Historiania e artit, Eleni Laperi, na konfirmoi dje se është në zbatim të projektit që ka nisur prej disa muajsh për një konkurs ndërkombëtar të fotografisë për të rinj, deri në moshën 35 vjeç. Qëllimi është rigjallërimi i artit të fotografisë që është në një nivel gati të mjerueshëm dhe nga ana tjetër të bëhet i njohur nëpërmjet këtij çmimi një mjeshtër si Sotiri. Këto argumente na dha Eleni e cila po e ngre këtë çmim brenda Projektit 5.6. që ka nisur në prill 2007. Janë kurse të shkollës së fotografisë të cilat ajo i hapi me mbështetjen e Programit Shqiptar për Bashkëpunim i Qeverisë Zvicerane, për të përgatitur fotografë profesionistë, gjë që mungon edhe sot, sadoqë flitet për një art që ka nisur në Shqipëri menjëherë pasi u shpik nga vëllezërit Lymierë. Eleni ka gati dhjetë vjet që punon si kuratore e lirë e artit pamor. Nga kontaktet me të huajt nuk i është kursyer komenti që "në Shqipëri nuk ka fotografë profesionistë". "Kam vënë re se edhe fotografët vetë nuk e dinë cili është dallimi midis amatorit dhe profesionistit. Studentët tanë nga takimet e para meeditorë të mediave të huaja të fotografisë, fotoreporterë etj., duhet ta dinë tashmë se një fotograf profesionist bazohet mbi ide." Për ta parë të ilustruar këtë, Eleni na fton nga 31 janari deri më 2 shkurt për të parë ekspozitën fotografike të studentëve të saj, disa prej të cilëve ekspozohen në Paris tek "Shqipëria 2008".
Për koordinatoren artistike të konkursit "Sotiri", Alketa Kurrizo, aktiviteti i ka të gjitha shanset të jetë një ngjarje e mirë dhe me vazhdimësi sepse ka në fokus bashkëkohësinë, prurjet e të rinjve dhe do të përfshijë edhe vlerat lokale. "Në Korçë njerëzit shkojnë për të dëgjuar muzikë "live", jo për të parë një ekspozitë. Kështu që "Sotiri" po bëhet edhe për të nxitur prizmin kulturor".
Askush nuk do donte të fliste herë tjetër për një konkurs ndërkombëtar që do të binte në nivelin e "Marubit" te Galeria Kombëtare të Arteve, akoma më keq nëse do jetonte ca kohë si "Marubi".
Eleni shpreson që "të mos na ndodhë si me "Marubin" i cili u mbyll sepse jemi të mangët për të emancipuar idetë. Ne veprojmë shumë dhe mendojmë pak. Me "Sotirin" synojmë të mbajmë të hapur një debat për artin".
Sa për emrin e Kristaq Sotirit edhe për atë le të shpresojmë që propaganda të veprojë më me inteligjencë se me Marubët të cilët nga njëri botim në tjetrin (dhe nuk janë pak katalogët, kalendarët, kartolinat me imazhe të tyre) janë po ata, pa një kurim dhe kujdesje të korpusit të tyre të parrokshëm. Madje Marubët nuk kanë shkuar tek njerëzit apo dashamirësit e fotografisë në formën që duhej, që albumet e tyre t'i gjesh në shitje në librari, apo që vepra e tyre të jetë e studiuar, e komentuar.
Në këtë kuptim ringjallja e veprës së Kristaq Sotirit është një sfidë për ata që do të kenë në duar financat dhe shanset për ta nxjerrë nga kjo harresë pa kuptim.
Arkivi i fotografive, me rreth 15 mijë negativë, që disponojnë trashëgimtarët e Sotirit, përbëjnë esencën e gjithë punës së mjeshtrit. Kryesisht janë portrete, realizuar brenda dhe jashtë studiove tipike të zanatit, dhe peizazhe që nuk shkojnë përtej Korçës, rrethinave dhe fshatrave të saj.
Në krahun tjetër të Marubëve, që kishin krijuar dinastinë e tyre, peshonte juglindja me Sotirin. Ky i fundit "adaptoi mjeshtërinë e portretit të "intelektualit" shqiptar", komenton një artist i fotografisë, Besim Fusha. Në arkivin e tij gjejmë portrete nga më të shumëllojshmit, që nga vip-ët e qytetit, të quajtur "Parisi i vogël", deri tek kurbatkat (banoret e qytetit), lypësit, apo foto shumë të guximshme të ndonjë gruaje që josh me lule në dorë apo pozon e shtrirë në tapet me rroben e banjës. Sotiri mbetet një fotograf lirik, që reflekton shumë botën nga vjen, Korçën civile, të viteve '30. Kjo ndodh dhe me Marubët. Fotografia e tyre tregon terrenin e ashpër të veriut, dhe njerëzve të tij. Ndoshta kjo nuk mjafton. Sepse shumë realizime të Marubëve edhe pse të realizuara në studio, transmetojnë figura unikale, epike të veriut. Marubët janë dramatikë. Ndërsa personazhet e Sotirit dhe dritat rreth tyre janë të brishta, si të lara dhe transmetojnë një gjendje lirike. Edhe pse korçarë ata nuk kanë asnjë dallim për nga atmosfera dhe civilizimi perëndimor. Gratë mbajnë muf apo kapelë elegante me pupla, ndërsa burrat cilindër. Dhe gjithmonë pozojnë në profil, pak diskret, pak misterioz.Kristaq Sotiri u lind në Mborje të Korçës në vitin 1883. Ashtu si një pjesë e mirë e korçarëve emigruan sa në Amerikë apo në Francë, emigroi drejt "tokës së premtuar". Deri në vitin 1919 ai kishte një studio të vetën në Neë York. Duhet thënë që në fillim se shkolla e fotografisë për Sotirin ishte eksperienca e tij e gjatë, por vetëm pasi kishte takuar "ustain" e fotografisë Georg Steckel nga Los Anxheles i Kalifornisë. Prej tij mori teknikën shumë specifike të ndriçimit, të cilës i mbeti besnik deri në fund.
Në vitin 1922 u kthye në atdhe, në qytetin e lindjes ku hapi studion "Sotiri". Në fotoarkivin e tij që ruhet në kushtet e shtëpisë, përveç portreteve, një vend të rëndësishëm zënë peizazhet, momentet nga jeta sociale. Krijimtaria e Sotirit gjithmonë është ekspozuar në formë shumë të kufizuar. Pasurinë që trashëgojmë sot, një fotoarkiv me vlera kombëtare e trashëgojmë në sajë të kujdesit që vetë mjeshtri pati deri në fund të jetës. Vdiq në vitin 1970. Ishte 87 vjeç.
Elsa Demo : Gazeta Shekulli











