Te hershmit e letrave te sistemuar

Të hershmit e letrave, të sistemuar

Më poshtë po japim dy vështrime të përgjithshme të Resulit, në lidhje me dy kahet kryesore të letërsisë, gegë dhe toskë, si ato u zhvilluan, në rrethanat respektive, autorët dhe ndikimet gjuhësore dhe letrare Historia e letërsisë shqipe deri më sot e fragmentarizuar, ose pa kërkime sistematike ka vënë në pikëpyetje shumë studiues, p.sh. a do të quhet “Formula e Pagëzimit”, shkruar nga Pal Ëngjëlli, si dokument i parë i gjuhës shqipe, apo do të njihet si më i hershmi i shqipes dhe në kontrast a nis prej këtu vjetërsia e letërsisë shqipe?! Më të guximshmit, që i kanë kushtuar fragmentarisht veprën e tyre më të vjetërve të shqipes, kanë dëshirë të pohojnë se tani e tutje duhet të flasim për një histori të hershme të letërsisë shqipe. Nëse këto kërkime jo fort sistematike, nuk do të kenë një bazament historik, atëherë perceptimet dhe faktet letrare do të ndeshnin në të njëjtën vështirësi që pati filologu Namik Resuli, në më shumë se gjysmë shekulli më parë kur i hyri punës për përgatitjen e një antologjie të historisë së letërsisë shqiptare.

Duke filluar nga më i vjetri që njohim d.m.th. nga libri i Gjon Buzukut, në vitin 1555, janë pothuaj 350- 400 vjet prodhimtari letrare që shkon deri në fundshekullin XIX. Duke kaluar nëpër dokumentet e para të dëshmuara të shqipe si “Formula e Pagëzimit”, (1462), fjalori i Arnold Von Harffit (1479), në pikëpyetje saktësie historike Ungjilli i Pashkëve (shek. XV), dhe fjalorthi i Mazrekut (1633), Namik Resuli e nis “zyrtarisht” paraqitjen e prodhimit letrar nga shekulli XV . Për lehtësi studimi dhe për arsye historike, ai e ndan këtë produkt në dy grupime të mëdha: a) prodhim letrar shqiptar përpara Lidhjes së Prizrenit dhe b) prodhim letrar shqiptar pas Lidhjes së Prizrenit. Në grupimin e parë që nis prej gjysmës së shekullit XV dhe arrin pothuaj gjer tek fundi i shekullit XIX, përmbledh gjithë veprimtarinë kulturore e letrare që u zhvillua në qendra të ndryshme të Shqipërisë së atëhershme, d.m.th. në një Shqipëri që nuk ekzistonte edhe si shtet. Ndërsa në grupimin e dytë, që përkon me rilindjen kombëtare Resuli përfshin gjithë produktin letrar që nis prej shoqërisë së Stambollit. Grupimin e parë Resuli e thekson se nuk kemi të bëjmë me një prodhimtari letrare në kuptimin më të kulluar të fjalës. Pa ndonjë qëllim estetik a letrar, filologu vë në dukje se kemi të bëjmë me shkrime fetare të punuara nga priftërinj katolikë e ortodoksë me qëllim propagande a mësimi të fesë.

Dhe një arsye tjetër, që me rezerva quhet lëvizje letrare, Resuli si kritik thotë se përpara Lidhjes së Prizrenit nuk ka pasur as njësi, as vazhdimësi, as edhe ndonjë përhapje në të gjithë shqiptarët. Thjesht ato vlerësohen si fenomene kulturore sporadike, madje krahinore. Nga kjo arsye Resuli bën edhe ndarjen tjetër të guximshme duke nxjerrë veçori krejt të ndryshme, me mpakte, ndërmjet prodhimtarisë letrare të shkrimtarëve të vjetër të veriut dhe atyre të jugut. Veçmas, Resuli përfshin në antologji dhe krijimtarinë letrare myslimane, pra shkrimtarët e vjetër myslimanë, që janë të gjithë toskë dhe përfaqësuesit më të dëgjuar ishin Muhamet Çami, shekulli XVIII, nga Konispoli, Nezmin dhe Sulejman Ramazani nga Berati dhe Hasan Zyko Kamberi nga Kolonja. Resuli thotë se mund të ketë pasur dhe të tjerë por gjer në atë periudhë nuk ka pasur kërkime sistematike për këtë prodhim.

Resuli, pa ndonjë tendencë, ashtu sikurse vëren për ndikimet gjuhësore të shkrimtarëve të jugut dhe të veriut, vë në dukje se gjuha arabo-turke është influksi që zotëron në këto shkrime, dhe aq i madh është ky sa që arrin edhe të mos kuptohet nga lexuesit. Resuli, frymëzimet tek “Erveheja” e rendit ndër të parën vepër të shkruar në gjuhën shqipe me pretendime estetike, duke shënuar se autori edhe pse nuk ia ka arritur qëllimit, vepra i merr një vlerë historike. Lëvizjen myslimane në atë periudhë, Resuli e konsideron si të parën lëvizje laike të kulturës shqiptare. Ndërsa lëvrimi i bejteve ishte në modë, duke u pranuar për akseptizmin oriental, që u bënë modë duke i kushtuar dëfrimeve. Me prodhimin letrar mysliman, Resuli mbyll periudhën e parë të letërsisë shqipe. Ndërsa i plotë dhe voluminoz është kapitulli për prodhimin letrar të arbëreshëve të Italisë, duke u pasuar nga arbëreshët e Greqisë.

Duke përfshirë në punën e tij përgatitore për antologjinë një grup bashkëpunëtorësh, që përbëhej nga filologët më në zë të asaj kohe, si Aleksandër Xhuvani, Filip Fishta, Jutin Rrota, Karl Gurakuqi, Lumo Skendo, Rosolin Petrotën, Simon Shuteriqin dhe Zef Valentinin kjo antologji nën kujdesin e Ernest Koliqin përbën një nga librat kardinalë të historisë së letërsisë shqipe. Me pasuri materialesh dhe faktesh historike për autorë të ndryshëm, antologjia për herë të parë vjen përmes kërkimesh të sistemuara letrare për t’i shërbyer historisë së letërsisë si klasifikim.

VIOLETA MURATI : Gazeta Standard


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama