Edmond Zhulali jep doreheqjen

Edmond Zhulali jep dorëheqjen

I pyetur për këtë vendim gjatë një prononcimi të tij ai u shpreh se dorëheqja e tij ishte imponuar nga qëndrimi që ka mbajtur Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së si dhe nga qëndrimi që kanë mbajtur një grup anëtarësh të Këshillit Drejtues dhe në këto kushte ai kishte vendosur që të merrte këtë vendim.Gjatë prononcimit të tij Zhulali u shpreh se: “Kam dhënë dorëheqjen si nëndrejtor dhe udhëheqës artistik i Radio Tiranës, pasi ajo më është imponuar nga qëndrimi që kanë mbajtur një grup anëtarësh të Këshillit Drejtues si dhe nga qëndrimi i Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së. Në këto kushte e shikoja të pamundur vazhdimin në mënyrë normale si drejtues”. Megjithëse nuk dha shumë shpjegime edhe për arsyet e tjera që e çuan në këtë vendim, duket se debatet dhe skandalet që u zhvilluan në muajin dhjetor në këtë institucion bënë që udhëheqësi artistik i Radio Tiranës të japë dorëheqjen.

Në këto 46 vite organizime të Festivalit të fundvitit kurrë nuk është përfolur kaq shumë për skandale, të cilat kësaj radhe mbizotëruan më shumë se kurrë gjatë tre ditëve të zhvillimit të manifestimit të muzikës dhe këngës së lehtë shqiptare. Ishte një mjegullnajë ku askush nuk shpjegoi asgjë, madje as vetë ata që vunë themelin e këtij evenimenti të rëndësishëm. U premtua për shumë përsosmëri, por rezultoi vetëm probleme që ishin akuza të llojit shitje çmimesh e deri tek ato teknike. Edhe pse ka përfunduar Festivali i 46- të i Këngës në RTSH, i cili gjatë tre ditëve u shoqërua si kurrë ndonjëherë me skandale, gafa dhe thashetheme nuk u prononcua asgjë nga organizatorët. Pati “kërcënime” gjatë ditëve të tij, por përsëri vetëm heshtje. Në media ishte një prononcim i drejtores së Festivalit të 46- të të Këngës, e cila akuzonte dy anëtarë jurie si gangsterë, por edhe që janë racistë. Këto ishin thëniet e vetme të një prononcimi dhënë nga drejtorja e festivalit, një qëndrim ky i çuditshëm, i cili ishte edhe i pari prononcim pas asaj mjegullnaje që pushtoi zhvillimin e festivalit.

Por, edhe nuk arrin ta kuptosh se si është e mundur që në një prononcim të parë pas zhvillimit të festivalit, vetë ata që kanë vendosur firmën për anëtarët e jurisë i quajnë “gangsterë dhe racistë”!? Por, gjatë këtyre ditëve ka pasur shumë këngëtarë emra të njohur të skenës, të cilët kanë protestuar ose janë shprehur të habitur se akoma nuk e kishin kuptuar se çfarë kishte ndodhur në Festivalin e 46 -të Këngës. Shumë emra të talentuar si: Rovena Dilo, Manjola Nallbani, si dhe plot të tjerë nuk arritën që të gjejnë një përgjigje për atë se çfarë u ofroi festivali i sivjetshëm në RTSH. Ky festival pati edhe shumë mistere që ndoshta do të mund të shpjegohen me kalimin e kohës, por një gjë është e sigurt që imazhi i shëmtuar i këtij festivali do të jetë shoqëruesi i këngës së lehtë shqiptare për shumë kohë. Zërat e talentuar të muzikës shqiptare si Rovena Dilo apo Manjola Nallbani kanë deklaruar se ajo që kishte ndodhur në festivalin e fundvitit ishte absurde. Por, deri tani në këtë situatë ajo që ka prekur më shumë imazhin e tij ishte edhe zhurma e madhe që u bë për faktin se ishte kënga “Zemrën e lamë peng”, interpretuar nga Olta Boka, me autorët Adi Hilën e Pandi Laçon, ajo që fitoi, dhe jo vajzat nga Kosova, Flaka Krelani dhe Doruntina Disha, me këngën “Jeta kërkon dashuri” të Edmond Zhulalit, e cila u spostua në vendin e dytë. Kompozitori Edmond Zhulali ato ditë reagoi pas vlerësimit të këngës së tij. Ai është shprehur se ndihet i fyer për atë që ka ndodhur në Festivalin e 46- të Këngës në RTSH. Sipas tij shumë keq i vinte edhe për Kosovën pasi kënga e tij ishte pjesë edhe e saj. Ndërsa për vlerësimin e këngës së tij ai u përgjigj se: “ Unë duke parë vlerësimin e profesionistëve të muzikës si kompozitori Agim Krajka, Gjergj Leka, David Tukiqi apo dhe të Rudina Magjistarit dhe Baton Haxhisë, të cilët ishin në vlerësimin e tyre me pikë maksimale, zero pikëshat e Gjergj Xhuvanit si dhe të Alban Skënderajt unë nuk i konsideroj si vlerësim për këngën time, por i konsideroj si një votë kundër. Duke parë një ekstremizëm të tillë të dhënies së pikëve mua nuk më duket votim, por më duket si një votë kundër. Pra ata votuan kundër, jo se dhanë votimin real për këngën time”, ka theksuar Zhulali. I zhvilluar mes një atmosfere të nderë edicioni i 46 i këngës së lehtë shqiptare përveçse skandaleve që mbizotëruan bënë që brenda këtij institucioni të zhvillohen debate, të cilat çuan edhe në dorëheqjen e Edmond Zhulalit, por ndërkohë që gjatë ditëve në vazhdim priten edhe zhvillime të reja në këtë institucion. 

Marre nga : Gazeta Sot


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama