“Te shpetojme kalane e Tiranes”

“Të shpëtojmë kalanë e Tiranës”

Prania e dherave të shumtë e bën të vështirë orientimin e një syri të pastërvitur. Por disa fragmente të murit janë lehtësisht të dallueshme. Specialistët e dinë të saktë shtrirjen e tyre. Nga punimet e deritanishme ka dalë në pah ekzistenca e tre kullave përbërëse të kalasë. Gjurmët e njërës prej tyre gjenden përballë monumentit të Fan Nolit, tjetra përballë hyrjes së kalasë dhe kulla e tretë mendohet të jetë në fundin e murit që kthen te kinema “Millenium 2”.

Specialistët e IMK-së bëjnë thirrje për ruajtjen e kësaj vlere historike. Sipas tyre, kjo kala mund të jetë e periudhës romake dhe ndoshta është gjurma më e hershme e qendrës historike të Tiranës. Ajo ka qenë një stacion rrugor përgjatë rrugës Egnatia. Gjatë këtyre viteve ekzistenca e saj është zhvlerësuar, edhe pse janë bërë përpjekje që ato të jenë të ekspozueshme për publikun. Për të parandaluar shkatërrimin e pakthyeshëm të këtij monumenti, Instituti i Monumenteve të Kulturës i ka bërë kërkesë Bashkisë për ndërprerjen e punimeve. Aktualisht, firma i ka lënë të hapura kanalet pranë murit të kalasë dhe nuk po bëhen veprime të tjera.

Punëtorët janë zhvendosur në anën tjetër të rrugës për të bërë shtrirë tubat hidraulike dhe të elektricitetit. Edhe burime nga Bashkia e konfirmojnë këtë. Sipas tyre, është ngritur një grup pune i përbashkët për të vlerësuar këtë rast. Ende nuk është arritur në një zgjidhje. Por specialistët e monumenteve janë të qartë në atë që kërkojnë. Themelet e kësaj kalaje duhet të ruhen të paprekura. Madje, të jenë të ekspozueshme për publikun e gjerë. Kjo çon detyrimisht në spostimin e rrugës apo në ndonjë zgjidhje tjetër që të mos prekë rrënojat. Dhe duket se ngërçi është pikërisht këtu. Por betonimi i themeleve të kësaj kalaje do të çonte në mënyrë të pashmangshme “varrosjen” e memories historike që Tirana po e humbet dita–ditës. Pranë kalasë vazhdojnë të qëndrojnë dëshmi të mëvonshme si sarajet e Toptanasve, më tej xhamia e Et’hem Beut, Kulla e Sahatit, por shumë pak ka mbetur nga Pazari i Vjetër dhe banesat e hershme tiranase pothuajse po zhduken. Disa nga neglizhenca e shtetit, të tjera nga papërgjegjësia qytetare, por një gjë është e sigurt: nëse ato humbasin nuk kthehen më kurrë.

Themelet
Fragmente të tëra të murit të themelit të kalasë kanë dalë këto ditë në dritë. Gjatësia e tyre shtrihet nga fillimi i kinemasë “Millenium” deri te monumenti i Fan Nolit, në krah të Akademisë së Shkencave. Pjesët e dala në sipërfaqe janë vetëm një pjesë e vogël e mureve që shkojnë në thellësi. Zbulimi i tyre do të bëhej vetëm nga një punë e organizuar e specialistëve të IMK-së, për të shmangur dëmtimin e rrënojave. Por ky do të jetë hapi tjetër, pasi të arrihet marrëveshja me Bashkinë e Tiranës për të shmangur punimet e rrugës në këtë segment. “Ajo është qendra historike e Tiranës dhe Bashkia në këtë rast duhet të jetë largpamëse për vlerat e këtyre themeleve të kalasë. Ajo është unikale në llojin e vet dhe shkon përtej dimensioneve të Tiranës si kryeqytet. Duke datuar shumë herët, prej aty mund të fillojë ringritja e memories historike të Tiranës”, - thekson Lorenc Bejko, drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës. Sipas tij, ky është një rast që duhet vlerësuar seriozisht për të mos rrezikuar monumentin.

Genc Samini, shef i sektorit të qendrës historike dhe banesave në IMK, shprehet se është e domosdoshme që niveli i rrugës të ulet pak metra, në mënyrë që themelet e kalasë të jenë të dukshme për qytetarët. Samini e ka të qartë hartën e shtrirjes së këtyre themeleve dhe thellësinë e tyre. Ai ka kryer edhe më parë punime në këtë zonë. Fragmentet e themeleve që kanë dalë tani, janë zbuluar më parë gjatë gërmimeve të bëra në shkurt të vitit 2002. “Gjatë vitit 2002 ne kemi bërë gërmime në rrugën pranë kalasë së Tiranës dhe kemi zbuluar themele të mureve të saj që shkojnë në thellësinë mbi 3 metra. Që atëherë u kërkua nga Bashkia që rruga të mos kalonte sipër tyre, por të ndërtohej një urë që do t’i linte të paprekura dhe të dukshme për qytetarët. Më tej u hodh asfalt që u quajt provizor. Që nga ajo kohë deri më tani nuk është bërë asnjë punim në këtë zonë”, - shprehet Samini. Rezultatet e atëhershme janë të dokumentuara me fotografi në Institutin e Monumenteve. Projekti për rifillimin e gërmimeve është hartuar sërish dhe pritet vetëm një vendim i instancave të larta. Por sipas Bejkos, do të ishte shumë më mirë sikur nga kjo zonë të shmangej trafiku e të mbetej këmbësore, çka do ta bënte shumë më të lehtë ruajtjen e kësaj vlere. Për Bejkon, në të ardhmen ajo mund të shndërrohet në një qendër të turizmit historik.

Marre nga : BalkanWeb.com


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama