Patriotizmi modern

Shkruar nga: Shpëtim Idrizi  
Botuar më: 9 vite më parë

Shpëtim Idrizi
Patriotizmi modern

Jo rastësisht, në disa takime iu referova patriotizmit historik dhe modern shqiptar, dhe këtë e theksova në mënyrë të veçantë në Korçë. Atje, Rilindja kombëtare, patriotizmi historik u mbështet nga një zhvillim ekonomik dhe kulturor i jashtëzakonshëm.  Korça, pellgu përreth saj, i dhanë ngjyrën e vet, i dhanë cilësinë e vet Rilindjes kombëtare me figurat e shquara: Fan Noli, Themistokli Gërmenji, Petro Nini Luarasi e shumë e shumë të tjerë. Por, qëllimisht duhet nënvizuar se ky patriotizëm u mbështet nga një zhvillim i madh ekonomik, nga një grumbullim kapitali, nga kontribute të mëdha të bijve të Korçës që jetonin në diasporë. Kam parë librat e dhurimeve të bijve të Korçës, së Kolonjës, që jetonin në Amerikë, për shkollat shqipe në fillim të shekullit të 20-të dhe jam emocionuar.

Sot, patriotizmi modern, patriotizmi pragmatik për të cilin ne flasim, nuk është një patriotizëm nostalgjie. Është një patriotizëm i mbështetur mbi zhvillimin ekonomik të vendit. Në këtë zhvillim, Korça, pa dyshim, duhet të luajë rolin që i takon. Korça ka shumë për të luajtur në këtë zhvillim.

Korça ka traditën e punës, të qytetërimit, të grumbullimit të kapitalit, të industrive të vogla prodhuese, të artizanatit, të arsimimit cilësor. Dhe në këtë zhvillim, fjala kyçe është patriotizëm. Të duash Shqipërinë, të duash Korçën, të duash flamurin – kjo është motoja e PDIU-së. Kjo duhet të jetë motoja e çdo shqiptari, të vjetër e të ri.

Nuk duhet kujtuar se ne propagandojmë teza nacionaliste sipas të cilave Korça duhet të humbasë lidhjet me fqinjët e saj. Jo! Ne duam që Korça të rifitojë rëndësinë e vet për rajonin. Korça është nyja lidhëse, është skaji më i rëndësishëm lidhës i një trekëndëshi të Shqipërisë me Greqinë dhe Maqedoninë. Ne duam që nga korçarët të mos fitojë vetëm Selaniku, siç ka qenë gjithmonë në histori, ashtu siç është dhe sot. Ne duam që të fitojë dhe Korça. Ne duam që Korça, duke theksuar shqiptarësinë e vet unike, të fitojë nga perspektiva e hapjes së kufijve, dhe jo të greqizohet.

Si mund të pranojmë ne që vendi fqinjë, pasi po mban padrejtësisht pronat e korçarëve, kolonjarëve, çamëve, shqiptarëve në përgjithësi, të bllokuara me Ligjin e Luftës, ta shtrijë jo thjesht kufirin e vet kulturor, duke përfshirë dhe Korçën? Mos vallë Shqipëria është kaq e dobët sa ta lejojë këtë?

Ne duam që Shqipëria, Korça të mbrojë prodhimet e veta. Ne duam që Korça të ruajë identitetin e vet. Ne duam që Korça të mbetet ashtu siç është, shqiptare. Ne e dimë se Korça është një qytet që krijon xhelozi me kulturën e vet urbane, me historinë e vet, me rrugët, me intelektualët, me tregtarët e vet, me historinë e vet, me kishat e saj të bukura, me xhamitë e veta historike, me Voskopojën e qytetërimit mesjetar shqiptar.

Por ne duam të theksojmë dhe sot se Korça është shqiptare.

Si parti ne kemi denoncuar vazhdimisht përpjekjet që zyrtarë qesharakë të vendit fqinj për provokimet që ata i bëjnë Korçës. Sot ne duhet të përkulemi me respekt para Këshillit Bashkiak të Korçës, që i dha një përgjigje të merituar këtij emisari të së vjetrës, që sot nuk e ka më fuqinë që kishte. Ai sot nuk mund të shpërndajë, të shesë viza nëpërmjet tregtarëve të vet të grumbulluar në gjoja parti apo shoqata politike. Ai sot nuk mund të manipulojë më si dikur, kur Shqipëria ishte e varfër, me gjoja monumente historike duke shkatërruar varret e të parëve tanë. Ky njeri, ky provokator nuk mund të luajë me vllahët, me këtë përbërëse të ndritshme të kombit shqiptar, që i ka dhënë aq shumë Rilindjes sonë kombëtare. Vllahët e dinë vetë se ç’janë dhe nuk kanë nevojë t’ua thotë një njeri me xhup dhe pa kollare, që sillet vërdallë Korçës sonë të lavdishme.

A ka kuptim që ndjenja patriotike e shqiptarëve, e korçarëve, të jetë sot, në shekullin e 21-të, më e ulët sesa ajo e paraardhësve të tyre në fillim të shekullit të 20-të, kur Shqipëria copëtohej? Kur fqinjët përpiqeshin të na linin pa Korçën tonë?

Unë do t’u drejtohem të rinjve që votojnë për herë të parë. Ata kanë parë, me siguri, debatet e mëdha që bëhen në shoqërinë, në mediat e vendit fqinj, kur fëmijët shqiptarë dalin të parët në shkollat greke dhe, sipas ligjit, duhet të parakalojnë me flamurin grek. Shqiptarët janë të parët kudo, nëse kanë kondita, nëse kanë mundësi, nëse hyjnë në gara të rregullta. Ata s’kanë pse të kenë zili askënd. Ata s’kanë pse të ndërrojnë identitetin e tyre. Ju e keni parë Lorik Canën, që pas fitores me Bjellorusinë, u tregoi tifozëve shqiponjën që e kishte në krah dhe në zemër. Unë i ftoj të rinjtë tanë ta mbajnë këtë shqiponjë gjithmonë në zemër.

Nëse shqiptarët nuk e shitën identitetin e tyre në shekullin e 19-të dhe derdhën gjak për ta mbrojtur atë, pse duhet ta mohojnë sot? Shqipëria e sotme është vend anëtar i NATO-s. Sot ne lëvizim të lirë. Pensionet lëmoshë të Greqisë po i shikoni se s’do të zgjasin shumë. Atëherë, pse ne duhet të shesim identitetin tonë? Kush shet identitetin, humb respektin e të tjerëve. Askush nuk e respekton dikë që shet flamurin e kombit të vet.
A e dini, të dashur të rinj, se gjyshërit tuaj kanë tapitë e tyre për toka, terrene urbane, toka bujqësore në Greqinë e Veriut? A e dini se ata kanë librat e llogarive të kompanive, fabrikave të tyre, librezat bankare që s’mund t’i gëzojnë dot? Si mundet të pranojmë ne sot që të sillemi si hyzmetçinj të fqinjëve, kur shqiptarët ishin pronarët më të mëdhenj të Greqisë së Veriut?

A e keni parë sa shumë monumente të historisë ka Korça? A i keni parë sa të bukura janë kishat tona? Ato janë origjinale, ato janë shqiptare, ato janë dëshmi e shqiptarësisë së Korçës, e fuqisë së kombit tonë që kurrë s’është dorëzuar. Ne duhet t’i mbrojmë këto monumente. Një komb që mohon historinë e vet, nuk ka të ardhme.

Ç’do të thotë patriotizëm modern?

Patriotizmi modern, patriotizmi pragmatik që ne flasim është patriotizmi i interesit tonë kombëtar. Interesi ynë kombëtar është zhvillimi ynë ekonomik, fuqizimi ynë si shoqëri e begatshme. Ky fuqizim kalon nëpërmjet rikrijimit të atij realiteti ekonomik që përfaqësonte Shqipëria para copëtimit të saj në fillim të shekullit të 20-të. Ne jemi të parët që po kërkojmë bashkimin ekonomik të viseve ku banojnë shqiptarët në një treg të madh kombëtar. Ky treg nuk do të thotë ndryshim me dhunë kufijsh, por kërkon që shqiptarët të bashkëpunojnë ekonomikisht shumë më mirë me njëri-tjetrin. Ky treg i madh, i krijuar nga kombi ynë, që flet një gjuhë, që ka një kulturë, që ka një histori, është thelbi i zhvillimit tonë të ardhshëm. Korça është njëra nga pak vatrat më të rëndësishme të këtij tregu.

Kur politika e madhe flet për Tiranën si qytet me disa qendra, pra si qytet multicentrik, ne flasim, ne duam një shtet multicentrik, ku Korça të fitojë rëndësinë që i takon në botën e madhe.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama