impakti të jetë krejtësisht i transformuar. Ky debat do të ishte më se i mirëpritur në një moment tjetër, jo kaq të brishtë dhe të bërë nëpër ambjente akademike gjuhëtarësh. Në akademi madje parashtrimi i sa më shumë tezave alternative të guximshme është më se e inkurajueshme.
Gjuha për shqiptarët nuk është thjesht një instrument komunikimi por thelbi i identitetit dhe nyja kryesore lidhëse, duke patur parasysh mungesën e homogjentitetit fetar që kanë gëzuar kombe të tjera në rajon. Prandaj ngritja e kësaj teze në momentin kur më së shumti nevojitet solidaritet mbarëkombëtar për pavarsinë e Kosovës nuk bën gjë tjetër përveçse dëmton çështjen duke përçarë faktorin shqiptar. Dihet mirë që shteti i ri i Kosovës, kur të përfshihet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara do të ketë nevojë për simbole apo stema të posaçme për t’u dalluar nga shtetet e tjera, për t’u dalluar edhe nga Shqipëria. Por kjo nuk do të thotë që këto simbole të mos jenë të ngjashme me simbolet dhe stemat e Shqipërisë. Për më tepër, nuk do të thotë që për të bërë të mundur mbarëvajtjen e marrëdhënieve zyrtare e protokollare të shtetit të ardhshëm të Kosovës të ndryshohen jo vetëm simbolet përfaqësuese por edhe identiteti i banorëve të Kosovës. Ka kombe të tjera ballkanase që janë të detyruar të respektojnë dallimet konvencionale mes dy shteteve të përbëra nga i njëjti komb. Grekoqipriotët e quajnë veten grekë paçka se janë shtet tjetër me shenja konvencionale të ndryshme dhe po kështu moldavët nuk kanë mëdyshje për identitetin e tyre rumun paçka se kanë simbole shtetërore të ndryshme nga Rumania.
Zakonisht nevoja për të ndërtuar një gjuhë më vete duke theksuar dallimet brenda një gjuhë që në të vërtetë është organikisht e njëjtë, vjen atëhere kur brenda folësve të të njëjtës gjuhe ka një konflikt të hapur e të ashpër. Palët e ndryshme instrumentalizojnë politikisht vlerën simbolike të gjuhës, krijojnë dhe përqafojnë një gjuhë të re të posaçme për të deklaruar një përkatësi ndryshe. Këtë gjë kanë bërë kroatët me serbët të cilët pas konfliktit etnik kanë shtuar e hiperbolizuar dallimet brenda një gjuhe që dikur konsiderohej e studiohej si një e vetme. Rast tjetër i ngjashëm është ai i gjuhës hindu përkundrejt gjuhës urdu. Dallimi i vetëm ishte alfabeti sikurse ndodhte edhe me serbokroatishten. Mirëpo kur lindi nevoja për të ndërtuar një komb të ri musliman në veri të Indisë, gjuha urdu u bë edhe mjeti për të realizuar këtë ideologji. Dhe për ta bërë këtë mjet akoma më efikas për forcimin e identitetit kombëtar kundër Indisë, pakistanezët në mënyrë të vetëdijshme e artificiale filluan të thellonin dallimet dhe po kështu kundëreaguan indianët me gjuhën hindu. Në rastin tonë Kosova nuk është në konflikt me Shqipërinë por me Serbinë e për rrjedhojë nuk ka përse të theksojë dallimet brenda folësve të shqipes.
Por edhe sikur të pajtoheshim me skenarin më të skajshëm për krijimin e një identiteti etnik kosovar nga e para, të shkëputur nga Shqipëria, gjithësesi identitetet etnike mund të jenë të ndryshme edhe pse mund të flitet e njëjta gjuhë. Irlandezët, amerikanët, skocezët, australianët, kanadezët përdorin lirisht anglishten standarde dhe ndërkohe kanë identitet kombëtar të ndryshëm. Nga ana praktike krijimi dhe konsolidimi i një gjuhe standarde që të përmbushë të gjitha qëllimet dhe nevojat shoqërore është një sipërmarrje tejet e madhe, bile në epokën që jetojmë pothuaj e pamundur. Madje vende si Hollanda dhe Finlanda që dikur kanë qenë në krye të përpjekjeve për të patur një gjuhë kombëtare të kulluar, të veçantë e me përdorim universal, tani e kanë kuptuar vështirësinë që has një gjuhë e një populli të vogël për t’i bërë ballë sfidave bashkëkohore të komunikimit. Këto vende gjithnjë e më shumë po përfshijnë anglishten në arsimin publik për mësimëdhënien në disa disiplina shkencore për të cilat leksiku dhe mundësitë e gjuhëve përkatëse janë të pamjaftueshme për të garantuar një proces mësimor të përshtatshëm.  Përballë këtyre sfidave dhe nevojave pse u dashka që të ndërtohet e konturohet nga e para kosovarqja kur mezi ia del shqipja letrare për t’i bërë ballë nevojave universitare?
Megjithatë le të kthehemi tek argumentet që vënë në pikëpyetje vazhdimësinë e gjuhës shqipe letrare dhe që theksojnë dallimet midis toskërishtes dhe gegërishtes. Fillimisht duhet vënë në dukje se dallimet midis këtyre dialekteve janë historikisht të hiperbolizuara për qëllime politike sidomos nga të huajt dashakeq ndaj shqiptarëve, të cilët përndryshe e kanë pasur të vështirë të gjejnë vija ndarëse të tjera ndërmjet shqiptarëve të cilët jetojnë në harmoni mes katër grupeve fetare. Dallimet mes dy dialekteve tona janë të papërfillshme po të krahasohen me ndryshimet që kanë dialektet e Italisë, Gjermanisë apo edhe kombeve të vogla me përmasa të ngjashme me tonin si Danimarka.  
Shpesh sfiduesit e gjuhës standarde e konsiderojnë gjuhën letrare të padrejtë pasi ka përmbajtje më të madhe të toskërishtes dhe ka penalizuar gegërishten. Gjuha standarde është në vetëvete një inxhinieri sociale dhe përmban në mënyrë të pashmangshme arbitraritet. Edhe nëse këta individë të sipërpërmendur do të krijonin një gjuhë të re standarde kosovarçe, shumë nuanca nëndialektale gjuhësore të krahinave të ndryshme (si psh. të Llapit apo Drenicës) do të zhdukeshin ose shmangeshin pasi do ishte e pamundur që të integroheshin të gjitha versionet në një gjuhë standarde. Edhe po të shikohen raste analoge të vendeve të tjera del qartë që në shumicën dërrmuese gjuha letrare nuk është përfaqësuese e mbarë kombit, nuk është një lloj mesatareje e drejtë e të gjitha dialekteve. Italishtja zyrtare është një version i sofistikuar i dialektit i krahinës të Toskanës, që nuk është rajoni më i madh por qëlloi që të ishte rajoni ku lulëzoi Rilindja Evropiane e ku për herë të parë u sfidua latinishtja e u shkruajt gjuha e vendasve. E njëjta gjë me gjermanishten zyrtare e cila nuk përfaqëson të gjitha tokat gjermane, por vjen nga Gjermania e epërme, pasi aty rastisi që të jetonte e vepronte Martin Luteri i cili me përkthimin në gjermanisht të biblës dhe me botimet e tija liturgjike protestante në një farë mënyre farkëtoi edhe gjuhën letrare gjermane.  Spanjishtja letrare është një version i gjuhës së folur të krahinës së Valadolidit kurse frengjishtja vjen ekskluzivisht nga lugina e Luarës. Për shqipen fati e deshi që shteti shqiptar të krijohej e konsolidohej në më pak se gjysmën e territorit të banuar nga shqiptarët. Dhe kjo rastësi historike ka bërë që në mënyrë arbitrare por të pakthyeshme, për herë të parë gjuha shqipe të standardizohej e zyrtarizohej në këtë territor, me tipare të theksuara toske, pra të shumicës së popullsisë dhe territorit të këtij shteti.
Një tjetër argument qesharak është se shqipja letrare është aq ndryshe të folurës së Kosovës sa është e pamundur që një kosovar të mësoj siç duhet gjuhën standarde. Janë të panumërt gegët e Shqipërisë që flasin e shkruajnë shumë mirë gjuhën letrare. Janë poashtu të shumtë kosovarët të cilët e flasin e shkruajnë me lehtësi gjuhën letrare, sidomos ata të brezave të hershëm të universitetit të Prishtinës.  Gjatë shekullit XIX asnjë gjerman apo italian nuk fliste gjuhën standarde por vetëm e shkruante dhe e lexonte. Por gjuha standarde filloi të flitej në mënyrë dërrmuese më vonë, me përmirësimin dhe masivizimin e arsimit, mjeteve të komunikacionit, institucionalizimit të gjuhës zyrtare në procedurat administrative e të tjera procese që kanë të bëjnë me konsolidimin e shtetit kombëtar. Më bukur akoma e ilustron rolin e shtetit rasti i Izraelit. Hebraishtja dikur ishte gjuhë e vdekur  liturgjike pasi njerëzit flisnin vetëm Jidish e tani në Izrael flitet vetëm hebraisht e folësit e gjuhës jidish janë të rrallë e folklorik sikurse kanë ngelur tek ne të rrallë rapsodët me lahutë.
Shqiptarët e Shqipërisë nuk e flasin detyrimisht gjuhën standarde më mirë sepse e kanë më të përafërt me dialektin e tyre por sepse kanë jetuar në një shtet i cili dashur ose padashur e ka kapilarizuar përdorimin e gjuhës letrare në çdo aspekt të jetës. Brenda Shqipërisë qytetarët ishin të izoluar si askund tjetër dhe ballafaqoheshin me gjuhën standarde kudo, në shkollë, institucione, shërbime publike, shërbim e stërvitje ushtarake, procedura administrative, media, edukim e indoktrinim politik, aksione, vend pune etj. Për rrjedhojë nuk kishte sesi mos ta gëlltisnin gjuhën letrare. Madje me konsolidimin e shtetit edhe dialektet gradualisht janë zbehur e jane konturuar konform gjuhës letrare.
 Një pjesë e mirë e kosovarëve nuk flasin siç duhet gjuhën standarde shqipe, jo për faj të tyre dhe as për faj të gjuhës standarde, por për faj të mungesës së një shtetit kombëtar që ta përhapte gjuhën standarde nëpër institucione në përgjithësi dhe në arsimin fillor në veçanti. Mosha a mesatare e shqiptarëve të Kosovës vërtitet tek 29 vitet që do të thotë se shumica dërrmuese e kosovarëve e kanë bërë arsimin parauniversitar në kushtet e mbijetesës dhe qëndresës, në ambjente dhe institucione arsimore aspak të përshtatshme për të përmbushur detyrën e mësimit të gjuhës letrare siç duhet. Edhe pas luftës, arsimi publik (sikurse edhe sektorë të tjerë të shërbimeve publike në Kosovë si ujësjelljësi, KEK-u, shëndetësia) nuk ka përmbushur detyrën e vetë për të mundësuar përvetësimin e gjuhës letrare. Madje mbajtja e rigorozitetit letrar të shqipes ka qenë gjatë uzurpimit serb më efikase pasi konsiderohej një formë qëndrese por tanimë që Kosova është e çliruar edhe figurat publike të cilat kanë një rol thelbësor në formimin e opinionit dhe sjelljeve publike, tregohen në mënyrë të papërgjegjshme të shpenguara në përdorim e gjuhës shqipe në publik dhe flasin e shkruajnë në dialekt. Gjuha standarde përveç shkollës mund të përvetësohet edhe duke lexuar masivisht libra mirëpo fatkeqësisht ne shqiptarët kemi një kulturë shumë të varfër leximi.  Në mungesë të një shteti të konsoliduar funksional si dhe të leximit masiv dhe shkollimit cilësor asnjë gjuhë standarde nuk mund të përvetësohet siç duhet. Kjo vlen edhe për kosovarçen standarde hipotetike nëse do të ketë ndonjëhere një të tillë.  
Çdo shtet ka nevojë për një gjuhë standarde për të garantuar funksionimin normal të shtetit, por në rastin e Kosovës nuk ka asnjë argument bindës që të tregojë pse kjo gjuhë të mos jetë shqipja letrare. Në fakt çdo hipotezë e kundërt ka implikime shumë serioze politike e praktike. Përsosmëria e gjuhës standarde shqipe mandej është një çështje tjetër që iu përket gjuhëtarëve. Gjuha letrare shqipe ka padyshim nevojë të ndryshojë që t’i përshtatet më mirë nevojave bashkëkohore të shoqërisë shqiptare dhe ka shumë mundësi që të plotësohet apo pasurohet jo vetëm me leksikun apo gramatikën e gegërishtes, por edhe me dialektin e Çamërisë apo gjuhës së arbëreshve të Greqisë që ende nuk janë eksploruar siç duhet. Por këto debate mbi gjuhën shqipe duhet të ngelen përbrenda sferës së disiplinës shkencore të gjuhësise dhe duhet të trajtohen nga një komunitet profesionist.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama