Mes tablove të ekspozuara gjendet edhe “Denoncim i traktatit të Varshavës”. I është dashur ta punojë dy herë atë tablo, e sërish ka ngjallur dyshimin e Mehmet Shehut. I quan një kokëçarje të vërtetë komisionet që kontrollonin veprat e tyre, por është i ndërgjegjshëm që mund ta kishte pësuar për hiçgjë. Sot vazhdon të pikturojë pa frikën e censurës, por gjithsesi ende i druhet prezencës së të shkuarës. E ka lënë të paekspozuar në një cep një tablo të madhe të Enver Hoxhës, e cila për vite me radhë nuk u ekspozua, pasi Nexhmie Hoxha donte që të hiqeshin anglezët prej saj. Ndërsa sot Përmeti e quan ende konfuz opinionin shqiptar.
Gjatë gjithë kohës keni punuar si oficer ndërkohë që keni pikturuar. Pse ky dyzim?
Mu imponua. Në vitin ’63 kisha filluar Liceun Artistik, kur drejtor ishte Abdurrahim Buza, por mu kërkua që të vete në Shkollën “Skënderbej”, ku ishte dhe vëllai im. Nuk më lejuan më ta vazhdoja Liceun, por bëra Shkollën e Kulturës, me premtimin se më pas do të më lejonin të konkurroja në Akademinë e Arteve. Isha vetëm 19 vjeç kur dola si oficer e fillimisht punova në disa vende. Më pas mbarova Akademinë e Arteve, por gjithë jetën punova si oficer, megjithëse nuk e lashë asnjëherë pikturën.
Në fakt, një pjesë e tablove tuaja paraqesin këtë jetë ushtarake. I keni ekspozuar në atë kohë?
Këto që kam zgjedhur për të ekspozuar janë tablo që kanë marrë pjesë nëpër veprimtaritë kombëtare që organizoheshin atëherë, si në përvjetor Çlirimi dhe të festave të Ushtrisë. Ekspozoheshin në Galerinë e Arteve, ku atëherë ishte shumë e vështirë të futeshe. Veprat do të kalonin nga komisionet e Lidhjes së Shkrimtarëve, të Komitetit Ekzekutiv të Partisë, të Kryeministrisë, Komisionin Artistik dhe bëheshin gjithsej rreth 40 veta që i shqyrtonin. Gjurmonin edhe gjërat që nuk të shkonin kurrë në mend.
Ka qëlluar që nuk të kanë pranuar ndonjë vepër?
Tabloja që e kam quajtur “Denoncim i traktatit të Varshavës” nuk është pranuar në një përvjetor të ushtrisë. Sfondi i saj ka qenë me Kremlinin, mbi të cilin kam mbivendosur këtë sfond që është sot. Vendosa që të mos e punoja më këtë tablo. Por një ditë në Librazhd vjen profesori im, Shaban Hysa, të cilin e kujtoj me shumë respekt, dhe më thotë se duhet ta përfundoj. Enver Hoxha kishte bërë kritikë që në artin figurativ nuk shihte temën e qëndresës së shqiptarëve dhe Lidhja kërkonte me insistim që tabloja të përfundohej. Jam shtruar në spital për humbje gjumi për këtë tablonë. Ka qenë 35-vjetori i Çlirimit kur është ekspozuar në krahun e djathtë të katit të dytë të GKA-së. Ekspozita shoqërohej nga Kristaq Rama dhe inaugurohej nga Mehmet Shehu. Ai kalonte shkarazi nëpër tablotë, por kur mbërrin të kjo pikturë ndalon gjatë. Më vonë profesor Kristaqi më tregonte se për të shmangur sikletin e atij çasti i kishte shpjeguar se “këtë tablo e ka bërë një piktor që është dhe oficer”. Atëherë ai ishte përgjigjur: “Ah, thashë se kush është ky qen bir qeni që na njeh kaq mirë nëndetëset”. Sot kjo mund të tregohet me humor, por në atë kohë rrezikonte jashtë mase. Aq më tepër që në atë periudhë kam pasur një vëlla pilot që u dënua për agjitacion dhe propagandë.
Një tablo të madhe të Enver Hoxhës e keni lënë në një cep, pa e paraqitur në ekspozitë. Pse?
Desha ta ekspozoj, por them se sot për sot publiku nuk është i përgatitur të hyjë në diskutime. Pothuajse të gjithë shohin anën e jashtme dhe jo të mirëfilltë të kësaj tabloje. “Humnerë ‘44" paraqet momentin e historisë kur Shqipëria i ktheu kurrizin Perëndimit dhe kaloi nga Lindja. Fillimisht nuk u miratua në ekspozitë, ndërsa herën e dytë u censurua nga Nexhmija. Ajo ngulte këmbë të hiqeshin anglezët, por për mua pa ta ajo do të ishte thjesht një fotografi e madhe. Kam mundur ta ekspozoj vetëm në ’89-ën në Tiranë, kur gjërat kishin ndryshuar. Është tablo që hap shumë diskutime dhe sot ka shumë konfuzion për figurën e Enverit dhe njerëzit nuk kanë kurajën t’i shohin gjërat në sy.
Ju vazhdoni të krijoni dhe sot. Si ka ndikuar sipas jush, liria për t’u shprehur në artet figurative?
Në shumë vende shohim shumë riprodhime të dobëta të artit mesjetar dhe të rilindësve. Mendoj që kjo është produkt krize. Pastaj ka një konflikt mes artit realist dhe artit formalist ose të pakuptimtë, që këta i thonë modernist, por që në fakt është art eksperimental. Duhet të gjendet një gjuhë për të bashkëjetuar të dyja, por këto nuk zgjidhen me një të rënë të lapsit, ato zënë natyrshëm vendin e vet. Unë kam parë shumë të rinj, gjimnazistë të interesuar për tema të kohës së të shkuarës dhe kam përshtypjen se ata duan mesazh edhe në pikturë, skulpturë apo këngë.
Oliverta Lila : Balkanweb.com











