Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Roli i SHBA-ve në zhvillimet e fundit

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 13 vite më parë

Mentor Nazarko
Roli i SHBA-ve në zhvillimet e fundit

Në lidhje me ngjarjet e ndodhura në kufijtë veriorë të Kosovës janë shkruar shumë artikuj, një pjesë e mirë e të cilëve kanë analizuar etiketuar për mirë apo për keq veprimtarinë e ndërkombëtarëve në Kosovë. Në fakt, shprehja “ndërkombëtarë”, që përdoret rëndom në Kosovë, me sens respekti zbritës duhet zëvendësuar me “perëndimorë”, sepse pjesa dërmuese e misioneve ndërkombëtare, bartësit kryesorë të politikës së tyre në Kosovë, janë qartësisht perëndimorët. Ata udhëheqin KFOR-in, ata janë më së shumti të përfaqësuar në të me ushtarë, ata udhëheqin EULEX-in, apo misione të tjera civile. Thënë kështu që në krye të herës, meriton vëmendje qasja e kritikëve të orës së fundit, apo dhe të mëhershëm ndaj veprimit të perëndimorëve në Kosovë. Të gjithë, kritikë dhe jo kritikë, bien dakord se pa perëndimorët në Kosovë, Kosova nuk do kishte pavarësinë dhe, për pasojë, as të ishte atje ku është sot. Me gjithë kritikat që mund të kemi për sjellje të caktuara të perëndimorëve, të përcaktuara nga interesat e tyre, ne thjesht dhe vetëm duhet të kemi respekt për këto interesa, njësoj sikur ne kemi pretenduar dhe pretendojmë respekt për interesat tona në momente kyçe të pavarësimit të Kosovës, apo shtetformimit të saj. Në këtë kuptim, ngjajnë të shpërpjesëtuara disa sulme ndaj EULEX-it, apo dhe disa kritika për të ashtuquajturat mëdyshje në veprimin e KFOR-it. Duhet pasur parasysh se në fund të fundit politikën e këtyre misioneve, në momente kundërthënëse e përcaktojnë kancelaritë e vendeve të veçantë dhe jo ndonjë strukturë kolegjiale brenda këtyre institucioneve, e cila thjesht legjitimon emëruesin e përbashkët të pozicionit të kancelarive. P.sh., një ndër kritikat më të mëdha që i drejtohet sot BE-së në botë, është se pesha e vendeve të veçanta, e vendeve të mëdha, është më domethënëse sesa ajo e institucioneve kolektive. EULEX-i, për shembull, udhëhiqet nga një francez dhe është krejt e qartë se politika e Presidentit Sarkozi ndaj Kosovës është vendosmërisht pro Kosovës, siç u duk më së fundi dhe nga një intervistë e ambasadorit francez në Prishtinë. Me gjithë mëdyshjet apo nevojën që EULEX-i, si mision të ruajë njëlloj ekuilibri në marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve, në fund të fundit dhe EULEX-i u zotua se do ta mbështesë qeverinë e Kosovës në luftën kundër kontrabandës. Por ajo që bie në sy në qëndrimet e kritikëve apo dyshuesve për atë që ndodhi sot në kufijtë veriorë, është heshtja ndaj rolit amerikan në ndërmarrjen më të fundit të Ekzekutivit kosovar në rivendosjen e sovranitetit të Kosovës prej kufijve në gjithë Veriun e Kosovës. Merita kryesore në ansamblin e ndërkombëtarëve i takon, siç dihet, KFOR-it amerikan. Sigurisht, komandanti i KFOR-it është gjerman dhe Gjermania gjithashtu ka merita në mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës. Por, në këtë ndërmarrje, meritë të veçantë ka ambasadori amerikan, i cili ka qenë pro veprimit të vendosur të qeverisë së Kosovës, megjithëse publikisht pas zhvillimit të tij. Ndërkaq, para syve të gjithë botës, të serbëve, të kosovarëve, KFOR-i amerikan tregoi autoritet: ai kontrolloi zyrtarët e lartë serbë, i kërcënoi ata me arrestim nëse hyjnë pa leje, shpërndau tubimet bllokuese të rrugëve etj., etj. Jo rastësisht Presidenti serb, Tadiç, e sulmoi pikërisht ambasadorin Dell në një nga daljet e tij në publik. Presidenti Tadiç e di fare mirë se ndërsa sulmon Dellin, sulmon në fakt politikën zyrtare amerikane ndaj Kosovës dhe qëllimisht i bie derës të dëgjojë dritarja. Duke iu rikthyer zhvillimeve të fundit, kritikët shqiptarë të ambasadorit Dell, disa muaj më parë, gjatë zgjedhjes së Presidentit, sot nuk po i referohen atij. Ata as po e lavdërojnë, as po e marrin në mbrojtje përfaqësuesin zyrtar të politikës amerikane në Kosovë. Këta kritikë, që vijnë nga një pjesë e shoqërisë civile, e mbështetur fuqimisht prej Perëndimit, ku bëjnë pjesë SHBA-të, e kanë qortuar ambasadorin Dell për mbështetjen që u ka dhënë qeverive apo kryeministrave të Kosovës, për të ashtuquajturën përfshirje të tij në zgjedhjen e Presidentit, për aktivizimin e tij në momente të caktuara etj. Në ato sulme asokohe ka pasur një lloj neglizhence për të konsideruar një fakt të thjeshtë që kushdo me një ide minimale për diplomacinë duhet ta mbajë parasysh. Ambasadori i një shteti të madh, thjesht bën politikën e vendit të tij brenda kornizave të përcaktuara nga zyrat eprore të tij, me hapësirë pavarësie shumë të kufizuar. Pra duhet ditur se ambasadori amerikan thjesht bën politikën e vendit të vet, dhe kur sulmohet ambasadori amerikan, mund të konsiderohet se sulmohet politika amerikane, e cila vepron në bazë të interesit të vet kombëtar. Para një periudhe të shkurtër, edhe ambasadori amerikan në Shqipëri u kritikua nga një pjesë e opinionit publik të vendit për disa qëndrime të tij që ngjanin se ishin në favor të qeverisë, në ngjarje të tilla siç ishte 21 janari. Madje edhe eksponentë të Partisë Socialiste e kritikuan hapur. Por, gjatë zhvillimit të zgjedhjeve, të gjithë kritikët e tij u detyruan të rishikonin pozicionin e tyre. Në këto kushte shtrohet një dilemë: a ka kuptim të qortohet publikisht ambasadori i një vendi të madh si SHBA? Cila mund të jetë dobia e këtyre sulmeve? A ndryshon ai qëndrime nën efektin e këtyre kritikave? Nga këndvështrimi i paprekshmërisë së një funksionari publik, megjithëse i huaj, sigurisht dhe ai duhet qortuar. Por, ama, kur ai bën diçka mirë, siç është rasti i qëndrimit ndaj veprimit në Veri, kritikët do të nderoheshin më shumë nëse do ta vlerësonin objektin e kritikave të tyre duke e lavdëruar atë. Dhe, mbi të gjitha, duhet mbajtur parasysh një interes yni i përbashkët, një interes kombëtar: lidhja jonë me Perëndimin është lidhje thelbësore, për mbijetesën tonë si komb. Kudo, në Shqipëri dhe në Kosovë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama