Jeta dhe vepra e humanistes shqiptare Nene Tereza tashme do te jete ne skenen teatrore.

Jeta dhe vepra e humanistes shqiptare Nënë Tereza tashmë do të jetë në skenën teatrore.

Por kjo vepër teatrore, ka si protagonistë shumë emra të njohur të skenës shqiptare, por edhe emra të talentuar studentë të Akademisë së Arteve. Rozina Kostani është përzgjedhur nga dy regjisorët për të interpretuar rolin e Nënë Terzës, e cila është njëkohësisht edhe pedagoge në Akademinë e Arteve.

Aktorja e njohur Edi Luarasi vjen sërish në skenën teatrore në rolin e nënë së murgeshave,Sokol Angjeli në rolin e priftit, Muhamet Pasha në rolin e doktor Islamit, por janë edhe shumë emra të tjerë që janë pjesë e kësaj vepre teatrore, e cila do të jetë premierë pas pak ditësh. Dje gjatë një konference shtypi dy regjisorët së bashku me trupën e aktorëve bënë prezantimin se si ishte realizuar shfaqja, e cila është e vetmja në llojin e saj në vend tonë. Regjisori Lazër Filipi u shpreh se aktorja që do të interpretonte rolin e Nënë Terezës, Rozina Kostani ishte shumë e talentuar dhe se kishte punuar me shumë përkushtim për rolin e saj. Më pas ai foli duke theksuar edhe vlerat e mëdha që do të kishte kjo vepër teatrore.

 “Jemi me pjesën më të madhe të aktorëve së bashku me regjisorin Bruno Shllaku për të bërë të ditur se shumë shpejt në datën 8, 9 dhe 10 shkurt drama “Nënë Tereza” do të ngjitet premierë në skenën teatrore. Ne kemi fatin e mirë që kemi në mesin tonë një aktore si Rozina Kostani, e cila ka punuar me përkushtim për këtë rol, për figurën e Nënë Terezës. Por, vepra e shenjtores shqiptare Nënë Tereza është aq e madhe sa nuk do të mjaftoni as 10 drama, për atë se çfarë ka bërë ajo me veprën e saj, për atë se çfarë i dha botës. Motoja e saj ishte “Kur jeta është në rrezik, aty do të jemi ne”. Por, janë shumë aktorë të tjerë të talentuar që janë pjesëmarrës në këtë dramë si Edi Luarasi në rolin e nënës së murgeshave. Por, është edhe puna e talentuar e regjisorit Bruno Shllaku, i cili këto ditë ka punuar me përkushtim për këtë dramë që e përfundoi.

Por në stafin e aktorëve ne kemi edhe emra të tjerë të njohur si Sokol Angjeli, Muhamet Pasha në rolin e priftit, por kemi edhe një fëmijë të quajtur Santosh që Nënë Terezës ia kanë çuar që në moshën dy vjeçare dhe ajo e ka rritur, kemi nënën e Santoshit, kemi Rozi Pohjën, vajzën tjetër në rolin e Zhaklinës si dhe shumë emra të tjerë që do të jenë pjesë përbërëse e kësaj vepre”- u shpreh Filipi. Ndërsa regjisori tjetër Bruno Shllaku do të theksonte se: “ është fat që ne kemi një staf të tillë të madh, ka punuar për dramën “Nënë Tereza” dhe mendoj se e ka bërë mirë. Kemi punuar me këmbëngulje që ti japim identitetin shqiptar siç ishte ajo figurë e përbotshme”. Por aktorja, e cila do të mishërojë figurën e Nënë Terezës do të shprehej se përpara se ta pranonte rolin ka qenë mes përpëlitjesh nëse duhet që ta interpretonte apo jo dhe këto për disa arsye.

 “ Kam qenë në përpëlitje nëse duhet që ta pranoja apo jo rolin, pasi të gjithë duan që të shikojnë një figurë të ngjashme edhe në fizik, por meqë drama fillon me hapat e parë të saj që kur ajo ishte në moshën 37 vjeçe dhe unë kam një moshë rreth 30 vjeç, kjo gjë shkon edhe me fizikun. Për rolin më ka ndihmuar pasioni, por edhe sepse ajo është shqiptare”- u shpreh aktorja që do të interpretojë humanisten shqiptare Rozina Kostani. Edhe për sa i përket regjisorit Lazër Filipi aktorja Rozina Kostani pa dyshim që mund të quhet krenaria e skenës shqiptare që në një dramë nxjerr për herë të parë Nënë Terezën, por ai u shpreh se kjo vepër do të shkonte edhe në trojet e tjera shqiptare.

“Jam i bindur se drama “Nënë Tereza” do të na sjellë edhe statusin e Kosovës dhe këtë dramë pas premierës ne mendojmë që ta shfaqim edhe në Kosovë”- u shpreh ai. Një aspekt tjetër që u vu re në këtë vepër ishte se ajo kishte shumë aktorë që do të interpretonin dhe arrinin rreth 17 aktorë. Sipas regjisorëve kjo vepër do të jetë ndryshe nga veprat e tjera sepse ajo do të ngjisë në skenë një numër të madh aktorësh ndryshe nga ato që janë më së shumti në skenën teatrore. Nënë Tereza ka lindur me 27 gusht më 1910 në Shkup, të Maqedonisë. Ishte fëmija e tretë e Nikolës dhe Drane Bojaxhiut. Në moshën 5vjeç e gjysmë mori kungimin e saj të parë. Familja e pagëzoi me emrin Gonxha Agnes. Babai i saj vdiq kur Nënë Tereza ishte vetëm 8 vjeç duke e lënë familjen jo në kushte të mira financiare. Në moshën 18 vjeçare Nënë Tereza vendosi të bëhej misionare.

Ajo ishte nënë e të gjithëve, që luftoi urinë, që luftoi varfërinë, që luftoi sëmundjet, që luftoi vetminë dhe u përpoq për të mirën e njerëzimit. Gjer në fund të jetës së saj ajo mbeti ashtu e thjeshtë, e sakrificës, gjithçka ua dhuroi të varfërve dhe u përpoq për të varfrit. Gjatë një konference shtypi kur një reporter e pyeti se cila ishte origjina e saj ajo u përgjigj "jam shqiptare". Por humanistja shqiptare për veprën e saj është nderuar edhe me çmimin Nobel të Paqes. Por, i takon Rozina Kostanit që këtë figurë ta sjellë së bashku me veprën e saj në skenën teatrore shqiptare.

Marre nga : Gazeta Sot


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama