Në një tryezë me rreth 40 të pranishëm, ku kanë qenë Presidenti Topi, Kryeministri Berisha, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, ministrat Ruli e Bode, nënkryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi si dhe anëtarë të qeverisë dhe opozitës, nuk kanë munguar edhe këtë herë barsoletat dhe batutat e shumta mes Berluskonit me krerët të vendit. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, po të vërehej buzëqeshja në fytyrën e tij gjatë gjithë konferencës me Berishën në godinën e Këshillit të Ministrave. I etiketuar shpesh si mik edhe i ish-kryeministrit Nano dhe kreut aktual Berisha, Berluskoni ka “thumbuar” disa herë gjatë kësaj dreke, që zgjati rreth 2 orë e 15 minuta, kreun e ri të socialistëve Edi Rama. Shkak duket se ka qenë pikërisht mungesa e Nanos në këtë drekë. Burime pranë kësaj ceremonie bëjnë të ditur për gazetën se “Kavalieri” i ka kërkuar Ramës t’i bëjë të fala mikut të tij, Fatos Nano. “Bëji shumë të fala mikut tim Fatos Nano.
Por t’i bësh të fala patjetër”, mësohet t’i ketë thënë kreu i qeverisë së Romës, Ramës. E si të mos mjaftonin ‘porositë’ e kreut të qeverisë italiane, nuk kanë munguar as batutat e kryeministrit Berisha. Sërish në qendër të batutave ishin Nano dhe pasardhësi i tij në krye të PS-së. Duke iu drejtuar Ramës, Berisha mësohet të jetë shprehur se “Bëji të fala Fatos Nanos, zbatoje porosinë, se ndryshe i bëj të fala vetë”. I papërgatitur nga kërkesat e ‘Kavalierit’, Rama nuk ka reaguar në asnjë moment, duke u munduar të shmangë sa më shumë bisedën rreth ish- kryeministrit Nano. Por jo vetëm batutat rreth Nanos kanë qenë pjesë e kësaj dreke të shtruar nga presidenti Topi. Berluskoni është treguar një kavalier i vërtetë edhe me femrat e pranishme në këtë tryezë. Madje kjo nuk e ka penguar as t’i drejtohet Kryetares së Kuvendit me fjalët “mos jeni gjë beqare?”. Ndërkohë, para drekës, e cila nisi me vonesë për shkak të zgjatjes së konferencës së përbashkët për shtyp mes dy kryeministrave, kreu i qeverisë italiane u prit në pallatin e Brigadave nga presidenti Bamir Topi. Gjatë këtij takimi, kreu i shtetit theksoi se vendi fqinj ka qenë përherë partner kryesor dhe strategjik i Shqipërisë.
“Presidenti Topi shprehu interesimin e shtetit shqiptar për rritjen e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, kryesisht për zgjerimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve në fushën ekonomike, më konkretisht në atë energjetike, në shërbim të zhvillimit të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Presidencës. Nga ana e tij, Kryeministri italian Berluskoni, vuri theksin në ndryshimet e mëdha që vërehen në Shqipëri, përpjekjet e shqiptarëve për një jetë më të mirë, përparimin dhe ndryshimet e jashtëzakonshme të shënuara nga Shqipëria gjatë viteve të fundit, sukseset në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke theksuar se Shqipëria mund të ecë e sigurt dhe me shpejtësi drejt familjes evropiane dhe asaj euroatlantike, duke theksuar se si Kryeministër i Italisë do të jetë avokati kryesor duke mbështetur Shqipërinë në përfshirjen e saj në gjirin e familjes evropiane. Sipas njoftimit, kreu i qeverisë italiane, Berluskoni, e siguroi presidentin Topi se gjatë gjithë procesit të përmbushjes së aspiratave integruese të popullit shqiptar, vendi ynë do të vazhdojë të gëzojë mbështetjen e gjithanshme të Italisë.
Berisha preferon italishten në konferencë
Marrëdhënia më shumë se miqësore mes kryeministrave Berluskoni e Berisha nuk ishte e vështirë të kuptohej edhe gjatë konferencës së përbashkët për shtyp. Kreu i qeverisë italiane iu drejtua gjatë gjithë konferencës në emër, Sali, homologut të tij shqiptar, ndërkohë që ky i fundit zgjodhi të përdorë pikërisht gjuhën italiane, si në takimin mes dy delegacioneve, ashtu edhe në konferencën për shtyp. Megjithëse me një italishte jo dhe aq të rrjedhshme dhe gabime të shumta, Berisha insistoi deri në fund në gjuhën e përdorur, duke vënë në pozitë nga ana tjetër edhe përkthyesen e cila për ironi të fatit, përktheu në shqip edhe fjalën e kryeministrit shqiptar. Fjalimi në italisht i Berishës, sipas Berluskonit, konfirmon edhe njëherë atë që atij i kishin thënë para konferencës për shtyp, se në Shqipëri gati 80 për qind e popullsisë flet dhe kupton italisht.
“Italia, avokate e Shqipërisë në BE”
Kryeministri Silvio Berluskoni garantoi dje se Italia do të përkrahë Shqipërinë pasi ajo të bëjë kërkesën për të marrë statusin e vendit kandidat të Bashkimit Evropian. Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Berisha, homologu i tij italian tha se “Italia do të ketë krenarinë dhe nderin të jetë avokati i parë i Shqipërisë, në momentin që ajo do të vendosë të paraqesë kërkesën për marrjen e statusit të kandidatit për hyrjen e saj në Bashkimin Evropian”. Sipas tij, “Ashtu siç e theksoi dhe miku im Sali, ne jemi miq prej shumë kohësh dhe bëjmë pjesë të dy në komunitetin e demokracisë dhe lirive evropiane, pra, të partive Demokratike Evropiane, ku bashkëpunojmë prej shumë kohësh. Pra, bashkëpunimi ynë vjen prej një kohe shumë të hershme dhe bazohet mbi identitetin e vlerave dhe parimeve dhe karakterizohet nga kontakte të shumta pune midis bashkëpunëtorëve tanë”.
Berluskoni: Sali, hajde në Itali kur të fitosh zgjedhjet
Afro gjashtë muaj para zgjedhjeve të përgjithshme në vend, kryeministri Berluskoni duket se bën ‘orakullin’ kur fton Berishën për një leksion në Itali, pasi të ketë fituar mandatin e dytë. Në përfundim të fjalës së tij në konferencën për shtyp ‘Kavalieri’ iu drejtua homologut të tij me fjalët “Do të përfundoj fjalën time, duke i bërë një ftesë publike kryeministrit Berisha që, pasi të ketë fituar zgjedhjet e ardhshme këtu në Shqipëri, të marrë pjesë në leksionet javore pranë Universitetit të Demokracive dhe Lirisë, që do të hapet në marsin e vitit të ardhshëm, në Itali. Shpreh bindjen se do të jetë një kënaqësi e vërtetë të dëgjojmë leksionin e tij, për të kuptuar më mirë se si një popull mund të kalojë nga diktatura e plotë drejt një demokracie të plotë”. Nga ana e tij, kryeministri Berisha është shprehur se si ai, ashtu edhe Berluskoni e duan përjetësinë, një shenjë kjo e pushtetit të përjetshëm nga ana e tyre. “Të dy e duam përjetësinë dhe ulliri është simbol i paqes dhe përjetësisë”, u shpreh Berisha. Gjatë gjithë konferencës nuk munguan gjestet e kreut të qeverisë italiane apo edhe batutat e tij me ambasadorin italian dhe përfaqësuesit e qeverisë shqiptare.
Firmosen 2.3 miliardë euro për energjinë e gazin
Adi Shkembi
Vizita e kryeministrit Berluskoni në Tiranë zyrtarizoi edhe nënshkrimin e gjashtë marrëveshjeve mes dy vendeve, shuma e të cilave arrin në 2.34 miliardë euro. Por sipas kryeministrit Berisha, niveli i bashkëpunimit mes dy vendeve nuk do të ngelet në këto nivele pasi një sërë marrëveshjesh të tjera, të cilat po përgatiten, kapin vlerën e 3 miliardë eurove.
Berisha
Kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi bashkëpunimin ekonomik me Italinë, duke u ndalur veçanërisht në fushën energjetike. Në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij italian, Berisha tha se “në vizionin tim, Shqipëria duhet të shndërrohet në një superfuqi e vogël energjetike në Ballkan. Ne kemi mbi 20 miliardë kilovat/orë energji për t’u shfrytëzuar, kemi një potencial të jashtëzakonshëm eolik, pra, të energjisë me erë, kemi licencuar prodhimin e më shumë se 1 mijë megavat të energjisë eolike, por ekzistojnë kapacitete për prodhimin e 4 mijë megavat të tjerë në këtë sektor”. Duke u ndaluar në reformat ekonomike, Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria ka ndërmarrë reforma të thella duke u bërë vendi me taksat më të ulëta në Evropë si dhe duke reduktuar burokracinë për hapjen e një biznesi. Nga ana e tij, Kryeministri Berluskoni duke u ndalur pikërisht te burokracitë e hasura tha se “E theksoj se, tek të dy kryeministrat, tek unë edhe zoti Berisha, te qeveria shqiptare, autoritetet shqiptare, gjithmonë do të gjejnë një mundësi për lehtësimin e aktivitetit të tyre dhe thjeshtëzimin e burokracive dhe jo të ndodhë ashtu siç ndodh shpesh – dhe për këtë jemi dëshmitarë, - me firma të ndryshme italiane, kur ato operojnë jashtë shtetit”.
Marrëveshjet
Përfaqësuesit e katër kompanive italiane sigluan dje së bashku me ministrat e kabinetit qeveritar katër marrëveshje në fushën e energjisë elektrike si dhe në infrastrukturë. Marrëveshja me vlerën më të madhe është ajo mes firmës siciliane të ndërtimit “Moncada” dhe qeverisë shqiptare, për ndërtimin e ferme ere në gadishullin e Karaburunit dhe një kabull energjie përmes Adriatikut në Itali. Vlera e këtij ndërtimi është 1.15 miliardë euro. Lidhur me këtë marrëveshje, këshilltarja e kryeministrit për ekonominë, Suzana Guxholli tha dje në një prononcim për TV Klan se “projekti konsiston në një impiant me kapacitet prej 500 megavat, kapacitet i cili është mëse i tepërt për Shqipërinë, prandaj prodhimi është për eksport dhe për në Shqipëri. Faza e parë nuk duhet të shkojë më shumë se 2-3 vjet për të futur kapacitet e para”. Ajo siguroi se energjia e prodhuar nuk ndot ambientin dhe është një energji që paguhet më shtrenjtë. Linjë interkonjeksioni mes dy vendeve është 154 km e gjatë, 130 nga të cilat do ta kalojnë në kanalin e Otrantos. Sipas marrëveshjes, 20 për qind e kapacitetit të energjisë i takon Shqipërisë si dhe 20% e fitimit që realizon kompania nga transmetimi i energjisë. Një tjetër marrëveshje e rëndësishme me vlerë 1 miliard euro është ajo e nënshkruar nga Ministri i Energjisë, Genc Ruli, dhe grupit italian “Falcione Group” për ndërtimin e impiantit të pasurimit të gazit afër Fierit në jug të Shqipërisë dhe një naftësjellës të nëndetshëm në Itali. Gjithashtu gjatë ceremonisë së djeshme u nënshkrua edhe marrëveshja me “Celacem S.p.A” për ndërtimin e një fabrike çimentoje në Balldren, e cila kap vlerën e 160 milionë euro si dhe marrëveshja me “Todini Construzioni Generali SpA” për ndërtimin e rrugës Levan-Damëz, e cila kap vlerën e 33 milionë eurove. Mes ambasadorit italian dhe ministrave Duro e Bode u nënshkruan marrëveshja kuadër për bashkëpunimin dhe zhvillim si dhe marrëveshja dypalëshe në fushën e punës si dhe të protokollit zbatues.
Vota në OKB, Berisha: E diskutojmë më vonë
Shqipëria nuk ka vendosur akoma nëse do të mbështesë Italinë në projektin e saj për reformimin e Organizatës së Kombëtareve të Bashkuara. Këtë e bëri të ditur dje Kryeministri Sali Berisha gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun e tij italian, Silvio Berluskoni. Duke iu përgjigjur interesimit të gazetës “Panorama”, nëse kjo çështje ka qenë pjesë e bisedimeve mes dy delegacioneve, kreu i qeverisë shqiptare tha se ajo do të diskutohet kur të vijë koha. “Kjo çështje nuk u diskutua në këtë takim. Është një çështje që ekziston dhe do ta diskutojmë me çiltërsi, të hapur dhe në bashkëpunim të plotë, kur t’i vijë koha”, u shpreh kryeministri Berisha. Një ditë më parë, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Panorama”, kreu i qeverisë italiane, Silvio Berluskoni kërkoi publikisht votën e Shqipërisë për të mbështetur variantin e Romës, lidhur me reformimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Sipas tij, Italia është kundër rritjes së numrit të anëtarëve të përhershëm në OKB, e cila është edhe në interes të Shqipërisë. “Reforma e Kombeve të Bashkuara nuk është vetëm ajo e Këshillit të Sigurimit, në fakt është një temë qendrore. Italia mbetet kundër rritjes së anëtarëve të përhershëm. Duhet të gjenden zgjidhje të tjera, më demokratike dhe të karakterizuara nga një përfaqësim më i madh i anëtarësimit të grupeve rajonale. Kjo sipas nesh është edhe në interes të Shqipërisë dhe presim që mbi këtë bazë të bashkëpunojmë me Tiranën në Nju Jork”, deklaroi Berluskoni para mbërritjes në Tiranë. Por nga ajo që tha edhe kryeministri Berisha, kjo çështje nuk është prekur në takimin e ditës së djeshme, duke e lënë ende të hapur mbështetjen e Shqipërisë për variantin që do të mbështesë.
Marrëveshjet
Marrëveshje e nënshkruar mes Ministrisë së Ekonomisë, Energjetikës dhe Tregtisë dhe Presidentit të Grupit “Moncada Costruzioni” Salvatore Moncada për realizimin e një impianti eolik në jug dhe jug-lindje të Vlorës dhe e linjës së ndërlidhjes me rrymë të vazhdueshme ndërmjet rrjetit të transmetimit italian dhe atij shqiptar. Marrëveshja ka vlerën 1.15 miliardë euro
Marrëveshje e nënshkruar mes Ministrisë së Ekonomisë, Energjetikës dhe Tregtisë dhe Drejtori Ekzekutiv i Grupit “Falcione” Edmondo Falcione për lejen e ndërtimit për realizimin e një rigazifikatori në zonën e Fierit. Marrëveshja ka vlerën 1 miliard euro.
Marrëveshje e nënshkruar mes Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Drejtori Ekzekutiv i “Colacem” Dr. Colaiacovo për ndërtimin e një fabrike çimentoje në Balldre, me vlerën 160 milionë euro.
Marrëveshje e nënshkruar mes Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Presidenti i “Todini Costruzioni Generali”, Zonja Todini, për ndërtimin e segmentit rrugor Levan-Dames me vlerë 33 milionë euro.
Marrëveshje e nënshkruar mes Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe Ambasadorit italian Saba D’Elia në fushën e Punës si dhe të Protokollit Zbatues.
Marrëveshje e nënshkruar mes Ministrisë së Financave dhe Ambasadorin italian Saba D’Elia për Bashkëpunimin për Zhvillim.
Taçi, takim privat me Berluskonin
Rezart Taçi Presidenti i “Taci Oil International”, u takua dje me Kryeministrin italian Silvio Berluskoni, njëkohësisht dhe President i Ac Milan, gjatë vizitës së tij në Tiranë. Gjatë takimit miqësor, Taçi i ka shprehur mirënjohjen Kryeministrit italian për mbështetjen e tij personale të projektit të rëndësishëm sportiv dhe social, trofeut “Taçi Oil Albania Reads” me pjesëmarrjen e ekipit të Milanit në 14 tetor në Tiranë, që shënoi një moment kulmor dhe të rëndësishëm për sportdashësit shqiptarë. Po ashtu, u vlerësua dhe inkurajimi i projekteve për të rinjtë shqiptarë në fushën e sportit dhe më tej nëpërmjet projektit “Milan Junior Champ”. Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim për të zhvilluar dhe mbështetur më tej projekte që përafrojnë vlera të përbashkëta. Gjithashtu, gjatë takimit, Rezart Taçi falënderoi Kryeministrin Berluskoni për besimin e dhënë kompanisë së tij si përfaqësues zyrtar të AC Milan në Shqipëri.
Panorama











