Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Gjakmarrje shqiptare 2011

Shkruar nga: Aranita Brahaj  
Botuar më: 13 vite më parë

Aranita Brahaj
Gjakmarrje shqiptare 2011

Çdo vit, në gjykatat shqiptare jepen mesatarisht tetëmbëdhjetë vendime në formë të prerë për vrasje për gjakmarrje. Numri i autorëve të dënuar sipas nenit përkatës, në harkun kohor 2004–2009, është tetëdhjetë e tre autorë. Totali i çështjeve  të këtij lloji në gjashtë vite është njëqind e gjashtë vrasje për marrje gjaku. Kjo statistikë e rëndë e ka vendosur Shqipërinë në hartën e vendeve ku krimi i shpagimit me vetëgjyqësi është ende në mentalitetin e drejtësisë hakmarrëse, e ku e drejta për të jetuar diskriminohet nga paaftësia e shtetit për të siguruar gjyqësi të drejtë dhe humane.

Në muajin mars, brenda një jave, për gjakmarrje u shënuan gjashtë viktima dhe një tjetër viktimë e shtatë, një grua në gjendje kritike për jetën. Për fat të keq, nga viktimat e ekzekutuara vetëm njëri është vrarë, pasi prezumohet autor i krimeve të mëparshme. Pesë viktimat e tjera nuk kanë qenë “doras”, pra autorë i një krimi të kryer drejtpërdrejt prej tyre. Krimet janë ekzekutuar në mënyrë tejet çnjerëzore, duke shënuar viktima të shumëfishta, duke marrë jetë të pafajshme për të ndëshkuar autorë vëllezër apo bij të viktimës.

Karakteristikë të krimeve të fundit në emër të gjakmarrjes janë: viktimizimi i shumëfishtë; shtrirja territoriale përtej zonës së klasifikuar të rrethit të Shkodrës; implikimi i autoriteteve shtetërore të drejtësisë në dhëniet e lejeve për të burgosur problematikë dhe me rrezikshmëri; viktimizim i personave jo autorë të krimeve të mëparshme; përfshirja e moshave të reja në krim.

Konstatohet se jemi në një fazë dramatike që përkon me përshkallëzim dhe agravim të fenomenit. Sipas një studimi të Open Data Albania, nga viti 2004 deri në vitin 2008 statistikat mbi çështje të gjykuara për vrasje për gjakmarrje shënonte rënie graduale. Kështu, viti ‘04 mbart njëzet e tetë çështje gjyqësore të përfunduara, ndërsa brenda pesëvjeçarit, numri i çdo viti shënon rënie duke mbërritur në pesëmbëdhjetë raste të 2008-s. Kjo rënie i atribuohet disa faktorëve që kanë të bëjnë me rolin institucional të shtetit, me veprimtarinë e organizmave jofitimprurës e me aktivizimin e lëvizjeve qytetare në zonat më të nxehta e me problematike. Pa dyshim, reduktimi i numrit të vrasjeve të rënda përmban edhe një indeks pozitiv në zbutjen e kriminalitetit në total në vitet që përkojnë. Sipas të njëjtit hulumtim të ODA, viti 2009 përbën rritje të numrit të vrasjeve dhe krimeve për gjakmarrje. Ky përshkallëzim i dy viteve i paraprin një situate dramatike me ngjarjet e muajit mars 2011. Në këtë muaj fenomeni i gjakmarrjes rishfaqet në mënyrën më viktimizuese e më tej në forma ku shteti qëndron i implikuar.

Nga 2010-a kemi dy ngjarje që përkojnë më krime të rënda ku gjakmarrja kapërcen rregullat dhe modelimet e Kanuneve të moderuara dhe shfaq karakteristika edhe më barbare se drejtësia e Mesjetës. Kështu, kemi një vrasje kleriku dhe një gjakmarrje nga një i mitur në një hark të shkurtër kohe. E drejta e pashkruar kanunore konsideron krim të rëndë dhe dhunim të të gjithë komunitetit vrasjen e një kleriku (person i dedikuar fesë). Në datën 8 shtator 2010, në Shkodër, një njëzetenjëvjeçar, Mark Njemza, vrau me armë zjarri pistoletë njëzetenëntëvjeçarin Dritan Prroni, i njohur nga mbarë komuniteti shkodran si pastor pranë kishës “Fjala e Krishtit”. Njemza, autor i krimit, deklaroi se kishte vrarë për gjakmarrje pasi në 2005-n, xhaxhai i viktimës i kishte vrarë të vëllain. Krimi i rëndë u konsiderua i papërshtatshëm edhe nga komuniteti konservator që njeh dhe pranon mentalitetin e shpagimit nëpërmjet gjakmarrjes për dy arsye: së pari, viktima ishte një klerik (pastor), kategori që sipas së drejtës zakonore nuk “bie në gjak” dhe, së dyti, lidhja e viktimës me krimin e shpaguar ishte e largët, gjakmarrje për një veprim të kryer nga xhaxhai.

Janar 2011. Ndërrimi i viteve në qytetin verior të Shkodrës është shënuar me një vrasje tronditëse për gjakmarrje. Ekzekutori i krimit është një pesëmbëdhjetëvjeçar me inicialet I. Sh., i cili vetëm dy orë përpara mbërritjes së 2011-s ka qëlluar me armë automatik një tridhjetëvjeçar me emrin Albert Dhampiraj. Pesëmbëdhjetëvjeçari e ka kryer krimin për të “marrë gjakun” e babait të tij të vrarë vite më parë nga viktima. Prokuroria e rrethit Shkodër ka formuluar akuzën e pranuar nga i mituri pa e zgjeruar rrethin e hetimit te persona nxitës të mundshëm, apo bashkëpunëtorë në kryerjen e krimit, apo në sigurimin e armës nga i mituri. Në bazë të nenit 83/a, përgjegjësi penale në raste të tilla kanë edhe familjarët apo rrethi shoqëror që ka nxitur autorin, për më shumë në moshë të mitur.

Ndërsa vrasja e Astrit Kurmemës implikon direkt shtetin në provokimin social të familjeve të përfshira në hasmëri. Viktima ishte një i dënuar, i cili do të duhej të izolohej dhe të mbrohej nga autoritetet e Burgjeve shqiptare. Nëpërmjet vendimmarrjes së autoriteteve të Burgjeve, Kurmema ka siguruar disa ditë leje. Vetëm fakti që personi njihet si i skeduar dhe i hetuar për një numër të madh ngjarjesh, veç krimit për të cilin është dënuar, do të duhej ta bënte të papranueshme kërkesën e tij për leje gjatë vuajtjes së dënimit.

Edhe rasti i vrasjes së vëllezërve Pjetrushi nga Admir Tafili mbart të njëjtin implikim të strukturave shtetërore. Admir Tafili e kryen krimin e rëndë të gjakmarrjes në momentin kur do të duhej të ishte në burgim për shlyerjen e një tjetër krimi të rëndë. Janë autoritetet e drejtësisë që dhanë lejen për të burgosurin, i cili do të kërkonte të arratisej gjatë qëndrimit jashtë qelive vetëm me qëllimin për të vrarë dy vëllezërit e një ish-efektivi të Policisë së Shtetit, për një ngjarje të zhvilluar gjatë ushtrimit të një operacioni policor në vitin 2001.

Për të gjetur ndoshta shkaqet e përshkallëzimit të këtij krimi, por edhe arsyet se përse rënia e fenomenit në vitet 2004–2008 nuk u konsolidua për të dhënë rezultate edhe në vitet që pasojnë, do të duhet të konsiderojmë disa faktorë. Dukshëm rritja e numrit të vrasjeve për gjakmarrje përkon me një riaktivizim të krimit të rëndë fizik. Kronikat e ditëve të fundit tregojnë se rritje dhe riaktivizim kanë pësuar edhe vrasjet brenda familjes apo krimet për çështje pronësie. Kjo dëshmon rënie të forcës së strukturave të Policisë së Shtetit.

Në mënyrë më specifike, për rastin e gjakmarrjes jemi përpara mosfunksionimit real të drejtësisë në procedimin e ngjarjeve kriminale me efikasitet për t’i paraprirë trendit të shpagimit primitiv. Nëse Astrit Kurmema do të ishte dënuar për gjithë vrasjet e kryera, ndërsa Admir Tafili nuk do të pajisej me leje në kushte të rrezikshmërisë, ngjarjet e Shkodrës do të ishin mundshëm parandaluar.

Nga ana tjetër, gjatë mandatit pesëvjeçar të ish-presidentit Moisiu kemi pasur ndjeshëm një intensifikim të rolit të tij institucional në analizimin dhe projektimin e masave antigjakmarrje. Ky fenomen është trajtuar në vitet 2002–2006 në disa institucione të rëndësishme për planet ndërinstitucionale, si Këshilli i Sigurisë, me pjesëmarrje të disa institucioneve kushtetuese, Këshilli i Lartë i Drejtësisë etj. Nga ana tjetër, në këtë moment, një numër i gjerë organizmash jofitimprurës u aktivizuan së paku në sensibilizim mediatik dhe qytetarë kundër fenomenit.

 Gjithashtu edhe institucioni i Avokatit të Popullit inicioi një negocim të gjerë me organizmat europianë që lehtësuan pajisjen me vizë e më pas dhënien e statusit të të mbrojturit të familjeve nën ngujim. Pa dyshim, rol në zbutjen e gjakmarrjes gjatë pesë viteve ka pasur edhe Kuvendi, i cili realizoi ndryshime të Kodit Penal më qëllim formulimin sa më efikas të neneve që parashikojnë krime që lidhen me gjakmarrjen dhe vetëgjyqësinë. Duke analizuar statistika dhe karakteristika të gjakmarrjes shqiptare në mars 2011, është me vend të kërkohet që secili nga institucionet e sipërshënuara të rianalizojë dhe konkludojë për të zbutur këtë tipologji krimi.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama