Portreti i nje Zonje

Portreti i një Zonje

Duke e parë në xhirimet e disa dekadave më parë, këngëtarë të rinj, që e njihnin vetëm për emër Gjyzepina Kosturin, përshpëritnin: paska qenë e mrekullueshme. Përpos një vibrimi të shkaktuar nga vitet në arkiva, zëri i sopranos vjen i freskët edhe pas 40 vitesh. Për të përkujtuar një nga këngëtaret e para të operës shqiptare, nuk u mbajtën referate pafund kur edhe ai material i shkurtër shkëputur nga Arkivi Qendror i Filmit, mjaftonte për të kuptuar se cila ishte Kosturi. Një dokumentar i shkurtër me kronika të kohës, pjesë nga opera ku ka interpretuar sopranoja dhe ndonjë intervistë e saj. I thellë dhe me një timbër të pangatërueshëm spikeri i Radio Tiranës, njofton premierën "Madam Butterfly" më 29 mars të vitit 1961.

Një sukses i padiskutueshëm, që i dedikohet sopranos Gjyzepina Kosturi me rolin e Cio-Cio Sanit. E në sfond shpërthen zëri i saj. Është momenti i ndarjes nga i biri, përpara se të kryejë vetëvrasje. Përpara shtëpisë karakteristike japoneze, Cio-Cio San, qëndron e ulur në gjunjë dhe shtrëngon pas gjoksit një fëmijë flokëverdhë. Është i vogli David Tukiqi, që atëherë s'ishte veçse 5 vjeç. Janë filmime bardhë e zi, që përcjellin aromën e kohës, kur premiera e një opere ishte një ngjarje e madhe dhe një rol, një ëndërr e realizuar. "O bir, o biri im i shtrenjtë!", vajton flutura japoneze, teska përqafon fëmijën. Një vajtim, jo në gjuhën e kompozitorit, në italisht, por në shqip.

Deri në fund të viteve '80, operat këndoheshin të përkthyera në skenën shqiptare. "Madamme Buterfly" është njëra prej tyre. Monologu i fundit i Violetës po ashtu është në shqip. Dhe është një ndjesi e veçantë. Operat e mëdha u dukërkan të bukura edhe në gjuhën shqipe. Mbase nuk do të dukej kështu nëse nuk do të këndonte Kosturi. Pjesë e Teatrit të Operës, që prej themelimit të saj, Kosturi u bë Tatiana, Violeta, Santuca, Knjagina, etj, por roli i saj më i dashur mbeti ai i Cio-Cio Sanit.

"E kam përjetuar shumë këtë rol. Aq shumë më mallëngjente, saqë në aktin e fundit qaja vërtet",- thotë sopranoja në një intervistë të kohës. "Ne pamë Gjyze Kosturin në rininë e dytë të saj, që i fali vogëlushja japoneze Cio-Cio-San", - shkruhet në gazetën "Drita" të 2 prillit 1961. Gazetat e kohës do të shkruanin vazhdimisht për figurat e ndërtuara nga sopranoja, edhe pse emri i saj ishte vazhdimisht në pikëpyetje për shkak të familjes së saj (i ati dikur tregtar, që shkonte vazhdimisht në Itali).

Kanë kaluar 23 vjet nga vdekja e saj (1985), sot fondit të muzikologjisë shqiptare i shtohet një monografi për sopranon, "Zonja me shpirt e operës shqiptare", me autorë Zamir Këlliçin dhe Nexhat Agollin, monografi e ndërtuar me lëndë arkivore nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, shtypi i kohës dhe dëshmitë e kolegëve të sopranos. Disa prej tyre nuk jetojnë më, por mendimet për të i kanë lënë me kohë. Mihal Ciko, Boris Plumbi, Jorgjie Truja, Lili Tafaj, Nina Mula, Edith Mihali, Agron Aliaj, Zhani Ciko, e shumë e shumë të tjerë, flasin për Kosturin. Nuk vihet në dyshim aftësia e saj interpretative vokale e aktoriale. Të gjithë thonë për të: "Ajo ishte vërtet një Zonjë". Madje edhe në kohën e viteve proletare e thërrisnin "Zonja Gjyze".

Gjyzepina Kosturi (mban emrin e gruas së Giuseppe verdit, Giuseppinës, së cilën kompozitori e mishëroi në figurën e Violeta Valerisë në operën "Traviata"), lindi në vitin 1912 në Tivar të Malit të Zi, në një familje të vjetër shkodrane. ( E ëma ishte e motra e Kel Marubit). Studioi kanto në konservatorin e "Santa Cecilias" në Romë. U kthye në Shqipëri në vitin 1937, edhe pse nuk munguan ofertat në Itali. Emri i saj lidhet me themelimin e institucioneve të para muzikore në vend. Më tej soliste e operës dhe pedagoge në Akademinë e Arteve. Emrin e Kosturit e gjejmë dhe në arkivin e filmit. Ka interpretuar në filmin "Kur zbardhi një ditë" në rolin e shërbyeses së manastirit. Pas 22 vjetësh prej vdekjes, figura e Kosturit vjen pak e mjegulluar për më të rinjtë. Fatkeqësisht koha nuk ka ruajtur shumë dëshmi të viteve të para të themelimit të Filarmonisë e më pas Operës. Këtë thotë edhe pianisti Boris Plumbi në monografinë e Kosturit. Fatkeqësisht kanë mbetur shumë pak.

 
Alma Mile  : Gazeta Shrkulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama