Si i re në sy Woody Allenit?
Në të vërtetë është merita e drejtorit artistik të Teatrit të Operës së Los Anxhelosit, Placido Domingo, që më dha mundësinë për të marrë pjesë në këtë projekt kaq të madh. Është hera e parë që Allen merr përsipër regjinë e një opere komike si "Gianni Schicchi". Ky projekt ka më shume se dy vjet që është ideuar. Bëra audicionin për Domingon një vit më parë në Vjenë dhe më vonë dërguam fotografi e video të shfaqjeve. Kështu Allen, të kishte një ide më të qartë të artistëve. Ai kërkonte artistë të rinj me eksperiencë e nivel, sigurisht operistik, por që t'i përshtateshin sado pak skemave të kinematografisë e teatrit. Përgjegjësia sidoqoftë është e drejtorit artistik Domingo, të gjejë kastin e duhur. Për mua është kënaqesi e madhe të jem një nga protagonistët e një ngjarjeje të tillë. Mendoj se kur një gjeni si Woody Allen merr përsipër një aventurë të tillë, është vetëm për të shpresuar për mirë.
Çfarë përshtypje ke për të?
E njoh si aktor dhe regjisor në radhë të parë. Është hera e parë që bota e kinematografisë hollivudiane po bashkohet me operën. Ndërsa për mua nuk është hera e parë që përballem me një regjisor teatri apo kinematografie (si psh Richard Johnes e Carsten) dhe sigurisht mënyra e të punuarit me ta është krejt e ndryshme nga ajo e zakonshmja. Kinematografia apo teatri kanë ritme të tjera pune nga ne të operës dhe në fillim kjo përbën vështirësi. Nga eksperiencat që kam pasur, rezultati ka qenë shumë i mirë. Pra jam vërtet kurioz se çdo të prodhojmë këto tre muajt e verës.
Sa e njeh veprën e Allenit, ke ndonjë film të preferuar?
Nuk ka njeri të mos ketë parë një film të Woody Allenit. Një nga filmat që më pëlqen më shumë është "Io e Annie"
Na trego pak për rolin që je zgjedhur…
E kam debutuar me sukses në Royal Opera Covent Garden në Londër. Nuk përbën ndonjë vështirësi vokale apo perceptimi karakteri. Kështu që do të përqëndrohem në aspektin skenik dhe për të marrë sa më shumë nga kjo eksperiencë.
Ku ndryshon me të rinjtë e tjerë të dashuruar që të duhet të interpretosh vazhdimisht?
Hmm… Varet nga vepra. Rinuço është një djalosh i ri adoleshent. Është në përjetimet e dashurisë së parë me Lauretën, të bijën e Skikit. Po të dashuruarit janë të gjithë njëlloj... Në këtë operë roli është shumë më i thjeshtë se sa të dashuruarit e tjerë, si Alfredo, Duka, Werter, Nemorino, që unë kam interpretuar. Për ta bërë më të kuptueshme do ta krahasoja për nga historia me komedinë shqiptare "Pallati 176". I përshtatet në 70% të saj. Rinço dhe Laureta, dy personazhet e operës sonë komike, janë Fredi dhe Elsa në "Pallatin 176".
Po partnerët që luajnë me ty i njeh? Si të duken?
Sir Thomas Allen është protagonisti kryesor dhe Laura Tatulescu, është partnerja ime. Thomas Allen është një nga figurat botërore operistike. Unë e njoh prej vitesh. Në vitin 2004, debutuam së bashku në operën "Cosi fan'tutte" të Moxartit në Salzburg. E gjithashtu kam kënduar me të në Vjenë, Mynih. Me të vërtetë një nga baritonët më të mëdhenj botërorë e me një karrierë 35- vjeçare në të gjitha teatrot kryesorë. Ndërsa me Tatulescun kam këndur dhe këndojmë shpesh së bashku në Vjenë, Londër e Berlin. Do jemi nën drejtimin nga i madhi James Conlon, drejtor i orkestrës së Teatrit të Los Anxhelosit. Me modesti e them që nga ky kombinim, kur operën e ka shkruar Giacomo Puçini, regjia është e Woody Allenit, ku interpreton një kast i tillë këngëtarësh, mund të pritet vetëm sukses.
Keni filluar nga puna?
Ende jo. Fillojmë më 18 korrik. Ndërsa premiera pritet më 6 shtator e do të shfaqet në Teatrin e Los Anxhelosit gjatë gjithë muajit shtator.
Çfarë pret nga ky bashkepunim?
Nuk pres të bëhem aktor tani që do të punoj me Allen, dhe nuk do ta dëshiroja. Unë kam zanatin tim të cilin gjithnjë e më tepër kuptoj që e dua vërtetë shumë. Nuk do ta ndërroja kurrë me ndonjë formë tjetër arti. Por sigurisht mundësitë që mund të ofrojë një bashkëpunim i tillë janë të shumta. Për të qenë realist kjo i shërben emrit tim, por në të njëjtën kohë rrit vlerën e këngëtarëve lirikë, të cilët mund të bëjnë edhe më shumë se kaq. Mund të bëjnë dhe aktorin. Kjo do të jetë një arritje e madhe. Pastaj sigurisht nga suksesi do të varet vijueshmëria. Nëse do të ketë të tjera kontrata apo projekte të rëndësishme për karrierën time. Tani nuk mendoj për këtë. Këtë vit kemi projekte të tjera të mëdha, mes të cilave dhe debutimi im i parë në Idomeneo, në Grac të Austrisë më 1 qeshor.
Alma Mile : Gazeta Shekulli











