“Paaftësia për të ngritur krye është karakteristikë e shqiptarëve dhe kjo më duket tepër perverse”, - thotë Londo. Për këtë vepër, regjisori ka zgjedhur tre aktore të reja, Valbona Imamin, Loredana Gjeçin dhe Adelina Muçën. “Kam zgjedhur një staf të ri, sepse kjo vepër kërkon një energji të jashtëzakonshme”, - thotë Londo, duke theksuar që në vazhdim do të bashkëpunojë më së shumti me artistë të rinj, por sigurisht pa harruar edhe aktorët me eksperiencë, me të cilët ka vendosur vepra të rëndësishme në skenë. Këtij stafi të ri i takojnë edhe asistent regjisorët Armela Demaj e Ardit Roshi, i cili mbron edhe diplomën me këtë vepër. Për të vijuar me skenografin Mario Malaj, i cili ka ndërtuar një skenografi sa të thjeshtë, aq edhe simbolike. Një dhomë bosh me një objekt të vetëm, një varr i mbuluar me lule. Rreth së cilit shërbëtoret kryejnë ritin-kryengritje kundër zonjës së tyre. Kjo vepër e përkthyer në shqip nga Maklena Nika vjen si një bashkëpunim mes Fakultetit të Artit Skenik, Shoqatës Teatrore “Çajupi”, me mbështetjen e Ambasadës Franceze.
Nuk është hera e parë që “Shërbëtoret” vjen në skenën shqiptare. Në vitin 1995 vepra është inskenuar nga regjisori Arben Kumbaro dhe është interpretuar nga tre aktoret e njohura Pavlina Mani, Luiza Xhuvani e Yllka Mujo. “Shërbëtoret”, Londo e quan një sfidë, pasi vepra, ashtu si gjithë krijimtaria e Genet, është e vështirë dhe provokuese. Jean Genet është një nga shkrimtarët më të diskutuar të kohës së tij, por edhe më pas. Kjo jo thjesht për shkak të veprës, por edhe të jetës së tij, prej homoseksuali dhe endacaku. Gjatë viteve ’30-’40, Genet ka shëtitur gjithë Evropën dhe në vitin ’36 ka qenë edhe në Shqipëri, ku ka ndenjur 3 muaj e është dëbuar me ndërhyrjen e qeverisë franceze. Ka bërë disa herë burg dhe ka shpëtuar nga dënimi me vdekje vetëm falë ndërhyrjes së intelektualëve francezë, mes të cilëve Sartre dhe Cocteau, të cilët i dërguar një peticion qeverisë franceze.
Nga Gazeta Shekulli Shkruan : Alma Mile











