Shabani ne “labirinthet torineze”

Shabani në “labirinthet torineze”
“Karriera artistike në Itali e Artan Shabanit nis në qytetin e Torinos, duke u kthyer kështu në një rrugë që ka parë vetëm progres”, kështu e komenton shtypi italian punën e Shabanit, ndërsa flet për prezantimin e radhës të artistit me 45 punime të teknikave të ndryshme. Gjatë inaugurimit të ekspozitës ishte i pranishëm vetë piktori, si dhe autoritetet vendore të qytetit të Chierit. Hapjen e kësaj ekspozite e përshëndeti kryetari i bashkisë së Chierit, Agostino Gay. “Shabani është autor i një numri të konsiderueshëm ekspozitash dhe një nga protagonistët e artit bashkëkohor shqiptar”, theksohet më tej në faqet e shtypit italian, ndërsa flitet edhe për galerinë që Shabani ka hapur së fundmi në Vlorë, ‘Promenade Gallery’ me artistë nga vende të ndryshme, e vetmja e llojit të vet në jugun e Shqipërisë”.

Duket se Torino të ka sjellë fat. Çfarë raportesh ke me këtë qytet?

Torino më ka dhënë shumë: dashuri, njohje në botën artistike dhe humb raste për të punuar. Do të thosha se është një qytet që ka bërë të mundur zhvillimin tim si njeri dhe si artist në kuptimin më të plotë të fjalës. Kam përshkruar një rrugëtim të gjatë në Itali; kam qenë në Puglia, Liguria, në zonën e Gardas e më pas vendqëndrimi im u bë Torino. Ky qytet u kthye si një urë që më ofroi më pas mundësinë të njoh Francën dhe vende të tjera. Megjithatë, pavarësisht të gjithave, ky rrugëtim nuk më ka bërë kurrsesi të harroj rëndësinë e rrënjëve të mia ballkanike dhe mesdhetare.

Ekziston në pikturën tënde një fill lidhës që është “njeriu i Ballkanit" me referime dhe trajta të qarta dhe mjaft thelbësore të karakterit tënd prej shqiptari. Kërkimi yt mbi temën "homo balcanicus" ka përfunduar apo ende ka aspekte apo dyshime që pret t’i zgjidhësh?

Njeriu i Ballkanit apo siç edhe quhet në latinisht "Homo Balcanicus", brenda vetes përmban një energji të madhe vitale. Nuk rresht asnjëherë duke i kujtuar vetes sime se kush jam dhe nga vij. Jetojmë në një kohë që ka për qëllimi homogjenizimin, por unë për aq sa mundem mundohem të adaptohem. Njeriu i Ballkanit është një studim pikturim, nuk është se në vetvete mbart një moral apo nostalgji.

Ku punon dhe jeton Artan Shabani sot?

Ndahem mes Shqipërisë dhe Italisë; udhëtoj shumë, edhe në vende të tjera. Shqipëria është duke bërë shumë hapa përpara dhe për këtë unë duhet të jem shumë prezent në vendin tim, sepse është duke jetuar momente të mëdha ndryshimesh. Dua të ndaj me miqtë e të afërmit e mi që ndodhen në atdhe gjithçka ndodh atje, sidomos për sa i përket rritjes kulturore të vendit tim.

Le të flasim pak për lidhjet që ke me Torinon dhe artistët e këtij qyteti.

Qytetet janë si njerëzit dhe njerëzit u ngjajnë shumë vendeve nga vijnë. Ndaj edhe qytetet ndryshojnë në bazë të njerëzve që vijnë për të banuar aty. Torino ka evoluar, më duket më e freskët dhe me e rinuar për sa i përket aspektit urban. Me shumë artistë kam marrëdhënie miqësore duke marrë pjesë edhe në aktivitetet e tyre. Torino ka artistë të shkëlqyer që unë personalisht i vlerësoj shumë. Shumë prej veprave të tyre i kam ekspozuar edhe në Shqipëri dhe mund të them se tashmë ata janë të njohur edhe në vendin tim.

Cilat janë lidhjet tuaja me artistët ndërkombëtarë e në mënyrë të veçantë me ata shqiptarë?

Unë jam një piktor i çuditshëm: i studioj shumë punimet e të tjerëve dhe kur diçka më pëlqen, mundohem ta bëj timen. Kam një koleksion personal me vepra të artistëve italianë, por edhe të artistëve nga vende të tjera. Ndërsa në Shqipëri pas 50 vitesh diktaturë, kemi nevojë për personazhe që nëpërmjet artit të na japin frymëmarrje, për të na dhënë një vizion tjetër të të kuptuarit të botës.

Cila është ngjyra juaj e preferuar? Çfarë është arti për Artan Shabanin?

Të gjitha ngjyrat i preferoj në mënyra të ndryshme, në kohë të ndryshme; është e vështirë të identifikosh një ngjyrë në veçanti. Në këtë periudhë jam duke punuar shumë me fotografinë dhe përpunimet e ngjyrave në imazhet e femrave të Ballkanit, një realitet i pasur me sfumatura komplekse. Është një analizë më e thellë dhe më komplekse e punës sime, unë aty shpreh revoltën time nëpërmjet imazheve tronditëse, provokatore, duke refuzuar me forcë falsitetin e botës bashkëkohore. Ja, arti për mua do të thotë gjendja e braktisjes shpirtërore dhe morale që refuzon çdo lloj shtirjeje dhe komunikon drejt e me shpirtin.

Si do ta përkufizoje qytetin tënd të lindjes, rolin e këtij qyteti në kreativitetin tënd artistik?

Vlora është një pikë referimi shumë e rëndësishme, është një vend nga ku mund të vështroj gjithçka me një qetësi më të madhe. Vlora është bukuria gjithë dritë, me perëndimet e zjarrta, me histori dhe kulturë të pasur e me detin që të frymëzon çdo sekondë. Unë jam piktor dhe nëse nuk e gjej dot të bukurën, si mund të pikturoj? Duke jetuar si jashtë, ashtu edhe në vendin tim, kam patur mundësi të njihem me diferencat që ekzistojnë mes kulturave të ndryshme. Por këto nuk më janë bërë asnjëherë pengesë, madje ka qenë një stimul më shumë në rrugën time prej artisti.

Projekte apo aktivitete të ndryshme?

Projektet nuk mungojnë asnjëherë. Aktualisht kam në program ekspozita në Torino, Sirakuza, Montekarlo dhe Paris, ndërsa në Shqipëri jam duke punuar për një koleksion mes artistëve shqiptarë dhe kosovarë, si dhe për një tjetër ekspozitë me artistë të rinj torinezë. Do të më pëlqente të prezantoja me publikun ballkanik artistë si Jenny Saville, Anselm Kiefer, Cindy Sherman, Marco Fantini, Ettore Sottsass, Jonathan Meese, Andres Serrano dhe të tjerë.

Çfarë mendon për artistët e rinj shqiptarë dhe për rrugën që duhet të ndjekin për të arritur suksesin?

Shumë artistë shqiptarë kanë arritur suksesin dhe sot mund t’i shohim nëpër muze, fondacione, teatro e opera nëpër vende të ndryshme të botës. Nga toka jonë kanë lindur shumë artistë, janë eksperiencat e jetuara që formojnë artistin e ardhshëm.

Ç’mund të thuash për burimet artistike të komunitetit shqiptar në botë?

Ka një numër të konsiderueshëm shoqatash kulturore dhe artistësh shqiptarë sot në botë. Çdo artist është një burim kulturor dhe moral. Komunitetet shqiptare janë të shumta dhe janë zhvilluar në mënyrë të shkëlqyer. Ato kanë një rol thelbësor në mbështetjen e identitetit tonë kulturor; le të mendojmë për arbëreshët që prej 600 vjetësh jetojnë në Itali dhe akoma edhe sot ata flasin shqip, duke ruajtur me krenari kostumet, vallet e traditës, a nuk është e jashtëzakonshme?

Cili është roli i artit bashkëkohor në procesin e emancipimit dhe integrimit të komunitetit shqiptar në Itali?

Emancipim dhe integrim... janë terma kontradiktore... nuk mund të përdoren së bashku. Unë mendoj se respekti ndaj të tjerëve dhe integrimi i një emigranti duhet fituar duke punuar shumë. Shqiptarët janë një popull i formuar si individ : unë si artist gjithnjë jam munduar të punoj me ndershmëri.

Marre nga : Gazeta Metropol

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama