SOS! 26 zonat me te rrezikshme

SOS! 26 zonat më të rrezikshme
Ato kanë shtrirje nga veriu në jug dhe përfshijnë disa prej qendrave kryesore. Po sipas ekspertëve, aty ndodhen sasi të mëdha municionesh të magazinuara në depo të ushtrisë. Një e tillë figuron në Dushaj të qytetit të Tropojës në Veri të Shqipërisë. Po në këtë shtrirje gjeografike janë zona të tjetra si Lugu i Keq në Kukës dhe Bushati në Shkodër. Duke zbritur më poshtë ndodhet një tjetër zonë rreziku në Gjegjan të Pukës. Në zonën e Burrelit ekzistojnë tri depo me sasi të mëdha municionesh, konkretisht në Macukull, Mollas dhe Qafë-Shtamë. Në zonën e Nojës në Krujë është një tjetër pikë e evidentuar nga ushtria. Në rrethinat e kryeqytetit figurojnë tri baza: ajo e Shmillit, Qafë-Mollës dhe Ndroqit, jo shumë larg Tiranës. Rrethi i Elbasanit është i përfaqësuar në këtë hartë të rrezikut me bazat e municioneve në Ullishte dhe Mirakë. Në Gramsh ato ndodhen në Bersnik dhe në Bratile. Në zonën e Korçës depo të mëdha municionesh janë vendosur në Lozhan dhe në Voskopojë. E njëjta situatë është edhe në Grizë të Fierit, ndërsa në rrethin e Beratit në Konisbaltë, Mbreshtan dhe Vertop. Skrapari është një prej zonave më të prekura nga prezenca e depove të municioneve plasëse.

Ato janë pozicionuar në Guak, Radesh dhe në Bigas. Dy zona të tjera janë përqendruar në Mezhgoran dhe në Dhëmblan të Tepelenës. Dy ditë më parë, Kryeministri Sali Berisha deklaroi publikisht se një prej problemeve më të mëdha me të cilat përballet vendi është municioni. Sipas tij, në Shqipëri ka mbi 100 mijë tonë municione të vendosura në pika të ndryshme. "Unë, bashkë me Ministrinë e Mbrojtjes katër muaj më parë patëm bisedime me një kompani jashtëzakonisht kompetente", tha Berisha. Ndërsa shtoi se kjo kompani, problemin më shqetësues ngre atë të municionit, i cili për fatin tonë është i shtrirë në dhjetëra depo në të gjithë vendin. "Përbën një problem të madh. Një nga ato është zbërthimi, djegia e tyre", theksoi Berisha. Sipas të cilit tani qeveria duhet të marrë vendimet, por ndonëse zbërthimi i tyre është një praktikë e zakonshme, me këto që ndodhën "do përpiqemi të gjejmë një mënyrë tjetër". Duke sqaruar përtej kësaj, se edhe transporti i këtyre municioneve nuk është i sigurt. "Ne morëm materialin, do ta shqyrtonim dhe do të caktonim rrugët më pak të rrezikshme, se të parrezikshme nuk ka me këtë 100 mijë tonë, që po u transportuan duhet të bëhen me kamionë", argumentoi Kryeministri. Në vlerësimin e Berishës, ky përbën një problem, të cilin pala shqiptare do e konsultojë me miqtë dhe aleatët. Sipas të dhënave të ekspertëve, operacionet për asgjësimin e municioneve janë kryer në vazhdimësi nga ushtarakë shqiptarë. E veçanta ka të bëjë me efikasitetin e punës, profesionalizmin e efektivëve dhe rregullat strikte që janë përdorur në këto situata. Ushtria shqiptare ka kryer çminimin e shumë zonave në kufirin me Kosovën. Territor i minuar me kujdes prej forcave ushtarake serbe në kohën e konfliktit me NATO-n dhe UÇK-në. Një tjetër aksion që pala shqiptare, në koordinim me ekspertë të huaj ka realizuar me qëllim çminimin dhe asgjësimin e municioneve ishte në shumë zona të Shqipërisë së mesme dhe të jugut. Kryesisht ato ishin mbetje të trazirave të vitit 1997, nga shpërthimi i depove dhe armatimi i popullatës. Asgjësimi i municioneve në 26 zonat e rrezikut përbën një sfidë të radhës të ushtrisë shqiptare, me qëllim garantimin e sigurisë së shtetasve të saj në të gjithë territorin e vendit.

Voskopojë, 1000 tonë municione

7 depo ndodhen 2 kilometra larg nga banesat. Dyshohet për një depo tritoli

Paniku i shpërthimeve në Gërdec ka përfshirë edhe fshatin turistik të Voskopojës. Atje ndodhen të paktën 7 depo jo më larg se 2 kilometra në vijë tokësore me qendrën e banuar. Forcat e ushtrisë sqarojnë se në një repart që ndodhet në afërsi të depove, sasitë më të mëdha të municioneve dhe kryesisht predhave janë shkatërruar dhe asgjësuar gjatë operacioneve të viteve të fundit. Megjithatë, në depot ekzistuese konfirmohet se ka një sasi prej 1000 tonësh municione. Kryetari i Komunës së Voskopojës, Nexhip Bacelli, tregon se njëra nga depot është e mbushur me lëndë eksplozive. Sipas tij, në rast se ndodh një shpërthim, pasojat për fshatin do të jenë katastrofike, për shkak të afërsisë që kanë depot në vijë ajrore nga banesat e fshatit. Mësohet se municionet janë vendosur në të paktën 12 depo, fillimisht dhjetë vjet më parë, ku u sollën të transportuara nga ushtria me reparte të shumta që u mbyllën në zonën juglindore. Në vitin 2002 nisi edhe operacioni nga ana e forcave xheniere dhe specialistëve për shkatërrimin e predhave. Për këtë u caktua një fushë në një largësi prej 20 kilometrash nga fshati, por tragjedia e fundit ka sjellë në kujtesën e banorëve faktin se edhe ata jetojnë në një perimetër të afërt me depo të rrezikshme. Fari Hoxha, një nga banorët e këtij fshati, thotë se mjafton vetëm një nga depot të shpërthejë dhe kjo do të rrezikojë jetën e banorëve, edhe pse pjesa më e madhe e municioneve që janë grumbulluar në fshat janë shkatërruar tashmë. "Në rast se do të ketë një shpërthim, ky do të jetë jo vetëm i fortë, por edhe me pasoja. Sigurinë më shumë na e shton fakti se këto depo janë në ruajtje nga ushtria, edhe pse kanë sasi të mëdha municionesh", pohon ai. Duke konstatuar se kur janë bërë shpërthime për shkatërrimin e predhave, në fshat ndiheshin tronditje dhe zhurma, edhe pse këto bëheshin larg nga ushtria që i çonte në fushë me dy kamionë të mëdhenj.

Burimet nga reparti ushtarak thonë se në këto depo kanë ardhur shpesh ekspertë vendas dhe të huaj, të cilët kanë bërë edhe vlerësimin e rrezikshmërisë, ndërsa predhat që ishin më të rrezikshme janë transportuar dhe shkatërruar. Ndonëse konfirmohet sasia prej 1000 tonësh, nuk është deklaruar zyrtarisht në rast se njëra nga depot është e mbushur me lëndë eksplozive. "Njëra nga depot, me sa jemi vënë në dijeni nga ushtria, ka lëndë eksplozive, tritol. Kjo do të thotë se edhe zona jonë është e rrezikuar, për sa kohë që jemi në një distancë prej 2 kilometrash", vlerëson kryetari i komunës, Nexhip Bacelli. Ndërsa tregon për shpërthimet që kanë ndodhur në vite nga ana e ekspertëve për asgjësimin e predhave, ai përmend edhe faktin se nga shkatërrimi i tyre në distancë kishte pasoja, zhurma dhe tronditje deri në fshat. Banorët e Voskopojës kujtojnë se në datën 18 nëntor 2006, fshati u trondit nga një aksident. Një nënoficer gjeti vdekjen nga shpërthimi i një predhe të kalibrit 75 milimetra në zonën e Voskopojës, gjatë operacionit të ushtrisë për shkatërrimin e predhave të depozituara në depot e repartit. Sadik Basha, rreth 36 vjeç nga qyteti i Kukësit, humbi jetën kur një nga predhat e futura në gropën e hapur në poligonin e caktuar për asgjësim ka shpërthyer papritur, teksa nënoficeri kishte shkuar për të kontrolluar dhe verifikuar plasjen pas shpërthimit në distancë. Basha ishte pjesë e repartit special të asgjësimit të predhave, minave dhe municioneve të tjera, të cilat grumbulloheshin nga depot dhe magazinat e reparteve ushtarake të Qarkut të Korçës. Juliana Dhimitri

Precedenti

Banorët e Voskopojës kujtojnë se në datën 18 nëntor 2006, fshati u trondit nga një aksident. Një nënoficer gjeti vdekjen nga shpërthimi i një predhe të kalibrit 75 milimetra në zonën e Voskopojës, gjatë operacionit të ushtrisë për shkatërrimin e predhave

Fier

Reparti ndodhet vetëm 200 metra nga qendra e banuar në këtë zonë

Banorët e Grizës fillojnë të braktisin banesat

Gërdeci bazën e parë me municione e ka siguruar pikërisht nga Reparti 403/2, që ndodhet në afërsi të qytetit të Patosit, në fshatin Grizë. Reparti ndodhet 7 kilometra larg nga qendra e Fierit dhe në vijë ajrore vetëm 3 kilometra. Distanca ajrore bëhet me e afërt për banorët e qytetit të naftëtarëve të Patosit, ndërkohë që nga fshati Grizë reparti largon vetëm me 200 metra. Ajo që paraqet alarm pikërisht për këtë repart që varet nga baza ushtarake e Beratit, ka të bëjë me faktin se dy vitet e fundit, ai po shërben si magazinë për të gjitha municionet që vijnë nga reparte të tjerë, nga i gjithë jugu i vendit. Janë 9 kapanone magazina, me dyer dhe me dritare pothuajse të shkatërruara dhe jo fort të sigurta. Gjatësia e një kapanoni është 30 metra, lartësia 7 metra, ndërkohë që gjerësia nuk i kalon të 12 metrat. Ato janë të tejmbushura me municione të rrezikshme dhe fuqi shpërthyese të madhe. 24 orë pa ndërprerje shërben një togë ushtarake e përbërë nga 11 rekrutë, me në krye një komandant godine dhe një oficer roje. Oficeri roje, Fejzo Meçaj, shprehet për "Shqip" se ka një rrezik fatal me përmasa të mëdha në rast shpërthimi. "Nuk bëhet fjalë vetëm për qytetet pranë, por për një valë më të madhe. Masat e sigurisë nuk varen nga ne si drejtues reparti", thotë ai. Ndërsa shton se municionet qëndrojnë të drynosura në magazinat me dy kyçe.

Një prej magaziniereve është ajo që ka një evidencë të saktë të sasisë së municioneve dhe deklaroi se ka me mijëra tonelata. "Ato janë të vendosura mbi sipërfaqe dhe nuk ka asnjë tunel apo vend të thelluar nën tokë ku duhet të ishin vënë", sqaroi oficeri roje. Sakaq, banorët e fshatit Grizë kanë filluar braktisjen e shtëpive. Dëshmi rrëqethëse ka dhënë një prej banorëve, i cili ka shërbyer si roje për tre vjet pranë këtij reparti. "Menjëherë pas shpërthimit të djeshëm ne kemi lënë banesat tona dhe u jemi drejtuar të afërmve. Kemi frikë. Gjatë vitit 1997 të gjithë si banorë kemi rrethuar repartin dhe e kemi ruajtur", thotë Rauf Ruzhdia, banor i zonës. Fshati ka nisur të braktiset nga afro 30% e banorëve, ndërsa alarmi i shpërthimit apo ndonjë përsëritje si tragjedia e Gërdecit ka sjellë shqetësim. "Unë jetoj në Patos, që është 1 kilometër larg repartit. Kam prindërit këtu në Grizë dhe nga frika kam ardhur që t‘i marr. Unë e di rrezikun që kanoset, se kam punuar për disa kohë në këtë repart", thotë Flamur Nukaj. M.Troka

Rreziku në zonën e Topojës

Banorët protestuan kundër municioneve

Kanë qenë banorët e fshatrave të Komunës Topojë në rrethin e Fierit ata që janë ngritur të parët dhe të vetmit në vend për të protestuar kundër demolimit të municioneve ushtarake luftarake në terren. Në muajin nëntor të vitit 2006, protestuesit e tre fshatrave të komunës gjatë protestës së tyre kanë marrë peng për disa orë edhe automjetet e ushtrisë, të cilat binin pranë bregdetit të Semanit, shumë pranë banesave të tyre, sasi me municione ushtarake, me qëllim çaktivizimin e tyre. Dëmet e shpërthimeve të fundvitit 2006 kanë qenë të konsiderueshme. Banorët tregonin se "çdo mbrëmje dëgjohen shpërthime të fuqishme. Por, në fund të muajit nëntor të vitit 2006 shpërthimet kishin filluar të zhvilloheshin ditë e natë". Vendi ku kryhej shpërthimi i predhave me anën e minimit ishte shumë pranë një ish-reparti ushtarak, i cili ishte shkrirë. Pas protestave u ngrit një komision i posaçëm për të përballuar situatën e dëmtimeve dhe për të vlerësuar ekzaktësisht dëmet. Në atë kohë nisën hetimet lidhur mbi origjinën e predhave, ndërsa asnjëherë nuk u shënua përfundimi i tyre. 2 muaj më parë, rreth 30 predha ofensive u gjetën pranë zonës në fjalë. M. Troka

Marre nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama