Ne Zagreb me usta Laverin

Në Zagreb me usta Laverin
“Këngët e qytetit të trëndafilave” i regjisores kosovare Kaltrina Krasniqi është projekti kosovar filmik, që konkurron në kategorinë speciale të Festivalit të Filmit Dokumentar, “ZagrebDox”, që po mbahet momentalisht në Kroaci. “ZagrebDox Pro” është një kategori tradicionale e këtij festivali, në të cilin këtë vit do të marrin pjesë regjisorë dhe producentë filmikë, të cilët gjatë punës së tyre intensive do të mundohen të gjejnë një partner për bashkëproduksion. Më pas, vetëm 12 projekte dokumentare do të mund të aplikojnë për të gjetur mbështetje për projektin e tyre dokumentar, të zhvilluar si ide, duke pasur kështu vetëm 7 minuta prezantim dhe argumentim në favor të projektit.

Në anën tjetër, paneli që përbëhet nga redaktorët e televizioneve të ndryshme rajonale e ndërkombëtare, përgjatë 8 minutave do të bëjnë pyetje në lidhje me projektin. Kështu Krasniqi do të paraqesë pranë këtij komisioni projektidenë e saj për realizimin e një dokumentari për mjeshtrin përmetar, të kthyer në legjendë për mënyrën e interpretimit në gërrnetë. “ZagrebDox Pro”, ashtu si i gjithë festivali “Zagreb Dox”, është themeluar nga produksioni më i madh dokumentar në Kroaci, “Factum”, që është njëkohësisht edhe organizata joqeveritare më unike në rajon. Që nga themelimi, “Factum” ka prodhuar 50 dokumentarë, të cilët kanë rezultuar të suksesshëm në gati të gjitha festivalet ku kanë marrë pjesë.

Të gjithë filmat e prodhuar nga “Factum”, merren me të drejta të njeriut dhe jetën sociale. Ndërsa një mbështetje e mundshme e këtij projekti, për kosovaren Kaltrina Krasniqi do të mundësonte zhvillimin e mëtejshëm të filmit, që veç të tjerash tregon për zhanrin e veçantë muzikor, kabanë, një muzikë e vjetër tradicionale, që buron prej kohëve, e përsosur prej usta Laver Bariut. Jo vetëm mjeshtri instrumentist, por edhe kabaja si pjesë e isopolifonisë shqiptare, e përfshirë në listën e Trashëgimisë Botërore nën mbrojtjen e UNESCO-s, janë pika të forta të dokumentarit të Krasniqit. Një mundësi më shumë për të gjetur mbështetës. Vetëm pak ditë në Tiranë u prezantua një libër studimor kushtuar usta Laverit nga studjuesi Vasil Tole. Po kështu Donika Mustafaj e kishte përzgjedhur Bariun, si një nga personazhet e dokumentarit të saj “Magjia e klarinetës”.
Në po këtë festival, konkurron një tjetër film kosovar, por këtë herë në seksionin rajonal. Bëhet fjalë për filmin “Martesat dhe Pelenat” me regji të Antoneta Kastratit.

Alma Mile : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama