Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pal, është kohë e maskarenjve kjo!

Shkruar nga: Mentor Kikia  
Botuar më: 14 vite më parë

Mentor Kikia
Pal, është kohë e maskarenjve kjo!

Në dhjetëra tryeza ku diskutohet e ardhmja e vendit, i kemi dëgjuar politikanët tanë, në pushtet e apo jashtë tij, t’i ftojnë të rinjtë që kanë studiuar e jetuar jashtë, që të kthehen në Shqipëri, të punojnë këtu, të japin përvojën e tyre dhe të kontribuojnë në ndërtimin e atdheut tonë të përbashkët. Këto ftesa mund t’i kenë joshur shumë persona të mendojnë realisht se mund të japin ndihmën e tyre në vendin e tyre dhe realisht ne besojmë se vetëm të gjithë bashkë e me përkushtim, ne mund ta çojmë vendin tonë më përpara.

Por, pas katër vitesh, Pal Çoku nuk mendon më kështu. Pasi jetoi dhjetë vjet në Firence, ai u kthye në fshatin e tij, në Ulzë. Kishte ide të mira dhe i kërkoi Partisë Demokratike ta kandidonte për kryetar të komunës, ku edhe fitoi. E kam njohur Palin, ndërsa vinte pranë televizionit “Top Channel” dhe na tregonte një tufë me harta.

-Ky është plani i rregullimit të territorit të komunës. Kemi përcaktuar të gjithë zonën ku duhet të ndërtohet, çfarë mund të ndërtohet dhe si do të ndërtohet.

Pali kërkonte ndihmë për realizimin e projekteve, ajo që në gjuhën politike quhet lobim. Ndërkohë që qytetet e mëdha, përfshirë edhe vetë kryeqytetin, ishin shndërruar në xhungla të mbjella me pallate monstruoze dhe ku shesheve publike u ishte shpallur luftë, një komunë kishte arritur të bënte një plan rregullues.

Ulza është sot një komunë që ia vlen të vizitohet, është një pikë turistike e mrekullueshme. Një fshat i këndshëm, i shtrirë buzë liqenit të hidrocentralit të Ulzës. Është një fshat që ka rrugë të shtruara, ka një qendër urbane, me kalldrëme, trotuare, vendparkim për makinat, ka shatërvan (është e vetmja qendër në Shqipëri ku ka një shatërvan që funksionon), ka stola, lulishte dhe disa ndërtesa publike vërtet të mrekullueshme. Ulza është sot e vetmja, ose të paktën ndër të vetmet njësi vendore që ujërat e zeza i filtron para se t’i hedhë në liqen, është komuna e vetme ku uji i pijshëm faturohet me aparat matës në çdo shtëpi dhe paguhet rregullisht. Ulza është e vetmja komunë që i ka ndarë pyjet për çdo familje dhe ka hartuar kontrata me banorët, të cilëve u ndalohet prerja, por u jepet për mirëmbajtje.

Kryetari i ri i komunës, veprimin e parë që bëri ishte të pastronte qendrën e fshatit nga derrat që bashkëjetonin me njerëzit. Më pas ai u gjend në një mbledhje të Fondit Shqiptar të Zhvillimit me të gjithë kryetarët e komunave. Kur u pyetën se çfarë kërkonin, shumica prej tyre thanë në kor: Para, duam para. Ndërsa Pali kërkoi një plan rregullimi. Pastaj mbi atë plan ai kërkoi mbështetjen e projekteve. 230 mijë dollarë iu dhanë për ujërat e zeza e të bardha, pastaj 530 mijë dollarë për rehabilitimin e së gjithë qendrës së komunës. Këto investime nuk u bënë me fondin e komunës, as fondet e qeverisë, por me paratë e donatorëve, duke aplikuar dhe fituar projekte.

Ai rindërtoi edhe një kishë, ose me saktë e ndërtoi atë. Njerëzit e fshatit u ftuan dhe pranuan të punojnë në mënyrë vullnetare dhe e ndërtuan kishën e shkatërruar. Sot aty murgeshat u mësojnë vajzave si të gatuajnë, të qepin rroba e të bëhen të zonjat e vetes.

Në katër vjet, një djalë që erdhi nga jashtë, një fshat që qelbej erë e bëri një vend plot hijeshi. Por çfarë ndodhi tani? Atë nuk e kandiduan më. Sot në garën elektorale janë futur qindra kandidatë komunash e bashkish në tërë vendin dhe shumë prej tyre janë duke kërkuar mandatet e treta, të katërta e madje edhe të pestat. Shumë kanë qenë me PD-në, pastaj u bënë me PS-në, pastaj me LSI-në dhe sërish me PD-në, vetëm e vetëm që të sigurojnë rikandidimin. Dhe janë mes tyre edhe ata që janë tërësisht përgjegjës për shkatërrimin total të zonave që drejtojnë. Nga bregdeti në mal, komunat po kërkojnë të riqeverisnin njerëz që kanë futur në tapitë e tyre toka pafund dhe i shesin si t’ua kishte lënë babai. Kryetarë komunash që kanë shkatërruar infrastrukturën (komunat që rrethojnë Tiranën janë një shembull i kësaj maskarade) kërkojnë sërish votat dhe prezantohen sot nga kryetarët e partive si shembuj të suksesit. Nuk ka aty as plan rregullues, as kanalizime ujërash të zeza, pa pretenduar filtrimin e tyre. Në Ersekë e komunat e saj, rikandidojnë ata njerëz që janë përgjegjës për shkatërrimin e parqeve kombëtare, ata që kanë nën administrim pyjet dhe nën pronësi sharrat që po i masakrojnë këto pyje. Pushteti vendor është mbushur me tregtarë tokash e trojesh, biznesmenë, sekserë e matrapazë që paguajnë për të marrë kandidimin e paguajnë sërish për të marrë votat.

Unë personalisht e kam parë atë vend dhe jam mrekulluar nga dëshira dhe idetë e një njeriu për të punuar. Do të doja të kishte shumë si Pali, të kishte shumë komuna si Ulza. Por përse nuk e rikandidoi Partia Demokratike Palin dhe përse Partia Socialiste nuk ia ofroi vendin, sikurse veproi me disa matrapazë të tjerë që në çdo mandat ndryshojnë parti?

E telefonova dhe e pyeta se çfarë mendonte ai për këtë spostim.

-E para, unë prita në zyrën time Edi Ramën kur ai vizitoi komunën tonë një vit më parë dhe kjo nuk u mirëprit fare nga partia ime. Dhe e dyta, unë kundërshtova me forcë, derisa nuk e lejova të hapej një gurore në komunë, e cila do të shkatërronte një zonë pyjore. Prapa këtij biznesi mendoj që janë njerëz të partisë sime.

Dy arsye shumë madhore për t’i dhënë fund karrierës në një vend si Shqipëria jonë. Që të jesh kryetar komune duhet të jesh një militant deri në verbëri, i gatshëm të paguash para për ta mbajtur vendin dhe po kaq i gatshëm të marrësh edhe armën për partinë. Që të jesh kryetar komune duhet të shesësh interesat e njerëzve që të votojnë për hir të interesave të atyre që vendosin për politikën e madhe dhe fatin e vetë kryetarit. Duhet t’u nënshtrohesh interesave të kompanive të deputetëve e ministrave, të cilët nuk pyesin as për kosto komunitare, as për kosto mjedisore e as për kosto njerëzore.

Pal, ti e ndërtove fshatin tënd dhe e bëre piktoresk. Jam i bindur se do të bëje edhe më shumë, pa pritur kacidhet e qeverisë dhe pa i shpërdoruar paratë e donatorëve të huaj për ndërtimin e shtëpive të tua, siç ndodh në qytetet tona të mëdha. Por ti dhe të tjerë si ti, jeni të parakohshëm këtu. Është kohë e dinozaurëve kjo, është kohë e maskarenjve.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama