Pergjithmone me endrren e Kukesit te vjeter

Pergjithmone me endrren e Kukesit te vjeter
Dervishi ishte i fundit, që e larguan nga vendi i tij. I mbetur i vetëm dhe pa teqenë e tij, burri i vjetër gjeti strehë poshtë këmbëve të urës së vjetër të qytetit. Një ditë dikush i tha klerikut, tashmë endacak se kish ardhur koha që edhe ai të largohej që andej. Ura do të përmbytej. “Po mirë, që ura do mbytet. Po unë, ku do të qëndroj”, iu përgjigj në mënyrë ekzistenciale dervishi lajmëtarit. Askund.

Vërtetë, askush nuk u kujtua më për plakun. Përveç...Plaku që identifikonte urën me jetën, si të vetmen strehë të tij, mbeti në kujtime. Banorët kishin gjëra të tjera për të bërë dhe të gjitha këto duhej të shkriheshin me mbijetesën e tyre. Kukësi dalëngadalë ia la vendin ujit, një si qefini të madh me ngjyrat e natyrës që do i jepte dritë gjithë vendit. “Edhe ëndrrat i shoh ende në Kukësin e vjetër”, më thotë një ish-mundës, kampion i Shqipërisë. E takojmë sak pas gati dy orë e gjysmë udhëtimi nga Tirana. Në pak minuta mbledhim pak miqtë tanë të Kukësit, që tashti i kemi fare afër prej Udhës së Kombit.
...
Aty afër fle sërish ai. Qyteti i vogël i ngjante një familjeje të madhe, ku të gjithë e njihnin dhe e mbështesnin njëri-tjetrin. “Mbaj mend kur u bë radioja e parë dhe sesi e dëgjonim dhe na duket çudi e madhe”, më thotë Muhameti, që është larguar 20 vjeç nga qyteti. “Askush nuk donte të ikte, por duhej. Atëkohë ishim të bindur se po bënim një gjë të mirë”, shton pastaj. Petrit Palushi, shkrimtari i njohur kuksian, më thotë se mban mend dhe planimetrinë e qytetit. Vërtet nga një kënd anash qytetit, ku në verë mblidhen njerëzit dhe pushojnë, ai vetë më tregon se ku kalonte rruga kryesore, se ku ishte piedestali i monumentit të Skënderbeut, që një farë kohe kish qenë i Zogut, njëherë i një hierarku fashist, pastaj e Skënderbeut.

Se e kujt ishte ajo udha pas, rrugës, etj. “E kam tamam para syve”, më thotë krenar. Në fakt, në këtë moment ku presim fillimin e shiut, nuk mund të hamendësoj. Palushi, që bën një nga shkrimet më të veçantë në ditët tona, e letrarizon të gjithën. Është i tij Dervishi-personazh, dhe më tregon njërën pas tjetrës histori të mrekullueshme me patosin e tij të zakonshëm. “Kushdo në këtë qytet aty ka të ngulur ëndrrën e tij. Kukësi është i gjallë me kuksianët e vërtetë”, na e mbyll në formë patetike. Ka një fare të drejte, sepse ti mund të pyesësh gjithkënd dhe të gjithë do të thonë të njëjtën gjë. E në fakt, në rrugën e boshatisur që të dërgon në Turizmin e vjetër dhe që e mbajmë mend që nga koha e Luftës së Kosovës, afrohen dy burra. Dy të ngeshëm. Pak minuta më vonë jemi shtruar në një muhabet të shtruar me ta. Por para diktofonit transformohen menjëherë.“Qyteti?... unë isha 19.

Qyteti ishte i vogël, i bukur dhe i lezetshëm,.. i ngrohtë. E mbaj mend si tani.. Jemi rritur aty. I mbaj mend rrugët, shëtitjet, sesa i pastër ishte, sa i qetë ishte, shtëpi të bukura dhe njerëz shumë të mirë. Të 5000 banorët ishin kuksianë, Elezë, goranë, gjakovarë...Kemi shkuar shumë mirë. Dhe kemi pasur shumë respekt për njeri- tjetrin... Ne kemi pasur lidhje miqësore ndaj kemi qenë mirë.. As Tropoja me ne nuk hahet. Prej traditës. S’është puna e frikës, por kishim ngrohtësi…”. Vëllai tjetër është më i ngadaltë. Është elektricist dhe tashmë po shkojnë bashkë për peshkim. Për të qyteti ka qenë një Paris i vogël. E pyes për peshkun dhe më thotë se ka “krap, merluc, mustak, mlysh, trofta dhe ballgjër. Kanë kap peshk deri 60-80 kilogram, por s’ka lëshuar rasat shteti. Ka tani dhe dinamit dhe shteti s’vepron. Fare... Sa për Kukësin, kur del uji e shikojmë vetë dhe ty do të pëlqejë në gërmadha...” Pak minuta më vonë, kur e heqim diktofonin burri ka ndryshuar krejtësisht. Më flasin sesi luanin dhe sesi e mbajnë mend qytetin dhe sesi Kukësi i sotëm nuk e plotëson dot kurrë qytetin e vjetër.

Si ishte

Me burrat bëjmë panoramën e qytetit dhe me ata që do të takojmë pak më vonë është e njëllojtë. Falë Petritit, një burri tepër mikpritës, që ka bërë që emri i Kukësit mos të jetë ishull në letërsi, duket se i gjithë brezi i mbi pesëdhjetëvjeçarëve, që na prezanton, e kujton fare mirë. Ka shumë që kanë abuzuar me njeriun e fundit që iku nga Kukësi.

 Me burrat i shmangim këto kujtesa, ndërsa flasim pak në këtë ditë shiu sesi u përshtat qyteti i ri. Të 25 mijë banorët e saj të sotëm janë të vendosur në një vend, që gjendet 3 km në jug-lindje të Kukësit të vjetër, sak në rrafshin e Lumës dhe brigjet e Liqenit të Fierzës. Sheshi i stërmadh i qytetit, që mbajti mijërat e kosovarëve më 1999, tashmë ka dhe një përmendore në formë kulle (dhuruar prej tyre), e cila duket se këqyr vendin nga ku gjendet i fundosur qyteti i vjetër. Dhe, të gjithë historitë e qytetit, ende vazhdojnë me gjëra që lidhen me të. Si ishin? Të parët. Dhe, çfarë do të bënin? Kukësi i vjetër ka qenë i magjishëm, ma përforcon Petriti, që në cepat e tij ka vendosur disa nga personazhet e prozës. E ka jetuar qytetin deri në vitin e tretë dhe mundohet të më tregojë me metaforë sesa i ngrohtë është qyteti. Ishte i ngrohtë se bënte hurmat dhe mbante si askush miqtë.

 Jabanxhinjtë dhe sidomos të internuarit nga Korça, Shkodra, Gjirokastra e kishin plotësuar me edukatën e mikut dhe e kishin bërë kult... Askush nuk e dinte se një ditë gjërat do prisheshin frikshëm dhe ata do bëheshin kurban për atdheun. Më 31 mars të vitit 1962 u mor Vendimi për përmbytjen e këtij qyteti. Qëllimi ishte krijimi i hidrocentralit, kryesisht me ndihmën e Kinës, dhe qyteti duhej të sakrifikohej. Kukësi i vjetër ua la vendin ujërave të Liqenit të Fierzës në vitin 1978. Në një dokumentar të kohës tregohet sesi banorët ikin të organizuar dhe në fund nuk harrojnë që të marrin dhe fotografinë e shokut Enver. Pse ka kaq nota fatalizmi në letërsinë tënde, e pyesim Petritin. “Ndoshta jeta. Ngacmimi që kam marrë nga jeta ose më saktë përjetime nga jeta e përjetuar. Jam ngacmuar dhe i kam hedhur menjëherë në letër. Shiko: Gjallica është fare afër. Të duket se të zihet fryma. Mund të them se letërsia dhe jeta janë përballje dhe megjithatë letërsia s’është vetëm përballje.

Çdo qytetar të thotë njësoj dhe këtë do ta gjesh dhe te romani im i ri “Dervishi në Urën e Drinit të Zi...Dervish Halilit i prishën xhaminë.- Mirë që do të prishin qytetin dhe urën, po unë ku do rri. Kështu e kam marrë edhe këtë ngjarjen e re”.

Mes dy qyteteve të Kukësit

Ngjarja e re nuk e ka ndryshuar qytetin, që tashmë është një qendër banimi në një gadishull, ngaqë rrethohet nga Liqeni i Fierzës. Me një sipërfaqe të përgjithshme prej 150 ha dhe lartësi mesatare 340-350 mbi nivelin e detit, ajo falë autostradës ka sot një pozitë të lakmueshme gjeografike: 2,5 orë nga Tirana dhe gati po kaq me Prishtinën. E sa për të tjerat të gjitha i ngjajnë një makthi, kur flitet për qytetin e vjetër. “Një e vërtetë e stisur. Të gjithë e dinë se çdo të thotë që të lësh qytetin dhe të shkosh diku ku s’pushon era. Në verë kur dalin ndërtimet e vjetra ne orientohemi që këtu. Mua më duket se e shoh vazhdimisht dhe romanet e mia janë më shumë në ëndërr sesa në realitet”. Jo vetëm Petriti, por të gjithë kuksianët kanë shumë nostalgji. Ja aty është turizmi.

Më i miri në Shqipëri, ma pret dikush...Deri para vitit 1925, fshati i madh Kukës banohej kryesisht nga banorë vendas, që rrisnin bagëtinë e tyre dhe merreshin me atë pak bujqësi në të dyja anët e lumenjve Drin i Zi dhe Drin i Bardhë. Një vit më vonë Mbretëria do ta bënte qytet dhe ndaj busti i Zogut, nëse nuk gaboj, ka qenë në qendër të qytetit. Kjo bashkoi pak nga pak shumë banorë dhe nga Veriu erdhën drejt qytetit banorë nga Shkodra, Prizreni, Gjakova dhe Gora. Banorët arritën t’i japin qytetit të atëhershëm, jo vetëm atributet e një qendre, por i sollën edhe zakone, ëndrra por edhe e bënë shumë qytetare. Falë pozitës gjeografike, qyteti tashmë është në mes të një zone gjeografike që lidh Shqipërinë me Kosovën.

 Goranët i sollën artizanatin dhe teknologjinë e ëmbëlsirave; kosovarët tregtinë; të tjerë përpunimin e leshit, të lëkurës dhe të mishit. Më vonë, prodhohen dhe shumë gjëra dhe qyteti plotësohet dhe në aspektin arkitekturor dhe urbanistik. Vetë vendasit, përveç traditës së tyre përcjellin një traditë të re gatimi dhe shërbimi, etj. Ky lulëzim se ka jetën e gjatë. Sistemi socialist bën atë që bën në të gjitha qytetet. Barazon gjithçka. Ashtu si mund të merret me mend, pati shpronësime dhe regjimi nuk pati me sy të mirë shumë familje nacionaliste. Vetëm se socializmi, ndërkohë, i dha një dimension tjetër qytetit dhe vetë rrethit. Filloi të punohej me kromin, kishte industri të nxjerrjes dhe të shkrirjes së bakrit (teknologji sovjetike e viteve ‘60), nxjerrjes së mineralit të kuarcit, materialeve të ndërtimit, materialeve drusore, përpunimit të tyre, prodhimit të qilimave dhe sixhadeve, prodhimeve të shumëllojta ushqimore, mbledhjes dhe përpunimit të bimëve mjekësore, etj

Banorët

Një si gulç buron ende nga gjoksi i ish-banorëve të Kukësit të vjetër edhe 30 vjet të tjera nga koha e përmbytjes së kësaj pasurie të dikurshme, ndonëse tani qyteti i ri është ndërtuar konform një urbanistike për kohën moderne. Lutfi Meçka 52-vjeçar, drejtor i KTV-së bashkë me një shokun e tij e kujtojnë se qyteti i vjetër ishte Stambolli i vogël. “Ishte një komunitet i ardhur nga Gjakova. Unë jam nga Gora, por në qytet janë kuksianë të vjetër dhe nga Bicaj, etj. Banorët ishin të mirë dhe s’kishim kurrë probleme. Vetëm me Kukësin e vjetër i shoh ëndrrat”, më thotë ish-sportisti.

Kurse shoku i tij është më nostalgjik: “Jam rritur atje dhe tashmë jam 51 vjeç. Me fjalë se përshkruaj dot. Ishim një familje dhe u njihnim të gjithë dhe komshia ishte e lidhur shumë me njëri- tjetrin dhe ishte një shtëpi e madhe dhe s’krahasohet…”.E zëvendësoi ndonjëherë Kukësi i ri, Kukësin e vjetër?-e pyesim. “Asnjëherë. Sepse ka të ardhur shumë dhe ata nuk e përcollën dot frymën e qytetit”. Lutfiu ka një nga historitë më të rralla në qytet. Viti 1997 e kapi në Gjermani dhe i bindur se duhej të bënte diçka erdhi në vend me aparaturat për një televizion lokal. Në disa foto, që do t’i shohim më vonë, ai na tregon sesi arriti të ngrejë televizionin e tij, që nuk ia doli dot dhe me keqdashjen e pushteteve në Shqipëri. Serbët ia bombarduan në Zapod, antenën, ndërsa televizioni i tij shërbeu si vend informimi i 500.000 kosovarëve.

 Të gjithë i bëri free dhe në shenjë respekti për Kosovën. Pas lufte pati një pllakat mirënjohje nga një komunë e Mitrovicës dhe nga Krusha e Madhe, por asfare nga qeveria shqiptare dhe e Kosovës, për të cilën kontribuoi aq shumë. Për pak reportazhi ynë i Kukësit të vjetër zhvendoset në atë kohë dhe Petriti ma plotëson me njohuritë e tij. Lutfiu më ilustron në stenda dhe në pezmin e tij, që duket se është i pakufijtë. Por, kohë të tjera dhe shpresa të tjera. KTV-ja e tij, që ishte televizioni i parë shqiptar që pati studio në Kosovë, tashmë lufton me mbijetesë dhe me një proces gjithnjë e më të sikletshëm mbijetese...

Për Kukësin sërish

Në fakt, mbijetesa është sinonim i Kukësit. Kukësi vuan ende problemet e pronësisë mbi tokën, përveç ato të shpërnguljes së detyrueshme së banorëve të Kukësit të Vjetër, që i shtohen ato të aeroportit, që nuk po vihet në funksion. Në një farë mënyre, ky ngërç ka ndikuar shumë. Por Kukësi vuajti si pakkush dhe problemin e Luftës së Ftohtë.

Matanë ishte Kosova dhe si pjesë e ish-federatës quhej vend armik. Sot, Kukësi ka shumë biznese të vogla, por jo të mëdha që mund të luanin rol për qytetin, ndërsa përveç rrugës ka ende problem infrastrukture për lidhjet e saj me qytetet më të afërta si: Peshkopi, Shkodër, Krumë. Kukësi i ri, që ndodhet 500 metra mbi nivelin e detit, e ka ndryshuar shumë pamjen e tij, por në ditët e fundit të vjeshtës, të jep idenë e zbrazëtisë dhe të një vendbanimi, që gjithsesi nuk të grish shumë.

Mbase ndryshon diçka, kur bie niveli i Fierzës dhe mbijnë mbi ujë shtëpitë e qytetit të vjetër, që u fundosën në vitin 1978. Pak orë më vonë në zyrat e Radio-Kukësit, institucionit të dytë radiofonik të vjetër, Petriti na tregon historinë e radios dhe qytetit. Në gojën e tij historia është më shumë sesa letërsi. Është një kumt që përmbledh historinë, dokumentin dhe sentimentin. Nostalgjia është kudo... Tashmë Kukësi i Vjetër, si emërtim ekziston vetëm në memorie, ndërsa KUKËSI i RI, nuk përmendet si emërtim. Qyteti quhet thjesht: KUKËSI, na thotë. Teksa ikim në një errësirë nëntori, era e lagësht e bën udhën më të stërgjatë. Shkreptimat zbulojnë paretet e rrugës së sapondërtuar, për të cilën shqiptarët do ta paguajnë gjatë si çmimin e ndarjes kombëtare...
...
Dervishi vdiq dhe nuk mundi të shikojë dot qytetin e ri. Në fakt, as nuk do donte kurrë ta shikonte. Petrit Palushi po e risjell në romanin e tij të ri dhe shpreson që dervishi i tij, do ta kaloj Ahmet Nuredinin e Selimoviqit. “Jo, i them. Këtë harroje!”. Ndahemi me burrin fisnik në vjeshtën e tretë të vitit 2010.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama