Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Të zotët e Universitetit janë studentët

Shkruar nga: Dr.Romeo Hanxhari  
Botuar më: 13 vite më parë

Dr.Romeo Hanxhari
Të zotët e Universitetit janë studentët

Jo ne pedagogët, as zonja Flora, por studentët janë të zotët e Universitetit dhe të auditorëve të tij. U takon atyre dhe vetëm atyre të menaxhojnë mundësitë që kjo hapësirë idesh krijon për ta. Kudo në botë, studentët, në auditorët e universiteteve nxitin debate e diskutime, angazhohen, iniciojnë a përkrahin politika, bëhen pjesë e kauzave sociale a komunitare.

Natyrshëm, edhe tek ne, auditorët mund dhe duhet të përdoren për rrahje idesh e vizionesh nga studentët dhe për studentët, me cilindo ata e konsiderojnë të arsyeshme të duan të diskutojnë për problemet e tyre. Kështu që, nëse ne pedagogët zgjedhim të shkojmë në një takim të tillë që studentët organizojnë, është etike dhe qytetare që të respektojmë të zotët e shtëpisë, vetë studentët. Meqë zonja Flora, vetë me dëshirë, siç kish shpjeguar personalisht në një gazetë, kishte këmbëngulur të shkonte në një takim ku studentët donin të njihnin vizionin e Lulzim Bashës për ata vetë dhe problemet e tyre në këtë qytet, asaj i takonte të respektonte kuvendimin e studentëve të saj. Atje ku flitet me studentët, për studentët vetë, pedagogët duhet të heshtin, ose mund të bëhen pjesë e dialogut me etikë dhe etiketë bashkë. Por, nuk munden kurrsesi të dhunojnë këtë institucion dijeje dhe debati që është Universiteti, duke vënë mbi interesin e studentëve interesin apo pikëpamjen e tyre personale për një çështje. Sepse kështu edukojnë te studentët vetëm kulturën e konfrontimit të kotë si qëllim në vetvete.

Natyrisht, unë kam vetëm 21 vjet punë në Universitet, ndërsa zonja Flora, me siguri, më shumë, ndaj do të kisha dashur të mos e gjykoja veprimin e saj… Veçse, them se, veçanërisht ne, më të rinjtë e pedagogëve, e kemi detyrë morale të nxitim te studentët sensin e angazhimit shoqëror, e pse jo, edhe politik, të bazuar në peshimin dhe vlerësimin e të ndryshmeve. Dhe, nuk ka mjedis më perfekt sesa universiteti për të kultivuar këtë cilësi jetike të studentëve, pa të cilën ne do të kishim mbetur në kohën e atyre që kanë qarë e u ka rënë të fikët për vdekjen e Enver Hoxhës… Unë kam qenë në vit të katërt të universitetit gjatë Lëvizjes së Dhjetorit ’90 dhe, nëse ne atëherë do të kishim ndjekur këshillat e disa pedagogëve, që me të bërtitura histerike nëpër salla mundoheshin t’u impononin studentëve bindjet e tyre, sot ndoshta mund të kishim ende Hekuran Isain ministër të Brendshëm, për të cilin, mbase do të thoshte dikush nuk ishte “maskara”…

Gjithsesi, më e pakta që mund të thuhet në këtë rast është se zonja Flora, duke u sjellë në një mënyrë jo të zakonshme, në një takim të organizuar nga studentët për problemet e tyre, takim në të cilin as ka qenë e ftuar dhe as e detyruar të marrë pjesë, ka vënë në siklet gjithë pedagogët e universiteteve shqiptare. Të paktën mua personalisht po. Veçanërisht, sepse unë jam i bindur se universiteti ka qenë dhe mbetet tempull idesh dhe duhet të jetë edhe tempull debati, rrahjeje mendimesh, paraqitje programesh. Dhe, për faktin se universiteti është tempull mirësjelljeje, etike, ku sjelljet me ulërima nuk mund të pranohen si përfaqësuese të imazhit universitar… Ndaj, nëse studentëve të zonjës Flora u pëlqen vizioni i Bashës për Tiranën studentore, nuk mundet ajo, me anë të imponimit, t’ua ndalojë të diskutojnë. Ashtu siç nuk na ndaloi dot neve njeri kur ngriheshim kundër atyre që qanin për Enverin e i bënin duvà Hekuranit.

Së fundi, këtë ndjenjë keqardhjeje dhe revolte për përfaqësimin jo të denjë që iu bë pedagogëve me rastin fatkeq të zonjës Flora, ma përforcoi leximi i një gazete të nesërmen. Ishte interesante se si në të njëjtën ditë, për të njëjtën ngjarje, në të njëjtën gazetë, gjeta dy variante të ndryshme të “së vërtetës”: njëra në faqen 8, e njëra në faqen 2. Sikur ia bënin vetë 8 me 2 asaj gazete. Në faqen 2, znj. Flora thotë me sinqeritet se “vajta vetë, me dëshirë, në takimin e Bashës me studentët”, ndërsa në faqen 8, z. Mero Baze shkruan që “intelektualen Flora Hanelli e detyruan të futej në një sallë për të dëgjuar takimin dhe ajo u rebelua”. Kjo 8 me 2 tragjikomike më bëri të kuptoj se ngjarja paska qenë aq e dëshiruar për ata që mundohen të shohin “konflikte, konfrontime, abuzime e rebelime” në këtë prag zgjedhjesh. Kjo situatë tragjikomike më tregon se si veprimi jo shumë i hijshëm i zonjës Flora tenton të përdoret politikisht në mënyrë edhe më të pahijshme. Rrjedhimisht, kjo situatë më bind edhe më shumë se studentët janë zotët e universitetit dhe se ata meritojnë vërtet të jenë të parët. Sidomos në universitetin e tyre, atje ku ata janë dhe duhet të jenë edhe mbi pedagogët që ulërijnë…

*Universiteti i Tiranës, Departamenti i Gjeografisë

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama