Prova më e fortë e organit të akuzës, të cilën ia ka dërguar Kuvendit është urdhri 550 i Mediut. Prokuroria thotë se në vijim të aktivitetit të tij në kundërshtim me ligjin dhe në interes të përfitimeve të padrejta të subjekteve private që do të bënin çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve, ish-ministri i Mbrojtjes, Mediu, ka miratuar urdhrin nr. 550 "Për zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave". Hartimi i projekturdhrit është bërë nga stafi i ish-ministrit. Një urdhër tjetër ka dalë nga Mediu, i cili përcakton rregullat për hartimin dhe qarkullimin e akteve administrative. Prokuroria tha se ka bllokuar një memo për dhënie mendimi nga shefi i shtabit në lidhje me repartin e Bërzhitës, ku mendohej se do të kryhej demontimi i municioneve. Ndërkohë, një nga provat kryesore që hedh dritë mbi abuzimet e ish-ministrit Mediu është edhe fakti se gjashtë ditë para se të firmoste urdhrin për zbatimin e vendimit të KM, ndërmarrja MEICO kishte lidhur kontratë me shoqërinë SAC-Albademil, në datën 19 prill 2007, kontratë e cila ka qenë pjesë e praktikës së projekturdhrit të dërguar për t‘u nënshkruar tek ish-ministri.
Kuvendi
Në mbledhjen e fundit të këshillit të imuniteteve, anëtari i këtij këshilli, deputeti i PR-së, Arian madhi, i kërkoi Kryetares së Kuvendit, Topalli, që institucioni i akuzës të paraqiste dokumente shtesë që të analizohen nga këshilli përpara se t‘i kërkojnë ose jo Kuvendit heqjen e imunitetit të deputetit Mediu. Kërkesa u pranua nga Topalli, e cila nëpërmjet një shkrese ia bëri të ditur këtë kryeprokurores Ina Rama. Kjo e fundit brenda një javë i ka vënë Kuvendit në dispozicion të gjithë dosjen që organi i akuzës ka për deputetin Mediu. Dosja ka mbërritur dje në orët e para të paradites dhe është mbajtur mjaft sekret nga drejtuesit e Kuvendit. Askush nuk ka bërë të mundur vënien në dispozicion të gazetarëve të interesuar për një kopje të këtij materiali. Sipas drejtuesve të Kuvendit, kjo ishte e pamundur, pasi me urdhër të kryeprokurores Ina Rama dosja ishte sekret, pasi mbi të po hetojnë prokuroret ndaj ajo nuk mund t‘i jepet për botim medias. Gjithashtu, nga funksionarët e lartë të Kuvendit bëhet e ditur se kryeprokurorja ka shkuar deri aty sa ka kërcënuar funksionarët e Kuvendit duke iu bërë të ditur nëpërmjet një shkrese se kush e nxjerr për botim këtë dosje do të ndiqet penalisht. Me gjithë insistimin e medias, funksionarët e lartë të Kuvendit nuk kanë dashur të rriskojnë për një gjë të tillë ndaj nuk kanë nxjerrë asnjë kopje të kësaj dosjeje, e cila është e përbërë prej rreth 700 faqesh. Mësohet se aktualisht në Kuvend janë vetëm dhjetë kopje të kësaj dosjeje, e cila do t‘u vihet në dispozicion anëtarëve të Këshillit të Rregullores. Kjo dosje do të shqyrtohet prej tyre, por pa komentuar më pas detajet para mediave.
Nga : Gazeta Shqip











