Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Të mjerat gra dhe ca burra burracakë

Shkruar nga: Mentor Kikia  
Botuar më: 14 vite më parë

Mentor Kikia
Të mjerat gra dhe ca burra burracakë

8 Marsi ishte një shfaqje me regji qendrore, siç ka filluar të flitet në mënyrë televizive edhe në selitë e partive, që dëshmoi se tashmë gratë janë edhe më të dhunuara, e madje ato dhunohen edhe institucionalisht dhe para kamerave. Shteti dhe politika dëshmuan babëzinë për të gllabëruar përfundimisht çdo ditë kalendarike që shënohet me të kuqe apo simbolizon dhe përkujton një ditë të shënuar kombëtarë e ndërkombëtare. 8 Marsi, historikisht është një ditë që duhet të kujtohet me protesta, pasi simbolizon shpirtin e atyre grave që u dogjën të gjalla nga një sipërmarrës i pashpirt ndërsa kërkonin të drejtat e tyre të punës. Por në Shqipëri, edhe sot vazhdon tradita komuniste që e konsideron 8 Marsin dhe çdo ditë tjetër si festë.

Ja çfarë ndodhi në 8 Mars në Tiranë:

Ashtu siç edhe duhet, në mënyrë protokollare, ishte Presidenti i vendit që priti një grup grash, të cilat ishin vënë në rresht të lumtura për t’i kumtuar kreut të shtetit arritjen e madhe të sanksionimit në ligj të faktit se 30% e grave duhet të jenë të zgjedhura në forumet politike të vendit. Edhe pse ky nuk është më një lajm, pasi ka të paktën 2 vite që është formalizuar, ajo që duhet theksuar është se përse ishin pikërisht ato në zyrën e Presidentit? Më shumë se përfaqësuese të shtresës së grave, por ishin aristokracia e grarisë shqiptare. Shumë prej tyre drejtojnë OJF, që në emër të mjerimit dhe dhunës ndaj grave kanë ngritur prokopinë e tyre ekonomike. Ndërsa gratë vërtet të dhunuara ishin larg, ishin në shtëpitë e tyre në fshatra, ku rropaten në punë skllavëruese për të rritur dhe edukuar fëmijët. Ishin në fabrikat e konfeksioneve, ku, ashtu si punëtoret amerikane që i dogji pronari 100 vjet më parë, punojnë në kushte skandaloze dhe paga qesharake, madje edhe në ditën e 8 Marsit. Ato ishin kudo, veç jo në zyrën e kreut të shtetit, ku celebrohej qoka e 8 Marsit.

Skena e dytë e shfaqjes ishte ndërtuar në Pallatin e Kongreseve. Qindra gra, simpatizante të PD-së u bashkuan në një festë, që vetëm me 8 Marsin nuk kishte lidhje. Të tjera, mësuese, nxënëse, nëpunëse etj, u sollën si gjithmonë me lista, shoqëruar me paralajmërimin se kush nuk vjen, ikën nga puna. Përtej faktit se ne mund të jemi i vetmi vend në botë ku njerëzit detyrohen me kërcënime të shkojnë në një festë, ajo që ishte e tmerrshme ishte politizimi i skajshëm i këtij koncerti-festiv. Me një patetizëm për t’u pasur zili, Jozefina Topalli tregoi se çfarë janë gratë në të vërtetë dhe çfarë force përbëjnë ato, e aq më tepër kur i vë në rresht. Dhe, padyshim që dhurata e tyre për 8 Marsin ishte Sali Berisha, i cili edhe festën e fëmijëve më 1 Qershor, nuk e lë t’i shkojë dëm pa bërë fushatë politike. Pikërisht në ditën e tyre, në Pallatit të Kongreseve, gratë brohorisnin për një burrë.

Skena e tretë ishte vendosur në bulevard, në epiqendrën e protestave të opozitës. Pas disa ditësh përgatitjeje, duke shpërndarë ftesa derë më derë e rrugë më rrugë, opozita e ndihmuar edhe nga nëpunëset e bashkisë i dha një tjetër imazh 8 Marsit, në fakt atë që duhet të kishte. Në pamje të parë gratë po protestonin, paçka se kush i kishte yshtur e mbledhur, por së paku po protestonin. Por çfarë po kërkonin? Zgjedhje të reja, largimin e Kryeministrit Berisha dhe në kor bërtisnin: “Edi, Edi, Edi”. Edhe këtu i njëjti skenar, por ndryshon skena. Sërish gratë, edhe pse në ditën e tyre simbol, brohorisnin për një burrë. Edhe këtu nuk u protestua për liritë dhe të drejtat e tyre, por për liritë dhe të drejtat e partisë. Diku festohet e diku protestohet, por qëllimi është i njëjtë: në shërbim të partisë. Edhe në 1 Maj kështu do të ndodhë. Në prag të zgjedhjeve vendore, njëra palë do të organizojë festë të madhe me fjalime e këngë, ndërsa pala tjetër do të organizojë protesta në emër të sindikatave që nuk ekzistojnë dhe me sloganet “Fajin e ka Saliu”.

Nuk është çështja thjesht tek 8 Marsi apo 1 Maji, por tek një mentalitet, një klimë politike që ka vrarë nervin e shoqërisë, e ka tredhur atë, duke e shndërruar atë në një masë amorfe, në një mekanizëm që përdoret me lehtësi për interesat e dy partive kryesore. Partitë, pasi zhdukën me këmbëngulje çdo element sindikal, duke prodhuar ca klounë që i përdorin si përfaqësues të punëtorisë, kanë marrë vetë përsipër të bëjnë, sipas radhës, edhe qeverinë, edhe sindikatën. Partitë organizojnë manifestimet e të varfërve, protestat, festat, karnavalet, ballot e të pasurve, ditën e verës, pra çdo gjë që lidhet me një grumbullim njerëzish, ka nga pas një parti. Ka vite që në Shqipëri nuk organizohet asnjë tubim popullor, pavarësisht motivit, që të mos ketë një interes politik nga pas. Pas zhdukjes së sindikatave, së fundmi edhe OJF-të po ndahen në të majta e të djathta, duke u përdorur si ‘make up’ për të trukuar imazhin e politikës.

Nëse do të vazhdohet në të njëjtën linjë, nuk do të ishte çudi që në të ardhmen, partitë të merrnin përsipër organizimin edhe të dasmave, funeraleve dhe sebepeve të tjera familjare.

Ky është një realitet vërtet dëshpërues. Një shoqëri, të cilës politika i ka vënë duart në fyt dhe i kontrollon dozën e frymëmarrjes, është e destinuar të skllavërohet, njësoj siç u skllavërua nga regjimi komunist. Me ndryshimin, se tani janë dy parti që kanë ndarë popullin dhe secila skllavëron dhe përdor popullin e saj apo këdo që ka nën pushtet.

Këto radhë doja t’i mbyllja me një thirrje migjeniane, jo për varfërinë, por për zemërimin që më zien: O si nuk kam në dorë forcën dhe mllefin e gjithë popullit dhe ta godas mu në zemër këtë realitet të mallkuar, për t’u kthyer lirinë njerëzve të nënshtruar që s’bëzajnë!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama