Kthimi apo kultivimi i trurit

Shkruar nga: Adri Nurellari  
Botuar më: 9 vite më parë

Adri Nurellari
Kthimi apo kultivimi i trurit

Qoftë si pasojë e zhvillimeve historike të turbullta vendase e qoftë edhe si pasojë e nivelit të lartë të emigracionit mes shqiptarëve, është bërë tashmë traditë njëshekullore që ne të hedhim sytë nga diaspora kur bëhet fjalë për të gjetur individë të kualifikuar. Nevojat dhe politikat e vendit tonë për të ashtuquajturën brain gain, apo thithje e trurit, janë në qendër të vëmendjes për sa i përket retorikës politike sa herë që përmenden burimet njerëzore apo arsimi. Padyshim që është e domosdoshme që të mobilizohen sa të munden burimet dhe kapacitetet e diasporës shqiptare, duke ditur që shumica e të diplomuarve në vendet perëndimore kanë përgatitje akademike më cilësore se shumica dërrmuese e të diplomuarve në universitetet shqiptare. Mirëpo janë disa rrethana objektive që e bëjnë të vështirë shumë thithjen e trurit dhe kërkojnë ndryshim strategjie drejt kultivimit të trurit.

Ndërkohë një element specifik i kësaj politike është padyshim përpjekja për kthimin e trurit. Kthimi ka padyshim ndër mend ata shkencëtarë, akademikë e profesionistë të zotë, të cilët për nevoja ekonomike, por edhe si pasojë e paqartësisë së zhvillimeve të brendshme politike, u larguan në Perëndim duke nisur prej fillimit të viteve ‘90. Këtu përflitet se bëjnë pjesë rreth 70% e atyre që kanë pas marrë një doktoraturë para rënies së komunizmit. E vërteta është që fatkeqësisht vetëm një fraksion i këtij segmenti ka vijuar një karrierë akademike në vendet ku kanë shkuar. Sikurse e demonstron rasti i emigrantëve të kualifikuar që kanë shkuar në Kanada, për të siguruar mbijetesën, pjesa kryesore është angazhuar në nivele profesionale më të ulëta sesa kanë pasur para se të iknin nga Shqipëria apo sesa do u takonte ta kishin si pasojë e kualifikimeve dhe përvojës. Madje dendur atyre u është dashur të punojnë në fusha që s’kanë pasur fare lidhje me kualifikimin e tyre. Çdo përpjekje për të rikthyer këta ish-akademikë apo ish-studiues, s’do të kishte ndonjë vlerë të madhe, pasi pas gjithë kësaj periudhe njohuritë e tyre janë të vjetruara ose thjesht i kanë harruar duke mos i ushtruar.

Nga ana tjetër duhet pasur parasysh që shumica e emigrantëve të rinj, duke qenë se është larguar kryesisht në mënyrë ilegale, e ka pasur legalizimin dhe sigurimin e dokumenteve të qëndrimit si sfidën kryesore gjatë qëndrimit në vendet pritëse. Mungesa e lejeqëndrimit dhe nevoja për mbijetesë ka bërë që shumë syresh edhe kur kanë qenë të talentuar e me potencial të lartë për shkollën, të detyrohen që të punojnë në sektorë të dorës së dytë, si për shembull në ndërtim, në shërbime hotelerike, të restoranteve apo në pastrim. Një pjesë e atyre që ia kanë dalë mes një mijë e një sakrificash që të futen në shkolla të larta, u është dashur të futen në punë menjëherë pas përfundimit të studimeve duke mos vijuar me thellimin e përgatitjes së tyre akademike. Me thënë të vërtetën vazhdimi i studimeve akademike drejt doktoraturës dhe postdoktoraturës për katër pesë vite të tjera pas përfundimit të universitetit është një luks i papërballueshëm nga pothuajse të gjithë emigrantët shqiptarë të gjeneratës së parë. Padyshim që fëmijët e tyre do të kenë mundësi të integrohen plotësisht në tregun vendas të punës dhe do të kenë shanse më të mëdha për t’u bërë akademikë, mirëpo a ia vlen të presim sa ata të bëhen të kualifikuar? Për më tepër që, sipas të gjitha gjasave, lidhja e tyre me vendlindjen e prindërve të tyre do të jetë zbehur në mënyrë të skajshme. Mjafton të hidhet një sy që tani në Greqi dhe Itali për të parë që fëmijët e emigrantëve jo rrallë kanë humbur edhe njohjen e gjuhës shqipe.

Përpos kësaj duhet pasur parasysh një element me shumë rëndësi, ndërprerja e karrierës akademike në një vend perëndimor prej atyre që ia kanë dalë të marrin doktoratura në universitete të mira me mundim dhe kthimi i tyre në Shqipëri është një sakrificë jashtëzakonisht e madhe për t’u bërë. Kuptohet që do ketë individë me tituj akademikë perëndimorë që do të kthehen qoftë për patriotizëm të skajshëm e qoftë sepse nuk ia dalin dot të konkurrojnë në tregun e punësimit të vendeve pritëse, mirëpo në përgjithësi kjo zgjedhje mbart kosto të mëdha. Sipas të dhënave të Observatorit të Karrierës Akademike në Institutin Universitar Europian (EUI), rrogat e asistent pedagogëve që janë hapi i parë i karrierës universitare është mbi 3000 euro në shumicën e vendeve të Europës Perëndimore dhe është më pak se 400 euro në një universitet publik shqiptar. Për të mos përmendur këtu aspekte subjektive që kanë të bëjnë qoftë me dallimin edhe më dramatik kur vjen fjala për cilësinë e jetës personale e profesionale dhe për mundësitë për të bërë hulumtime cilësore e për të pasur botime prestigjioze.

Për rrjedhojë, edhe sikur politikat e thithjes/kthimit të trurit të ishin shumë efikase dhe sikur tregu shqiptar i punës të ishte mikpritës ndaj emigrantëve të mirëkualifikuar, numri potencial i atyre që do të mund të ktheheshin është minimal dhe me impakt të papërfillshëm për nevojat e mëdha që ka shoqëria jonë. Për këtë arsye duhet të ndryshohet kursi prej përpjekjeve për të thithur tru, drejt kultivimit të trurit. Bursat e ekselencës janë një përpjekje modeste në këtë drejtim, por për të pasur impakt afatgjatë do të ishte më mirë që të viheshin në jetë skema kredidhëniesh të lehtësuara për individët shqiptarë që vendosin të shkojnë për studime në universitete cilësore perëndimore. Kur bëhet fjalë për universitetet më cilësore të botës që gjenden në vende si SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar apo Holandë, kostoja e shkollimit dhe jetës është tejet e lartë edhe për buxhetin e shtetit tonë, prandaj kredia e zbutur mund ta lehtësonte këtë barrë për buxhetin. Skemat e bursave mund të abuzohen dhe shpërdorohen, ndërsa kur bëhet fjalë për kredi, individët e përfshirë kanë një sens më të lartë përgjegjësie kur vjen fjala te mënyra sesi do i përdorin paratë e siguruara, si dhe përkushtimi ndaj arsimit që marrin. Shpërdorimi me subvencionimet e shtetit për arsimin e lartë vihen re qartë te mungesa masive e seriozitetit, punës dhe përkushtimit të studentëve që frekuentojnë falas universitetet publike dhe nuk e kanë për gjë të ngelin e të ripërsërisin pafund provime.

Kreditë mund të ishin ose në formën e atyre që jepen nga vende si SHBA-ja, ku individët që përfitojnë prej tyre mund t’i përdorin edhe në universitete të huaja dhe të fillojnë t’i shlyejnë kur nisin të sigurojnë të ardhura më të larta se një dysheme apo prag të parapërcaktuar nga kontrata dhe vlera e kredisë. Ose në formën e kredive të pjesshme ku studentët nuk marrin bursë të plotë, por një pjesë të pagesës së shkollimit ia paguan shteti në këmbim të kthimit në atdhe pas studimeve dhe një pjesë e kanë për detyrim ta paguajnë vetë për të siguruar një përdorim sa më efikas të subvencionimit. Përpos kësaj, kjo mënyrë e subvencionimit të kultivimit të trurit nëpërmjet kredive apo formave hibride të bursave është edhe më efikas për sa i përket mbushjes së nevojave, pasi qeveria mund të specifikojë fushat apo temat e kualifikimit që marrin përparësi apo që gjenden në mangësi. Ndryshe nga tani ku ndodh shpesh që kualifikimi akademik i marrë nga emigrantët shqiptarë të arsimuar në Perëndim nuk përputhet fare me nevojat kryesore që ka vendi ynë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama