“Shqiperia e madhe” projekt konkret apo paranoje ballkanike

“Shqipëria e madhe”, projekt konkret, apo paranojë ballkanike

Gjithsesi, në kushtet kur i gjithë rajoni kërkon të kryejë një proces ”de-shtetëzimi” (integrimi) duket se këto teori përbëjnë një paradoks. Ndërsa të gjitha vendet e rajonit negociojnë minutë pas minute për të hyrë në familjen europiane (që nënkupton eliminimin e kufijve), në të njëjtën kohë këto shtete hedhin ”helm” mes tyre për teori ekspansioniste reciproke (që në thelb kanë zgjerimin e kufijve)! Duket se ky lloj konflikti ka një bazë të fortë në të kaluarën armiqësore dhe mosbesimin ekstrem që ka karakterizuar marrëdhëniet mes tyre. Pikërisht këtë klimë mosbesimi e mbështet dhe një nga historianët dhe ish-kryediplomati shqiptar, Paskal Milo, i cili gjithashtu ka shkruar shumë lidhur me ekzistencën e tezës së “Shqipërisë së Madhe”. ”Krijesa të pastra të shtetit-komb nuk mund të ketë dhe kjo është e natyrshme. Çdo pretendim tjetër do të ishte spekulim”, - thotë Milo. Por, sipas tij, në rastin e vendeve të Ballkanit u krijuan dy modele ekstreme: i pari Jugosllavia shumëkombëshe, ku serbët si komb më i madh u përpoqën të serbizojnë edhe kombet e tjera, sllave e josllave; i dyti, Shqipëria, që ishte në ekstremin tjetër si shtet dhe ku gjysma e popullsisë shqiptare copëtohet në shtetet fqinje, veçanërisht në Jugosllavi. Sipas Milos, kjo bëri që në Ballkan fara e grindjeve dhe e konflikteve ndëretnike nuk u zhduk, procesi i krijimit të shteteve-kombe nuk përfundoi, kështu që aty mbetën potenciale të akumuluara etnike, që një ditë do të shpërthenin.
Kosova
Emra të njohur të politikës ndërkombëtare dhe analistë të shquar që merren me Ballkanin bëjnë një dallim të qartë midis krijimit të “Shqipërisë së Madhe” dhe pavarësisë së Kosovës. Ndërsa shprehen kundër së parës, janë në favor të së dytës, duke e konsideruar atë si një zgjidhje që do ta qetësonte Ballkanin dhe do të forconte paqen. Të këtij mendimi janë për shembull Henri Kisinger, Lordi Ouen, Karl Bild, Janush Bugajski etj. Historiani Paskal Milo është i mendimit se Lordi Ouen ishte më i “flakti” përsa i takon kësaj çështjeje. “Lordi Ouen shkon më tutje kur thotë se që të arrihet paqja në Ballkan dhe luftërat e përgjakshme etnike të marrin fund, nevojitet një rikonfigurim i kufijve të tij. Kjo është një ide shumë e avancuar dhe e parealizueshme për kohën. Shqiptarët e Kosovës, në vitet 1991-1992 kishin më shumë arsye të ishin të pakënaqur nga Jugosllavia federative në krahasim me sllovenët, kroatët, maqedonasit etj., nuk i morën armët, por adoptuan një politikë civilizuese, paqësore në kërkim të të drejtave të tyre”, - shkruan Milo. Më tej ai thekson se 3 konfliktet e para në Jugosllavinë e Millosheviçit u zhvilluan midis etnive sllave, midis serbëve nga njëra anë dhe kroatëve, sllovenëve e boshnjakëve nga ana tjetër”. Askush nuk i akuzoi atëherë këta të fundit si kërcënues të paqes, të stabilitetit, të sigurisë e të ardhmes së Ballkanit. Përkundrazi, shumica e njerëzve gishtin e drejtuan në Beograd, te Sllobodan Millosheviçi dhe regjimi i tij”, -thekson Milo.

Teoria
Kritikët e “Shqipërisë së Madhe”, midis tezave të tjera, thonë se ajo synohet të krijohet si një armë për të luftuar nacionalizimin serb, për ta dobësuar atë si një faktor i rëndësishëm rajonal. Është e njohur se ka ekzistuar një përplasje historike midis nacionalizmave ballkanase, pra edhe midis atyre shqiptar e serb. Kjo konkurrencë e rivalitet ka qenë e ashpër dhe në epokën europiane të krijimit të shteteve-kombe. Shfaqje moderne të këtij rivaliteti nuk mungojnë edhe sot në Europë. Akuza nuk shtrohet vetëm në adresë të nacionalizmit shqiptar. Ajo është e drejtuar më tepër ndaj faktorëve ndërkombëtarë, duke nënkuptuar në radhë të parë SHBA-të dhe NATO-n. Madje, si SHBA-të, ashtu dhe NATO-ja bëhen drejtpërsëdrejti përgjegjës si nxitës për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”. Kjo tezë ka gjetur strehë e përkrahës në mes njerëzve e vendeve që kundërshtuan ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Serbi e Kosovë dhe të aleateve e miqve tradicionalë të nacionalizmit serb.
Përgatiti: Habjon Hasani

“Plani ‘Ahtisaari’, baza më e mirë”

Pikërisht në ditët kur po zhvillohet takimi i krerëve të qeverive të vendeve anëtare të BE-së, Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka dërguar një letër, ku konstaton se ky është një moment historik për Bashkimin Europian përsa i përket një vendimi që duhet të marrë për çështjen kosovare. Sipas mesazhit të nënshkruar nga Gareth Evans, president i GNK-së, plani “Ahtisaari” është baza më e mirë për zgjidhjen e çështjes kosovare.
Shtetet anëtare të BE-së duhet të jenë gati të veprojnë shpejt, në konsultim me aktorët e tjerë të rëndësishëm ndërkombëtarë, për drejtimin domethënës në Kosovë të përfshirjes së planit “Ahtisari”, duke përfshirë edhe përgatitjen e tij përmes zhbllokimit të Politikës së Sigurisë së Mbrojtjes dhe Civile Europiane”, - thuhet në mesazhin e dërguar krerëve të shteteve të BE-së, të cilët janë mbledhur në Lisbonë për samitin dy ditor të Këshillit Europian, i cili vazhdon punimet edhe sot. Grupi Ndërkombëtar i Krizave publikoi para pak ditësh një raport për zgjidhjen e çështjes kosovare, ku konstaton se deri në fundin e gjashtë mujorit të parë të vitit 2008, Kosova mund të shkojë drejt shkëputjes përfundimtare nga Serbia dhe pavarësimit të saj. Ky grup me qendër në Bruksel, bën studime dhe prognoza për çështjet e sigurisë në rreth 60 vende të botës, duke i vlerësuar si një ndër organizatat ndërkombëtare më të specializuara për vlerësimin e zonave në konflikt.

Reagojnë mediat Perëndimore për simbolin

Protestat e mijëra shqiptarëve të Kosovës në Prishtinë më 10 dhjetor, përveç reagimeve të shumta të institucioneve dhe mediave ndërkombëtare, rimorën një problem ende të pazgjidhur nga vetë institucionet kosovare: atë të flamurit. Në komentet e disa gazetave gjermane dhe austriake theksohej fakti se Kosova nuk mund të jetë një shtet i pavarur, si të gjitha shtetet e tjera, pasi simboli që përdor është i njëjtë me atë që ka Shqipëria. Duke komentuar këtë detaj, në ndonjë shkrim aludohej edhe për një plan që nesër mund të sjellë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Në të vërtetë Kosova ende nuk ka flamurin e saj me gjithë debatet që janë bërë në të gjitha nivelet politike, institucionale, akademike apo edhe mediatike. Gjatë muajve tetor dhe nëntor ishte përfshirë në axhendën e Kuvendit të kaluar të Kosovës miratimi i simboleve, përfshirë edhe flamurin, por me krijimin e Grupit të Unitetit, që do të merrte pjesë në raundet e fundit të bisedimeve me palën serbe, të gjithë anëtarët u tërhoqën nga komisioni për këtë çështje. Tashmë pritet që parlamenti i ri të vendosë se çfarë flamuri, steme dhe himni do të ketë shteti më i ri në botë. i pari që propozoi flamurin e Kosovës ishte ish-presidenti Ibrahim Rugova.
Publikimi i tij është bërë në vitin 2001 nga vetë kryetari i atëhershëm, ku pati reagime të shumta, si dhe kundërshtime. Ai është quajtur "Flamuri i Dardanisë", me emrin antik të vendit ku hynte edhe toka e Kosovës, Toplicës, Shkupit etj. Pas tij ka patur edhe propozime të tjera si ai i kongresmenit amerikan, lobist i njohur i çështjes pro-shqiptare, Jozeph Diguard, i cili ka krijuar një flamur të gërshetuar me detaje simbolesh të flamurit amerikan dhe atij shqiptar. Debati i fundit, duket se do të rikthejë fuqishëm në skenë edhe një herë se me çfarë flamuri do të shkojë Kosova në selitë e institucioneve botërore, ku pritet të njihet si një shtet më vete.

Marre nga : Gazeta Albania

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama