Shqiptarizimi i dëmshëm i Aleancës Kuq e Zi

1. Kur qeveria shqiptare njoftoi në janar të vitit 2010 se planifikonte të kryente regjistrimin fetar dhe etnik të Shqipërisë, pak muaj më vonë, në Tiranë, u shfaq një organizatë e cila njihet si Aleanca Kuq e Zi dhe drejtohet nga vartësi i presidentit Bamir Topi, Kreshnik Spahiu. Kreshniku është zv.kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë të Shqipërisë dhe normalisht duhet të merret me çështje që i përkasin drejtësisë. Më herët ka qënë kryetar i Zyrës per Mbrojtjen e të Drejtave të Qytetarëve (ZMDQ). E vetmja gjë që ka bërë Kreshniku kur drejtonte këtë shoqatë është se shkoi në Uashington dhe sëbashku me palikarin e Edi Ramës, Erion Velinë, ku shau qeverinë dhe shtetin shqiptar të asaj kohe për korrupsion ndërsa vetë hiqeshin si supermenët e anti-korrupsionit. Kur ishte në senatin amerikan, një senator plak i cili u inspirua nga Erioni dhe Kreshua, u tha që me njerëz si ju duhet të drejtohet Shqipëria. Si duket i frymëzuar nga fjalët e senatorit amerikan, Kreshniku ka nisur që prej disa muajsh të dalë nëpër mediat e Tiranës dhe në vend që të merret me punët e drejtësisë për të cilat paguhet nga taksapaguesit shqiptarë, ka nisur të luaj rolin e rilindasit të kombit. Aleanca Kuq e Zi (AKZ) që ai drejton, nuk merret me denoncimin e korrupsionit dhe mbrojtjen e qytetarëve siç merrej ZMDQ-ja përpara 6 vitesh, por tashmë lufton për të drejtat e kombëtarëve. Nëpërmjet peticioneve, tubimeve dhe aktiviteteve që ka organizuar në këto muajt e fundit, AKZ-ja e ka prezantuar veten si një organizatë ultra-nacionaliste e cila kërkon të ndalojë regjistrimin etnik dhe fetar të popullsisë, denoncon “bastardët që po lënë shtetësinë shqiptare”, e kërkon që të krijoj një komb të vetëm shqiptar me një pasaportë. Nëpër protestat që Kreshniku organizon me djem dhe vajza që protestojnë sipas modelit të OJQ-ve që themelon fondacioni Soros, të rinjtë që shkojnë pas tij mbajnë nëpër duar pankarta ku shkruajnë sllogane si “të gjithë jemi Kreshnik” apo “jemi pellazgë dhe ilirë”. Se çfarë lidhje ka një Spahi me pellazgët dhe ilirët, vetëm një Zot e di. 2. Ata që kanë ndjekur me vëmendje veprimtarinë e Aleancës Kuq e Zi në këto muajt e fundit kanë vënë re që fobia e AKZ-së me regjistrimit etnik dhe fetar të Shqipërisë lidhet me Greqinë. Të gjithë shqiptarët që kanë vizituar shtetin helen apo kanë dëgjuar histori shqiptarësh në këto 20 viteve të fundit e dinë mirë presionin fetar dhe kulturor që grekët kanë bërë kundër shqiptarëve, duke ua ndryshuar fenë dhe kombësinë. Mijëra shqiptarë që janë detyruar të punojnë në Greqi në dekadat e fundit, kanë bërë aktin e turpshëm të konvertimit në të krishterë dhe ndryshimit të emrave. Presioni që shteti dhe Kisha Greke kanë ushtruar ndaj shqiptarëve është krim fetar dhe njerëzor. Por këtë lloj presioni, pra të ndërrimit të fesë dhe kombësisë nuk e bëjnë vetëm grekët. Që prej ardhjes së demokracisë, në Shqipëri janë instaluar disa qindra organizata misionare protestante, mormone, dëshmimtare të jehovait, katolike, presbiteriane, bahai, hari krishna, kadiani etj të cilat me para apo me trushpëlarje kanë konvertuar me mijëra shqiptarë në sektet e tyre. Konvertimet e prozelitizmin më të madh me shqiptarët sot e bën Kisha Katolike e cila punon pa reshtur dhe në mënyrë të hapur që të konvertojë muslimanët në katolikë. Thirrjet e klerit katolik në Kosovë për “kthim në fenë e të parëve” mbështeten publikisht nga udhëheqësia e Tiranës dhe e Prishtinës, e nga intelektualë renegatë si Ismail Kadareja, të cilët nëpër librat, shkrimet dhe prononcimet e tyre u kërkojnë shqiptarëve që të braktisin islamin. Fushatën e konvertimit të shqiptarëve në katolikë e mbështet edhe shefi i Kreshnik Spahiut, Bamir Topi i cili ka vendosur në presidencë një idhull të madh të Nënë Terezës dhe prêt e përcjell në mënyrë periodike misionarë të Vatikanit në zyrën e tij. Kur dikush shikon prononcimet e Aleancës Kuq e Zi kundër grekëve dhe ortodoksëve, në një kohë që vetë shefi i Kreshnikut shkel laicizmin e shtetit shqiptar dhe e ka kthyer presidencën në një konventë katolike, mund të pyesi po pse nuk proteston AKZ-ja xhanëm edhe kundër këtyre konvertimesh dhe përpjekjesh për prozelitizëm që bëhen në mes të ditës me diell në mes të Tiranës nga shefi i tij? Ndërsa Kreshnik Spahiu dhe aleanca e tij protestojnë kundër ndërrimit të kombësisë që grekët i bëjnë shqiptarëve, ne pyesim përse nuk ka protestuar aleanca kundër shokut të tij, Erion Velisë i cili nga musliman është bërë protestant? Po nëse Aleanca Kuq e Zi do të thotë që ne na intereson kombi, përse atëherë ajo nuk proteston kundër ndërrimit të kombësisë që bëjnë shqiptarët në Itali, Gjermani, Kanada dhe Amerikë? Po kundër atyre mijëra shtetasish shqiptarë që në vitet e fundit janë pajisur me pasaporta bullgare pse nuk reagon? Dikush mund të thotë se Greqia ka synime territoriale kundër Shqipërisë dhe i përdor ortodoksët kundër integritetit tonë territorial. Po Italia a nuk mund të ketë synime territoriale dhe ti përdorë në një të ardhme katolikët kundër Shqipërisë siç i përdori sa herë gjatë shekullit të XX? Fushata që bën Aleanca Kuq e Zi nuk është një përpjekje e sinqertë nacionalistësh për të mbrojtur vatanin nga “e keqja etnike dhe fetare” por jam i mendimit se është një fasadë që Bamir Topi përdor nëpërmjet zëvendësit të tij për të siguruar një elektorat politik në momentin e parë që Berisha do ta heqë nga puna. E për të bërë një gjë të këtillë, Bamiri ka gjetur një njeri të pakedukuar, i cili, kush ka parë emisionin Opinion “regjistrimi grek apo shqiptar” në TV Klan të datës 24 mars 2011 ka parë sesa nivel ka. Leximet e vetme që Kreshniku duket se bën janë shkrimet e Wikipedias, ndërsa për kuptimin e proçeseve të kombformimit e shtetformimit dhe gjuhën angeleze duket se ka nevojë për riedukim. Por gjithësesi, duke qënë se Kreshniku është zv. kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ai, ngelet person po aq i rëndësishëm në sistemin rrumpallë politik të Shqipërisë sa ishte edhe Erion Velija kur bënte fushatë për Edi Ramën me Aleancën e Mjaftit. 3. Deklarata më e fundit e Kreshnik Spahiut nga qyteti i Pogradecit kur ai është shprehur se AKZ-ja do të propozoj një ligj për ndryshimin e emrave të qyteteve me origjinë sllave, është çmenduria e radhës e Aleancës Kuq e Zi. Është çmenduri siç është edhe kërkesa e Aleancës për ndalimin e regjistrimit etnik dhe fetar në vend. Ideologjia e Aleancës Kuq e Zi është ideologji nacional-komuniste shqiptare e cila i ka rrënjët në Rilindjen shqiptare dhe në nacionalizmat e tjerë ballkanik. Duke dashur të ndryshojnë emrat e qyteteve dhe ndaluar qytetarëve të drejtën që të deklarojnë etninë dhe fenë në publik, kuqezinjtë duan të bëjnë atë që kanë bërë sllavët dhe grekët në Ballkan gjatë kohëve të fanatizmit nacionalist ballkanik që nisi me rënien e Perandorisë Osmane, kur fshatarët serbë, grekë, bullgarë e malazezë që Evropa i bëri me shtete, u lëshuan në orgji vrasjes e shtypjesh kundër muslimanëve dhe popujve të etnive të tjera. Për të helenizuar Greqinë, grekët dëbuan e vranë miliona muslimanë shqiptarë dhe turq, e helenizuan me dhunë vllehët, bullgarët, arvanitët dhe popujt e tjerë të Greqisë. Të njëjtën gjë bën edhe serbët e bullgarët. Pjesë e proçesit nacionalizues në Ballkan ishte edhe ndryshimi i emrave të qyteteve dhe fshatrave. Grekët psh. në viset që u morën osmanëve, përveç zhdukjes së muslimanëve, i helenizonin duke u ndryshuar emrat qyteteve dhe fshatrave dhe në anën tjetër indoktrinonin minoritetet jo-greke nëpërmjet librave shkollorë dhe propagandës shtetërore sikur të ishin grekë. Të njëjtat krime bën edhe sllavët në Ballkan. Por të njëjtat marrëzi i kanë bërë edhe shqiptarët. Edhe pse në librat e historisë së Shqipërisë dhe Kosovës fëmijët tanë mësojnë që shqiptarëve u ka bërë dhunë greku, serbi dhe turku, çfarë historianët tanë nuk i tregojnë fëmijëve e për pasojë prodhojnë nacionalistë si Kreshnik Spahiu që, që nga spahi që është, pretendon se është iliro-pellazg, është se edhe në Shqipëri pas krijimit të shtetit të parë kombëtar në 1913 dhe të dytit në 1920 janë bërë krime të ngjashme me ato që janë bërë në Greqi, Serbi, Bullgari e gjetkë. Me krijimin e shtetit të Ismail Qemalit, qeveria e Vlorës me në krye Luigj Gurakuqin nisi krimet e para kundër multikulturalizmit në vend, duke mbyllur e djegur shkollat e Komunitetit Ortodoks dhe Musliman. Dhuna që nisi qeveria e Vlorës u vazhdua nga qeveria e princ Vidit e cila provokoi revoltën e muslimanëve të Shqipërisë së mesme dhe ortodoksëve në jug. Ndryshe nga ç’pretendon historiografia nacional-komuniste shqiptare e cila i tregon ortodoksët e jugut si filogrekë dhe muslimanët e Shqipërisë së Mesme si filoturq, filohelenizmi i ortodoksëve dhe filoturqizmi i muslimanëve shqiptarë u nxit në shumë raste nga nacionalistët laikë të qeverisë së Vlorës dhe më pas të Durrësit të cilët ishin nën shërbimin e Austrisë dhe kërkonin të ndajnë medoemos muslimanët dhe ortodoksët nga Patriarkana e Kostandinopojës dhe Kalifati i Stambollit. Arsyeja pse muslimanët dhe ortodoksët e Shqipërisë së Mesme mbështetën lëvizjen e Haxhi Qamilit dhe më pas Esat Pashën, është se këto dy parti nuk u mbyllën mejtepet dhe skolitë muslimanëve dhe ortodoksëve, por respektuan njerëzit me fetë dhe etnitë që kishin. Kur Qemal Haxhifejza hapi burgjet e Elbasanit në 1914, ai liroi peshkopin Germanos që kishin burgosur laikët dhe i tha që ne (ehlil kijami) jemi demokratë dhe nuk përzihemi në punët e Kishës. Pas vrasjes së Esat Pashës, regjimi që u instalua në Shqipëri me Kongresin e Lushnjes nisi një politikë terrori si në jug ashtu edhe në qendër të vendit. Nacionalistët shqiptarë të viteve 20 dëbuan me dhjetra priftërinjë ortodoksë nga Shqipëria dhe peshkopë që i cilësonin si grekomanë pse ata bënin lutjet në greqisht. Po ashtu vranë dhe dëbuan qindra muslimanë që u mësonin fëmijëve osmanisht. Familja e Sheh Nasirudin Albanit dhe hoxhallarëve të tjerë shqiptarë që bënë emër në botën arabe, u larguan nga Shqipëria në kohën e Zogut, kur nacional-rilindasit tanë implementuan një proçes terrori kombëtarist duke u ndaluar sheriatin muslimanëve, mbyllur zyrat e kadilerëve, hequr fesët dhe ferexhetë, mbyllur medresetë e shkatërruar xhamitë në vend. Pjesë e nacional-laicizimit të Shqipërisë ishte edhe krijimi i Kishës Autoqefale Ortodokse dhe Komunitetit Musliman. Të dy këto institucione u dizanjuan nga austro-hungarezët që në 1913 me propozim të Teodor Ipen i cili kërkonte ti ndante muslimanët dhe ortodoksët nga vendet e tyre të shenjta në mënyrë që në aspektin afatgjatë të bëheshin katolikë e filoaustriakë. Përveç shuarjes së fesë, nacionalistët shqiptarë u kujdesën që të shqiptarizojnë edhe minoritetet etnike që ishin në Shqipëri. Që me Statutin Organik të Vidit e më pas me Kongresin e Lushnjes, qeveritë shqiptare treguan armiqësi ndaj minoriteteve të cilave u mbyllën shkollat dhe nisën ti shqiptarizojnë. Nacionalizmi shqiptar ashtu si edhe nacionalizmat e tjerë ballkanikë, u ndërtua si një nacionalizëm etnik dhe jo qytetar. Në kundërshtim me nacionalizmat fqinjë të cilët besonin në një fe të paktën (ortodoksinë në rastin grek, serb e bullgar apo myslymanizmin në rastin turk) nacionalizmi shqiptar u projektua si dinsëz. Nëse deri në 1920 muslimanët shqiptarë besonin në Tyrqini e cila nënkuptonte ymetin e Islamit, Shqyptaria që u ndërtua pas Kongresit të Lushnjes kishte si bazë të saj devizën e Vaso Pashës “feja e shqyptarit asht shqyptaria”. Në emër shqiptarisë pa din e pa iman shulet, vllehët, goranët, gollobordasit, turqit, çerkezët, boshnjakët, magjypët, latinët, serbët, malazezët dhe minoritetet e tjera u shqiptarizuan në gjuhë, histori dhe fe. Komuniteti Musliman dhe Kisha Autoqefale që ndërtuan nacional-laikët ishin kukulla në dorë të Zogut e më pas Italisë fashiste dhe komunistëve. Shqiptarizim pësuan edhe emrat e atyre qytetesh që nacionalistët mundën ti ndërrojnë – fjala bie Shkodrës ju hoq emri zyrtar që Gjergj Fishta përdorte në poezitë e tij deri ne 1912 - Iskanderije. E njëjta gjë u bë me Lezhën e cila më parë quhej Selimije. U ndërruan emrat e rrugëve dhe mëhallave nga osmane në shqiptariste. U shkatërruan çarshitë e qyteteve për të ndërtuar rrugë sipas modeleve perëndimore. U shqiptarizuan edhe shumë fshatra që kishin emra osmanë. Proçesi i shqiptarizimit ishte më i thellë në gjuhë dhe emra. Nacionalistë si Mihal Grameno, Kristo Floqi, Aleksandër Xhuvani, Kostandin Çekrezi e më pas Eqerem Çabeu, Aleks Buda etj nisën që të kërkojnë të reformojnë gjuhën shqipe. Reforma nënkuptoi proçesin e “heqjes së barbarizmave” nga gjuha që do të thoshte fjalët turke dhe greke. U zëvendësuan me mijëra fjalë islame, që nga araba, çaush, hasëm, vatan, bej, penxhere, selam, hava, munafik, beledije, rais, sadrazam, vezir etj dhe u zëvendësuan me fjalë latine dhe perëndimore si makinë, oficer, armik, atdhe, zotëri, dritare, paqe, qiell, hipokrit, bashki, president, kryministër, ministër etj. Nacional-oksidentalistët shqiptarizuan edhe paratë, duke hequr nga qarkullimi paren dhe groshën turke dhe monedhat e tjera dhe shpikën monedhën shqiptare të cilën deshën ta quajnë Skëndere (pas emrit të Skënderbeut) e më pas e lanë Lekë (pas emrit të Aleksandrit të Madh). Po ashtu, nëpër shkolla nisën tu thonë muslimanëve që emrat Hasan e Hysein janë të vjetër e i nxitën të vënë emra Petrit dhe Astrit. Grupi që u godit më rëndë nga proçesi shqiptar-laicizues në Shqipëri ishin muslimanët të cilëve iu shkatërrua sistemi i tyre jetësor, ligjet, gjuha, feja, kultura dhe u oksidentalizuan me pahir. Ligjet që nxorrën parlamentet shqiptare të pas Lushnjes u ndaluan punësimin në institucionet shtetërore atyre që ishin shkolluar në Turqi e nuk mësonin gjuhën me gërma latine. Librat në osmanisht në të cilën ata kishin shkruar historitë e tyre për 500 vite me radhë u larguan nga sistemi dhe mësimi i osmanishtes e shkruarja e shqipes me gërma arabe u ndalua me ligj. Ligjet e Zogut – të cilat i lavdëron ende sot Piro Misha –mbyllën medresetë dhe mejtepet në të gjithë vendin duke lënë vetëm një medrese në Tiranë. Në të njëjtën mënyrë u mbyllën dhjetra xhami nëpër qytete duke lënë vetëm 4 – 5. Vakëfet e Komunitetit Musliman u shtetëzuan në masë. I pari që vuri dorë mbi vakëfet e Shqipërisë ishte Luigj Gurakuqi i cili vodhi vakëfet e muftinisë së Vlorës dhe i përdori për ministrinë e tij. Vakëfet u konfiskuan edhe nga qeveritë që dolën pas Lushnjes duke e kthyer klerin musliman në fukara. Por përveç muslimanëve, edhe ortodoksët u lënduan shumë. Ata u shkëputën me dhunë nga lidhja e tyre me Patriarkanën e Kostandinopojës. Kush lexon bisedimet e parlamentit shqiptar në vitet 1920 – do të kuptojë sesi populli ortodoks as që donte të njihte Kishën Autoqefale që aventurieri Fan Noli kishte ndërtuar. 4. Dëmet që ka bërë nacionalizmi shqiptar nuk mund të krahasohen me ato që ka bërë nacionalizmi grek, i cili pasi helenizoi arvanitët i nxiti këta që të masakrojnë çamët muslimanë. Edhe pse historiografia e Tiranës nuk do ti përulë arvanitët dhe i tregon si vëllezërit tanë që janë në shtetin grek, fakti është që Napolon Zerva që vrau çamët në 1945 ishte shqiptar i helenizuar. Herojtë kryesorë të Greqisë që luftuan kundër muslimanëve ishin arvanitë. Kur u dëbuan nga Greqia në 1945, çamët u larguan pse duke qënë muslimanë nuk helenizoheshin sikur arvanitët. Por çamët ranë nga shiu në breshër kur erdhën në Shqipërinë e Enver Hoxhës. Në Shqipëri ata kujtuan se do të gjenin një vend musliman i cili do t’i mbronte dhe do ju ruante fenë pasi Shqipëria imagjinohej si një Turqi e vogël nga ata. Ama çfarë gjetën në Shqipëri ishte më shumë bela sesa në Greqi. Enver Hoxha i përbuzi me keq sesa grekët e i detyroi të hanë mish derri e pinë raki si kaurë. Çamët u trajtuan me dyshim, u diskriminuan në punë dhe në arsim dhe u ç’islamizuan duke i bindur nëpër shkolla se nuk janë muslimanë por janë iliro-pellazgë apo helenë të islamizuar me dhunë nga turku, siç bën sot Hajredin Isufi në Tiranë. Brezi i parë i çamëve që erdhën në Shqipëri, e ruajtën Islamin disi. Por brezi i dytë që lindi në kohë të komunizmit nisi ta humbasë Islamin dhe emrat nga musliman që i kishte si Mehmet dhe Naile i ndërroi me emra të realizmit socialist si Shpëtim dhe Sonila. Kur ra komunizmi, çamët vunë në shoqatën e tyre për stemë kokën pagane të Piros së Epirit, pse pleqtë e tyre që mburreshin me pashallarët dhe hoxhallarët e vjetër osmanë kishin vdekur e të rinjtë nuk dinin se nga ishin e ku venin. Brezi i tretë i çamëve sot ka nxjerrë njerëz që besojnë përrallat e nacional-laicizmit shqiptar që kërkon ti shkëpusë nga Islami dhe bëj pellazgë dhe ilirë e në mos edhe katolikë. Nëse dikush sheh politikën e PDIU-së sot e kupton gjuhën laiciste që përdor gjenerata e tretë e çamëve e cila në vend që të flasi për vatanin çam nga i cili i largoi dindushmani grek, flet për bashkimin e Shqipërisë së madhe. 5. Deklarata më e fundit e Kreshnik Spahiut i cili kërkon të “shqiptarizojë” emrat e qyteteve të Shqipërisë është e frikshme për ata qytetarë shqiptarë që duan të shkëputen njëherë e mirë nga çmenduritë e nacional-komunizmit shqiptarist të së kaluarës dhe përrallat e tij. Kreshnik Spahiu kërkon që ti ndërroj emrat qyteteve të Shqipërisë tamam si Enver Hoxha që Kuçovën e quajti Qyteti Stalin apo si Tito që Podgoricën e quajti Titograd. Po si do ti emëroj Kreshniku qytetet e Shqipërisë që nuk kanë emra shqiptariste? Si do ta quaj Çorovodën? Qyteti i LSI-së? Po Peshkopinë? Qyteti i Pjetër Bogdanit? Po Elbasanin? Tokë e fortë? Po Gjirokastrën? Qyteti i Kadaresë? Po Sarandën? Dyzet kreshnikët? Po Shkodrën? Qyteti i Nënë Terezës? Po Libohovën? Fusha e Labesë? Apo mos do të ndjekin shembullin e rugovistëve kosovarë që Suharekën e kanë bërë Therandë dhe Kosovën e quajnë Dardani, apo arbenxhaferristët që Maqedoninë e quajnë Iliridë? Në një kohë që kreshnikët e Aleancës Kuq e Zi manipulojnë inatin që kanë shqiptarët kundër grekëve, ata nuk ndihen kur shefi i Kreshnikut, Topi e ka kthyer presidencën në një faltore të Nënë Terezës dhe të Opus Deit. Kreshnikët tanë nuk bëzajnë as për katoliçizimin që Berisha i ka bërë institucioneve shtetërore duke futur foto të Terezës në çdo ministri, shpallur vitin 2010 të Nënë Terezës, e që fëmijët tanë mësojnë nëpër shkolla që Nënë Tereza është shenjtore kombëtare dhe shqiptarët u islamizuan me dhunë nga turku. Këta nuk flasin as kur Ismail Kadareja thotë që feja e të parëve tanë ka qënë katoliçizmi apo kur drejtori i Bibliotekës Kombëtarë në Tiranë, Aurel Plasari, Skënderbeun e bën hero të Kishës Katolike kundër Islamit. Fakti që të habit me rastin e Shqipërisë, është se budallëqet e AKZ-së i ndjekin shumë muslimanë për fat të keq. Forumi Musliman i Shqipërisë u dhuroi 6500 firma grashë me ferexhe dhe burrash me mjekra këtyre, të cilët dilnin në televizor me ferexhe në kokë e thonin pa pikën e turpit që “nuk dum regjistrim fetar”. Njerëz me mbimra turq si Spahiu, Nurollari, Tartari, Shehu e Hoxha mbështesin fushatën e iliro-pellazgëve tanë laik. Por nacional-laicizmi shqiptar që nuk i lë djemtë me mjekra dhe femrat me shami nëpër shkolla, e u mëson fëmijëve se të parët e tyre kanë qenë katolikë, është po ai që nuk do që vllehët, bullgarët, boshnjakët e grekët e Shqipërisë të deklarojnë etninë e tyre në regjistrimin e popullsisë. Fetarisht, muslimanët e kanë të ndaluar që t’u imponojnë dhe mohojnë kombësinë dhe fenë popujve të tjerë. Në Kuran, në Suren El-Bekare, Allahu u thotë besimtarëve që në fe nuk ka dhunë. Kush të dojë mund të besojë e kush të dojë mund të mohojë. Në kohën e Perandorisë Osmane kur sulltan Selimi I kërkoi të islamizojë dhe arabizojë me dhunë subjektet e perandorisë, shejhulislam Xhemal Efendiu nxorri fetva dhe e ndaloi nga ky akt, pasi ti imponosh kombësinë dikujt është krim sipas Kuranit. Si pasojë mbështetja që shumë muslimanë shqiptarë i japin sot fushatës së AKZ-së është kundër mësimeve Islamit. 6. Unë e kuptoj që shumë shqiptarë ndjehen të lënduar nga dhuna dhe konvertimi që grekët u kanë bërë atyre në 20 vitet e fundit, siç edhe shumë të tjerë ndjehen të trembur nga proçesi katoliçizues që po bën shteti i tyre sot me ata. Ata kanë të drejtë kur thonë që në një kohë që Greqia nuk bën regjistrim etnik dhe fetar, pse duhet ta bëjmë ne. E në një kohë që Greqia nuk shpallet shtet multikulturor pse të shpallemi ne. Po pse Greqia vazhon që të shtypë minoritetet dhe fetë në vendin e saj dhe pse grekët i konvertojnë shqiptarët me dhunë ekonomike dhe ideologjike në grekë dhe ortodoksë, ne nuk na takon që të përsërisim krimet e Greqisë. Mbështetja e nismës laiciste të AKZ-së është në njëfarë mënyrë mbështetje e një forme tjetër dhune. Në rastin tonë ne ushtrojmë dhunë nacional-laike kundër njerëzve që kanë një fe dhe etni të ndryshme nga ajo që duam ne. Duke mbështetur laiciste me minifund si Iris Luarasi e cila në emisionin Opinion qëndronte në krah të Kreshnik Spahiut, e cila ka kërkuara të ndalojë vajzat me ferexhe nga e drejta e mësimit dhe punësimit, ne, bëhemi palë me ata njerëz që diskriminojnë muslimanët në Shqipëri. Nëse shohim me vëmendje, shumë nga ata që janë kundër ferexheve në Shqipëri janë edhe kundër etnive dhe multikulturalizmit që Bashkimit Evropjan promovon. Për këto arsye më duhet të përmbledhoj se fushata që AKZ po ndërmerr në Shqipëri është një fushatë jo e mirë për të ardhmen tonë. Ajo shkon kundër frymës evropjaniste e cila synon shuarjen e çmendurisë nacionaliste dhe çlirimin e njerëzve nga burgjet ku shteti-kombëtar i burgosi ata gjatë shekullit të XX. Qytetarët shqiptarë të shekullit XXI duhet të jenë të lirë në atë që besojnë dhe deklarojnë pa frikë etninë dhe kombësinë që kanë. Askush nuk duhet tu imponojë njerëzve fenë dhe etninë apo tu ndërrojë emrat qyteteve dhe fshatrave, siç Aleanca Kuq e Zi propozon të bëj, pasi një imponim i këtillë është i dëmshëm dhe rrezikon ti bëj të njëjtin dëm Shqipërisë që i bën edhe nacional-rilindasit tanë në fillimet e shekullit të kaluar kur çfetarizuan me dhunë ortodoksët dhe muslimanët e Shqipërisë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama