Njerëzit ndryshojnë kaq shumë nga gjuhët
po nga qeshja dhe qarja janë të barabartë
njerëzit ndryshojnë shumë nga pasuria
po nga qeshja dhe qarja janë të barabartë.
Ti Njerëzim i barabartë si vrimat në një fyell: i barabartë
gishtërinjtë që luajnë muzikën nuk janë të barabartë.
(Dhe njerëzimi qesh, qesh me veten si palaçoja
me planetin Tokë në hundën prej llastiku
kur thërret me gisht drejt mbretit: armiku, armiku!
Ti qesh bukur dhe qan bukur me lotët që të marrin peng
Oh, lotët në qerpikë janë të barabartë:
familje bilbilash në bredhin e ri.
Megjithatë mos qaj se kështu ajrit i merret fryma
Mos qaj, s’ka gjë pse garderoba është e varfër
dhe një vetëtimë e vetmuar: shkop magjik
resë hirushe i fal veç pak shi. Mos qaj se pastaj shiu
do bëhet i njelmët dhe i rebelohet deti, gjithsesi.
(Dhe njerëzimi qesh, qesh me veten si palaçoja
me planetin Tokë: hundë prej llastiku
kur thërret me gisht drejt mbretit: armiku, armiku!
Vetmia
E veja Vetmi me rrobe të zeza kalon në kujtimet varreza.
E veja Vetmi vetëm ti
Vetmia fle te një lule nën takë kur zgjohet kupton se është flakë.
E veja Vetmi vetëm ti
Ku ishe? Ku ike? Pse s’u ktheve?
Vetmia gjithnjë bën pyetje, përgjigjet i pret në formë ethesh.
Vetmia: druri pa gjethe.
Mbyllur brenda mureve me myk zgjedhon foljen “ik”,
drita i duket armik.
Harrove? Lajthite? Pse? Kush?
Vetmia: lulëkuqe plagos grunajën në gushë.
Për femrën vetmia ka formë mashkulli: bie kur ngrihet.
Vetmia e burrit dremit në gotën e konjakut
Dhe pyetjet deformohen si trupi i një gruaje shtatzënë
Burri i vetmuar dashurohet me merakun
Për mashkullin vetmia si femra: ngrihet duke rënë.
Vetmia: lulëkuqe
plagos
grunajën
në gushë.
Një hekur i vjetër për hekurosje
(Në pazarin e Krujës)
Antikuari e ktheu në anije...
Nëna: fokiste me një mashë
mbush anijen e vockël me prush
dy lugë të argjendta kafeje i bëri flugerë
nga dera e kuzhinës fryu Trëndafili i Erërave
u gufuan velat: shamitë e nënave të emigrantëve
me lotët ngrirë në formë stërkalash. Anija-antikuar
kalon mes ishujve: filxhanë kafeje me harta llumi
plakat rrijnë rrotull: presin kthimin e djemve të vdekur
hekurosin për të njëmijtën herë bluzet e pantallonat e tyre
e nuk shohin si u shtohen rrudhat e fytyrave.
Një e qarë bëhet sirenë, brigjet dridhen
- Kujdes, moj korbë,
në astaret e xhepave
paska mbetur një monedhë!
Një trëndafil i kuq
Një trëndafil i kuq nën dëborë: nuse nën vello
Virgjëria në pragzgjimi përgjon fjalën “thellë”
përgjon fjalën “thellë”.
Trëndafil fustaneartë
me të kuqen ç’shkruan në kartë
e kuqja: gjaku
dëbora: kartë
petalet: zhvirgjërim i artë.
Trëndafili i shtrirë brinjas josh natën të bie në borë
Yje e kristale e petale të shkrihen në parfum ëndërror.
Trëndafil ulur në shkëmb: princeshë në fron dashurie
Pranomë dhe mua të ulem mbi gjemb,
frikë mos kij se do bie, frikë mos kij se do bie.
Trëndafil trëndafil trëndafil: plagosur brinjas në borë
Trëndafil një vetëtimë këputet pak
të bën kurorë
plagosur brinjas në borë. Një trëndafil në borë:
harresë ledhatare në shportë magjistareje
-Trëndafil do vdesë
e duke shkrirë me borën do mbesë pa varre.
Plagosur brinjas në dëborë
u ngre lavdi mëkatareve,
u ngre lavdi mëkatareve.
Lufta e kthimit
Gjithë jetën u mundova ta ktheja 0 në 1.
E prisja lart atje ku lind një diell – monedhë fallco
po 0-ja: diell kallp provohej në dhëmbin zhgënjyes të 1-shit.
E këpusja djathtas në zonën e kërthizës
po zeroja nuk bindej: kromozom në vezën e pangjizur.
Gjysmë djathtas po ta prisja merrte formën djallëzore të 6-s
e nga letargjia para kohe zgjohej një gjarpër.
Gjithë jetën jam marrë me një zero
dhe atëhere kur 1-shi kthehej në penis e 0-ja në vaginë
dhe atëhere kur 0-ja bëhet karusel me miliona të vrarë
për të krijuar (mjerisht) historinë.
Pëpiqesha të prisja 0-n poshtë
po prerja kthehej thjesht në anus:
jashtëqiste pafundësisht 00000... të tjera.
Vonë, shumë vonë,
pasi qesh lodhur me zanatin e përpunimit të 0-s
kuptova se zanati më i mirë do të ishte
lufta e kthimit të 1-shit në 0.
Shqipëri
Gëzim HAJDARI
Si bubullimat e fundit të vjeshtës
mbi arat e korra
po vjen edhe malli për ty
tani je një perëndeshë e lashtë
mbuluar me lulet e fishkura të shegës
lënë pas dore në harresë
larg nga mishi im që djeg
shtigjet që përshkoj për të të arritur
marrin zjarr
detet ku lundroj ndryshken
nuk janë më të hidhura
nuk di të dashuroj më
nuk e gjej derën që të dal nga ditët e mia
kam humbur çelësin që të futem në netët e tua
***
sot kam për të ngrënë
bukë dhë supë patatesh
sallatë të freskët me qepë
dhe pranvera në dritare
sot ndihem i lumtur
kam për të lexuar Halitin dhe Manzin
dhe një gotë verë të kuqe të Piljos
e ç'dua më shumë nga jeta
një studente më shkruan
se ka lexuar poezitë e mia
dhe se i kanë pëlqyer
kam paguar të gjitha faturat dimërore
i telefonova nënës sime
i thashë se do të shkojë mirë gjithçka
ndërsa ambasadori i vendit tim në Romë
më tha se ''Nuk kemi bërë asgjë për Gëzimin''
sot e ndiej veten të lumtur
dhe nuk kam asnjë shkak që të jem i trishtuar.
***
Që kur hyri stina e shirave
s'kam shkruar qoftë dhe një varg
s'kam menduar asgjë
së bashku me ditët gri dhe me fijet e barit
kam vdekur pak edhe unë
eci poshtë e lart nëpër qytet
duke u kënaqur me diellin që përvëlon
i mbështjellë nga një mërzi e lehtë
era që hyn nga dritaret e hapura
përhap nëpër dhomë letrat e mia
i hedh në rrugë
si lajmërime të vjetra vdekjesh
në një qytet me bajame të hidhura
mbase dikush shënon mungesën time
dhe unë s'e di se kujt i përkas.
Petraq RISTO : Gazeta Albania











