Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Zoti Basha, lëri qokat, por rrëmbe sëpatën

Shkruar nga: Mentor Kikia  
Botuar më: 13 vite më parë

Mentor Kikia
Zoti Basha, lëri qokat, por rrëmbe sëpatën

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, si zot i ri shtëpie vazhdon të presë e përcjellë mysafirë që vijnë dhe e urojnë për detyrën. Pasi ua hapi derën qytetarëve, të cilët vërshuan lumë në zyrat e bashkisë së qytetit të tyre, Basha pati një javë të ngjeshur me takime ambasadorësh, të cilët pasi e bekuan ditën e betimit, bënë edhe qokat tradicionale në shtëpinë e re duke e vizituar në zyrë. Më pas Tiranën e vizitoi aktorja shqiptare që jeton në SHBA, Eliza Dushku dhe bashkia dërgoi në aeroport nënkryetaren Jorida Tabaku ta presë me lule. Të nesërmen, Elizën e priti vetë Basha në zyrë, i cili bëri edhe fotografi me të në rrugën pedonale pranë Ministrisë së Brendshme. Gazetat proqeveritare e botuan fotografinë dhe citonin Elizën të thoshte se Basha është i ndershëm. Të hënën u njoftua për një tjetër pritje në zyrën e Bashës, ku një tjetër artiste shqiptare që jeton jashtë do të vinte për qokë në bashki.

Asgjë e keqe s’na vjen nga këto pritje-takime, por unë si banor i këtij qyteti dhe një prej njerëzve që kërkojnë të jetojnë në një mjedis më të pastër e më me rregull, nuk dua të shikoj drejtuesin e qytetit vetëm duke buzëqeshur para kamerave, ndërsa pret zonjat e nderuara apo ambasadorët. Kryetarin e bashkisë së qytetit tim dua ta shikoj jo të buzëqeshë, por të ulërasë atje në rrugë, atje ku punët nuk janë ashtu siç duhet të jenë, apo nuk janë fare.

Unë banoj në një lagje (ish-fusha e aviacionit) ku bashkia realizoi një nga investimet më të mëdha të saj, ndërtimin e një parku publik, në një sipërfaqe prej 16 hektarësh, i cili është hapësira më e madhe publike brenda qytetit. U mbollën pemë e sipërfaqe me bar (paçka se më e shumta u shtrua me beton). Gjithashtu, u ndërtua edhe një shatërvan, i vetmi shatërvan publik që ngrinte ujë përpjetë në këtë republikën tonë. Por brenda një jave pronarët e lokaleve përgjatë parkut pushtuan sa patën mundësi, pa i ndaluar askush, duke zënë hapësirat publike me karrige e tavolina. Barin e shkelën dhe në pjesën më të madhe ia nxorën rrënjët pa i ngulur mirë. Në disa vende të parkut, njerëzit e ardhur prej “zululandit” rrëmuan në tokë dhe shkulën e vodhën tubat plastike që realizonin vaditjen e barit dhe pemëve. Ndërsa shatërvani….edhe ai u prish dhe nuk hedh më ujë përpjetë. Përmes parkut dhe shëtitores u vendosën kosha për mbeturinat, funksionalë dhe shumë dekorativë. Por shumë shpejt njerëzit e ardhur prej “zululandit” i shndërruan ata në kazanë mbeturinash duke hedhur aty mbeturinat e shtëpisë, madje edhe inerte apo rraqet e vjetra të sëndukëve që ishin bërë për t’u hedhur. Si një njeri që ka mbjellë pemë dhe ka pastruar me duar mbeturinat e plazheve të Shqipërisë, u përpoqa t’u thosha njerëzve se këta koshat e vegjël këtu në mes të parkut nuk janë për mbeturinat e shtëpisë, ato duhen hedhur te kazanët, vetëm 50 metra më tutje. Por u dorëzova kur pashë se si pronari i lokalit që ka pushtuar parkun pa leje e që nuk paguan asnjë lloj takse, me karrocë dore shkarkoi në anë të koshit, mu në mes të parkut, mbeturinat e lokalit. Shishe birre, bidonë, kanoçe e gjithfarësoj. Më pas qentë e rrugëve nisën invetarizimin e mbeturinave dhe …. ky është një park në Tiranë. Padyshim që të gjithë themi se kjo nuk do të ndodhte dhe nuk do të tolerohej të ndodhte në asnjë qytet të Europës.

Zoti kryetar i bashkisë!

Unë besoj të keni kuptuar tashmë se të jesh kryetar i bashkisë nuk do të thotë të rrish në zyrë e të presësh qokaxhinjtë, madje as edhe qytetarët që vijnë të ankohen edhe kur nuk u punon lavatriçja. Unë besoj se ju duhet të keni kuptuar tashmë një gjë edhe më të rëndësishme se kaq, që ju jeni kryetar i bashkisë së kryeqytetit më kaotik dhe më rrumpallë të Europës, kryeqytetit më të ndotur dhe që banohet nga njerëz ndër më të pacivilizuarit e më të paedukuarit e Europës. Kush ndihet i fyer nga ky konstatim le të vijë me mua të pastrojmë qytetin.

Vite më parë, paraardhësi juaj, Edi Rama, u shfaq nën vëzhgimin e kamerave, me një sëpatë të madhe në dorë për të prerë një shtyllë druri elektriku, e cila ishte mu në mes të rrugës automobilistike, KESH duhej ta zhvendoste atë, por nuk e kishte bërë dhe shtylla dukej e mbirë mu në mes të asfaltit të saposhtuar. Ka sot me dhjetëra në rrugët e Tiranës për këtë arsye. Rama e preu live atë shtyllë. Në fakt, nuk është kjo detyra e kryetarit të bashkisë, të marrë sëpatën e të presë shtyllat rrugëve, por Rama e bëri atë veprim për të demonstruar forcën e institucionit që ai drejtonte, forcën me të cilën do të përballeshin ata që do ta dëmtonin këtë qytet.

Unë personalisht bëj pjese te njerëzit, të cilët para zgjedhjeve menduan se Rama nuk duhet të merrte një mandat të katërt në këtë bashki. Por bëj pjesë gjithashtu te njerëzit që mendojnë se në dy mandatet e para zoti Rama ishte një kryebashkiak model i përkushtimit në punë, falë të cilës sot Tirana ka një infrastrukturë të mirë, ka një gjelbërim shumë më të madh dhe çdo rrugë është e mbjellë me pemë. Pra Tirana është sot një vendbanim që i ngjan shumë një qyteti. Ajo për të cilën ka nevojë urgjente Tirana sot është të jetë një qytet i qytetëruar, për të qenë plotësisht një qytet. Dhe kjo nuk është e lehtë, madje është më e vështirë se të shtrosh rrugë e të mbjellësh pemë. Një pallat mund të ndërtohet për një vit, por që ai të banohet nga njerëz qytetarë e civilë, do të duhet një shekull. Tiranës tashmë i duhet më shumë rregull, disiplinë e ligj. Për këtë arsye zoti Basha, duhet që edhe juve të merrni një sëpatë, ndoshta jo një sëpatë të vërtetë me teh dhe bisht, por një sëpatë tjetër, e cila t’u presë duart atyre që e bëjnë pis qytetin tonë, atyre që shkatërrojnë mjediset publike e ndërtojnë bizneset e tyre në kurriz të qytetit, atyre që në emër të biznesit të tyre u prishin qetësinë deri në terror psikologjik të tjerëve. Duhet një sëpatë që t’u presë duart kompanive të ndërtimit që nxjerrin nga kantieret kamionët me dhe që ndotin rrugët tej e tej qytetit, duhet t’u priten duart atyre që kanë nisur një valë ndërtimesh pa leje cep më cep të qytetit, në emër të absurdit se mund të kenë qenë votuesit tuaj.

Zoti Basha, ju e dini mjaft mirë, se kudo gjetkë, nëse dëmton një pemë gjobitesh, nëse ndot ambientin gjobitesh, madje edhe nëse i hedh mbeturinat në vendin e caktuar, por jo në ditën e caktuar, sërish gjobitesh. Nëse prish qetësinë publike gjobitesh, e madje edhe nëse i bie borisë së makinës në rrugë gjobitesh. Edhe nëse bën aksident dhe thyen bashkë me kokën tënde edhe shtyllën e semaforit, sërish duhet ta zhdëmtosh atë. Këtu te ne nuk ndodh asnjëra prej këtyre. Por para se të ndodhë në Bulqizë, Kukës apo Skrapar, kjo duhet të ndodhë në Tiranë dhe Tirana ka nevojë për këtë disiplinë që të jetë një qytet perëndimor, ashtu siç e quajmë ne aforfe. Zoti Basha, ju keni tërë mbështetjen mediatike për të përcjellë te qytetarët mesazhe të forta për një qytet modern, mos e përdorni atë për t’u shfaqur buzagaz ndërsa prisni qokaxhinjtë në zyrë, por përdoreni për të mbjellë farën e kulturës përmes dhunës së ligjit. Do t’i zemëroni ca votues, që mendojnë se tani mund të bëjnë ç’të duan në qytet, por do të fitoni shumë më tepër. Ata që abuzojnë janë në minorancë, por dëmin e bëjnë të madh.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama