Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Një revoltë në emër të fëmijëve të ngujuar

Shkruar nga: Mentor Kikia  
Botuar më: 13 vite më parë

Mentor Kikia
Një revoltë në emër të fëmijëve të ngujuar

Fenomeni i gjakmarrjes është një temë-magnet për gazetarët. Zona veriore e vendit, ku fenomeni është më i pranishëm, konsiderohet, veçanërisht nga të huajt, si një frigorifer gjigant ku koha ka ngrirë dhe ata kanë mundësi të shikojnë me sytë e tyre se si është një shoqëri mesjetare. Sesi në vend të shtetit ligjin e bën vetë njeriu, se si në emër të një ligji që nuk ekziston, një burrë vritet në mes të rrugës, në shtëpi e kudo. Se si të tjerë burra qëndrojnë mbyllur në shtëpi (paçka se nuk është më kullë me frëngji, por edhe vilë me kamera sigurie). Se si fëmijët nuk shkojnë në shkollë, sepse edhe ata vriten (edhe pse ai ligji i vjetër që i thonë Kanun, këtë gjë nuk e lejon).

Personalisht, kur kam pasur kontaktin e parë me njerëzit që janë viktima të këtij fenomeni, më shumë se pasioni i gazetarit më rrëmbeu trishtimi për ata njerëz të vuajtur, urrejtja ndaj shtetit tim që nuk ka fuqi tu vijë në ndihmë dhe një ndjenjë përgjegjësie për ata njerëz fatkëqij. Prej afro 15 vjetësh nuk kam reshtur së shkruari kundër kësaj plage dramatike për shoqërinë tonë, kam denoncuar me emra konkretë, publikisht, familje të tëra të ngujuara. Kam shfaqur në televizion dokumentarë mbi tragjeditë e familjeve të ngujuara dhe kam sjellë në studion e “Top Channel” një burrë të ngujuar që lutej për t’i shpëtuar jetën (ai nuk jeton më sot pasi gjakësi e vrau).

Më riktheu te kjo temë një shkrim i publikuar dje në “Shqip” nga Ndue Dedaj, i cili shqetësohej për shifrat e bëra publike në media mbi numrin e nxënësve që nuk kanë shkuar në shkollë këtë vit, sepse janë të ngujuar. Sipas informacionit të cilit z. Dedaj i kundërvihet, ishin 150 fëmijë në Qarkun e Shkodrës që nuk kishin shkuar në shkollë, për shkak se janë të ngujuar. Personalisht kam qenë në radhën e parë të atyre që kanë kundërshtuar abuzimin me shifrat, ndërsa flitej për “qindra familje”, “mijëra burra” e “qindra fëmijë”. Por, sinqerisht, në këtë fillim shkolle nuk do më shqetësonte më shumë nëse janë 150, 15, 5 e pse jo edhe 250 fëmijë. Edhe sikur një, vetëm një fëmijë të jetë i ngujuar, vetëm një nxënës të mos shkojë në shkollë sepse ka frikë se e vrasin, duhet të vëmë kujën të tërë si shoqëri(i thënçin). Unë ndaj të njëjtin shqetësim se organizata të shumta që merren me ndërmjetësime kanë abuzuar me numrin e personave apo familjeve të prekura, por sërish mendoj se ne duhet të na shqetësojë më shumë fakti se në Shqipëri, anëtaren e NATO-s, Shqipërinë që ka dorëzuar kërkesën e pret përgjigjen për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE, ka ende burra e fëmijë që mbyllen në shtëpi, sepse dënohen me vdekje, në emër të një krimi që ata nuk e kanë kryer dhe jo nga shteti. Ka njerëz që vriten në rrugë pa bërë asnjë faj, ka fëmijë që janë të zverdhur nga koha e gjatë e qëndrimit brenda në shtëpi(nuk ka rëndësi sa janë), ka gra që punojnë si skllave për të mbajtur familjen me bukë, ka dasma që bëhen pa krushq, se krushqit janë të ngujuar, ka varrime që bëhen në heshtje, se burrat janë të ngujuar. Po, ka, sado rëndë të na vijë, sado të na nxihet faqja nga ky realitet, ai është i vërtetë. Kush dëshiron t’i mësojë përmasat e kësaj drame, të shkojë t’i vizitojë ata njerëz, të cilët tashmë kanë humbur edhe shpresën se do të jetojnë të lirë.

Ne ishim pak ditë më parë dëshmitarë të një krimi të rëndë në Vlorë. Të gjithë ulërimë dhe thanë se, kur krimi ka prekur shtetin, pa mendo për njerëzit e thjeshtë. Por ama, të gjithë e dimë se krim ka edhe në vendet e tjera. Organizata kriminale, shumë herë më të fuqishme, ka në Itali, SHBA, Rusi, Japoni, Kinë e në të tërë botën. Në Itali u vra Falkone, në Serbi Kryeministri, në SHBA vranë edhe Presidentin, gjetkë janë vrarë e vriten zyrtarë policie, prokurorë e gjykatës…

Por vrasja e një njeriu për gjakmarrje është edhe më e rëndë. Pasi ky nuk është një krim për grabitje, as për t’i marrë pronat, as për të ushtruar terror shtetëror. Jo, jo, ai vritet në emër të një tradite të mallkuar që ka mbetur si tatuazh i stampuar në trupin e shoqërisë tonë. Po, është e rëndë të vritet një polic ndërsa lufton me kriminelët, por është më e rëndë të vritet një fëmijë për të “paguar”, sipas mendjes që kalbur të gjak(s)atarëve tanë, krimin e babait, xhaxhait a dikujt tjetër në fisin e tij. Ky është i vetmi vend në botë ku ka njerëz që kanë vite të tëra që qëndrojnë në arrest shtëpie pa vendim gjykate. Ky është i vetmi vend në botë ku shteti, qeveria dhe një kope OJQ-sh janë të interesuara më shumë për të drejtat e kriminelëve në burgje se të drejtat e njerëzve të pafajshëm që burgosen në shtëpitë e tyre me vendim të “gjakësit”. Ky është i vetmi vend ku donatorët financojnë(abuzojnë) miliona euro për shkollimin e fëmijëve romë që nuk shkojnë në shkollë, sepse nuk duan të shkojnë, dhe kanë lënë në harresë fëmijët e ngujuar që braktisin shkollën, pasi janë të dënuar me vdekje. Kjo është shkelja më brutale e të drejtave të njeriut dhe ky është shteti më i papërgjegjshëm e ne shoqëria më e verbër.

Z. Dedaj e cilëson këtë një dukuri sociale. Jo, jo! Kjo nuk është dukuri sociale. Dukuri sociale është ajo, kur fëmijët nuk u binden prindërve e shkojnë në internet-kafe për të hapur site porno. Dukuri sociale është braktisja e prindërve nga fëmijët që ikin emigrantë, apo braktisja e shkollës nga fëmijët që punojnë për të ndihmuar ekonominë familjare. Ky është një fenomen i pastër e i rëndë kriminal, është një plagë e tmerrshme që kullon gjak, që prodhon tragjedi e drama njerëzore, që vret e burgos njerëz të pafajshëm.

Sa për klishenë televizive që transmeton fëmijët që qajnë pas hekurave, z. Dedaj, (ai është emisioni “Fiks Fare” në “Top Channel”) duhet ta përgëzojmë publikisht për kontributin që ka dhënë në denoncimin e kësaj plage të rëndë. Sa për shifra, nëse dëshiron ti kesh, të sakta, me emër e mbiemër, adresa, moshë, nivel ekonomik, nivel arsimor, fëmijë e të rritur, mund t’i marrësh.

Forumi i Mendimit të Lirë, organizata që unë drejtoj, me mbështetjen e Ambasadës së SHBA, ka prodhuar një studim për rrethin e Shkodrës(qytet e komuna) dhe ka identifikuar e dokumentuar 94 familje të ngujuara, me mbi 370 persona, mes të cilëve 84 të mitur, shumica analfabetë. Nuk ka abuzime. Njerëzit e ngujuar kanë firmosur të tërë poshtë një formulari. Ata janë vizituar shtëpi më shtëpi. Kjo është databaza e parë e saktë e prodhuar, e cila tregon se fenomeni i gjakmarrjes dhe ngujimit, edhe pse jo me qindra e mijëra, ekziston. Dhe kjo databazë i është dorëzuar edhe policisë, edhe Ministrisë së Arsimit, pushtetit vendor dhe Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale.

Ky është realiteti, i tmerrshëm, tragjik dhe na tundet mbi krye të gjithë neve si një flamur i frikshëm. Politika ka tentuar vazhdimisht ta zbehë, ta mbulojë me shpresën se kështu nuk do të jetë më. Por jo, nëse ke një plagë në trup, mënyra e vetme që ajo të mos jetë është ta shërosh dhe jo duke veshur një kostum të ri. Të paktën, ne njerëzit e medias nuk duhet të mbyllim sytë përballë këtij realiteti.

Askush prej nesh nuk duhet të ndihet i qetë, sikur edhe një njeri i vetëm të vritet për shkak të gjakmarrjes. Askush prej nesh nuk duhet të ndihet i qetë edhe sikur një fëmijë i vetëm të mos shkojë në shkollë, sepse është kërcënuar me vdekje. Askush prej nesh nuk duhet të ndihet i qetë në shtëpinë e tij edhe sikur vetëm një familje të qëndrojë e mbyllur në “burgun” e saj, sepse kërcënohet me vdekje në emër të një zakoni të egër, të cilin ca njerëz e mbajnë gjallë, sepse shteti nuk ka fuqi të ushtrojë autoritetin e tij.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama