I ati i Ferdit Biri im duhet te me falesh!

I ati i Ferdit: Biri im, duhet të më falësh!

Në adresë të tij janë thënë shumë gjëra; i biri ka treguar me hidhërim fëmijërinë e tij të trishtë, por tani Sahiti kërkon të ribashkohet me djalin, duke u betuar "nuk i dua lekët e tua!". Ajo që botoi intervistën e babait të Ferdit është e përjavshmja "Di Più", e cilianë një intervistë të gjatë tregon historinë e Sahitit dhe të reflektimit të tij. Gjithçka nisi me ndarjen mes prindërve të të riut rom: "Unë dhe gruaja ime nuk shkonim më mirë bashkë, ziheshim gjithnjë. Unë kisha fajet e mia, nuk isha një burrë perfekt, një baba perfekt, nuk gjeja një punë stabël, vazhdoja të shisja rroba të vjetra, herë pas here vonohesha dhe e ekzagjeroja me të pirën. Jeta në shtëpinë tonë ishte bërë e pamundur, gruaja ime kishte një të dashur dhe mua nuk më donte më. Ajo në "GF", duke iu drejtuar Ferdit, ka treguar se e keqtrajtoja, se isha unë ai që kisha një tjetër, por nuk është e vërtetë. Nuk e di pse gruaja ime m\'i hedh mua të gjitha fajet, unë di vetëm që atëherë nuk mundeshim më të rrinim bashkë..."

Grindja vazhdon... "Mbaj mend që u largova nga shtëpia pas një grindjeje të keqe. U transferova tek një i afërmi im dhe që nga ai moment, mendimi im i vetëm ka qenë e mira e fëmijëve. Në shtëpi nuk mundesha të kthehesha dot më, sepse gruaja më përzinte, burri i saj i ri nuk më linte të hyja në shtëpi. Nëse afrohesha, gruaja ime bërtiste: "Kam një jetë të re, këtu nuk ka më vend për ty, shporru!". U përpoqa t\'i vija gjërat në vend, por nuk ia dola mbanë. Torturohesha çdo ditë, e dija që kisha gabuar dhe unë: jeta ime e çrregullt, mungesa e një pune, nuk më kishin dhënë mundësinë që t\'i siguroja familjes sime qetësi dhe situata ishte shumë e keqe. U gjenda i vetëm. Dhe isha shumë në merak për Ferdin, sepse ishte pa një baba në krah. Mund të hynte që i vogël në ndonjë rrugë të gabuar, në një realitet si ky i imi tani, në një varfëri pa fund. Shumë miq, shumë të afërt më thoshin se Ferdi dhe motra e tij nuk ishin të qetë në shtëpi me të ëmën...".

Largohet me fëmijët... "Atëherë, i thashë vetes se kishte vetëm një mënyrë për të zgjidhur problemin: t\'i largoja fëmijët nga ajo shtëpi. Kështu organizova gjithçka. Në një valixhe mora disa rroba dhe shkova fshehur për të marrë fëmijët. Çova Elfën tek nëna ime, në një fshat aty afër dhe i thashë: "Mama, rrite sa më mirë të mundesh: nëse vjen gruaja ime ta kërkojë, shpjegoi që Elfa është më mirë me ty". Më pas u largova me Ferdin. Ai në atë kohë ishte vetëm 9 vjeç. Doja të shkoja në Itali me gomone, bashkë me të tjerë si puna ime, sepse të gjithë thoshin që në Itali kishte pasuri dhe mund të gjendej lumturia. Shumë romë si unë bënë kështu, dhe kjo është pjesë e historisë sonë, e mënyrës sonë të jetesës. E kisha organizuar udhëtimin me njerëz që njihja dhe më kushtoi 3 milionë, një shifër shumë e madhe për mua. I kisha mbledhur të gjitha ato para, duke hyrë në borxh tek disa të afërmit e mi, i kisha premtuar vetes që në Itali do të gjeja punë dhe do t\'ua ktheja të gjithë lekët. Mbaj mend vetëm që Ferdi, kur hipëm në gomone më tha: "Baba, ku po shkojmë?", dhe iu përgjigja: "Të kërkojmë një jetë më të mirë, biri im".

Lëmoshë të përditshme... Për të ushqyer djalin tim duhet të kërkoja lëmoshë nëpër rrugë, dhe isha i detyruar ta merrja Ferdin me vete, nuk mund ta lija vetëm. Natën flinim në kampin për romët, ndërsa ditën e kalonim në qoshet e trotuareve. Një jetë e vështirë, shumë e vështirë. Disa si unë, njerëz të rrugës që takoja, kishin zgjedhur një jetë më të lehtë, shpërndarje të vogla, vjedhje të vogla. Por unë nuk doja të futesha në këtë rrugë, për të mirën e djalit, dhe vazhdoja të jetoja vetëm me lëmoshë. Për një gjë jam krenar: në të gjithë ato muaj që kalova me të në Itali, i kam dhënë gjithmonë një çati ku të flinte. Nuk e kam lënë asnjëherë të flejë në rrugë. Nëse ndonjë ditë, me lëmoshë, arrija të mblidhja 40 ose 50 mijë lira, nuk e çoja as në kampin rom. Kërkoja ndonjë hotel që kushtonte pak, vetëm e vetëm për t\'i dhënë Ferdit një krevat për të qenë.

Frikë të gjitha ditët... Ekzistonte gjithnjë frika se mos ndaloheshim nga policia, ne ishim klandestinë, pa leje qëndrimi në Itali. Dhe në fakt, asaj që i druhesha më shumë, ndodhi. Një ditë na ndaluan në rrugë, kontrolluan dokumentet dhe më morën djalin, sepse thanë që nuk isha në gjendje ta rrisja. Në fakt, kishin të drejtë, isha dhe mbetet një vagabond pa një vend ku të jetoja, por çfarë mund të bëja? Ferdi qante: "Baba, baba, rri me mua", - më thoshte mes lotëve. Nuk mund të bëja asgjë për ta mbajtur. Është hera e fundit që e pashë, mbaj mend sytë e tij të fryrë dhe shikimin e tij të trembur. Nuk pranuan të më thoshin as se ku do e çonin. "Ja Sahit, - i thosha vetes, - gabove në gjithçka, humbe gjithçka. Djalin ta morën, vajzën nuk e di si e ke, nuk ke më asnjë".

Isha i dëshpëruar. Mbaj mend që mora trenin për të arritur në kampin rom, atje ku kisha dhe miqtë e mi më të mirë. Por nuk arrita të vija dot gjumë në sy. Më pas, për një javë fjeta në det, në të ftohtë. Kjo ndodhi 12 vjet më parë, në 1997-ën, kur Ferdi ishte vetëm 10 vjeç, pasi kishim kaluar bashkë një vit në Itali. Dhe atëherë u ndjeva i humbur".

Në burg katër herë... "Kur humba dy fëmijët e mi, vdiqa brenda dhe përfundova në rrugë të gabuara. Fillova të vidhja dhe rifillova të pija. Përfundova në burg 4 herë, kam ndarë dhe një qeli me 12 vetë dhe një banjë të vetme për të gjithë. Ndonjëherë më ka shkuar në mendje dhe të vras veten, por nuk kam pasur guximin, sepse në fund të fundit kisha një objektiv, të rigjeja fëmijët, t\'i përqafoja. 

Jeta ime ishte dhe është një jetë endacaku. Nuk kam reshtur kurrë së menduari për Ferdin, pyesja për të tek të afërmit e mi që jetonin në kampin rom. Një herë, një kushëriri im më tha që ndoshta Ferdi ishte në Kaluari, shkova menjëherë atje, në një institut fetar, por nuk më lanë as të hyja".

Akulli në telefon... "Pas shumë kërkimesh, tre a katër vjet më parë, arrita të kem numrin e telefonit nëpërmjet një të njohurit tonë. E telefonova me duart që më dridheshin dhe sytë që shkëlqenin. Por, ai, djali im, u tregua i ftohtë, më tha vetëm: "Baba, kur të jem gati do bëhem i gjallë", dhe mbylli telefonin, pa më thënë as se ku ishte. Atëherë u ndjeva, mendova se ishte mërzitur me mua, që nuk më falte për shkak të jetës që i kisha ofruar e kushedi se çfarë gjërash të tjera. Unë u mundova ta kuptoja, bëra shumë telefonata, derisa një i afërm që mbante kontakt me të më tha se Ferdi kishte mësuar gjëra të këqija për mua dhe për këtë arsye nuk donte të më shihte. Mendonte se e kisha marrë me forcë nga shtëpia, thoshte se e kisha rrahur dhe se e kisha detyruar të vidhte".

Çfarë gëzimi kur e pashë në "GF9". "Ndodhesha në kampin rom të Emilia Romanjës kur, Davide, një miku im, më tha: "Sahit, mendoj se djali yt është në televizion". Të gjithë atje, në fakt, e dinë prej vitesh historinë time, dinë për Ferdin dhe torturën time. Nuk mund të besoja: djali im në televizion? Kur pashë Ferdin në "Grande Fratello", kërceva nga gëzimi. Të shija të ishte mirë, që është i bukur, që ishte shëndoshë, më bënte të ndjehesha mirë. E putha në ekranin e televizorit dhe qava. Për tre muaj kam parë vetëm Ferdin, qëndorja i mbërthyer në televizion. Kam ndjekur gjithçka, jam emocionuar, kam qeshur, kam qarë. Kanë qenë tre muajt më të bukur të jetës sime. Pashë mesazhin e nënës, ish-gruas sime, më akuzonte që e kisha keqtrajtuar dhe kam vuajtur. Atëherë kontaktova redaksinë e "Grande Fratello", por më thanë se Ferdi nuk dëshironte të më shihte. E imagjinoja, ai mendonte se unë kisha qenë i keq me të. Më pas ripashë vajzën time në televizion që fliste nga Gjermania me Ferdin brenda në shtëpi. Edhe atë kisha shumë vite që nuk e shihja dhe qava përsëri. Më pas u nxeha kur Xhanluka, konkurrenti nga Napoli, më akuzoi djalin tim se donte të prekte njerëzit me historinë e tij dhe e shtyu. Më pas u gëzova shumë kur Ferdi tregoi se ishte rritur mirë në institutin Don Orione. Duartrokita kur Ferdi puthi Françeskën dhe kam festuar me miqtë e mi romë kur ai fitoi. M\'u duk sikur rilinda".

Pas "GF"-së nuk pranoi të më fliste..."Kur Ferdi doli, nxora sërish fletën ku vite më parë kisha shënuar numrin e tij. Nuk dija ç\'të bëja, ta telefonoja, apo jo. Vendosa t\'i telefonoja, pikërisht pasi lexova në një gazetë që Ferdi kishte thënë se mund të harronte të shkuarën, dhe që mendonte se mund të më ripërqafonte mua, babanë e tij. E telefonova me zemrën që më rrihte fort: "Biri im, jam babi yt...", - i thashë. Por, ai, tamam si kishte bërë dhe vite më parë, më ndërpreu dhe tha: "Baba, do të bëhem i gjallë vetë kur të jem gati, tani më duhet të iki". Në atë moment, kujtoj, u lëshova në një karrige me sytë e fryrë. E di, ndoshta i telefonova shumë shpejt, por veprova sipas instinktit, nuk mund të prisja, Ferdi ka nevojë për kohë. E di, ai mendon akoma se unë i kam bërë keq dhe nuk do të jetë e lehtë ta bëj të ndërrojë mendim pas kaq shumë vitesh".

Paratë e tij nuk më interesojnë... "E di, ndoshta dikush mendon që tani unë jam bërë i gjallë, sepse ai është i pasur dhe i famshëm. Por nuk është kështu. Nuk kam pasur kurrë një shtëpi. Jetoj me rrobat që gjej. Dhe besoj se kam paguar për gabimet që kam bërë. Telashet dhe dhimbja më kanë konsumuar në trup dhe shpirt. Që kur kam humbur djalin tim, nuk kam pasur më një qëllim në jetë. Kam vetëm një obsesion: të rishoh atë dhe motrën e tij. "Grande Fratello" më risolli shpresën, më bëri të rigjej djalin tim. Ëndrra ime është një e vetme: Ta përqafoj, qoftë dhe për një minutë të vetme Ferdin dhe motrën e tij, të flas me ta...".

 

 

Gazeta: Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama