Miles Davis udheheqesi i revolucionit te xhazit
- Botuar: 19 vite më parë
- Shkruar nga:
Davis konsiderohet si udhëheqës i revolucionit në muzikën xhaz, gjithashtu ai ndihmoi në zhvillimin e disa rrymave të kësaj muzike si bibop dhe xhazi i qetë. Muzikanti legjendar u nda nga jeta në vitin 1991. Por muzika e tij është sërish në fokus, falë teknologjisë së re që bën të mundur që interpretimet e Davis-it të shoqërohen nga disa prej yjeve të sotëm të muzikës.
Një prej regjistrimeve të fundit është edhe kitaristi legjendar Carlos Santana, i cili interpreton solo në një regjistrim të mëparshëm të vitit 1969 nga Davis. Djali i Davis-it, Erin, beson se albumi i fundit me muzikën e babait do të tregojë evolucionin e muzikës së tij në vite. “Muzika që ai ka krijuar vite më parë ka ndryshuar kaq shumë. Mendoj se qëllimi i këtij albumi është që të tregojë ecurinë nga “Freedy the Freeloader” deri te “Black Satin”. Erin Davis thotë se babai i tij ishte i interesuar për muzikën hip-hop përpara se të vdiste.
Kjo lidhje gjendet dhe në albumin e fundit, në një regjistrim të artistit të muzikës rap Nas dhe muzikantit blues Olu Dara. Erin Davis thotë se do të realizohen dhe më shumë duete në të ardhmen, por projekti për këtë album do të kufizohet në një numër të vogël artistësh. Erin Davis thotë: “Mendoj se do të ketë incizime të tjera në të ardhmen, të cilat ne do të përpiqemi t’i realizojmë në nivelet më të larta të mundshme që ne synojmë”. Por deri atëherë, kjo CD është ajo që do të paraqesë muzikën e Miles Davis-it te brezi i ri i dëgjuesve.
(VOA)