Sipas sondazhit për shikueshmërinë e dramës "Pamje nga ura" të Arthur Millerit, arsye e parë pse publiku e ka mbushur sallën plot që nga premiera e 23 nëntorit, del Milleri dhe teksti i tij dramatik. "Nuk ka bërë vaki të shiten dhe porositen bileta dhjetë ditë para shfaqjes" thonë në biletari dhe në zyrën e marketingut të Teatrit Kombëtar. "Që nga koha e komedisë "Pallati 176" nuk ka pasur shfaqje më të shitur, për 15 herë salla është mbushur plot". Ky nivel shikueshmërie shtyu drejtorinë e teatrit të bënte një sondazh mbi pyetjen përse vini të shihni "Pamje nga ura". Është emri i Millerit ai që e ka sjellë publikun në teatër, është emri i Fllokos, pastaj është shfaqja nga një natë në tjetrën me komponentët e saj.
Tri netët e para është ndjekur me ftesa dhe në vazhdim 500 vendet kanë qenë zënë. Krahasimi me "Pallati 176" bëhet jo pse drama e Millerit ka arritur atë numër shfaqjesh, por se për gati një muaj e gjysmë, që është një kohë rekord, është konsumuar numri i detyrueshëm i shfaqjeve, pra 15. Vazhdon këto dy fundjava dhe më vonë ka për të nisur një turne për teatrot e vendit. Argumentet e sondazhit për shfaqjen që ka bërë zhvendosje të paparashikura në kalendarin e sezonit 2007-2008, janë racionale, paçka se sondazhi nuk na lë të kuptojmë se për çfarë publiku bëhet fjalë, për të njëjtin që shkon fundjavave në teatër edhe për Millerin edhe për komedi si "Ne të gjithë këndonim "Margaritën"?
Krahasimi jep rezultate të papritura dhe me vlerë kur përdoret si metodë e cila ballafaqon dy sfera që kanë cilësi apo të dhëna të ngjashme e të përafërta. Në rastin tonë, nuk mund t'i hysh krahasimit, qoftë edhe duke u nisur nga shifra spektatorësh, të "Pamje nga ura" e Arthur Millerit dhe "Pallati 176" e Adelina Balashit, edhe kjo komedi e vënë në skenë nga Teatri Kombëtar më 1986.
Miller nuk paska sferë tjetër krahasimi veçse me një vepër që logjikisht s'mund të krahasohet. Për aq sa të zotët e punës e marrin në konsideratë, nuk na mbetet veçse ta krahasojmë sistemin qendror të teatrit tonë me gjendjen e makinës që kur është e pabalancuar ose ikën prapa ose fiket fare.
Pra ky teatër ka 22 vjet që nuk prodhon vepër të shikueshme që do të thotë se ka po kaq vite që nuk vijnë autorë të denjë si Miller, po të shpjegoheshim me gjuhën e sondazhit. Në harkun kohor të 22 viteve janë vënë në skenë vepra edhe më të forta se "Pamje nga ura" e cila përtej qasjeve sociologjike, psikologjike, sentimentale, është një realizim ku ia vlen të ndalesh. Së pari për të kuptuar se çfarë kërkon publiku ynë që njëlloj e mbush sallën për vepra të mira dhe vepra të dobëta, që edhe kur nuk i pëlqen nuk e ka zakon të çohet nga vendi (kjo lexohet si shenjë e një publiku me kulturë).
Së dyti për të kuptuar gjendjen e Teatrit Kombëtar që edhe kur ka në dorë vepër, autor, aktorë me emër nuk jep dot sot më shumë nga çka dhënë, madje jep më pak se në ditët më të lavdishme kur përveç dramës së realizmit socialist dhe teatrit të indoktrinuar, nga repertori botëror arrinte të shfrytëzonte pothuajse krejt një autor si Shekspiri me "Othellon", "Hamletin", "Mbretin Lir", "Natën e 12-të", "Romeon dhe Xhulietën", "Zbutjen e kryeneçes", "Rikardin e tretë", "Dy zotërinjtë nga Verona".
"Pamje nga ura" ia detyron një pjesë të mirë të suksesit tregut të varfër teatror a më saktë mungesës së teatrit tjetër kund skenës së vetme ku bëhet teatër, skenë që imponon të njëjtën shije. Spektatori ynë shkon me frikë në teatër, nuk është i sigurtë nëse shfaqja është realizuar qoftë në një nivel të pranueshëm. Ndërsa kërkimet, eksperimentimet, alternativat mbeten jashtë realitetit tonë teatror.
Do ishte e trishtueshme të krenoheshim në këtë mjerim me një sukses si i "Pamjes nga ura". Do ishte jo realist ai që do krenohej me një sukses si ky në Tiranën kulturore që për muaj të tërë të vitit shndërrohet në një fshat të madh, ndërsa teatri në një vatër kulture. Nuk është e natyrshme, nuk është e sinqertë, nuk i takon artit dhe as artistit të punojë dhe të krenohet me një ditë të vitit për 364 të tjera.
Përtej arsyeve jashtëteatrore "Pamje nga ura" ka meritën e asaj që vepra është, e vlerave për të cilat ka hyrë në repertorin e dramaturgjisë botërore. Për aq sa është sjellë në skenë nga regjisori Albert Minga, Amerika e viteve 50, emigranti, njeriu në rrjedha të panjohura të vetes etj, është një film me aktorë teatri. Amerika si gjysmë shekulli para në Tiranën e viteve dymijë. Skenat familjare, veshjet, interpretimi, fotografohen gati me një realizëm telenovelash, deri aty saqë aktorët të na mbushin mendjen se po hanë supë, se supjera jo vetëm që është prej porcelani si në jetë, po është plot me supë; aktorët arrijnë një ngopje mekanike të konfliktit psikologjik prandaj bëjnë gjeste shumë (Timo Flloko, Yllka Mujo, Olta Gixhari) shpenzojnë energji të panevojshme me duar dhe me zë; gjysma e skenografisë është jofunksionale (shkallët në të majtë që u deshën vetëm pesë minuta të shfaqjes dyorëshe, se ç'të sjellin në mend ato shkallë diçka nga shtëpitë e lyera me gëlqere tek "Zonja nga qyteti"); një foto e Marilyn Monroe si për të na kujtuar se Miller e pati grua, është varur në sfond e pajustifikuar, njëlloj si poçi i bardhë i neonit dhe shtylla elektrike e rrugicës nën urë (!) apo licenca e "avokatit dimër" me pallto të errët, shall të bardhë dhe çantë pune; është miksturë mallëngjyese muzika nga filmat "Once upon a time in America" e kompozitorit Ennio Morricone dhe nga "La bataglia di Algeri" e Morricone-Pontecorvos, sa ç'është naive që një ngjarjeje që ndodh në Amerikë t'i vësh për kolonë zanore muzikën aq popullore të një filmi për Amerikën.
Të gjitha këto për të cilat zgjedhja e fundit i ka takuar regjisorit Minga, trupa e aktorëve sado e shkëlqyer qoftë nuk mund t'i mbulojë dot. Në teatrin tonë ndodh që të gjitha meritat t'i marrë aktori, ekzekutuesi, ndërsa roli i regjisorit, krijuesit të ideve, sikur të ishte punëtor skene, zhvishet nga përgjegjësitë, nga meritat dhe jo meritat. Teatri Kombëtar ka mbi 30 aktorë rrogëtarë dhe asnjë regjisor permanent.
"Pamje nga ura" është tip i suksesit që më shumë se për kënaqësinë që i jep publikut është moment i rëndësishëm i cili i vlen Teatrit Kombëtar për të qëndruar dhe për të parë nga do t'ia mbajë: të fshihet pas gishtit të biletave të shituara apo të gjejë forcë që paralelisht veprave dramaturgjike si kjo e Millerit, të mjekojë plagët e vjetra të hapura.
Elsa Demo : Gazeta Shekulli











