Tirana romake

Tirana romake

Ky është një informacion jo i ri nga specialistët që po hidhnin hipoteza të reja sidomos pas zbulimeve në vitet 2001-2002 të një kulle katërkëndore. Sot, përveç mureve të kalasë, që kanë një trashësi prej 2.90 m, dolën në dritë edhe të tjera ndërtime. "Fakti interesant është që në pjesën ku mbaron muri rrethues (8 m larg) del një kullë e rrumbullaktë mbi një kullë katërkëndëshe e cila sipas teknikës mund të ketë dy faza ndërtimi. Gjithmonë flasim për periudhat paramesjetare, pasi nuk shohim aty teknikën e mesjetës së vonë, kur herë- herë shohim copa tjegullash brenda gurit, guri është i rrumbullaktë. Ndërtimet e mesjetës janë me mure më të ngushta, kurse ky është mur shumë i gjerë", - thotë specialisti i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Sulejman Dashi.
 
Përkundër pretendimeve të specialistëve të tjerë që mendojnë se këto ndërtime datojnë në shek. XVIII, ato na çojnë në periudhën e antikitetit të vonë, ose në mesjetën e hershme, pra në periudhën romake, ku është karakteristike teknika e ndërtimit me blloqe të mëdhenj gurësh. Sipas tij, teknika e themeleve të kullës, parë nga specialistët nga mënyra precize e lidhjes së gurëve, nuk është një ndërtim i thjeshtë i një periudhe feudale, "pasi një ndërtim i tillë kërkon shpenzime të mëdha dhe seriozitet në punë, gjë që e gjejmë në periudhën romake, kur ndërtesat ngriheshin nga skllevërit". Sulejman Dashi e quan këtë zbulim shumë të rëndësishëm për historinë e Tiranës dhe është e udhës që muret e zbuluara të jenë të ekspozueshme, bri rrugës që do të ndërtohet aty dhe që detyrimisht do të zhvendoset minimalisht 4 metra nga gjurma fillestare. Sipas tij, kalimi aty pranë i rrugës nuk përbën ndonjë problem për monumentin, boll që ai të mos humbasë nën kalldrëmin e rrugës. Dashi nuk e quan rastësi ekzistencën e një kalaje të tillë në Tiranë, e cila gjithnjë ka qenë një nyje, ku ndërpriteshin rrugë tregtare e ushtarake që vinin nga jugu e veriu dhe rrethohej edhe nga një numër i madh kalash të tjera si ajo e Ndroqit, Ishmit, Lalzit, Tujanit, etj. Ishte pikërisht kjo vendosje gjeografike (fusha pjellore e mbrojtur mirë nga malet) që e bëri Tiranën kaza, një qytet me bashki e gjykatë, shpallur nga Sulejman Pasha, guvernator i Ohrit. (Në vitin 1614 ai ndërtoi një kompleks social kulturor, që njihet si "Xhamia e vjetër", me një banjë çift, një medrese, një han, një shkollë). Ishte po kjo po arsye që e bëri shumë më vonë Tiranën edhe kryeqytet.

 
Marre nga : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama