Prodhimet kinematografike të shek. XX, i përkasin kinemasë franceze, italiane, amerikane dhe asaj ruse. "Qëllimi kryesor është evidentimi i vlerave më të mira kinematografike të filmave prodhime perëndimore, të cilat në kohën e regjimit komunist ishin një oaz i mirë shpirtëror, një dritare nga ku spektatori shqiptar shikonte botën e ëndërruar. Njëherësh janë përzgjedhur filma që kanë karakter edukues, informues, vlera artistike dhe historike",- thonë specialistë të Arkivit Qendror Shtetëror të filmit të cilët kanë hartuar programin e filmave.
Në ditën e Filmit Francez shfaqen "Babeta shkon në luftë" (Babette s'en va a la guerre), 1959, i regjisorit Christian Jaque, me aktorët Brigitte Bardot, Jacque Charrier, Ronald Howard. Pasditen e 10 marsit vijon "Një mungesë aq e gjatë" (Une aussi langue absence), 1960, me regji të Robert Porte, me aktorë Alida Vallin, Georges Wilson, Amede Paul Faivre. Ndërmjet tyre shfaqet një dokumentar turistik "Metamorfoza e një qyteti" për Pogradecin në vite.
Më 11 mars, në Ditën e Filmit Italian shfaqet paradite "Ditë dashurie" (Giorni d'amore), 1954, me të Guiseppe de Santis, me aktorët Marcello Mastroiani, Marina Vlady, Angelina Longobardi. Pasditja vazhdon me dokumentarin "Nositi" i vitit 1989 kushtuar figurës legjendare të një poeti i lidhur ngushtë me qytetin e lindjes, Lasgush Poradecit, i realizuar nga Edmond Topi. Në mbrëmje, jo vetëm nostalgjikët po të gjithë ata që s'kanë shansin ta gjejnë këtë kinema në kanalet televizive të profilizuara për këtë punë, të ndjekin filmin "Më fal" (Perdonami), 1952, të regjisorit Carlo Costa ku ka për t'u shfaqur portreti i paharruar i një aktori si Raf Vallone.
Në ditën e filmit amerikan nuk ka si të mungojë Elia Kazan të famshmin "Rroftë Zapata" (Viva Zapata), 1952, ku interpretojnë ikona të kinemasë botërore, Marlon Brandon dhe Anthony Quinn. Pasditja i është rezervuar "Perëndive me kokë poshtë", 1980, film i Jamie Uys me aktorët Marius Wers, Sandra Prinslee.
Dita e filmit rus përmban "Zonja me kone", 1959, me regji të Josif Krefits, me aktorët Aleks Batallov, Iva Savvina. Në mbrëmje shfaqet "Ballada e ushtarit" 1959, me regji të G. Cuhraj, me aktorët Vollodia Ivashev, Zhana Prohorenko.
"Nostalgjia e filmit të huaj" shërbehet falas dhe për një publik të gjerë. Programi i AQSHF ka për qëllim të përfshijë edhe të rinj, "nxënës shkollash, të cilët do të përfitojnë nga ato krijime kryevepra të kinemasë botërore që i kanë rezistuar kohës."
E. D. : Gazeta Shekulli











