Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Energjia si beteje e qytetarise

Shkruar nga: Dr.Romeo Hanxhari  
Botuar më: 17 vite më parë

Dr.Romeo Hanxhari
Energjia si beteje e qytetarise

Ndodhi edhe kjo! Kjo na mungonte në listën tonë shqiptare të absurditetit… Që të përdorej “kallashi”, si i thonë, për të vrarë njerëz vetëm për të vjedhur energji elektrike. E pra, kjo është një kambanë alarmi që qytetaria shqiptare duhet ta dëgjojë. Është koha. Ishte folur dhe flitet për energjinë si një sfidë kombëtare, sepse e tillë është. Ishte folur për energjinë si një çështje e të gjithëve, sepse e tillë është. Ishte folur për energjinë si një betejë që nuk mund ta fitojë askush i vetëm, por të gjithë bashkë po, sepse kështu është. Por s’ishte folur kurrë deri tani për energjinë si një betejë të vërtetë, pra me armë, siç u ndodhi punonjësve fatkeqë të KESH në Hoxharë të Fierit. Si një betejë burracake ku njeriu mund të lerë edhe kockat, vetëm e vetëm se një hajduti i shkrep t’i pengojë të bëjnë detyrën.


Pra, kjo betejë qenka në fakt edhe parimore: midis hajdutërisë së kthyer në mentalitet “energjinë e vjedh se është pa zot”, dhe përpjekjes së thjeshtë për ta çrrënjosur njëherë e mirë këtë mentalitet. Në asnjë vend normal të botës nuk vidhet energjia si te ne, nga i madh e i vogël. Nuk guxon njeri. Dhe aq më pak mund të pengohet funksionari të bëjë detyrën e vet. Dhe aq më pak me armë! Ruajna Zot deri ku mund të mbërrijmë! Kjo është thagmë. Me sa duket, për këto probleme, ne si vend tani sa po dalim nga stadi i “wild west”, ku “i forti” mund të rrëmbejë çdo gjë që i ha syri… dhe s’i jep kurrkujt llogari. Pra, në një pjesë të madhe tonën, jemi akoma në atë fazë. Dhe mjerë ne!

Ndryshe, nuk ka si shpjegohet që një reagim kaq primitiv i kundërvihet një përpjekjeje për të ndërprerë lidhjet hajdutçe (apo lidhje te hajdutëve) të energjisë. Një përpjekje kjo, që për mua i rikthen respektin e nëpërkëmbur atij qytetari që e paguan energjinë ndërkohë që shikon se fqinji e vjedh, që i rikthen respektin e tallur atij konsumatori që përpiqet të kursejë çdo Wat energji ndërkohë që shikon se fqinji i bie me top ngaqë s’e paguan.

Për këtë arsye, unë si qytetar s’kam se si mos ta përkrah këtë përpjekje për t’u përballur me hajdutërinë e trashëguar,… dhe e përkrah fort në fakt. Sepse e konsideroj, në tërësi, si një përpjekje në thelb fisnike dhe qytetare, që bëhet edhe në respektin tim si qytetar i këtij vendi, të cilin e dëshiroj normal. Dhe më tej, sepse jam i sigurt se sa më shumë lidhje hajdutçe (apo lidhje të hajdutëve) të priten, aq më shumë energji do të kem unë në shtëpinë time. Dhe sepse jam i sigurt se kur të kurorëzohet me sukses, pra, kur shpejt mos të ketë më hajdutër të energjisë jashtë e brenda KESH, nuk do të ketë më probleme të furnizimit me energji në këtë vend. Këtë bindje kam. Dhe kjo nuk është pak. Prandaj e përkrah unë moralisht këtë përpjekje të KESH. Prandaj do të duhej ta përkrahnim të gjithë atë. Dhe nga ana tjetër, prandaj i dënoj publikisht hajdutët e energjisë.

Prandaj do të duhej që ne të gjithë t’i izolonim moralisht dhe t’i denonconim ata: në fund të fundit edhe sepse ata na vjedhin të gjithëve. …Dhe jo vetëm që na vjedhin, në kuptimin më të parë të kësaj fjale, por qenkan edhe aq arrogantë e të pacipë sa të dalin të të vënë pushkën, kur u thuhet normalisht “mjaft, mbaroi, s’vidhni dot më”. Kjo s’është gjë tjetër veçse tallje me qytetarët normalë të këtij vendi, kjo është karshillëk me shtetin, kjo është përpjekje për të shkurajuar vendosjen e ligjit dhe të rregullit më elementar. Dhe ata që përpiqen të vendosin rregull dhe ligj në sektorin e energjisë elektrike, është e rëndësishme që të mos shkurajohen përballë veprimeve të tilla burracake të hajdutërisë. Edhe sepse shoqëria shqiptare po duket përditë se gjithmonë e më shumë po i mbështet vendosësit e rregullit dhe po distancohet nga hajdutët. Ajo ka nevojë ta fitojë këtë betejë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama